Teatri, ose loja skenike është arti më i vjetër në botë. Nisur nga kjo, loja e aktorëve krijoi edhe thënien epike latine, ‘Ars longa,vita brevis’ që do të thotë, ‘Arti është i përjetshëm, jeta është e shkurtër!
Teatri, prandaj prej kohësh ishte bërë tërheqës për breza e breza. Kjo dëshirë, qysh në rini, i kishte lindur edhe aktorit të gjeneratës së re Naim Berisha.
Ai, së fundi ka realizuar monodramën “Artisti i vetëm”, me çka ka dashur të tregojë se akti i krijimit është edhe individual, pastaj magjia e tij është, nëse arrin të bëhet i pranuar nga të gjithë.
Po si e konsideron teatrin aktori Naim Berisha, çka ofron ai dhe cilat sfidat e tij, lexojeni intervistën, të cilën e zhvilluam enkas për portalin tonë.
Intervistoi: Gazmend Kajtazi
Këtyre ditëve keni luajtur në monodramën”Artisti i vetëm”, i cila trajton dramën me të cilën ballafaqohet aktori ynë. Sa arrin ta përballojë këtë vetmi artisti?
Artisti i vërtetë edhe kur është vetëm, asnjëherë nuk e ndjenë vetminë e aq më shumë në skenë. Detyra e tij është t’ia bartë publikut gjendjen, emocionin dhe dramën e personazhit. Duke e kryer këtë mision me sukses, ai nuk i lë vetes hapësirë kohore që paraqitjen e tij, si i vetëm ta përjetojë si frikë ose drojë. Artisti i vërtetë është i vetëmjaftueshëm. Ai jeton për të dhënë dhe kjo e mbanë gjallë atë.
Fakti se jeni i vetëm në skenë, të bënë të ndihesh edhe më i lumtur, se i vetëm do t’i gostitësh të gjithë. Kjo don të thotë, mundësi më e madhe për të dhënë më shumë.
I nëpërkëmbur nga vetmia aktoreske dhe njëfarë revolte të brendshme, sa e keni gjetur veten në këtë monodramë, e cila shpalos me tërë patosin ironik ADN-në e lojës skenike?
Të jem i sinqertë unë veten e gjejë, tek të gjitha rolet që luaj, ngase edhe rolit më të vogël i qasem me seriozitetin më të madh. Dhe kur fillon ta studiosh thellësisht një rol, është e pamundur të mos gjesh diçka nga vetja aty. Në momentin që e gjen tek roli, qoftë edhe grimcën me të vogël të vetes, ke gjetur çelësin për të hyrë brenda në rol dhe për t’ia falë vetën tënde rolit që luan.
Personazhi i Hans Klipp-it që përmendni ju, përmban më shumë se një grimcë të vetes time brenda tij, për të mos thënë gati një jetë të tërë, prandaj edhe rruga drejt realizimit, nuk ishte e vështirë dhe roli erdhi shumë natyrshëm.
Kjo shfaqje është jo e rëndomtë, që kërkon një qasje jo të rëndomtë. Sa keni arritur ta bartni në skenë tërë mesazhin e këtij teksti të rrallë?
Arti është jo i rëndomtë. Shfaqjet e rëndomta nuk përbëjnë art, ato përmbushin vetëm vrimat e monotonisë të një skene teatri që ka rënë në gjumë dhe që riciklohet. Për të realizuar vepra artistike jo të rëndomta, duhet të jesh njeri jo i rëndomtë dhe të kesh jetë dhe përjetime jo të rëndomta. Ju përmenda më lartë se Hans Klipp-i erdhi bindshëm në skenë, ngase unë në jetë jam një Hans Klipp real.
Unë në këtë rast nuk bëra asgjë tjetër, vetëm se përjetimet e mia ia barta personazhit në mënyrë besnike dhe i ngjyrosa me atmosferën, gjendjen dhe rrethanat skenike të tij. Shumicën e provave mizanskenike i kemi realizuar në prani të publikut, jo vetëm për të krijuar relacion organik ndërveprimi aktor – publik, por dhe për të matur shkallën e bartjes se mesazhit, atmosferës dhe gjendjes së personazhit deri tek publiku. Kjo besueshmëri në mënyrë shkallore ka ardhë duke u rritur, për të kulmuar në premierë. Kur ka besueshmëri të ndërsjellë midis aktorit dhe publikut, mesazhi është e pamundur që të mos arrijë aty ku duhet.
T’i kthehemi pak rinisë dhe kureshtjes suaj prej aktori. Kush është Naim Berisha dhe si lindi dëshira për t’iu përkushtuar skenës?
