LAJMI I FUNDIT:

Mitet serbe përballë të vërtetave shqiptare

(Ismail Kadare dhe Boris Tadiç flasin për Ballkanin dhe marrëdhëniet shqiptaro-serbe në gazetën “Frankfurter Allgemeine Zeitung”)

Pak ditë para se ministri i jashtëm i Kosovës të zhvillonte një vizitë dyditore shumë të suksesshme në Berlin ku ai do të kërkonte dhe do ta gjente ndihmën e shtetit gjerman për rritjen e njohjeve diplomatike të Republikës së Kosovës, gazeta më e madhe gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, si për t’i krijuar një atmosferë të favorshme bisedimeve gjermano-kosovare, botoi dy intervista interesante për publikun gjerman, i cili zhvillimet në Ballkan gjithmonë i ka përcjellë me vëmendjen më të madhe. Bashkëbisedues të kësaj gazete me ndikim të madh opinionformues ishin zgjedhur autori i romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, shkrimtari i madh shqiptar Ismail Kadare dhe presidenti serb Boris Tadiç, i cili vetëm disa ditë më parë u detyrua të dorëzojë gjeneralin Ratko Mlladiç në Hagë pas 16 vitesh të fshehjes së tij në Beograd dhe rrethinë ndër të tjera edhe me ndihmën aktive të shtetit serb.

Intervista me Kadarenë me titullin “A beson ende në komb, zoti Kadare?” u botua në numrin e të shtunës së parë të qershorit, pra në një ditë kur gazeta lexohet më së shumti, në një faqe të madhe me një portret dinjitoz që zinte një të tretën e saj ku në sfond paraqitej një faqe e dorëshkrimit në shqip e “Gjeneralit” dhe ndërhyrjet me dorë të autorit të tij. Një Zot e di se si e kishte gjetur gazeta këtë fletë dorëshkrimi.


Intervista e presidentit serb Tadiç me titullin “Ne nuk kemi asgjë për të fshehur” dhe mbititullin “Presidenti serb, Boris Tadiç, mbi kriminelët e luftës dhe të ardhmen e mundshme evropiane të vendit të tij”, u botua të premten, një ditë më herët, e komprimuar në një të tretën e faqes, edhepse teksti në fakt si volum ishte më tepër se dy herë më i madh se ai i shkrimtarit tonë. Intervista e tij shoqërohej nga një fotografi e presidentit që më tepër i ngjante një njeriu në bankën e të akuzuarit që betohet se thotë vetëm të vërtetën, nuk është i habitur që nuk besohet ajo që thotë. Kjo mënyrë e prezantimit të intervistave flet padyshim për qëndrimin favorizues të redaksisë së gazetës gjermane ndaj shkrimtarit tonë dhe pikëpamjeve të tij.

Ja si e prezanton Hansgeorg Hermann shkrimtarin tonë në tekstin që i paravë ai intervistës: “Paris, Boulevard Saint Michel, një godinë mondane në stilin e baronit Hausmann. Ismail Kadare shikon jashtë nga dritarja, në Jardin du Luxembourg, ku ai ik çdo ditë për të përsiatur. Në këmbë shkoj, ‘peripatetos’, shkolla e Aristotelit të madh”, thotë duke qeshur. “Këtë gjë e bëjë edhe në vendin tim”. Dhe sigurisht jorastësisht autori i mbi 40 romaneve, më tepër se gjysma e tyre tashmë të botuara edhe në gjermanisht, këtë herë prezantohet vetëm me romanin e tij antiluftë, i cili edhe pas pothuajse gjysmëshekulli vazhdon të entuziazmojë lexuesin në të katër anët e botës në ndërkohë që në gjermanisht ai ka pasur 5-6 ribotime që nga botimi i tij i parë në Düsseldorf më 1973. “Romani i tij‚ ‘Gjenerali i ushtrisë së vdekur’, i shkruar më 1963 dhe i filmuar më 1983 me Michel Piccoli-në dhe Marcello Mastroianni-n nga Luciano Tovoli, vlerësohet si një qërim i hershëm hesapesh me sistemet qeverisëse totalitare të bllokut të lindjes”.

Hermann jep edhe këto të dhëna biografike për bashkëbiseduesin e tij shqiptar: “Kadare bëhet i njohur fillimisht në Perëndim në Francë. Që nga viti 1996 ai është anëtar i përjetshëm i seksionit “morali dhe politika” i Academie Française. Ai e zuri atje vendin e filozofit Karl Popper. Kadareja banon gjysmën e vitit në kryeqytetin shqiptar Tiranë dhe gjysmën tjetër në Paris. Ai është i martuar me shkrimtaren shqiptare Helena Kadare-Gushi, lindur më 1943”.

