Mirjeta Baraliu – mbi dy dekada kontribut në afirmimin e Kosovës në kinematografinë botërore
Mirjeta Baraliu është një profesioniste e kinematografisë, me rezultate të dëshmuara dhe një bagazh veprash të arritura që sollën ekskluzivitete për shumë vite. Është e veçantë, me punën e saj ka sjellë risi, ide me synime të qarta. Ata që e njohin thonë se është e dedikuar pas perfeksionit dhe detajeve të profesionalizmit
Në bisedë, është e këndshme, e zgjuar dhe edukuar. Në anën profesionale serioze, e përgjegjshme dhe ‘par exelance’; sigurisht një person me të cilën kemi çka të flasim për shumë vite karrierë në industrinë e filmit, media/televizion dhe si ligjëruese në Universitet.
Me një karrierë për mburrje, Mirjeta pas vetes ka një kapital të çmuar shumëvjeçar që e bën krenar çdo gazetare dhe profesioniste filmi. Ajo ende e ruan me fanatizëm nivelin e vlerave të mirëfillta dhe përkushtimit për të arritur çdo gjë të bukur në jetë.
Deri më tani përmes saj lexuesit dhe shikuesit kanë mësuar për të tjerët, kurse ka ardhur koha që të tjerët të dinë më shumë për të. Lexoni intervistën komplimentate tonë të parë me të.
Mirjeta, si ishin hapat e parë në media dhe pse jeni përcaktuar për këtë profesion sfidues?
Televizioni është dashuria ime, aty u rrita dhe u formësova e krijova personalitetin që kam. Gjithmonë më ka pëlqyer media; si fëmijë shkruaja në gazetat e kohës dhe më pas, si 17-vjeçare fillova angazhimin në “Kosova Sot” dhe revistën “Zëri javor”.
Mbaj mend që menjëherë pas luftës kur të gjithë po fillonin nga pika zero, një kohë shumë e vështirë, unë vizitova televizionin kur menaxhohej e udhëhiqej nga të huajt dhe në bisedë e sipër me një trajner anglez, më tha, pse nuk vjen në RTK në departamentin e të rinjve.
Entuziazmi dhe dëshira për punë ishte e madhe andaj konkurrova dhe u pranova. Shumë shpejt vendosa të profilizohem dhe zgjodha t’i dedikohem kinematografisë dhe që atëherë i mbeta besnike, doja që njerëzit të më njihnin për një gjë që do ta bëjë më së miri, jo për shumëçka e asgjë.
Tash jam udhëheqëse në Redaksinë e Filmit dhe Serialeve, si redaktore e Redaksisë ku përvojën time kam dëshirë ta bart te më të rinjtë. Kjo punë më përmbushë dhe më bën zemrën plot, çdo gjë e bëj me shumë përkushtim dhe, te unë, dështimi nuk vjen në shprehje. Edhe pse kjo punë ka avantazhet dhe disavantazhet e veta, unë e bëj me shumë dashuri dhe kur e kthej kokën pak, e shoh çka kam arritur të bëj për RTK dhe Kosovën, vendin tim të vogël e të varfër, ndjehem krenare.
Duket se përcaktimi për t’u bërë gazetare ishte njëfarë ‘viroze’ familjare meqë vini nga një “trung” intelektual.
Thuhet që ‘dardha piqet nën dardhë’. Kur rritesh në një familje intelektuale e patriotike, edukohesh me mendimin që duhet dhënë maksimumin nga vetja, çdo gjë është e mundur nëse i përkushtohemi dhe punojmë shumë pavarësisht rrethanave.
U rrita me një shtëpi përplot libra, si në bibliotekë, ndërsa festat e vetme në familje ishin ato kur i merrnim librezat me pesa ose festonim të arriturat e sukseset.
Prindërit e mi ishin shumë të përkushtuar ndaj nesh përkundër karrierave të tyre, na lanë të lirë dhe na përkrahën e motivuan që ne të bëjmë atë që duam; të udhëtojmë e shohim botën dhe të bëhemi versioni më i mirë i jonë, gjithnjë duke mos harruar etikën, vlerat nga vijmë dhe ku duam të shkojmë. I falënderoj publikisht ata për maksimumin që dhanë, dashurinë dhe rrugën e drejtë që na trasuan duke na përkrahur e besuar në ëndrrat tona. Limit është vetëm qielli.
