LAJMI I FUNDIT:

Mos i përzgjidheni memecët!

Numri i deputetëve të Kuvendit të Prizrenit, të cilët gjatë gjithë mandatit të tyre nuk kanë çelë së paku një herë gojën në Kuvend nuk është i vogël. Me këtë heshtje të thellë, ata kanë treguar se nuk e kanë vendin në Kuvend dhe s’kanë qenë asgjë më shumë se sa memecë të partive politike dhe popullit.

Kanë kaluar gati nëntë vjet që nga koha kur Kolosal Memeci kandidoi për herë të parë në një post politik. Ai ishte i bindur se është një kandidat me mundësi të mira për t’i hyrë rrugës politike në vendlindjen e tij. Hyri në garën zgjedhore dhe u mundua të bëjë atë që bënë çdo kandidat tjetër politik. Nuk la takime pa i zhvilluar me qytetarë të lagjeve dhe fshatrave për t’ia kërkuar votën dhe “shpalosur programin e tij politik”. ”Vetëm më votoni, unë kam me qenë zëri i i fuqishëm juaj në Kuvend…..”, premtonte Memeci.

Qytetarët (votuesit), dyshonin në premtimet dhe aftësitë e tij. Ishin të bindur se Memeci nuk do të mund t’i përfaqësojë interesat e tyre në Kuvend. Ndërkaq, partia, të cilën e përfaqësonte Memeci, ishte përcaktuar që interesat e qytetarëve t’i përfaqësonte Memeci. Në mungesë të një kandidati tjetër, votuesit e lagjeve dhe fshatrave ku kishte lobuar Memeci, vendosën që me votat e tyre, dhe në mënyrën më demokratike, atë ta dërgojnë në Kuvend për t’i përfaqësuar interesat e tyre jetësore.


Pas fitores, Kolosal Memeci, u bë njeriu më publik dhe i respektuar në vendlindje. Kudo respektohej si një Perandor! Ishte bërë më i madhi i qytetit! Edhe pse në tërë jetën e tij, s’kishte lexuar asnjë libër më shumë se ato që kishte pasur obligative në shkollën fillore, tek votuesit reflektohej më i dijshmi dhe njeri më abstrakt. Ishte i bindur se mungesa e leximit dhe vizionit politik nuk do të ndikonte në mbrojtjen e interesave të votuesve.

Pak ditë pas marrjes së besimit në zgjedhje dhe konsolidimit të institucionit qeverisës, atij i erdhi koha për ta dëshmuar dhe treguar vetën. Në çdo seancë të Kuvendit, votuesit ia hapnin sytë TV-së, duke pritur që Memeci, do të ngrihej në foltore për t’i trajtuar problemet e tyre, për të cilat gjatë fushatës elektorale kishte premtuar zgjidhje.

Pritja e tyre zgjati aq shumë saqë, as vetë Kolosal Memeci, nuk kishte besuar në kohën që pat vendosur të hyjë në garën e parë zgjedhore dhe të merret me politikë në Kosovën e pasluftës. As pas nëntë vitesh pritjesh, votuesit nuk arritën të dëgjojnë së paku një fjalë nga goja e tij, edhe pse problemet e tyre jetësore që kërkonin zgjidhje ishin të shumta.

”Sa herë që po më shkon në mendje me fol për një problem, para meje po dalin të tjerët e po i thonë edhe për mua…!”, arsyetohej Memeci. Votuesit nuk i befasonte arsyetimi i Memecit. Ata e njihnin mirë “personalitetin” dhe aftësitë e tij politike. ”Po t’ kemi thanë se je i dobët nga kalemi për atë vend bre burrë. Por, nuk i ke fajet ti. Fajet më të mëdha i ka partia që të ka kandidu, por edhe ne që të votuam…”.

Përkundër zhgënjimit të madh të votuesve dhe mungesës së fjalës për nëntë vite në Kuvend, Kolosal Memecit, sërish i lakohet emri për kandidat të mundshëm për zgjedhjet lokale, të cilat parashihen të mbahen në fund të këtij viti. Partia që përfaqëson Memeci, për nëntë vite nuk ka arritur të zëvendësoi atë me një emër të ri, që vërtet ka vizion për t’i trajtuar problemet e qytetarëve në Kuvend.

Për partinë që e përfaqëson Memeci, s’ka rëndësi që i përzgjedhuri i tyre s’dinë të flasë dhe t’i trajtojë problemet e qytetarëve. Më e rëndësishme për këtë parti është që ai në mënyrë të heshtur dhe me votën e tij, t’i mbrojë interesat e personale dhe klanore të partisë.

Numri i deputetëve të Kuvendit të Prizrenit, të cilët gjatë gjithë mandatit të tyre nuk kanë çelë së paku një herë gojën në Kuvend nuk është i vogël. Me këtë heshtje të thellë, ata kanë treguar se nuk e kanë vendin në Kuvend dhe se s’kanë qenë asgjë më shumë se memecë të përzgjedhur nga partitë politike dhe të votuar nga populli.