Intervistuesi tjetër, korrespondenti i “Frankfurter Allgemeine Zeitung”-ut në Beograd Michael Martens, ndërkaq, i paravë këtë tekst të shkurtër prezantues intervistës me Boris Tadiçin: “Kush i ka mbrojtur Radovan Karagjiçin dhe Ratko Mlladiçin? Serbia do që ta gjejë këtë dhe informojë publikun- dhe pastaj ajo dëshiron të trajtohet nga BE-ja ashtu si Kroacia”. Por a do të ndodh kështu, që dëshira serbe për trajtim të njëjtë me Kroacinë, domethënë për një ecje të përshpejtuar drejt anëtarësimit në BE, kjo do të varet para së gjithash tani e tutje nga qëndrimi i Serbisë ndaj Kosovës dhe shqiptarëve. Dhe qëndrimi i presidentit serb për fat të keq nuk lë shumë vend për optimizëm. Refuzimi i pjesëmarrjes së tij në takimin e Varshavës dhe pastaj në atë në Romë për shkak të presidentes Jahjaga nxjerrë në shesh edhe njëherë tjetër intransigjenten e politikës serbe ndaj shqiptarëve. Ky qëndrim është kritikuar në Gjermani, kurse Kadare disa ditë para se të botohej intervista e tij në Gjermani ka thënë se Serbia ka detyrim ta njohë Kosovën dhe të ndërpresë fushatën që po zhvillon ajo kundër të vërtetës në Kosovë”.

“Fushata serbe është në kulmin e saj. Kjo fushatë është kundër së ardhmes së Kosovës. Ajo është kundër gjithë kombit shqiptar. Kadare e quan këtë qëndrim të Serbisë ‘një sfidë primitive kundër çdo morali. Serbia jo vetëm ka detyrim ta njohë Kosovën, por duhej të ishte ndër shtetet e para që ta kryente këtë akt. Serbia ka bërë krime në Kosovë. Njohja e Kosovës do të ishte akti i parë i heqjes dorë nga doktrina që i polli këto krime. Mosnjohja e Kosovës do të thotë një shpallje publike se Serbia nuk heq dorë nga një e kaluar që s’e nderon. Në rastin e Kosovës është edhe më keq. Mosnjohja e Kosovës është mospranimi i lirisë së një populli tjetër, e kjo do të thotë mospranimi i ekzistencës së tij. Me këtë shpallje, me këtë përkëdhelje të krimit të vet, Serbia synon të hyjë në Evropë. Ajo është inkurajuar nga disa rrethana, e ndër to është heshtja për këto krime. Heshtja për të vërtetën është gjithmonë e keqe’”. Por Tadiç nga ana tjetër mospjesëmarrjen e tij në fundin e kësaj interviste e arsyeton me ineteresat shtetërore serbe, domethënë ai arsyeton nga pozicioni i nacionalistit serb.

Në pyetjen e parë Hansgeorg Hermann kërkon nga Kadareja të bëjë dallimin mes kombit dhe vendlindjes. “Vendlindja ka brenda patriotin- dhe patriotët ekzistojnë para se të lind një komb. Patriotët i bashkon kultura dhe gjuha, ka një marrëveshje për atë se çka do të mund e do të duhej të ishte kombi. Patriotët shqiptarë, para se të ekzistonte Shqipëria, e kishin zgjedhur si himn marseillaise-në. Ajo ishte simboli i lirisë, i barazisë dhe i vëllazërimit. Si model për shtetin vlente Zvicra. Pse? Sepse atje ishin bashkuar njerëz, të cilët flisnin tri gjuhë të ndryshme. Kjo u ka bërë përshtypje shqiptarëve. Kombi është një krijesë me kufij. Vendlindja nuk i njeh kufijtë, ajo udhëton bashkë, nëse patriotit i duhet të lërë vendin e tij”. Kadare duke u përgjigjur në pyetjet vijuese të gazetarit gjerman sqaron se vendlindja “ka të bëjë diçka me patriotët dhe patriotizmin… Pra me emocione. Por koncepti juaj ‘vendlindje’ (Heimat) e thekson, besoj unë, edhe kulturën dhe traditat që lidhen me të. Ajo nuk ka të bëjë asgjë me shovinizmin apo madje racizmin, me të cilin fashistët e shkatërruan atë. Konceptet ‘patriotizëm’ dhe ‘vendlindje’ duhet të dallohen nga ai i ‘nacionalizmit’”.