Edhe kur vendosa të përcjell për herë të parë në ngjarjet prestigjioze të filmit, festivalet ku mundohesha ta përfaqësoj Kosovën denjësisht, poashtu edhe kur shkova në SHBA për t’u perfeksionuar në CNN, familja ishte fuqia ime që më përkrahu e që vazhdoj t’i kem shkëmb të fortë mbështetës.
Qysh në fillim ju ishit përcaktuar për kulturë, që konsiderohet si kurrizi i një populli, por vokacioni juaj i ngushtë ishte filmi. Ku qëndron magjia e këtij arti?
Magjia e filmit nuk mund të përshkruhet me fjalë. Është një dritare e fuqishme që mund të bëjë ndryshime të mëdha dhe ka impakt jo vetëm argëtues në shoqëri, por edhe mundësi për t’i ndryshuar gjërat dhe për t’i dhënë zë edhe atyre që nuk kanë. Kinematografia për mendimin tim ia kalon politikës, jemi dëshmitar që në botë, shpesh një artist dominon, madje krahasuar me një president shteti.
Ky art jo vetëm që argëton, jep adrenalinë, por edhe na largon shpesh nga realiteti i vështirë i ditëve të sotme, sidomos për ne që kemi përjetuar luftën, filmat kanë ishin një mundësi e mirë për të shmangur realitetin e vështirë.
Emisioni juaj “Telekino” ka vite që mbetet aktual dhe ndryshe në skenën mediatike. Çka është ajo që ky emision po e përballon kohën?
Telekino për mua është si fëmija im, vjen i dyti në radhë pas vajzës sime, Ella. E kam krijuar dhe jam kujdesur që të krijoj një nivel të lartë profesionalizimi dhe është emisioni më jetëgjatë në mediat tona që i ka bërë ballë viteve.
Telekino ka sjellë ekskluzivitet, nuk i kemi huazuar pamjet as intervistat, por kemi raportuar të parët nga vendi i ngjarjes i ceremonive më prestigjioze të filmit në botë, nga tapeti i kuq. Kemi sjellë me mijëra intervista me personalitete të njohura, artistë të Listës A të Hollywoodit duke e futur Kosovën në sistem të këtyre festivaleve në formë të akredituar kur edhe nuk figuronte fare sepse akoma nuk ishte shtet.
Tashmë jam shumë e lumtur dhe krenare që kemi arritur të trasojmë rrugën për kineastët tanë shqiptar, andej dhe këndej kufirit, veprat e tyre po i shohim tek shfaqen në programe të ndryshme të festivaleve të njohura.
Më vjen mirë kur takoj në rrugë ose mysafirë që vijnë në emision e që thonë se si fëmijë e kanë shikuar Telekino-n dhe kjo është arsyeja pse janë dashuruar në filmin, ndërsa tashmë janë profesionist të fushës. Ndonëse pa kushte të duhura, ky emision vazhdon rrugëtimin dhe misionin e vet, informimin, edukimin, argëtimin si dhe promovimin e kineastëve e filmdashësve.
Dihet se emisioni nuk arrin t’i kënaq egot e të gjithëve. Jeni ballafaquar me situata të pakëndshme, për të mos thënë edhe momente groteske?
Duke marrë parasysh se ky emision emetohet tash e shumë vite, padyshim që kemi pasur vështirësi, ngase dëshirat dhe ambiciet për profesionalizëm nuk përputheshin me kushtet dhe përkrahjen e menaxhmentit shumë herë.
Kushtet për realizim nuk janë ato që ne dëshirojmë, shpesh ka munguar përkrahja, por ne, megjithatë ia kemi dalë, madje faqebardhë. Dikush ndoshta do të dorëzohej, por duke marr parasysh karakterin tim, unë kam vazhduar.
A keni ndonjë shprehi të veçantë para prezantimit të emisionit dhe a ka patur raste kur je ndjerë e ‘pambrojtur’?
Shprehi të caktuara nuk kam, ngase tashmë kjo për mua është si pjesë e jetës, siç thonë amerikanët – si një copë ëmbëlsirë, por nganjëherë stresohem për shkak të përgjegjësisë dhe dëshirës që gjithçka të shkojë shumë mirë, ngase i analizoj detajet dhe dua ta bëj, ose mirë ose fare.
Energjia e njerëzve te unë ka shumë rëndësi, nëse dikush thjeshtë, për arsye të ndryshme s’ka vullnet të bëjë gjëra të mira ose është toksik, ndikon në mua. Nganjëherë energjia e mirë ose atmosfera duhet të përshtaten.
