LAJMI I FUNDIT:

Morali dhe intelektuali

Morali dhe intelektuali
Ilustrim

Nga: Ilir Cenollari

Baza e përparimit të njeriut dhe njerëzimit është edukimi. Në themel të çdo feje dhe doktrine filozofike qëndrojnë mësimet morale, themelet e edukimit. Njerëzit e mëdhenj të çdo epoke, filozofë, poetë, shkrimtarë, historianë, krijues, artistë dhe shkencëtarë, e kanë kuptuar këtë domosdoshmëri dhe i janë përkushtuar punës edukuese pa të cilën çdo arritje tjetër do të ishte e kotë ose pa kuptim.

Njëri nga filozofët më të mëdhenj të të gjitha kohërave, Aristoteli, ka trajtuar gjatë dhe gjerë problemet e edukimit, sjelljes, zakoneve, moralit, shpirtit, arsimimit, lartësimit dhe përparimit të moralit njerëzor. Aristoteli është themeluesi i shkencës morale, që në të vërtet është shkenca e urtësisë dhe mençurisë njerëzore. Morali përcakton qëllimin e individit, qëllimin e politikës së lartë dhe të vërtetë. Politika duhet të transformojë ligjin moral në ligjin e shtetit. Qëllimi i etikës nuk është njohja teorike e veprimit të moralit, por të ushtruarit e tij në praktikë për t’u bërë i virtytshëm, ndryshe studimi s’vlen për asgjë. Pra, vlera e moralit qëndron në zbatimin konkret të normave morale, thekson Aristoteli. Qëllimi i jetës politike është virtyti, jo nderi, nderi është diçka personale.


Por, as virtyti në vetvete s’mjafton, sepse mund të jesh i virtytshëm dhe mund të flesh gjumë kur bota digjet, ose mund të qëndrosh indiferent ndaj së keqes që bën kërdinë. S’duhen përzierë mjetet me qëllimet. Aristoteli i ndan virtytet morale në dy lloje: në virtyte të karakterit dhe në virtyte intelektuale ose të mendimit. Intelektual është ai që i mishëron të dyja këto virtyte. Parimi jetës – thotë filozofi – është shpirti. Ndjeshmëria, pjesa irracionale e njeriut merr pjesë në arsye, pjesa që mendon vendos rregull, ajo që i nënshtrohet bindet.

Njohja e shpirtit për shkak të vlerës së lartë, ka rëndësi të dorës së parë, sepse sjell një ndihmesë të madhe për njohjen e së vërtetës, jo vetëm në shkencat shoqërore, por dhe ato natyrore, sepse shpirti është parimi jetës së gjallë. Gjithë filozofët para Aristotelit shpirtin e shikojnë si parim të lëvizjes – Talesi, Pitagora, Herakliti, Demokriti, Anaksagora … Sipas tyre, shpirti në thelb është gjithmonë në lëvizje, esenca e tij lëvizja në vetvete. Sipas Aristotelit, objekti ndjesor prodhon në organizëm një përshtypje që është njëkohësisht pasion dhe veprim. Kjo përshtypje krijon një formë në fuqinë shpirtërore që është e përbashkët për shpirtin dhe trupin, domethënë ndjeshmërinë irracionale. Më në fund, kjo ndjeshmëri irracionale, kjo formë ose fuqi e errët, e pakuptueshme, krijon arsyen, e cila drejton sjelljen, prej këndej rrjedh një gjykim dhe një njohje.

Etika është shkenca që ka objekt studimi sjelljen njerëzore. Një shkencë e tillë është manifest politik, është e mira e përsosur, ajo që i mjafton vetvetes, jo vetëm një njeriu, por gjithë qytetit, vendit, shoqërisë sepse njeriu është një qenie politike. Aktiviteti mendor e shkëput njeriut nga rendi i gjërave thellësisht njerëzore dhe e kthen gati në një Zot.

Mirëpo, kjo jetë mëshiron një kulm që s’është tërësisht i pavarur nga kushtet social-ekonomike. Nga njëra anë ajo përbën pengesë për jetën meditative, nga ana tjetër ushtrimi i mirë i intelektit formon virtytet e karakterit. Për formimin e virtyteve edukimi është thelbësor, të ushtruarit bën virtytet dhe formimi i karakterit që në moshë të vogël varet nga ligjet e shtetit. Detyra kryesore e ligjvënësve të mirë është dhënia e zakoneve të mira qytetarëve të tyre, që ata të bëhen qytetarë të mirë.