Pyetja tjetër e Hermann-it ka të bëjë me kombin. “Çka është kombi për një burrë nga Ballkani? A e strehon kombi vendlindjen?”. Kadare përgjigjet: “Normalisht nuk do të duhej asnjeri të fliste për konceptin e kombit me një burrë nga Ballkani. Kjo çon automatikisht në keqkuptime. Ne të gjithë në Ballkan- kroatët, serbët, boshnjakët, shqiptarët- kishim gjithmonë një vendlindje, një komb ne nuk e kishim. Perandoria osmane nuk e kishte paraparë për ne statusin e ‘kombit’. Ai ishte i ndaluar. Koncepti i Perandorisë osmane ishte predominimi i islamit, ishte si të thuash një koncept internacionalist mbi bazë fetare. Kur turqit u detyruan të tërhiqeshin, erdhën komunistët. Edhe komunizmi nuk është se kishin një koncept kombëtar, por internacionalist. Nën Enver Hoxhën ne nuk kemi folur për kombin shqiptar, por ne ishim pjesë e internacionales komuniste”.

Ta ndërpresim për një çast këtë intervistë për të shikuar se çka thotë presidenti serb një ditë më parë në “Allgemeine Frankfurter Zeitung”. Nga 15 pyetjet që i drejtohen atij 13 prej tyre kanë të bëjnë me dy gjeneralët serbë Ratko Mlladiç dhe Goran Haxhiç, ky i fundit ende në arrati, dhe me politikanin serb të Bosnjës, Radovan Karagjiç, tashmë prej tre vjetësh në Hagë. Motivin serb për dorëzimin e këtyre të dyshuarve për krime lufte, kështu vazhdimisht i quan Tadiç dy bashkëkombësit e tij, është përfitimi politik. Ai e thotë me gojën e tij se “për çdo ditë që kalonte pa burgosjen e Mlladiçit, Serbia duhej të paguante një çmim të lartë”, pra dorëzimi i Mlladiçit nuk u bë për shkak të bindjeve e parimeve morale, por për qëllime tregtie. Tadiç thotë në vazhdim se qeveria e tij e dinte që Serbia do të kishte të bënte me problemin e mosbesimit që ekzistonte në Evropë për fshehjen e këtyre kriminelëve.

Presidenti serb mendon se me arrestimin e Mlladiçit është bërë një vepër e madhe. Por Serge Brammertz, kryeprokurori Tribunalit të OKB-së për krimet e luftës, ia kujton gazetari gjerman presidentit serb, ka thënë se Serbia është treguar “plotësisht e pasuksesshme” në kërkimin e kriminelëve të luftës. Tadiç e pranon se Brammertz i ka shikuar aksionet serbe si jo mjaft rigoroze. Por ai premton se do të ketë një informacion të plotë për publikun për gjithçka që ka të bëjë arrestimin e Mlladiçit. Martens pyet se a do të ketë edhe informacion për mbrojtjen aktive që i ka bërë Mlladiçit shteti serb dhe disa organe të tij. Përgjigjja e Tadiçit është se kjo është e vetëkuptueshme, se gjithçka që ka të bëjë me mbrojtjen e aktive dhe pasive që ka gëzuar Mlladiçi në Serbi në këto 16 vite do të bëhet e njohur për publikun.

Pyetja vijuese e Martens-it e vë në dyshim sinqeritetin e presidentit serb, sepse ai i kujton atij se e njëjta gjë është premtuar edhe pas arrestimit të Karagjiçit para tre vitesh, por që nga ajo kohë ende nuk është mësuar madje as fakti i thjeshtë se kush ia kishte siguruar atij letërnjoftimin fals. Tadiç arsyetohet se tani për tani ata janë të zënë me rastin Mlladiç dhe se gjithkush që është përfshirë në mbrojtjen e tij do të jep përgjigje. “Ne nuk kemi asgjë për të fshehur”. Shtypi gjerman ka njoftuar se Mlladiç kishte qenë i furnizuar me barna të mira, se ai ishte operuar viteve të fundit në një spital shtetëror dhe se një kohë e kishte kaluar në një manastir murgeshash, çka flet se në fshehjen e tij ka marrë pjesë edhe Kisha ortodokse serbe. Magazina gjerman “Der Spiegel” ka botuar pjesë të ditarit të Mlladiçit ku ai pas masakrave në Srebrenicë dhe pushtimit të mbi 70 % të territorit të Bosnjës nga ushtria serbe kërkonte të flitej vetëm për paqen, pikërisht ashtu siç bën sot presidenti Tadiç.

