LAJMI I FUNDIT:

Mlladiqët e Serbisë në Fushën e Kosovës!

Serbët edhe një herë shënuan betejën e Kosovës që ndodhi 622 vjet më parë në Fushën e Kosovës, ku forcat e koalicionit të krishterë u mundën nga perandoria më e madhe e kohës, ajo Otomane. Gjithë “lavdinë” e humbjes e morën mbi vete serbët dhe Serbia, e cila këtë ditë e feston si ditën e “Vidovdanit”…

Edhe këtë herë nuk munguan provokimet e ultranacionalistëve të dehur serbë kundër shqiptarëve. Ata ditën e 28 qershorit festuan duke brohoritur dhe madhëruar emrin e kriminelit më të madh të shekullit 20-të, Ratko Mlladiqit, kriminelit serb, i cili pas 15 vjet fshehjeje, më në fund u dërgua në Hagë, për të dhënë llogari për krimet dhe gjenocidin e kryer në Bosnje ndaj boshnjakëve myslimanë…

Emri i tij ketë herë jehoi në Gazimestan dhe porosia ishte e qartë, se njerëzit që e morën në gojë, nuk u duhet lejuar që të shkelin në tokën e Kosovës…


Festimeve të tilla kundërshqiptare duhet dhënë fund dhe në asnjë mënyrë qeveria e Kosovës dhe institucionet e saj, në këtë rast policia e Kosovës nuk duhet lejuar këta Mlladiq të rinj, që mu në zemër të Kosovës, të kërkojnë kokat e shqiptarëve.

Me këtë rast, nuk mund të arsyetohet mbyllja për shumë orë e rrugës kryesore Prishtinë-Mitrovicë, për të mbrojtur “Mlladiqët” e rinj të Serbisë, të cilët pa i penguar askush derdhën urrejtjen e tyre të njohur kundër shqiptarëve.

Është hera e dytë që serbët po i shkelin ligjet në fuqi të Kosovës, duke mbetur të pandëshkuar, nga dy festimet e fundit, në të cilat po shënohet beteja e Kosovës, e vitit të largët 1389.

Të shpresojmë se do të jetë edhe e fundit për Mlladiqët e rinj luftënxitës, të cilët edhe një herë në mbrojtje të policisë së Kosovës na e sollën Mlladiqin në Fushën e Kosovës së lirë…