LAJMI I FUNDIT:

Metafora për pinguinin blu!

Ballkani Perëndimor po kujdeset për imazhin! Derisa kryeministri Rama po e demolon kryeministrinë, për imazh të ri, e kryeministri Thaçi po pret në radhë të gjatë për një foto me çiftin Obama, kryesisht sepse i është luhatur imazhi, Ivica, kryeministri i Serbisë, ka halle tjera. Lexuesi të na e falë këtë afri me Ivicën, por kryeministri ynë e takon atë aq shpesh sa na është bërë shumë i afërt. Gati sa vetë Hashimi! Apo Ket! (Ashton)! Lajmet fillojnë me këta! Programi në TV nacionale, fillon dhe mbyllet me këta!

Ivica foli dhe tha: “Shteti u dorëzua para huliganëve”! Kryeministri serb i referohet paradës së paralajmëruar të komunitetit gay dhe kundërmitingjeve të nacionalistëve serbë! Ai flet dhe vepron me kujdes! Lufta e Parë Botërore pati filluar me faj të Serbisë, thonë librat e historisë! Për shkak të krenarisë! Për të evituar një luftë të re, së paku ballkanike, qeveria serbe mobilizoi mbi 6500 specialë me helmeta në fundshpinë. Nergut për paradën gay!

Ndërkohë, derisa po shfletoja median elektronike, në një portal serb, më tërhoqi vëmendjen një karikaturë e bukur. Më bëri të mendoj për krenarinë e llojit, pra, të rreme! Derisa për fotografinë kanë thënë se shpreh më shumë se njëmijë fjalë, kjo karikaturë ndoshta edhe më shumë, por ajo gjithsesi u bë bosht i kolumnes sime të radhës. Pra, pinguinët!


Por, as pinguinët nuk janë më si dikur, sugjeron karikaturisti. Ky duket të jetë mesazhi i saj, derisa mbi një akullnajë të rrafshët si pistë patinazhi, shihen katër pinguinë, prej të cilëve njëri dallohet me stilin e tij “cool”. Tre nga ata janë të veshur me rrobën e tyre tradicionale bardhezi, diçka sikur një lloj fraku solemn. Ata kanë nxjerrë gjoksin përpara përplot krenari për llojin. Për dallim, i katërti, ka veshur një palë brekë deri mbi gjunjë dhe një “T-shirt”. Brekët me vija të kaltra dhe një tatu në formë shqiponje të bardhë në krahun e majtë e bëjnë atë krejt ndryshe, nga lloji i tij i uniformuar! Sikur promovon një identitet tjetër.

E kur jemi te serbët dhe Evropa, parakalimi i paralajmëruar i homoseksualëve përpara Kuvendit të Serbisë, me emrin e koduar “Marshi i krenarisë” i ka acaruar së tepërmi grupet tradicionale me emra të fortë që prekin damarin nacional, si “Obraz”, “Dveri”! Për lexuesit të cilët nuk e kishin kënaqësinë të kenë gjuhën serbe, lëndë të detyruar, “google translate” mund të jetë zgjidhje!

Pra, ata paralajmëruan kundërmitingun e tyre! Paralajmërojnë përleshjen! Krenaria dhe (kundër)mitingjet janë pjesë e historisë së fqinjëve tanë veriorë. Kundërmitingjet, në fundshekullin e kaluar ishin politikë! Organizoheshin nga shteti serb për baraspeshë! Për të arsyetuar represionin e vet kundër të gjithë popujve fqinj, sapo shprehnin dëshirën për të qenë ndryshe, për të jetuar me rregulla të veta e jo me të tyre.

Tash (kundër)mitingjet po i mbajnë kundër “pinguinëve”! Atyre ndryshe! Blu! Të kuptohemi, kjo për pinguinët është veç metaforë. Edhe blu-ja ishte përzgjedhje e karikaturistit serb!

Sipas të dhënave të OKB, komuniteti gay përbëjnë 10 për qind të popullsisë globale! Ku fshehur, ku hapur! Tash, në Ballkan, komuniteti ka filluar të dalë nga ilegaliteti i thellë, por atdheu nuk i duron. I ka për turp! I kanë shpallur armiq!

Kështu, nuk kanë mbetur më armiq të jashtëm për serbët! Të gjithë janë harxhuar! Kryesisht për arsye se ata po kanë punë më të mençura! Po duan të shkojnë në Evropë, për shembull!

Por, serbët e sotëm, e jo vetëm ata, kanë problem me identitetin. Nuk i durojnë ata që janë ndryshe! Në Ballkan, dioptria ende është kolektive. Gjithçka rozë! Veç jo me ngjyrat e ylberit!