Martens e pyet kryetarin serb se mos dorëzimi i kriminelëve të luftës në Hagë do të konsiderohet nga një pjesë e politikës serbe si një akt tradhtie. Tadiç thotë: “Unë e di që shumica e qytetarëve serbë nuk ishin për burgosjen e Ratko Mlladiçit. Unë e di gjithashtu që shumicës së qytetarëve të Serbisë këtë hap nuk mund t’ua shpjegojë, sepse ata besojnë që Tribunali i Hagës po e gjykon popullin serb”. Dhe presidenti serb madje është në gjendje që të “kuptojë plotësisht shumicën e qytetarëve, të cilët në këtë çështje nuk më mbështesin”. Mirëpo, siç thotë ai, “unë nuk kam të drejtë të marrë parasysh reaksionet e njerëzve”, sepse në plan të parë, ai këtë nuk e thotë, por e lë të nënkuptohet, për të janë interesat shtetërore. Gjithçka që ka të bëjë me dy arrestimet Tadiç e konsideron një lloj katarsisi që ka përjetuar Serbia.

Tadiç shpreson se Serbia do të trajtohet si Kroacia dhe do të merr ftesën për anëtarësim në BE. Ai pret “një reaksion të BE-së, sepse ne i kemi plotësuar kriteret”. Por për Tadiçin kalvari i pyetjeve ende nuk ka përfunduar, sepse Martens ka edhe dy pyetjet e fundit për Kosovën. “Një barrierë e madhe në rrugën e Serbisë drejt Evropës ka rënë, por mbesin ende dhe disa të tjera më e larta, njëra prej tyre quhet Kosovë”. Martens dëshiron të dijë arsyet e refuzimit të Tadiçit për të marrë pjesë në takimin e Varshavës me Barack Obamën dhe më pas në atë të Romës ku ishte e ftuar dhe mori pjesë edhe presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga. Tadiçi shpreh bindjen se “mospjesëmarrja ime nuk u sjellë kurrfarë dobie qytetarëve të Serbisë, kurse pjesëmarrja ime do t’u shkaktonte dëme”. Tadiç vazhdon duke thënë se serbët duan “një zgjidhje me pjesëmarrjen e të gjitha entiteteve, përfshirë edhe Kosovën, në forumet rajonale dhe në ngjarjet ndërkombëtare- por ashtu që të mos cenohet as integriteti territorial i Serbisë dhe as e drejta ndërkombëtare”. Por gazetari gjerman e ndërprenë ëndërrimin me sy hapur mbi integritetin territorial të Serbisë të presidentit serb me pyetjen se “ka mundësi që së shpejti në Prishtinë të shtrohen pyetje të tjera. Atje ekziston një parti politike e rëndësishme që kërkon haptazi bashkëngjitjen e Kosovës Shqipërisë”. Tadiç bëhet sikur dëshpërohet. Ai thotë se “politikanët shqiptarë janë shumë eficient në ndjekjen e qëllimeve të tyre, unë nuk i nënçmojë ata në asnjë mënyrë. Bashkësia ndërkombëtare nuk do të dëgjojë diçka të tillë, por kush di të lexojë historinë, në krijimin e Shqipërisë së madhe do të njoh planin afatgjatë të shqiptarëve. Si qëllim i njëanshëm ky plan është shumë i rrezikshëm, por ne do të pajtoheshim, nëse do të kishim një zgjidhje me marrëveshje. Një marrëveshje, me ç’rast të gjitha palët do të merrnin diçka dhe që çon në një zgjidhje të qëndrueshme, që krijon paqe dhe stabilitet, diçka e tillë do të ishte jashtëzakonisht e dobishme për të gjitha palët. Unë nuk them që Shqipëria e madhe do të ishte një zgjidhje madhështore. Unë nuk besoj poashtu se Serbia e madhe do të ishte një zgjidhje e mirë. Sikundër që jam kundër ndarjes së Bosnjës. Unë jam kundër një politike që krijon shtete të mëdha. Por na lejoni të provojnë gjetjen e zgjidhjeve praktike të problemeve”. Kjo ishte në pika të shkurtra intervista e Tadiçit.