Partitë politike në këtë qytet para se të hartojnë listën e kandidatëve për zgjedhjet e ardhshme lokale, që do të mbahen në fund të këtij viti, detyrimisht duhet që t’ia bëjnë nga një “refresh”, angazhimit të secilit kuvendarë. Të shikojnë se cili prej tyre gjatë tërë mandatit të tij, nuk e ka çelur së paku një herë gojën, nëse jo për të kërkuar zgjidhjen, së paku për t’i njoftuar Kuvendin për problemet me të cilat përballen qytetarët të cilët ia kanë dhënë besimin. Politikanët që nuk din të flasin, shpejt a vonë harrohen.

Prandaj, këto subjekte politike duhet të shikojnë se cili prej këshilltarëve të Kuvendit, ka vepruar kuturu, duke mos e arritur të rrisin as zhvillimin e fjalës. Të druajturit, të pazotët nuk i duhen më qytetarëve dhe qytetit. Në ditët tona çelësi i suksesit duhet të quhet fjalë-veprim. Fjala është çelësi i suksesit. Ato bëjnë edhe historinë. Fjala është motori sovran i së mirës dhe së keqes. Ajo ka qenë gjithmonë nxitëse e madhe për të gjithë veprimet e jashtëzakonshme. Të gjithë udhëheqësit e mëdhenj kanë pasur kanë nevojë për fjalën.

Ka ardhur koha që partitëpolitike ta kuptojnë se sot jemi në shekullin e fjalës dhe veprimit. Nuk duhet të lejojmë që të keqpërdoret fjala dhe veprimi, ashtu siç ka ndodhur nga periudha e pasluftës në Kuvendin e qytetit historik të Prizrenit. Njerëzit që kanë keqpërdor fjalën në Kuvend, në emër të interesave personale dhe klanore duhet të ndëshkohet, e jo të favorizohet. Nuk duhet t’u krijohet më mundësi që folësit e zakonshëm, banal që nuk ka asnjë synim të lartë të vetëkënaqen thjeshtë kur e dëgjojmë.

Sot më shumë se kurrë kemi nevojë të domosdoshme për njerëzit që dinë të flasin për të hapur një rrugë në jetë. Në Greqi e në Romë, arti i fjalës ishte objekti i mësimit teorik me gjithë kurset e veçanta praktike. Të rinjtë në shkollat e retorikës mësonin e diktonin me zotësi, me finesë e të mbanin fjalime para popullit me një ndjenjë të vërtet elegante. Të dish të flasësh si për romët dhe grekët përbënte bazën autentike të kulturës dhe armën më të mirë për të përballuar jetën.

Ndërkaq, në Kuvendin e Prizrenit, fatkeqësisht realiteti i këtyre viteve ka treguar se ka qenë me plotë politikanë që edhe kur e kanë hapur gojën të kanë bërë t’i mëshirosh. “Fjalët” e vetme të atyre pak politikanëve që kanë ngritur zërin dhe janë dëgjuar kanë qenë akuzat e ndërsjella për me terma të ulët për keqqeverisje, korrupsion, duke mos i ikur as fyerjeve individuale deri në banalitet.

Të dish të flasësh nuk është një art i lehtë siç mund të dukej në shikim të parë. Nuk mjafton të hapësh gojën të njohësh një koleksion historish, të përdorësh citime e “fraza të famshme politike”, vetëm në momentin kur rrezikohen interesat e një grupi politikë, apo të një individi. Të dish të flasësh do të thotë mbi të gjitha të dish t’i mbrosh interesat e qytetarëve dhe t’i bësh ata të të dëgjojnë. Prandaj, pak respekt në përzgjedhjen e njerëzve që (s)dinë rendësinë dhe peshën e fjalës!
/PS: Emri dhe mbiemri i personazhit të shkrimit është i trilluar. Kuvendarët të cilët e gjejnë veten në këtë shkrim u lejohet të identifikohen me këtë personazh/.

Në trend

Më shumë
Kosovari vrau kushëririn në Zvicër pas konfliktit për një mur në Kosovë - gjykata jep detaje

Kosovari vrau kushëririn në Zvicër pas konfliktit për një mur në Kosovë - gjykata jep detaje

Lajme
Edhe Daut Haradinaj reagon për Gjestin: Ai është një bir shqiptari

Edhe Daut Haradinaj reagon për Gjestin: Ai është një bir shqiptari

Magazina
Djali i presidentit Trump shpërndan postimin e Grenellit, në të cilin thotë Kurti po gënjen se është i afërt me SHBA-në

Djali i presidentit Trump shpërndan postimin e Grenellit, në të cilin thotë Kurti po gënjen se është i afërt me SHBA-në

Lajme

"Po e shkel Kosovën me këmbë", Gerta, Laerti e G Bani në debat të ashpër me Gjestin pas përjashtimit të Jozit

Magazina

"Tiroli i Jugut si model për Asociacionin" Mandl: Jo një Republika Sërpska, duhet të jetë zgjidhje praktike, pa kërcënim

Lajme
Katër shembuj të “mbështetjes së pafund” të Trumpit për Izraelin

Katër shembuj të “mbështetjes së pafund” të Trumpit për Izraelin

Botë
Kalo në kategori