Edhe në Shqipëri, parada gay dështoi gjithashtu! Legalistët mërmëritën nëpër dhëmbë diçka që u kuptua si “Do i ngulim në hu”, ndërkohë që enveristët klithën: “Zgjohu, Enver”! E sheshin e kishin pushtuar islamistët të cilët hodhën slogane për moral, familje dhe vlera. Ndërkohë që ambasadorët e SHBA-ve, holandez e të tjerë, deklaruan si prioritet të qeverive të tyre luftën kundër diskriminimit dhe injorancës.

Në Kosovë, komuniteti gay gjithashtu deshi të bëjë një organizim në ambiente të mbyllura, ku mendonin të bisedonin për “Pinguinin blu” dhe prirjet e tij për t’u dukur dhe për t’u sjellë ndryshe. Kalimthi përmendej edhe seksi, ndryshe. Të bëhet ndryshe! Por, nuk i lanë, as të flasin! Kujdestarët e moralit e dinë se çka mendojnë e lëre më se çfarë bëjnë armiqtë e brendshëm! Pasi një pjesë janë edhe në qeveri! E lëvizja homoseksuale në Kosovë vazhdoi jetën në ilegalitet të thellë.

Kanë marrë frikë nga kujdestarët e moralit dhe shtetit që kujdeset për familjen. Jo vetëm ata, por edhe të tjerët! Si e patëm parë në media, në “Sallën e kuqe” të pallatit të rinisë depërtuan me shumë agresivitet, djelmosha me mjekra dhe pantallona të shkurtër. Ata e demoluan ambientin e rregulluar nergut për performansën e komunitetit! Për, cikërrimtarët, ata nuk ishin me pantallona krejtësisht të shkurtër, por, treçerek si i thonë fjalës. Natyrisht, ata hynë aty për të shpëtuar krenarinë tonë kombëtare. Atë pjesën orientale me dylberë. Nejse! Këtë shprehjen kosovare, dyshoj se “google” e përkthen dot, por…nejse!

Por të kthehemi te ngjarja e cila u vlerësua si rrezik serioz për sigurinë e shtetit serb. Shteti serb mobilizoi 6500 policë specialë për të siguruar paradën “Marshi i krenarisë”! Deshi, por nuk mundi!

“Sot shteti kapitulloi para huliganëve”, klithi Ivica. Kështu tha njeriu, i cili sa herë e pyesin për njohjen e Kosovës, thotë: “Kurrë. Kurrë nuk e njohim. Kurrë nuk dorëzohemi para presioneve”! Por, e pranojnë se u dorëzuan para huliganëve. Por, Ivica nuk e qartësoi se kush ishin huliganët, në këtë rast?! ”Pinguinët blu” apo tradicionalistët.

E kapitullimi i shtetit, serbëve u erdhi jo nga bombardime të reja të NATO-s, as nga ndonjë vend tjetër. Kësaj radhe rreziku u erdhi prapa shpine.

Serbët, e besa edhe shqiptarët me të tjerët, sidomos në Kosovë kanë probleme serioze në rrugën e tyre drejt Evropës. “Pinguinët blu”! Kosovën si problem të tyre madhor, serbët tashmë e kanë bërë temë të zakonshme, dhe me gjasë dalëngadalë po e hedhin pas shpine. Ivica dhe Hashimi po shihen rregullisht! Edhe Ket! Por ata, nuk e hedhin dot pas shpine krenarinë. Se pas shpine tash po zhvillohet një betejë tjetër.

Derisa serbët tradicionalë dhe jo vetëm ata, thërrasin për luftë dhe mbrojtje të vlerave mesjetare, gayt krenarë thërrisnin sloganet: “Edhe ne jemi Serbi”, “Rroftë dashuria” etj.

Në sallën e kuqe, kosovarët ndryshe nuk arritën ta klithin as sloganin e shkurtër: “Edhe ne jemi Kosovë”! Në Kosovë nacionalistët nuk merren me këtë luftë! Flamurin e luftës e kanë ngritur islamistët!

“Shteti u dorëzua përpara huliganëve”, klithi dhembshëm, Ivica! Njeriu që nuk dorëzohet! Tash nuk ishte krejt e qartë kush ishte kush në këtë deklaratë, por mbeti fakt se të gjitha tubimet, qoftë të organizuar mbarë apo mbrapsht, u ndaluan!

Evropa zyrtare shprehu pakënaqësi për ndalimin e tubimit LGTB! Serbët arsyetohen se i ndaluan të gjitha tubimet, jo vetëm ato gay! Për të shpëtuar nga lufta botërore!

Sidoqoftë, kjo puna e lojës me kundërmitingje më tepër ngjan me atë lojën ballkanike “me të futme” si i thonë fjalës! Tradicionalistët betohen se ia hodhën Evropës dhe perëndimit në përgjithësi…! Megjithëse ende nuk po duket qartë, se kush kujt…!

Ballkani po vlon nga e kaluara dhe krenaria! Kjo na ka mbetur!