T’i kthehemi vazhdimit të intervistës me Kadarenë për të dhënë një pamje tjetër për Ballkanin dhe realitetet e tij përtej mitologjive politike. Nëse popujt sllavë të jugut, sidomos serbët luftërat e tyre i kanë shpjeguar si konflikte fetare, për shqiptarët ekzistenca e shumë feve nuk ka qenë kurrë burim konfliktesh. Hermann i shtron këtë pyetje Kadaresë: “Ajo që ndër të tjera sot i bashkon shqiptarët është shpërfillja e përkatësisë fetare. Jo vetëm pse Shqipëria e Hoxhës për tridhjetë vite me radhë ishte i vetmi shtet në botë absolutisht pa asnjë fe, por edhe sepse kjo çështje edhe përpara, edhe nën sundimin e turqve, nuk ka luajtur rol për identitetin shqiptar. A vlen kjo edhe sot?“ Kadare përgjigjet: “Po. Kjo është diçka për të cilën ne vërtet do të mund të ishim krenarë. Në fakt është një model që kombet tjera do të mund ta merrnin si shembull. Ne kemi myslimanë, ortodoksë dhe katolikë. Ne kishim deri para disa dhjetëvjeçarësh edhe hebrenj- të cilët ne, meqë ra fjala, në kundërshtim me shumë popuj të tjerë të Evropës, i kemi mbrojtur dhe i kemi sjellë në vend të sigurt nga ndjekësit nacionalsocialistë. Për bashkëjetesën tonë këto përkatësi fetare nuk kanë luajtur absolutisht asnjë rol. Unë vetë rrjedh nga një familje, e cila i përkiste rendit bektashinj të dervishëve- për jetën time sociale dhe kulturore kjo ka qenë gjithmonë e parëndësishme”.

Në pyetjen se a ka përpjekje për ta prishur apo madje shkatërruar këtë vlerë të traditës shqiptare, Kadare përgjigjet: “Ka fundamentalistë që duan të na tërheqin në këtë drejtim. Nga ana islamike dhe nga ana e krishterë. Edhe nga jashtë vijnë impulse shkatërruese. Por deri më tani ato kanë mbetur pa pasoja. Shqiptarët kanë probleme të tjera. Ata duan të fitojnë para. Ata janë tepër pragmatikë për të lejuar abuzimin me ta për ashtuquajturën përplasje të civilizimeve”. Por “serbët”, thotë Hermann, “në mënyrë të përsëritur bëjnë me dije se ata si të krishterë ortodoksë kishin luftuar krejtësisht të vetëm kundër sundimit osman dhe, më vonë, kundër pushtuesve gjermanë”. Kadare thotë: “Kjo që përshkruani ju, është një mit i rrezikshëm, një demon. Ne nuk duhet t’ia hapim derën këtij revizionizmi. Të gjithë popujt e Ballkanit kanë luftuar së bashku kundër turqve. Ky fakt është i rëndësishëm për bashkëjetesën tonë fqinjësore”.

Gazetari gjerman pyet: “Megjithatë është fakt historik që aristokracia shqiptare iu ka shërbyer turqve si guvernatorë në Ballkan. Shembulli më i njohur është Ali Pasha, i cili gjithë Epirin- Shqipërinë e sotme jugore dhe pjesën perëndimore të Greqisë veriore – e ka qeverisur dhe shtypur për turqit. E, edhe shumë boshnjakë kanë kaluar në islam”. Kadare thotë: “Ne duhet ta pranojmë se në jelekun tonë historik ka njolla. Disa kanë flirtuar me Perandorinë, oportunistë kishte shumë. Por e gjithë kjo nuk mjafton për një revizionizëm, i cili do të helmonte bashkëjetesën paqësore në Ballkan. Kultura jonë bazohet mbi një substrat të përbashkët. Ajo dominohet nga renesanca dhe iluminizmi evropian – myslimanët ishin në vendin tonë poaq të ndriçuar sa ç’ishin edhe të krishterët”.

Për emigrantët shqiptarë Kadare thotë se “ne vlerësojmë se vetëm në Greqi punojnë në ndërkohë gati një milion shqiptarë. Ata nuk janë më atje – në kundërshtim me njerëzit e ardhur më vonë nga shtetet evropianolindore apo nga Afganistani dhe Pakistani, që prej disa muajsh edhe nga Afrika veriore – në pjesën më të madhe ilegalë. Shumë prej tyre në ndërkohë janë rregulluar, kanë themeluar ndërmarrje të vogla dhe kanë krijuar familje, madje disa herë kanë ndërtuar edhe shtëpi. Grekë, për këtë shkak nuk janë bërë. Ata mbesin shqiptarë dhe nga vendasit si të tillë trajtohen. Unë e di që në Greqi librat e mi lexohen, unë jam atje ndoshta një autor i nderuar. Por kjo për fat të keq nuk i ka penguar shumicën e grekëve që të sillen ndaj neve shqiptarëve si racistë”.