Por, ajo që më irriton janë njerëzit mosmirënjohës që iu kemi ndihmuar në fillimet e para, i kemi bërë marketing punës së tyre, pastaj kur në një nivel arrijnë të stabilizohen, nuk gjejnë “kohë” për intervista.
Sigurisht ju bëni një përzgjedhje të mysafirëve sado që mjedisi ynë nuk ofron shumë ‘brumë’. Sa mundohesh që rrethi “kritikëve” të mbetet i ngushtë?
Gjithmonë jam munduar që të përzgjedhë për t’i intervistuar vetëm ata që me të vërtet kanë vlera dhe e meritojnë, ndoshta jetëgjatësia e emisionit përveç punës dhe përkushtimit, i atribuohet edhe nivelit të profesionalizimit që kemi mbajtur. Kohët po ndryshojnë bashkë me të edhe mënyra e televizion bërjes; teknologjia po sjell inovacion që duhet t’i përshtatemi, por asnjëherë nuk kemi rënë në nivel të klikimeve.
Natyra e punës televizive është shpesh e komplikuar saqë është pothuajse e pamundur që të mos përvijohen edhe gafat eventuale. E kujtoni ju ndonjë të tillë?
Mundohem që të përgatitem paraprakisht, gjithnjë duke mos i lënë hapësirë rastit për ndonjë eventualitet. Nuk kam diçka që mund të përmendja. Megjithatë, në një Festival të Filmit, mbaj mend se intervistova një aktor shumë të famshëm të Hollywood-it dhe kameramani nga emocionet, në vend se ta lëshonte kamerën, e kishte ndalë. Por, unë, gjithmonë kam planin B, shkova e gjeta të nesërmen, madje, e intervistova më gjatë dhe më mirë.
Si e përballoni presionin nga opinioni i ashpër publik? A keni ndonjë mburojë për menaxhimin e stresit?
Puna në media dhe të qenurit person publik përveç që ka avantazhe dhe të jep kënaqësi e privilegje të vogla, vjen edhe me një çmim të privatësisë.
Unë e kam menaxhuar shumë mirë deri tash këtë pjesë, jam munduar që të jem sa më e thjeshtë, e dashur, e afërt me publikun, të mos ekspozohem kot, por vetëm rezultatet e punës të flasin. Nuk më pëlqen të shfaqem për gjëra që sjellin klikime, por vetëm për punë dhe në media të dëshmuara për suksese dhe të arritura, sikurse ky bashkëbisedim me ju për lexuesit e Telegrafit, një mediumi të dëshmuar dhe profesional.
Për t’u përgjigjur më saktë në punën tuaj, çmimi që paguan kur mundohesh të jesh shumë profesional dhe i përgjegjshëm shoqërohet me stres. Këtë mundohem ta balancoj me marrjen me sport, vrapoj çdo mëngjes, marr pjesë në maratona vrapimi, mundohem të përzgjedhë njerëzit që rri dhe shpenzoj kohë me ta, që të rrethohem nga energjia e mirë.
Çelësi i suksesit në jetë është balanca për gjithçka. Një ditë stresuese për mua, e rregullon një përqafim i vajzës sime, një film i mirë dhe miqtë e mi të sinqertë e të zemrës.
Ju keni pasur fatin të përcillni festivale ndërkombëtare të filmit dhe të intervistoni yjet e kinematografisë. Cilët prej tyre janë veçanërisht të paharrueshëm për ju?
Tashmë janë bërë shumë vite dhe mijëra intervista. Do të veçoja Bela Tarr, Brad Pitt, Francis Ford Coppolen, Jon Malkovich, Kate Winslet, Angelian Jolie, Colin Farell, Claudia Cardinale, Alejandrro Gonzalez Inarritu, Salma Hayek dhe ish zëvendëspresidentin e Amerikës, Al Gore, etj., etj.
Gjithmonë jam munduar t’i lartësoj figurat tona, posashtu mund të veçoj bisedat e këndshme me Bekim Fehmiun, intervistat me Faruk Begollin, Melihate Ajetin, Istref Begollin dhe Besim Sahatçiun. Madje, për disa, kam bërë edhe dokumentar.
Sa ishte e vështirë t’i intervistonit yjet kur dihet se ata janë pothuajse skajmërisht të ‘paarritshëm’?
