LAJMI I FUNDIT:

Menaxhimi i integruar i kufijve

Bisedimet për normalizimin e relacioneve Kosovë-Serbi që i referohen çështjeve të menaxhimit të integruar të kufijve janë dhe mbetën përpjekje dhe dilema të mëdha edhe për atë se çfarë dëshirojnë palët kur asnjëra nuk është pjesë e BE, por normal për njërën palë Serbinë, ka shumë domethënie për të fituar statusin e kandidatit në BE, për Kosovën kryerja ndoshta e ndonjë shërbimi të mirë për fqinjin dhe teknikisht ndoshta liberalizimin e vizave.

Përderisa Serbia po shtyhet që të pranoj çfarëdo variante të ngjashme me menaxhimi e integruar për shkak të fitimit të statusit të kandidatit ne BE, në anën tjetër më një “ëmbëlsirë “ për Kosovën për t’i dhënë kahe drejt liberalizimit të vizave, nuk korrospodon me interesin politik që ka Serbia në këtë moment. Andaj vullneti i mirë i Kosovës nuk zgjedhë ndonjë dilemë të madhe për vendin. Menaxhimi integruar në këtë pozicion mund te jetë që në “kufijtë” e të dy shteteve të mos valojnë flamujt e te dyja shteteve në pikat kufitare, por se strukturat doganore tjera, të funksionojnë në mënyrë të përbashkët ashtu si mund parashohin BE. Kjo mund te jetë propozimi i BE edhe pse BE fare s’ka bërë të qartë propozimet e saj me detale tjera se si e mendon këtë ta bëjë. Sepse nuk mund ndryshe të gjej kompromis politik natyrisht edhe Kosovës t’i bëhet e mundshme te jetë pjesëmarrëse në tryezat e ndryshme regjionale dhe ndërkombëtare.

Serbia ndoshta mund të pranojë skajshmërisht një ide për menaxhimin e integruar të kufijve me kusht që të hapet pakoja e Ahtisarit pra pjesa e veriut të Republikës së Kosovës. Çështja gjithmonë ka qen e qartë Serbia gjithmonë ka bërë probleme jo për pakicën serbe, por për shkak kufijve, kjo është ide e vjetër e të gjithë para ardhësve të B.Tadiqit, andaj vështirë se dikush mund të besojë se Serbia po demokratizohet. Loja me kufij e Serbisë mbetet tema kryesore e saj, e jo pakica serbe në Kosovë. Kjo nuk është asgjë e re në politikën serbe, por për çudi është për bashkësinë ndërkombëtare edhe përkundër se ketë e dinë shumë mirë BE dhe SHBA, vazhdojnë të ofrojnë gjëra që sipas tyre janë në të mirën e Serbisë, e ne realitet BE nuk mund të zgjidhë këtë çështje me Serbinë.


Vullneti i fundit i Serbisë dihet mjaft mirë. Kjo është humbje kohe deri me tash. Duke lutur Serbinë të bëjë këtë ose atë në raport me Kosovën po vështirëson zgjidhjen e cila kaherë është në krizë për shkak mos vullnetit të Serbisë për të normalizua raportet me shtetin e Kosovës. Përderisa deklarimet e Tadiqit janë të qarta ne raporte me Kosovën, kjo është edhe fundi i kësaj teme njëherë për njëherë. Politika ndërkombëtare e bazuar në ndërtimin e raporteve përmes formulave të BE me Serbinë nuk do të ec sepse kjo nuk korrospodon me vullnete te pavarur të shteteve. Por se Serbia nuk është anëtare e BE dhe se qëllimi primar është nxjerrja e përfitimit në të gjitha drejtimet me Kosovën për të fituar favore nga BE.

Mirëpo edhe atë që BE ofron për Kosovën është minimale dhe asgjë më shumë. Prandaj neve na mbetet kohë me e gjatë për të gjet vetën në raportet kontraktuale me BE, përderisa Serbia po ofrohet drejt BE në saje të mirëkuptimit të Kosovës për të negociuar. Normal nuk është ideja me u ndal dialogu, por ideja të sinqeriteti politik dhe integrativ i BE-së, që kushtet dhe rrethanat duhet vlejnë njëjtë për të gjitha shtetet që aspirojnë të jenë pjesë e BE.

Çfarë do të thotë për shtetin e Kosovës?

Kjo do të thotë vazhdimi i dilemave në raportet me Serbinë dhe pa normalizim të gjendjes ne mes shteteve, por vetëm me përpjekje për të gjet rrugë të mashtrimit nga Serbia apo për të hulumtuar probleme tjera të natyrës politike për të penguar dhe shantazhuar dhe kërcënuar Kosovën, ose për të lënë gjera në të njëjtin trend të zhvillimit. Bashkësia ndërkombëtare momentalisht po humbë përpjekjet dhe investimet me Serbinë për ta bindur atë se duhet të bëjë këtë apo atë?

Pozicionet serbe me gjasë të madhe mbetën të pandryshueshme dhe se e vetmja rrugë e bashkësisë ndërkombëtare është të marr masa tjera dhe presione apo eventualisht në fund edhe sanksione kundër Serbisë, gjë që momentalisht nuk ka diskutime fare në bashkësinë ndërkombëtare. Kjo është arsye pse Serbia vazhdon të sillet njëjtë dhe të përqesh ndonjëherë bashkësinë ndërkombëtare me “tone të buta”, por efektive në politikë.

Përndryshe kjo politike jo e dallueshme nga ajo e Millosheviqit nuk çon askund, por vetëm merr kohë dhe nëse vazhdon në këtë mënyrë, bashkësia ndërkombëtare do te merret me Serbinë edhe 20 vjet pa kurrfarë rezultati rreth Kosovës. Por nëse analizohet mirë Serbia edhe nuk ka ndonjë presion shumë serioz nga bashkësia ndërkombëtare për të normalizuar raportet me Kosovën, andaj këtu qëndron edhe loja serbe me barrikada dhe çështje tjera që tash më kanë humbur kompletë seriozitetin e çështjes.