Hermann konstaton një perceptim dhe recipim të ndryshëm të veprës së Kadaresë në Francë dhe në Gjermani. “Ju vetë në Paris atëbotë jeni pritur jo vetëm miqësisht, por me entuziazëm. Falë edhe përkthyesit tuaj brilant, diplomatit dhe politikanit poliglot Jusuf Vrioni, ju u kthyet nga Franca në një yll botëror të letërsisë”. Edhe në Gjermani, thotë Kadare, kam pasur botues të ndryshëm. Pas botuesit zviceran “Ammann Verlag” të Zürich-ut vepra e Kadaresë do të botohet nga S. Fischer Verlag e Frankfurtit, shtëpi botuese kjo ndër më të mëdhatë në Gjermani dhe në Evropë.

Pyetja e fundit në këtë intervistë ka të bëjë me faktin që Kadare jeton që prej njëzetë vitesh mes Parisit dhe Tiranës. Sa ka ndikuar kjo që ai të ndjehet më pak shqiptar, aq më tepër kur dihet se Shqipëria është një vend me shumë probleme. Kadare thotë: “Unë kam qenë shqiptar, jam shqiptar e do jem i tillë derisa të vdes. Kam ç’është e vërteta dy pasaporta dhe jetoj si në Paris ashtu edhe në Tiranë. Por kjo nuk ndryshon asgjë në faktin se unë kurrë nuk kam qenë diçka tjetër përveçse shqiptar. Ju i keni lexuar librat e mi- në letërsi nuk mund të mashtrohet. Shpresoj që këtij zhvillimi jashtëzakonisht agresiv ekonomiko – shoqëror që kemi përjetuar në vitet e shkuara në vendin tonë të mund t’i vëmë përballë diçka që është më e fuqishme se paraja”.

Edhe ambasadori i Kosovës në Gjermani dr. Vilson Mirdita në një debat publik në Berlin pak ditë para se të botohej kjo intervistë duke iu referuar veprës së fundit të Kadaresë “Mbi krimin në Ballkan”, ka kërkuar që shqiptarët dhe serbët të punojnë për pajtimin mes tyre, por gjithmonë duke e ndriçuar të vërtetën dhe jo duke e mistifikuar atë, sepse paqja e rreme është kontraproduktive. Në të njëjtën linjë ka argumentuar po në “Frankfurter Allgemeine Zeitung” disa ditë pas botimit të intervistës së Kadaresë edhe ish-përfaqësuesit të lartë në Bosnjë dhe Hercegovinë, Christian Schwarz-Schilling, në një shkrim të tij me titull “Serbia duhet ta kapërcejë hijen e saj”. Christian Schwarz-Schilling shkruan se Serbia ka qenë e detyruar qëmoti të bëjë arrestimin e kriminelëve. Ky njohës i mirë i Ballkanit e kundërshton një artikull të Michael Martens-it, në të cilin ai shkruan që askush nuk kërkon, as mund të kërkojë, që Beogradi krahinën e vet të dikurshme ta njohë si shtet të pavarur – dhe konsideron se është e mundshme që të gjendet një zgjidhje e cila do të ishte më pak se pavarësi. “Këtë qëndrim,- shkruan Christian Schwarz-Schilling- pas përvojës së madhe me Serbinë – si në Kosovë, ashtu edhe në Bosnjë dhe Hercegovinë – më duhet ta kundërshtoj vendosmërisht: ne Serbisë duhet t’ia bëjmë me dije qartë se duhet të kapërcejë hijen e vet dhe të shmangë pengesat, të cilat ia ka vënë jo vetëm vetvetes, por edhe gjithë rajonit. Për shqiptarët është e padëgjuar tashmë edhe kjo se me çfarë kokëfortësie Serbia gjithkund tenton t’i përjashtojë apo t’i shtyjë anash. A mos ndoshta kemi harruar tashmë se trajtimi i shqiptarëve, të cilët në Kosovë përbëjnë 90 përqind të popullsisë, në vitet tetëdhjetë i përgjigjeshin strategjisë së nënshtrimit absolut”.

