LAJMI I FUNDIT:

Mllefi im naiv!

Kohëve të fundit sikur më është mbushur kupa në trurin tim dhe nuk pranon informata më, sepse është mbingarkuar dhe bombarduar me lajme nga më të ndryshmet , e kryesisht politike e që kanë të bëjnë me vendin tim.

Shpesh po e pyes vetën: i kam faj unë dikujt që Zoti më krijoi mua nw këtë vend dhe më krijoj Shqiptar ?Nuk dua absolutisht të tingëllojë si patriot megjithatë kur po lexoj historinë në disa momente po irritohem! Askujt nuk i zaptuam toka ,askënd se pushtuam, e gjithmonë të tjerët lakmuan tokat tona.

Shoh historinë e shumicës se popujve e vendeve tjera qe ishin te pushtuara, bënë një luftë paqësore ose të përgjakshme , u çliruan dhe pastaj menduan vetëm të ndërtonin vendin e tyre , të zhvillonin ekonominë e tyre etj. Kurse ne? U çliruam e u pushtuam shumë herë e kjo po vazhdon që prej 500 vjetësh.


Nuk më intereson emri i pushtuesit, por kureshtja më pyet pse po ndodhë kjo? S’duam të pushtojmë askënd , vetëm duam të jetojmë në këtë tokë si të gjithë popujt tjerë, njerëzit tjerë, të jetojmë një jetë të qetë pa marrë parasysh kënd e kemi fqinjë shtetëror. S’dua ta pushtoj askënd, dua vetëm të punoj dhe ta lulëzoj këtë copë toke, këtë copë toke që Zoti ma dedikoi të jetoj në të.

Nuk më intereson historia se deri ku i kisha kufijtë e të luftoj për ta , të shkuara të harruara , aman tani më lini të qetë. Dua që kur të zgjohem në mëngjes të mos shoh titujt në gazeta se tha ky që Kosova do ketë qetësi apo se tha ai që Kosova s’do të ketë qetësi.

Dua të lexoj tituj gazetash për ngritje ekonomike dhe jo për ndërrime territoresh. Dua të lexoj tituj për mirëqenien sociale të njerëzve të shtetit tim dhe jo se si dikush thotë që ndihet i cenuar e i rrezikuar nga ai ose ky komunitet. Dua të lexoj se si shkoi ndeshja e ekipit tim të preferuar nga vendi im në arenën ndërkombëtare, e jo të lexoj për ekipe Barcelona, Milan etj.

Unë vetëm dua të jetoj në një vend normal si njeri normal me kushte e rrethana normale!

Dhe një mllef tjetër kam …
Sipas statistikave vërehet që në Kosovë popullata është e moshës së re, pra shumica i takon moshës së re. Tani unë kam bërë një lidhje shumë të thjeshtë duke u bazuar së pari tek vetvetja dhe shokët e të afërmit e mi dhe njerëzit që më bie te bashkëbisedoj. Një te riu relativisht le të themi, 80 % e tyre, nuk ju intereson politika aktive (e bisedojnë mes veti, por nuk duan të jenë të kyçur në të)dhe bisedat e tyre kanë të bëjnë kryesisht me përditshmërinë, kulturën, sportin, ekonominë dhe krejt në fund bisedat e tyre (tonat) janë për çështje politike.

Eh këtu është lidhja ime edhe baza e mllefit tim. Kur marr gazetat e përditshme 100 % titujt e parë (dhe atë me shkronja të mëdha) janë për politikë, faqja e dytë gjithashtu politikë, e treta po ashtu (mos edhe më tepër).

Nëse jemi popullatë e përberë nga mosha e re dhe sikundër kësaj nuk na intereson politika, pse t’i kemi ato lajmet e para? Pse të mos është faqja e kulturës e para, problemet, përparësitë e shkollimit, shfaqjet teatrale që do jepen të jenë në faqe të parë?

Dhe prandaj në një popullatë me mbi 2 milionë banorë shitën vetëm 40-50 mijë gazeta ditore. Sepse nuk përfaqësojnë shumicën, nuk shkruajnë atë që donë shumica, prandaj unë dhe shokët e mi nuk blejmë gazetat ditore (jo pse nuk lexojmë), sepse nuk e gjejmë veten aty! Dhe duke vazhduar me këtë avaz do te vijë dita kur fëmija para se të shkoj në klasën e parë do dijë emrat e çdo politikani në skenën politike, edhe pse nuk e ka mësuar ende alfabetin. Eh po kështu…, paradoksi brirë nuk ka!