Naim Berisha është një djalë modest, i lindur në një familje shqiptare tradicionale, nga e cila asnjëherë më parë nuk ka dalë ndonjë aktorë. Qysh si fëmijë kisha tendencë të hyja në personazhe të ndryshme, të cilat zakonisht i takoja në televizor. Si i vogël kisha një tërheqje më të theksuar për ta njohur jetën, për ta imituar dhe nganjëherë edhe për ta korrektuar atë.
Unë besoj thellësisht se në këtë jetë kemi ardhur si misionar, për të shërbyer dhe për të marrë përjetime, përvojë dhe dituri më shumë. U bëra artist ngase mendoj se është profesioni që e bëjë me dashurinë më të madhe dhe po me kaq dashuri, këtë dhunti si produkt të përpunuar ta bartë tek të tjerët.
Sigurisht keni patur edhe ndonjë ‘figurë’ që të ka ndikuar më shumë në formimin tënd artistik?
Si fëmijë më kanë pëlqyer shumë aktorët si: Charlie Chaplin, Oliver Hardy, Stan Laurel, Norman Wisdom etj. Më vonë duke u rritur ndryshoi shija dhe preferenca ime, filluan të më pëlqejnë aktorë si: Anthony Quinn, Jhon Wein, Jean-Paul Belmondo etj. Është më se evidente se gjithë këta emra që i përmenda, kanë pasë rolin e tyre të rëndësishëm në orientimin tim kah aktrimi.
Duke parë këta aktorë më shtohej dëshira, që ta përjetoj edhe unë aventurën e kalimit nga një personazh në tjetrin dhe si i “tjetërsuar” të bartja emocion, atmosferë dhe mesazh të caktuar deri te publiku.
Shpesh thuhet se akëcili është aktor në mënyrën e vet. Por, ju si aktor profesionist, botën e shikoni ndryshe. Cila është kureshtja e një aktori?
Unë mund t’iu flas vetëm për vete, ngase besoj thellësisht se për të qenë artist, duhet të jesh vetja dhe për të qenë vetja, duhet të jesh unik. Kurrë nuk jam frikuar t’i dalë në ballë jetës dhe ta gjurmoj atë, madje edhe në skajet më ekstreme të saj.
Detyra e një artisti mendoj, ndër të tjera duhet të jetë gjurmimi dhe mbledhja e elementeve me qenësore të jetës, përpunimi artistik i këtyre elementeve dhe rikthimi i tyre në jetë, në formë dhe përmbajtje të modifikuar, në mënyrë që të ndikoj që jetën ta bëjë më interesante dhe më kualitative. Që të arrihet kjo, personi që merret me art duhet të jetë i lexueshëm, i thellë në gjurmim të jetës dhe meditativ.
Sa punë të duhet të veshësh petkun e një personazhi dhe më pas ta braktisësh atë?
Të ndërtosh një rol, është proces i njëjtë sikur ndërtimi i një shtëpie. Së pari kërkohet një studim teorik i personazhit, rrethanave në të cilat ai vepron dhe identifikimi i elementeve analoge dhe diferenciale me të. Kjo korrespondon me hapjen e themeleve të një shtëpie. Në fazën e dytë fillon vëzhgimi i personazheve që aktori i gjen në jetë, duke marrë nga ato elementet e nevojshme që i duhen personazhit skenik dhe duke i abstrahuar elementet tjera të panevojshme.
Kjo fazë asocion me ndërtimin e mureve të shtëpisë. Në stadin e tretë, pas përpunimit të gjithë këtyre informatave dhe elementeve, përdorimit të metodës së introspekcionit, meditimit dhe gjetjes se elementeve tjera përmbushëse dhe dekorative nëpërmjet imagjinatës, përfundon edhe ndërtimi i rolit. Kjo ngjason me vënien e kulmit, meremetimin dhe dekorimin e shtëpisë.
Tashmë kjo shtëpi si metaforë ngelet e deponuar në mendjen dhe shpirtin e artistit dhe është e pamundur të braktiset. Nga rolet e tij një aktor mund të largohet përkohësisht, sidomos kur i duhet të ndërtojë personazhe të tjerë, por asnjëherë nuk mund t’i braktisë ato.
Ju jeni skenarist, regjisor, aktor i teatrit, por keni patur edhe role filmike. Si e gjeni dhe në ç’mënyrë ‘e ndani’ veten mes këtyre ‘dashurive’?
Artin skenik, unë e marrë si dimension komplementar i të gjitha elementeve qenësore të tij, skenarit, interpretimit dhe regjisë. Konsideroj se një aktor i vërtetë, është një skenarist dhe regjisor i mirë, poashtu. Askush më mirë se aktori nuk mund ta përjetojë, ta ndiej jetën dhe frymimin e personazheve në skenë. Duke e pasë këtë përparësi, mjafton të jete në nivelin e duhur intelektual, që të zgjerohet edhe në këto dy drejtimet tjera.