Ish ministri federal Christian Schwarz-Schilling është kundërshtar i qarqeve politike në Beograd që në emër të kinse rivendosjes së paqes kërkojnë që humbjet ushtarake t’i kthejnë në fitore diplomatike. Në luftën e vitit 1999 në Kosovë Aleanca Perëndimore ndërhyri ushtarakisht, sepse nuk deshi që të përsëritet debakli si ai në Bosnje. “Këtë luftë Millosheviqi e humbi. Tani Boris Tadiq ende mendon se mund ta rivendosë statusin e vjetër të Kosovës si krahinë serbe. Duke qenë se ekspertiza e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë konfirmoi se shpallja e pavarësisë në asnjë mënyrë nuk është në kundërthënie me të drejtën ndërkombëtare, është koha e fundit që Evropa të bëjë testin e vet shkollor dhe që me pesë vendet evropiane që kanë bërë obstruimin e paraqitjes së qëndrimit të përbashkët të Evropës, të nisin negociatat serioze, në mënyrë që ato sa më parë të ndërpresin kundërshtimin e tyre të pavarësisë së këtij vendi dhe Evropën ta bëjnë sërish vepruese. Mos vallë duam që në Evropë të fusin një problem të ri qipriot? (…) Evropa duhet sa më parë që ta bëjë testin e vet shkollor. Rrahja e supeve, dhe urimet për shkak se Serbia pas 16 vjetësh e gjeti rastin e përshtatshëm që Ratko Mlladiqin ta dorëzojë në Hagë, kjo me të vërtetë është diplomaci e mjerë e kontinentit tonë të vjetër”, shkruan në fund të reagimit të tij Christian Schvarz-Schilling.

Pikëpamje të ngjashme me ato të Kadaresë për fat të mirë ndonjëherë mund të gjesh edhe në Beograd. Natasha Kandiç në një artikull botuar në “New York Times” me 6 qershor 2011 nën titullin “Turpi i Serbisë” shkruan se “qeveria serbe ka arritur të bindë botën se ajo vlerëson të ardhmen evropiane shumë më shumë se heronjtë kriminelë të së kaluarës. Por, unë nuk jam e sigurt nëse Serbia ka hequr dorë nga Mlladiqi dhe gjeneralët tjerë, që kanë zhvilluar një luftë gjenocidiale në Bosnjë. Konsiderata që kanë shprehur zyrtarët shtetërorë dhe mjetet e informacionit për të, është një tjetër shenjë turpi për të gjithë ne. Zëvendësprokurori i ofroi atij dredhëza. Dëshira e tij për t’u vizituar nga ministri i Shëndetësisë dhe kryetari i Parlamentit ishte plotësuar, ashtu si edhe dëshira për të vizituar varrin e së bijës”. Kandiç në përfundim të këtij artikulli shkruan se Mlladiçi u përcoll për në Hagë si hero. “Ai ishte trajtuar si yll. Lajkatimi i tillë i vrasësit është i rrezikshëm në rajonin ku plagët e luftës nuk janë shëruar ende”.

Në përfundim do të donim të shtonim se zëra si ky i autorit të librit “Mbi Krimin në Ballkan”, i cili kritikon heshtjen botërore për krimet e kryera nga Serbia ndaj shqiptarëve dhe popujve tjerë të Ballkanit, me kalimin e kohës po bëhen gjithnjë e më të rrallë dhe më pak bezdisës për ata që do të duhej të ishin në bankën e të akuzuarit. Kadare ka plotësisht të drejtë kur konstaton se “në qoftë se bota do të merrte vesh të vërtetën e plotë, Serbia nuk do të guxonte të fryhej sot si gjel, por do të rrinte kokulur”. As Boris Tadiçi dhe as Vuk Jeremiçi nuk do të guxonin flisnin ashtu siç vazhdojnë të flasin. “Serbët vazhdojnë të rrejnë masovikisht”, shkruante kohë më parë analistit i shquar serb, Aleksander Tijaniç, kurse shqiptarët të heshtin masivisht. Mbulimi i krimeve me heshtje është një mëkat që nuk falet. Heshtja dëmton jo vetëm shqiptarët, por edhe gjithë rajonin, përfshirë këtu gjithsesi edhe vetë Serbinë.

