LAJMI I FUNDIT:

Minierat dhe mineralet, një rrëmujë institucionale

Minierat dhe mineralet, një rrëmujë institucionale

Sektori i Minierave dhe Mineraleve llogaritet të jetë njëri prej sektorëve më të rëndësishëm që ka Kosova. Pasuria nëntokësore e Kosovës mendohet që vlen nga 7 miliardë deri në 10 miliardë euro. Por edhe për kundër rëndësisë dhe vlerës, sektori i Minierave dhe Mineraleve po shfrytëzohet pak për zhvillim ekonomik të vendit. Kompetencat e përziera janë njëri prej faktorëve kyç se pse shteti i Kosovës nuk po ka përfitime nga ky sektor. Kjo u tha të hënën mbrëma në emisionin “Ekonomia me Erëzën” të Klan Kosovës.

Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), organ ky që menaxhon me sektorin minerar të Kosovës që nga prilli i vitit të kaluar ka mbetur pa bord. Si pasojë shumë kërkesa për licencime në sektorin minerar kanë mbetur pa përgjigje. “Gjatë kësaj periudhe KPMM ka pranuar aplikacione të reja, sepse me ligj kemi pas të drejtë me i pranuar, por nuk janë shqyrtuar dhe kompanitë janë njoftuar me shkrim se për shkak të mungesë së bordit, kërkesat e tyre nuk mund të shqyrtohen. Deri më tani janë mbi 120 aplikacione që po presin përgjigje”, tha Ramiz Krasniqi nga Komisioni i Pavarur i Minierave dhe Mineraleve.

Por ai ka thënë se së shpejti, bordi i KPMM-së do të zgjidhet, sepse Qeveria e Kosovës ka përzgjedhë tetë emra dhe të njëjtit janë dërguar në Kuvend, të cilët presin miratimin nga legjislativi. Krasniqi ka shtur se edhe pse në mungesë të bordit, kjo agjenci publike ka pasur të hyra. Sipas tij, të hyrat në KPMM janë rritur për 1 milionë e 800 mijë euro nga viti paraprak.


“Gjatë vitit 2014 kemi krijuar të hyra prej 26 milionë e 920 mijë euro, që do të thotë se bordi nuk ka qenë pengesë e madhe. Kjo është e mundur sepse kemi pasur licenca aktive, siç është “KEK”-ku, “Trepça”, “Feronikeli” ka qenë aktiv deri vonë” ka shtuar përfaqësuesi nga KPMM-ja. Kompetencat ndërmjet KPMM-së, Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, asaj të Financave dhe institucioneve që janë të ndërlidhura me sektorin minerar nuk janë shumë të qarta, gjë që paraqet problem për investitorët e interesuar për këtë sektor. Kështu tha eksperti i kësaj fushe, Arten Bajrushi.

“Kur shkojmë në Ministri të Zhvillimit Ekonomik, ose në KPMM, këta thirrën në ligjin për Miniera dhe Minerale, kurse kur shkon në Agjencinë Pyjore ata thirrën në ligjet e veta, në të njëten kohëbijën në kundërshtim me ligjet e tyre. Asnjë investitor i huaj nuk vjen me investuar kur ne i themi se e ki drejtën për të investuar për pesë vite, në pesë hektar, dhe kjo kundërshtohet nga institucioni tjetër, krejt kjo është përzierje kompetencash”, tha Bajrushi.

Sipas tij, këto barriera duhet të eliminohen në mënyrë që të fillohet puna në këtë sektor. Ai tha se për këtë çështje është shumë e rëndësishme edhe krijimi i disa “One stop shope”, të cilat do të ishin ndihmesë për të gjithë të investitorët. Por për këtë ide, përfaqësuesi i KPMM-së, Ramiz Krasniqi ka thënë se në kushtet aktuale, ky institucion nuk ka staf të mjaftueshëm për krijimin e “One stop shopeve” e gjithashtu kanë mungesë të hapësirës në objekte. Në anën tjetër, investime në sektorin e Minierave dhe Mineraleve po pritën të bëhen.

Lorik Fejzullahu nga Partneriteti Publiko Privat (PPP), që është në kudër të Ministrisë së Financave ka thënë se në këtë institucion po presin për aprovim tri kompani për investime miliardëshe. “Ne komitetin për Partneritet Publiko Privat po presin tri projekt propozime, të cilat kanë ardhur te ne, dhe jemi duke i shqyrtuar. Ne jemi takuar disa herë me investitorët për tu dhënë udhëzime, kryesisht këta janë të interesuar që të investojnë në fushën e linjitit”, ka thënë Fejzullahu.

Për zhvillimin e sektorit të Minierave dhe Mineraleve në vitin 2012, është hartuar një strategji nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik e quajtur, “Strategjia minerare e Republikës së Kosovës për periudhën 2012-2025” e cila parasheh zhvillimin e këtij sektori. Sektori i Minierave dhe Mineraleve së fundmi është futur edhe në agjendën e Qeverisë së Kosovës, nga e cila priten investime në vitet në vazhdim. /Telegrafi/