E vërtetë, është pothuajse e paarritshme sidomos kur vjen nga një vend i vogël si Kosova. Ata japin kryesisht intervista televizioneve të njohura që kanë audiencë milionëshe ose shteteve me industri të madhe, ku filmi i tyre potencialisht mund të ketë profit në kinema.
E vetmja mënyrë për t’i bindur është kur e shohin që je profesioniste, bën pyetje të mira, ke kulturë komunikimi, qasje të mirë e të këndshme, energji të mirë, shpesh bëjnë përjashtime dhe të japin intervistë.
Por edhe kontaktet janë shumë me rëndësi, për shumë vite kam krijuar shumë lidhje, miq, por edhe së fundmi, si Anëtare e Akademisë Evropiane të Filmit, kam qasje më të lehtë që zhvillohet me kohë, me moshë dhe me besim dhe si rezultat i personalitetit që krijon.
Çdo ngjarje madhore kulturore është e mbarsur me plot emocione. A do ta veçonit ndonjërën si më karakteristiken?
Për mua ngjarja më me rëndësi, më emocionuese dhe me një magji të jashtëzakonshme që nuk të lëshon për një kohë, mbetet Festivali i Filmi i Cannes.
Me mijëra personalitetet të botës kinematografike bëhen bashkë në muajin maj çdo vit, mëse 3000 media gjithëbotërore, njerëz të suksesshëm në fusha të ndryshe, si ekonomia, muzika e politika, janë prezentë në këtë ngjarje. Përfshirë këtu edhe premierat më të njohura të filmave në botë si dhe party-t e jashtëzakonshme.
Gjithmonë këto ngjarje i kemi përcjellë me buxhet minimal që nuk na mjaftonin as për fjetje, kthehesha gjithmonë me kartelë minus, por me 10 kaseta material ekskluziv për RTK-në.
Sikurse thotë një sentencë, “bëhu i dobishëm dhe jo i rëndësishëm”. Në këtë kontekst, sa po e gjeni ju përkrahjen e duhur në vendin e punës dhe a ndjeheni ndonjëherë edhe e parëndësishme?
Shumë thënie e mirë kjo. Edhe unë kam funksionuar me këtë logjikë. Çdo ditë mundohem të jem e dobishme dhe jo e famshme. Rëndësia vjen nga respekti që ka publiku për ty. Siç thoshte një trajner i BBC-së, “duhet të jesh aq i këndshëm si person televiziv, sa njerëzit të kenë dëshirë të të ftojnë në shtëpi në darkë me familjet e tyre.”
Ata që mundohen të bëhen të rëndësishëm, fals, ose të imponohen medoemos, për mendimin tim janë të pavlerë, të zbrazët, bosh dhe kjo është ndjenjë inferioriteti e kompleksi. Respekti dhe rëndësia fitohet me meritë, nuk imponohet patjetër. Jetojmë në kohë që duhet të dimë t’i dallojmë vlerat nga antivlerat.
Filterat, klikimet, dëshira e ambicia për ekspozim dhe paraqitje ndryshe prej asaj që jemi, është një dukuri që nuk i sjellë dobi askujt, sidomos gjeneratave të reja.
Problemi i madh i gazetarisë sot është se mediat matin cilësinë e emisionit dhe autorit me pëlqimet në rrjetet sociale. Në këtë rast, gazetari duhet të refuzojë të përshtatet me shijen e masës, apo mos t’i nënshtrohet presionit?
Po jetojmë në një kohë ku po paraqitemi të lumtur në Instagram e Facebook, ndërsa realiteti është ndryshe. Edhe në lëndën që ligjëroj në Universitet, mundohem t’i mësoj studentët që të kenë kujdes nga lajmet e rreme, të dinë t’i dallojnë ato dhe të mos ndikohen nga klikimet, sepse se ato nuk tregojnë asnjëherë sukses ose nëse diçka ka vlerë.
Matësi i vlerave është dashuria qe ta japin njerëzit në rrugë kur të takojnë, kur e sheh se ke bërë diçka të mirë për vendin tënd, për shoqërinë; kur e ke kokën plot dhe ke ndihmuar dikë, e ke motivuar në rrugëtimin profesional dhe jetësor.