Zëri i largdëgjueshëm i Kadaresë në mbrojtje të Kosovës e ka shqetësuar përherë Beogradin. Një apo dy vite pas demonstratave të vitit 1981 në Prishtinë gjeniu ynë letrar u bëri jehonë ndërkombëtare atyre me romanin “Krushqit janë ngrirë”, i cili u përkthye në shumë gjuhë të botës dhe ende vazhdon të ribotohet e lexohet me interesim. Por ky roman çuditërisht nuk u sulmua vetëm nga serbët. “S’më ka habitur – shkruan Kadare – asnjë herë letra e Drashkoviçit. Ajo është në logjikën e projektit serb. Siç është shpjeguar në libër, ajo që më ka habitur kanë qenë sulmet nga krahu shqiptar. E sidomos nga disa shqiptarë të Kosovës”. Këtë dëshmitar të madh të krimit serb edhe sot vazhdojnë ta sulmojnë të njëjtit njerëz në Prishtinë. Sipas të gjitha gjasave për të njëjtat llogari dhe për të njëjtin padron. Këtë shkrimtar që shkruan fjali tronditëse si këto: “Thelbi i çështjes nuk janë imtësira, por çështja themelore e moralit njerëzor: krimi. Në këtë shqyrtim të madh, si në çdo gjyq, moral ose të mirëfilltë, sulmi kundër dëshmitarëve ka rëndësi themelore”. Duke sulmuar Kadarenë në të vërtetë sulmohet dëshmitari. Dhe dihet se kush sulmon “dëshmitarin, dashur pa dashur bëhet pjesë e krimit”.

Kadare do t‘i gëzohej mirëkuptimit serb, mirëpo shpresa është e pakët. Serbia zhvillon fushata pandërprerë në arenën ndërkombëtare për rishikimin e dramës së Kosovës, këtë dramë që “ka qenë një çështje e madhe për moralin evropian dhe atë botëror”. Është e habitshme se vetëm Serbia, ajo që do të duhej të nxirrte mësimin kryesor, e refuzon një gjë të tillë. Do të doja që Evropa, gjithë bota, të thellohej më shumë se ç’do të thotë mosnjohje e Kosovës nga Serbia. Kjo mosnjohje nuk është një aksident diplomatik”. Duke mos njohur Kosovën Serbia pengon edhe vetveten. “Mosnjohja e rrëzon maskën e një Serbie të re, atë Serbi që do ta dëshironim të gjithë. Mosnjohja dëshmon, përkundrazi, një Serbi të vjetër, të dënuar”. Ashtu si Christian Schwarz-Schilling edhe Kadare ka të drejtë kur thotë se “me dorëzimin e Mladiçit, një veprim që, ndonëse i vonuar, u përshëndet me të drejtë nga të gjithë, Serbia kujton se e ka shlyer borxhin që ka ndaj fqinjëve të tjerë, veçanërisht Kosovës. Vazhdimi i mosnjohjes së Kosovës, e zhvlerëson këtë akt, thekson anën tregtare të tij, madje më keq, thekson shpërfilljen raciste ndaj njërit prej tre popujve kryesorë në Ballkan, shqiptarëve”.

Mospërfshirja e këtij gjiganti të mendimit shqiptar dhe mbrojtësi brilant të çështjes sonë kombëtare në arenën ndërkombëtare në kuadrin e ekipeve që punojnë për shtimin e njohjeve diplomatike të shtetit të Kosovës përbën në vetvete njërin nga krimet më të mëdha dhe më të pafalshme që shqiptarët kryejnë ndaj vetes së tyre.

Në trend

Më shumë
Loredana thyen kutinë e emergjencës - avantazhi që përfitoi i kushtoi me një dënim mjaft të madh

Loredana thyen kutinë e emergjencës - avantazhi që përfitoi i kushtoi me një dënim mjaft të madh

Magazina
Asteroidi me përmasat e një fushe futbolli është nisur drejt Tokës - propozohet dërgimi i një arme bërthamore në hapësirë për ta devijuar

Asteroidi me përmasat e një fushe futbolli është nisur drejt Tokës - propozohet dërgimi i një arme bërthamore në hapësirë për ta devijuar

Botë
Specialja del me sqarim për refuzimin e kërkesës së Thaçit për të vizituar babanë në spital

Specialja del me sqarim për refuzimin e kërkesës së Thaçit për të vizituar babanë në spital

Drejtësi

"Babait i ra pika, më tha nuk ke përkrahje prej familjes", Arbër Bytyqi tregon se nuk ia miratuan dëshirën për t'u bërë grimer dhe u detyrua të studionte diçka tjetër

Magazina
Koreja e Veriut tërheq ushtarët nga vija e frontit në Ukrainë

Koreja e Veriut tërheq ushtarët nga vija e frontit në Ukrainë

Evropa
Banorët thyejnë rregullat duke folur për nominime: Planifikojnë që nëse iu bie Kutia e Pandorës të nominojnë Gjestin, Eglin dhe Rozanën

Banorët thyejnë rregullat duke folur për nominime: Planifikojnë që nëse iu bie Kutia e Pandorës të nominojnë Gjestin, Eglin dhe Rozanën

Magazina
Kalo në kategori