Unë fillimisht fillova të aktroj, pastaj të shkruaj dhe të bëjë regji. Nuk mund t’i ndajë asnjërën nga tjetra, ngase të tria këto drejtime piktakohen në skenë dhe aty me gjejnë mua.
A shihni ndonjë dallim esencial dhe krucial ndërmjet këtyre dhuntive dhe zhanreve? Ku e gjeni veten më mirë?
Të tria i ndiej dhe i dua njësoj. Dallimin mund ta bëjë vetëm sa i përket të aktruarit në teatër dhe film. Teatri është vet jeta, i cili normalisht që ka përparësinë e tij.
Është një pyetje e pashmangshme: cili është roli juaj më i dashur dhe a keni patur sfida, apo zhgënjime gjatë karrierës suaj artistike?
Pashmangshëm roli im më i dashur deri me tani është Belushi tek “Turni i natës”. Një rol shumë sfidues dhe shumë atraktiv në të njëjtën kohë. Ende i kujtoj ditët e shumta të kaluara në klinikën e repartit të psikiatrisë, në Qendrën Klinike Universitare kur isha në vëzhgim dhe të gjitha ato peripeci të kaluara aty, që ende ma ngacmojnë kujtesën.
Zhgënjimet asnjëherë nuk i kam pasë me profesionin, ngase konsideroj se Zoti dhe puna ime janë kujdesur që të më mbajnë të përforcuar në këtë pikë. Zhgënjimi im ka të bëjë me trajtimin e artistit meritor në këtë vend, i cili ç’do ditë e më shumë po nëpërkëmbet.
Kur zemëroheni me dikë, apo ndiheni keq për ndonjë padrejtësi, si e gjeni mënyrën për të përballur emocionet?
Asnjëherë gjatë punës time nuk kam pasë interferime emocionale, midis asaj që më ka ndodhur në jetë dhe punës time skenike. Përkundrazi ka funksionuar shumë mirë metoda e sublimimit emocional, kur emocionet negative të imponuara nga jeta, i kam kthyer në energji krijuese në skenë.
Sa i takon padrejtësive që më bëhen, në shumicën e herëve i falë armiqtë shpirtërisht, pastaj, edhe ndjenja e revanshit dhe zemërimi largohen nga unë.
Teatri po kalon nëpër shumë sfida dhe na bëhet se vështirë po e gjen rehatinë e vet?
Teatri sot këtu dhe sidomos Teatri Kombëtar, po kalon nëpër një krizë të thellë identiteti, përcjellë poashtu edhe me rrënim të sistemit të vlerave. Teatri në vend që të orientohet drejt misionit që ai ka, si promotor i zhvillimeve shoqërore, kultivuesit dhe edukuesit të shoqërisë, është kthyer në një prijës të akulturimit dhe degjenerimit social. Mjafton të shihni shfaqjet që jepen aty dhe e kuptoni më së miri konstatimin tim.
Fitohet bindja se edhe vet komuniteti artistik tek ne nuk është unison në një zë?
Bindja që keni fituar ju, është realiteti ynë i hidhur, që duhet pranuar.
Një shprehje biblike thotë: “Shumë janë të thirrur, por pak janë të zgjedhur”. Prej atyre që sot e përbëjnë komunitetin artistik, ka shumë profiter e pak artistë. Prandaj ekziston një diskrepancë dhe divergjencë e tillë. Përderisa artisti ka mision mbijetesën e artit, profiterët kanë për qëllim zhvatjen financiare. Fatkeqësisht këto dy pikësynime asnjëherë nuk piktakohen.
Artisti duhet të jetë i pavarur nga rrymimet në mënyrë që atmosfera artistike të mos ngjyroset politikisht, apo arti mund të ketë më tepër zhvillim kur ekzistojnë iniciativa të mbështetura dhe të kontrolluara nga shteti?
Artisti është një qenie e lirë dhe vetëm si i tillë mund të ekzistoj. Në momentin që ai bëhet pjesë e klaneve apo grupimeve të caktuar e humbë lirinë e tij, i zihet fryma dhe shuhet.
Në botën demokratike ku funksionon ligji dhe sistemi i vlerave, ekzistojnë grupime artistike, ku artistët e ruajnë lirinë e tyre dhe bashkohen për t’i kontribuar artit. Kurse tek ne profiterët bashkohen për të përfituar financiarisht në emër të artit dhe për t’i luftuar artistët.
Fatkeqësisht politika këtu mbanë krahun e profiterëve, për ta ruajtur status quo-n. Kjo është gjëja më e keqe që mund t’i ndodhë një shoqërie, ngase aty ku shtypet zëri i artistit, ajo shoqëri e vret perspektivën e saj.
