LAJMI I FUNDIT:

MKRS, 100 mijë euro mbështetje për librin dhe revistat letrare

MKRS, 100 mijë euro mbështetje për librin dhe revistat letrare

Në Ditën Botërore të Librit dhe të Drejtës së Autorit, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi, ka nënshkruar tri vendime për përkrahjen e librit dhe revistave letrare.

Bazuar në kompetencat që ia jep Ligji për Veprimtarinë Botuese dhe Librin dhe Rregullorja për punën e Këshillit të Librit, ministri ka nënshkruar vendimin për përkrahjen për botim të titujve të rinj, vendimin për blerjen e titujve të botuar dy viteve të fundit dhe përkrahjen për revistat letrare.

Rekomandimet për të tri këto vendime kanë ardhur nga Këshilli i Librit, pas konkurseve publike, në të cilat kanë konkurruar shtëpitë botuese të Kosovës.
Mbështetja totale në të tria kategoritë arrin shumën prej 100 mijë euro dhe krahasuar me përkrahjen për vitin e kaluar rritja është në masën rreth 30 për qind.

Janë gjithsej 35 tituj të rinj që do të mbështetën nga MKRS-ja për botim me një shumë totale prej mbi 50 mijë euro.


Ndërkaq, tek konkursi për blerjen e librave të botuar në dy vitet e fundit përkrahja totale është rreth 23 mijë euro. Nga kjo janë blerë 53 tituj dhe nga secili titull do të blihen rreth 80 kopje, që në total numri i librave të blerë do të shkojë në mbi 4 mijë kopje.

Librat e blerë, në një ceremoni zyrtare në ditët në vazhdim, do t’iu shpërndahen bibliotekave publike nga të gjitha komunat e Kosovës.

E te revistat letrare përkrahja në total është 26 mijë euro dhe nga kjo shumë janë mbështetur shtatë revista letrare. Revistat letrare të përkrahura janë: ‘Jeta e Re’, ‘Metafora’, ‘Symbol’, ‘Fjalë e Valë’, ‘Sharri’, ‘Soz Koprusu’ dhe ‘Jehona’. /Telegrafi/