Intelektuali, sipas Aristotelit, është fuqi morale, fuqi intelektuale dhe fuqi idealesh. Tipari kryesor i intelektualit sipas tij është shpirtmadhësia dhe qëllimësia. Sokrati dhe Platoni këtë tipar e shkrijnë në idenë e së Mirës Supreme. Intelektuali është shpirtmadh. Shpirtmadhësia ka të bëjë me gjëra të mëdha. Shpirtmadh është ai që është i vetëdijshëm se është në gjendje të bëjë gjëra të mëdha e që këto vepra realisht janë të tilla. Nëse dikush pretendon se është i madh pa qenë në të vërtetë i tillë, ai është njeri pa gjykim, por në radhët e të virtytshmëve nuk ka as individë pa gjykim e as budallenj. Ka dallim mes njeriut modest, njeriut që bënë gjëra të vogla dhe beson se është i denjë për të tilla vepra, dhe njeriut shpirtmadh, pasi ky i dyti bënë gjëra të mëdha. Ata që besojnë se janë të mëdhenj pa qenë të tillë janë Don Kishotë, njerëz qesharakë, shpirtvegjël e të tillë ka shumë.

Më të mëdhenj nga të gjithë janë ata që jepen tërësisht pas idealeve më të larta dhe jetojnë vetëm për këtë qëllim. Mirëpo, merita shihet në marrëdhënie me të mirat e jashtme këto të mira (nderimi, vlerësimi) më tepër se çdokush i gëzojnë hyjnitë. Njeriu shpirtmadh meqenëse është i denjë për gjërat më të mëdha, natyrshëm është njeri i përkryer, e rrjedhimisht njeri i mirë. Ai që ka shpirt të madh dhe çdo virtyt tjetër e ka të madh. Ai s’mund të bëjë veprime në kundërshtim me natyrën e tij, t’ia mbathë nga sytë këmbët apo të bëjë padrejtësi. Shpirtmadhësia është stolisma e të gjitha virtyteve të tjera të njeriut, sepse pa të ato s’mund të rriten dhe lulëzojnë.

Njeriu shpirtmadh në radhë të parë shqetësohet për nderin e dinjitetin e njeriut dhe jo për pasurinë, pushtetin, nderet etj. Ai është i vetëpërmbajtur duke ruajtur gjithmonë masën si në ditë të mira si në ditë të zeza. Njerëzit shpirtvegjël, sapo arrijnë një shkallë posti e pasurie, pandehin se qëndrojnë më lart se të tjerët dhe i përbuzin ata, bëjnë budallallëqe, s’dinë madje se ç’është lumturia, etj.

Njeriu shpirtmadh nuk kridhet në rreziqe të kota, në rreziqe që nuk ia vlen mundimi, as i dëshiron rreziqet se s’ka asgjë të mirë në to, por ai përballon çdo rrezik për motive të rëndësishme duke shkuar me vendosmëri dhe guxim drejt vetëflijimit, sakrifikimit të jetës së vet. Njeriu i madh nuk kërkon, por jep, nuk merr por dhuron, dhe kur kërkon e bën këtë me shumë vështirësi, nga ana tjetër nuk përton të japë çdo ndihmë të mundshme.

Njeriu shpirtmadh sillet me kryelartësi ndaj njerëzve të fuqishëm dhe pasanikëve dhe me dashamirësi ndaj njerëzve të thjeshtë. Kjo sjellje s’ka asgjë ta pahijshme, përkundrazi. Njeriu shpirtmadh nuk kërkon poste dhe ndere, ai s’merret me vogëlsira dhe është i matur në qëndrime e veprime. Ai shqetësohet më tepër për të vërtetën se sa për opinion publik, flet dhe vepron haptazi, se kudo flet lirshëm e sinqerisht. Për këtë arsye ai pëlqen të thotë të vërtetën më përjashtim të rasteve kur ia do puna të përdorë ironinë.

Ai e ka të pamundur të jetojë si do tjetri, kjo është skllavëri, se lajkatarët janë gjithmonë servilë. Nuk admiron së tepërmi (se asnjë nuk qëndron më lart se ai), por nuk mban as mëri, madje dhe ndaj atyre që i kanë bërë keq. Ia vlen më mirë t’i shpërfillësh. Nuk flet për veten as për të tjerët sepse nuk shqetësohet as për lavdinë e vet as për kritikat ndaj tjetrit. Për këtë arsye nuk përdor fjalor të hidhur dhe të tepruar as ndaj armiqve edhe pse e meritojnë. Dhe kur gjendet ngushtë e në nevojë ai është gjithmonë i kufizuar dhe rezervuar në kërkesa sepse çdo gjë e bën me zemër të hapur e çiltërsisht. Natyra e tij e shtyn drejt gjërave të bukura dhe të padobishme se sa drejt interesit dhe përfitimeve. Kjo sjellje është në përputhje me një shpirt që i mjafton vetvetja.