A mendoni se edhe vlerat që po serviren sot, nuk janë të qëndrueshme dhe atraktive për publikun?
Siç e përmenda dhe më lartë, arti dhe institucionet artistike sot janë në një krizë të thellë. Sot shumë rrallë mund të gjendet ndonjë vepër artistike që përfaqëson art të mirëfilltë. E tërë kjo, jo pse nuk ka artistë që mund të prodhojnë vepra të tilla, por për shkak se këtyre artistëve iu mohohet mundësia dhe hapësira për të produkuar dhe shfaqë veprat e tyre.
Sa manifestohet një lloj vetëlavdërimi deri në narcisoizëm te një aktor dhe cili është tagri që e paguan për ‘rebelimin’ e tij?
Narcisoizmi dhe vetëlavdërimi nuk janë veti e një aktori respektivisht e një artisti. Këto janë veti të pseudoartistëve, të cilët zbrazëtinë e tyre profesionale dhe artistike e mbushin me narcisoizëm, vetëlavdërim dhe gënjeshtra. Siç e thash edhe në fillim, artisti jeton për të dhënë dhe nuk lufton asnjëherë që t’i përmendet emri, apo të përfitoj nga dhënia që bën. Artisti nuk ka nevojë të vetëlavdërohet për të përmbushur çfarëdo zbrazëtie, ngase shpirti i tij është i plotësuar.
Artisti i vërtetë është rebel i vërtetë. Rebelizmi i tij, buron nga thellësia e shpirtit dhe zemrës së tij. Artisti kurrë nuk rebelohet kur cenohet interesi i tij, por vetëm kur cenohen parimet universale të drejtësisë dhe perspektives së shoqërisë. Fatkeqësisht në shoqëritë e pa emancipuara dhe shtetet e pakonsoliduara, artistët rebel sulmohen, diskriminohen, izolohen dhe në raste më ekstreme edhe syrgjynosën.
A duhet të jetë aktori paksa kryeneç i pabindur, dua të them, të jetë vetja e vet?
Aktori në bazamentin e personalitetit të tij, është një qenie e brishtë dhe e lakueshme, aspak kryeneçe dhe e pabindur. Aktorët kryeneç janë zakonisht mediokër dhe me mungesë talenti. Por kjo nuk don të thotë se aktori duhet të heqë dorë nga vetja e tij, si personalitet unik. Përkundrazi brenda brishtësisë dhe përshtatjes se tij skenike, duhet të shpërthej origjinaliteti i tij krijues.
Sigurisht, ju nuk reshtni së hulumtuari projekte të tjera të reja. Mbase mund të na i shpalosni ose dëshironi t’i mbani për surprizë?
Kam përshtypjen se kur gjërat para tregohen e humbin fuqinë e tyre dhe rrezikojnë të mos realizohen, për shkak të humbjes se energjisë se tyre krijuese gjatë procesit krijues, prandaj mendoj se ato duhet të ruhen për t’u shfaqë në kohën e duhur pa bërë zhurmë, për të arritur efektin e synuar. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëRasti i 2.1 milionëshit, zëvendësministri Sallahu: 500 mijë euro janë në një bankë në Turqi, po punojmë me autoritetet atje që t’i kthehen Thesarit të Shtetit
Kosova luan 'ndeshjen e jetës' në udhëtim te Rumania
Videoja e publikuar zbulon arsyen e vërtetë pse Tyson e goditi me shuplakë Paulin, gjithë faji ishte i YouTuber-it
ROSCAP: Doracakët për edukimin seksual janë inicuar dhe zhvilluar gjatë kohës kur në pushtet ishin PDK, LDK dhe LVV
Çfarë ndodhi me Sotir Ninin, lojtarin që refuzoi Shqipërinë për Greqinë - ai që detyroi Man Utd të ndërtojë 'dosjen e spiunazhit'
Publikohen pamjet ku ushtarët rusë shihen duke u dhënë instruksione koreano-veriorëve në vijën e frontit, por me sa duket ata nuk i kuptojnë fare
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Platforma ku mund ta shikoni duelin e vitit Jake Paul - Mike Tyson
Cristiano Ronaldo po largohet nga Al Nassr shkaku i garës së FIFA-s
Publikohet lista e plotë me rregullat kontroverse për luftën Mike Tyson - Jake Paul
Trump dëshiron ta mbyllë Departamentin e Arsimit - çfarë do të thotë kjo për edukimin shkollor
Ledri Vula e pranon se ka fjetur me një fanse
John Thune zgjidhet kryetar i Senatit Amerikan - kandidati që donin shqiptaro-amerikanët