Ndoshta mbetem klasike, por për mua klikimet, të shumtën të blera, nuk janë matës nëse diçka ka vlerë ose jo. Shpesh po shohim që po bëhen virale gjërat e kota, pa vlerë dhe po quhen Vip, personat që nuk i kanë i sjellë dobi askujt përveç vetes së tyre. Për mendimin tim, Vip është dikush që lë gjurmë, që jep kontribut në shoqëri, psh., sikurse zbuluesi i vaksinës kundër kancerit, ose dikush që ka sakrifikuar për të mbajtur gjallë kulturën e vlerat e mirëfillta.
Meqë një kohë të gjatë përcillni prodhimtarinë e filmit, a keni realizuar deri më tashti ndonjë film artistik ose dokumentar?
Si producentë, kam realizuar disa filma dokumentar, së fundmi së bashku me regjisorin Vranin Gecaj, kemi finalizuar dokumentarin “Shtegtim ndër furtuna” që i kushtohet babës tim, Prof. Dr. Mazllum Baraliu, për kontributin e çmuar që ka dhënë dhe vazhdon ta japë. Premiera do të jepet së shpejti në kinemanë ABC.
Kam realizuar edhe disa filma të shkurtër si producentë, në mesin e tyre edhe me regjisorin zviceran, Michael Philips, “Kadenca Blue”.
Jeni përzgjedhur si producente për një projekt të radhës në Hollywood me producent të Netflix. Sa ndjeheni e vlerësuar dhe për çka është fjala konkretisht?
Fjala është për një projekt të përbashkët me profesionist nga Netflix dhe Paramout Pictures, në gusht të vitit të 2025. Ideja është që një muaj të qëndrojmë në Hollywood për të realizuar një projekt filmik.
Jam ndier e privilegjuar që jam përzgjedhur në mesin e 25 producentëve më të mirë në botë për këtë vit.
Disi të dhemb kur jashtë vlerësohesh më shumë se sa në vendin tënd ku ke kontribuar aq shumë. Kemi njerëz të jashtëzakonshëm në Kosovë… vetëm kur po ikin jashtë vendit dhe po kanë sukses atje, atëherë po ia dimë vlerën mirëfilli.
Filmi sot konsiderohet arti me suprem dhe biograf i kulturës së një vendi. Një komb që nuk e ka të zhvilluar filmin, a mund të konsiderohet kulturalisht i emancipuar?
Për mendimin tim – jo. Së pari, duhet shikuar se sa të zhvilluar e ka kulturën dhe artin, për të parë se sa është i emancipuar është ai vend.
Ne jemi duke ecur mirë në këtë drejtim, kemi talentë, qoftë në film, muzikë e sport, të dëshmuar kudo në botë. Filmi duhet përkrahur më shumë, ngase është ambasadori më i mirë i përfaqësimit dhe imazhit të mirë për vendin tonë.
Fatkeqësisht Kosova nuk po arrin t’i joshë producentët e huaj kulmor të filmit, për t’u angazhuar në ndonjë projekt të madh kombëtar. Pse po vonohemi në këtë plan?
Te ne, fatkeqësisht, ende më shumë punohet në mënyrë individuale sesa ekipore. Punët e mira bëhen bashkërisht, është si një hallkë zinxhiri. Ka shumë arsye për këtë, një vend i vogël, por që duhet interesat personale të tejkalojnë interesat dhe të mirën e gjithmbarshme. Bosnja, është një shembull që duhet ndjekur. Ata ditën mirë t’i involvojnë producentë e huaj për të bërë filma të mirë që tregojnë storiet dhe historitë e tyre.
Mendoj qe ky duhet të jetë edhe qëllimi kryesor në fushën kinematografike te ne më 2025, të bashkëpunojmë mirëfilli, jo me klane dhe interesa vetanake. Të bashkëprodhojmë dhe të bëjmë projekte madhore, një film për luftën e UÇK-së, për personalitetet tona, sepse ia kemi borxh këtij vendi në mënyrë që të mos t’i lëmë hapësirë fqinjëve tanë ose të huajve që të tregojnë historitë tona në mënyrë të shtrembëruar dhe me të pavërteta.
Një diktator famëkeq i kohës, e konsideronte filmin si armën më të shtrenjtë, madje në një rast kishte thënë: “Pse t’i përdori bombat, kur e kam filmin”. A mendoni se filmi mund të ndryshojë rrjedhat e kohës?
Po, besoj shumë se filmi ka një fuqi të jashtëzakonshme. Me mesazhet që përcjellin filmat, mund të ndikojnë dhe ndryshojnë dukuritë negative në shoqëri. Sidomos në këtë kohë luftërash, fuqia e filmit është shumë e madhe.
Kjo u tregua edhe në ceremoninë e ndarjes së çmimeve evropiane për film EFA, që u mbajt në dhjetor. Mesazhet që përcollën regjisorët për vendet e përfshira në konflikt, ishin shumë te fuqishme.
A mendoni se me gjithë zhvillimin marramendës të kësaj industrie, filmi ka humbur pak nga mistika e tij?
Unë jam pak klasike edhe pse jam përkrahëse e procesit të zhvillimit dhe tendencave të reja inovative, qoftë në film ose teknologji. Inteligjenca artificiale ka tendenca të zëvendësoj skenaristët dhe aktorët në film, por, mendoj, kinemaja klasike nuk mund të zëvendësohet nga Netflix dhe platformat tjera së paku edhe për një kohë.
Keni intervistuar shumë figurat të shquara. A mund të presim që një ditë do t’i zbardhni këto bashkëbisedime dhe t’i bëni libër?
Faleminderit për pyetjen, e kam menduar këtë tash e sa kohë. Por, e keqja është se arkivat e RTK-së janë djegur bashkë me to edhe shumë emisione të mia janë humbur. Kam disa në kaseta, por tashmë ka ndërruar sistemi i punës dhe përdorimit. Mendoj se patjetër një ditë do të ulem dhe të shkruaj për kujtimet, mbresat dhe momentet e paharruara të punës sime gjatë viteve.
Ju si Prof. në Fakultetin e Arteve, sa jeni e kënaqur me talentët e rinj dhe a janë ata e ardhmja e kinematografisë sonë të ndritshme?
Të jesh ligjëruese është një detyrë e re e imja, por edhe përgjegjësi. E falënderoj Hazir Hazirin, dekan në Fakultet të Arteve, që më ftoi dhe më obligoi me një përgjegjësi që është privilegji i jetës sime, të ligjëroj për Festivalet e Filmit dhe mediat. Haziri është një profesionist, po bën një punë të shkëlqyer në menaxhim të suksesshëm duke sjellë risi në Universitet si me kuadro, por edhe duke krijuar kushte të favorshme për studentët.
Talenti është i jashtëzakonshëm, janë të rinj të talentuar, ambicioz, me dëshirë të madhe për këtë profesion, por gjithnjë me frikën nëse do të mund të gjinden në treg dhe të mbijetojnë financiarisht, të mbajnë veten e familjen me drejtimin që kanë zgjedhur.
Po mundohem jo vetëm të ligjëroj, por edhe t’ju jap këshilla e t’i orientoj drejtë e saktë për mundësitë që kanë në mënyrë që ta kenë sa më të lehte rrugëtimin e tyre.
Jeni udhëheqëse e Departamentit të filmit, Anëtare e Akademisë Evropiane të Filmit dhe Ligjëruese në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës. Ndjeheni e përmbushur apo synimet tuaja shkojnë përtej kësaj?
Asnjëherë nuk mendoj se kam bërë mjaft dhe aq sa duhet, por kam bërë maksimumin në kushtet dhe rrethanat tona. Jam me fat që kam arritur me punë të palodhshme të jem kjo që jam sot, por mendoj se me rëndësi është të kënaqemi me ato që kemi, të gëzojmë shëndet të plotë, familje të shëndoshë dhe zemrën plot. Kemi akoma pune për të bërë, vazhdojmë tujte…
Çka mund t’ju shqetësojë dhe njëkohësisht t’ju lumturoje në një çast të vetëm?
Vajza ime Ella, më lumturon pa masë, por edhe është një përgjegjësi e madhe nëse po arrij të jem e suksesshme maksimalisht edhe në detyrën e prindit që, për mendimin tim, është primare. Vajza ime është e arritura ime më e madhe dhe kryevepra që më bën të mburrem me të.
Thënia kuptimplotë e afirmuar se “molla pikë nën mollë”, duket se është krijuar pikërisht për ju. Ella, vajza juaj, lirisht mund të quhet ‘Princesha e vogël Mirjetë”…
Ella është shumë e talentuar, e dashur, e bukur si çdo fëmijë tjetër. Si duket ka prirje për art, ndoshta do të bëhet një aktore e zonja. Me rëndësi për mua është që ajo, të jetë e shëndetshme dhe e lumtur në çfarëdo profesioni që zgjedhë në të ardhmen.
Ndonëse koha është bërë shumë kurnace, megjithatë mbase ju gjeni kohë edhe për aktivitete kreative larg syrit të kamerës. Cilat janë disa nga pasionet tuaja ditore?
Koha po fluturon sa hap e mbylle sytë. Po të kisha mundësi, do ta ngadalësoja pak në mënyrë që ta shijojmë çdo moment më shumë.
Me dëshirë kur kam kohë udhëtoj, më pëlqen të mësoj për vende, kultura të reja, bëj hacking, e dua lidhjen me natyrën, mendoj se duhet t’i dedikohemi më shumë.
A keni ndonjë ves ku nëse nuk e kënaqni, nuk arrini ta kompletoni ditën?
Zakonisht e planifikoj ditën dhe kur nuk arrij t’i përmbushë ato qe kam menduar, më duket vetja e padobishme, ndonëse mundohem të jem sa më fleksibile, të shijoj çdo moment që sjell jeta e t’i gëzohem gjërave të vogla çdo ditë sikur të jetë e fundit. Ngase, duhet mos të harrojmë asnjëherë të jetojmë edhe kur jemi të zënë në përmbushjen e ambicieve tona.
Tash kur secili bën një rrumbullakësim të sukseseve, sa jeni ju e kënaqur me të korrurat tuaja vjetore kulturore?
2024-tën padyshim mund ta përkufizoj si një vit të suksesshëm, plot me të arritura, por edhe sfida, megjithatë dua të zgjedh e të kujtoj vetëm gjërat e mira. I jam mirënjohëse dhe falënderuese familjes sime, prindërve të mirë që vazhdojnë të më përkrahin dhe të jenë ombrellë mbrojtëse për mua dhe mbështetja më e fortë, miqve të mi dhe Universit.
Mendoj që Universit po i dhe përkushtim – të jep rezultate, por edhe dashuri; ta kthen dyfish. Po bëre gjëra të mira, t’i kthen njëjtë si edhe karma që bën punën e vet.
Jam mirënjohëse dhe falënderuese për çdo gjë që na solli ky vit me shpresë se 2025-ta të jetë edhe më e mire për të gjithë.
Në fund të çdo interviste sikur nuk mund të evitohet thënia rutinë, cili do të ishte mesazhi juaj fundvjetor?
Paçi shëndet, dashuri dhe zemrën plot. Mos të harrojmë se jeta është e bukur, ashtu siç e thotë edhe emri im. Mos të fokusohemi në gjërat që nuk kanë vlerë, por vetëm në të mirat dhe atë që ka vlerë.
Faleminderit shumë Telegrafit që më dha mundësinë. Gëzuar për ju dhe lexuesit tuaj. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë"Nuk jemi në një pazar këtu": Politikanët gjermanë reagojnë rreth kërkesës së re të Trump për shpenzimet e mbrojtjes
Ish-fituesi i Big Brother qe inicoi idenë e Gjestit në BBVA tregon paraskenat e transferimit: Ishte i mërzitur, e gjetëm në hotel të dëshpëruar
Kalimi i Gjestit në Shqipëri, reagon Olsa Muhameti: Po mbaj dy Big Brother-a, jo vetëm një
Eleminimi i Gjestit nga Big Brother VIP Kosova dhe thirrjet për protesta, reagon edhe Alaudin Hamiti
Kush është Dritan Rexhepi, shqiptari më i kërkuar në botë: Mjeshtër i arratisjeve nga burgu, ‘truri’ i trafikut të kokainës
Përmbledhje e momenteve më epike të Gjestit në orët e para të BBVA - shndërrohet menjëherë në kryefjalën e formatit
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
Më të lexuarat
Eleminimi i Gjestit nga Big Brother VIP Kosova dhe thirrjet për protesta, reagon edhe Alaudin Hamiti
"Drama, lot e komplikime", publikohet videoja e operimit të Edona James për të zvogëluar gjoksin
Pse Trump është kaq i interesuar për ishullin më të madh në botë?
Të shtëna armësh në Baden-Wurttemberg të Gjermanisë, dy të vrarë - policia në kërkim të dyshuarit
Dritë në fund të tunelit për Barcelonën në lidhje me Dani Olmon - ka gjasa që ai të luajë në finale të Superkupës së Spanjës
Trump sërish flet për prokurorin Jack Smith: Është i çmendur, po kthehet në Hagë