Më të mirët e kombit !
Siç raporton faqja elektronike e gazetës prestigjioze Corriere della Sera, një vajzë 30 vjeçare, shqiptare, paska shkuar krejtësisht lakuriqe në stacionin Sesto Marelli, të metrosë M1, në Milano. Pasi ka bërë dush në banesën e sajë, ka dale për të shkuar në metro. Ajo as nuk e kishte kuptuar në ç’gjendje ishte dhe nuk po arrinte të kuptonte pse pasagjerët e tjerë e shihnin me aq kureshti, ndërsa pyetjes se përse kishte dalë lakuriq i ishte përgjigjur me pyetje: “Pse, jam e zhveshur”?
Kjo ngjarje e vërtetë më kujtoi atë përrallën për rrobat e çuditshme të mbretit, të cilat ia patën endur rrobaqepës spekulantë, të cilëve u kishte dalë zëri për mjeshtërinë e tyre. Duke menduar se ka rrobat më të bukura në botë, mbreti po kapardisej lakuriq para shtetasve të vet.
Askush nuk ia thoshte mbretit këtë, derisa një ditë, një fëmijë klithi: “Mbreti është lakuriq”.
A është mbreti ynë lakuriq, sesi më shkoi ndërmend të pyesja disa miq, virtual! Po ne nuk kemi mbret, u përgjigjen ata? Ne jemi republikë ! Nejse! S’kemi, s’kemi…! Çka me bë tash!
Jam i vetëdijshëm se shkrimi i sotëm ka pak xhelozi në vete. Nuk po arrijë të jem plotësisht objektiv dhe po shkruaj pak nën ndikim të emocioneve. U shpallën më të mirët e vendit, kombit!
Konkurrenca ishte aq e madhe. E kuptoni se me qenë shteti i fundit në kontinent është sukses dhe është vështirë me i nda meritat.
Përkundër pritjeve doli se djemtë e vajzat më të mira të këtij vendi nuk janë as veteranët e luftës, e as invalidët, as të përndjekurit! Nuk janë as biznesmenët që krijojnë vende pune. Nuk janë as shkrimtarët. As ushtarët! As mësuesit të cilët na mësuan të shkruajmë e lexojmë. Nuk janë as mjekët në ordinancat e tyre, qoftë publike, apo private. Nuk janë as arkitektët apo inxhinierët që e ndërtuan këtë vend! Nuk ishin as këngëtarët që na qojnë shpirtin peshë, kur këndojnë për udhëheqësit tonë. As bujqit në arë që e prodhojnë bukën, pataten, çimenton…! Nejse , çimenton nuk e prodhojnë bujqit. Tjetër ministri është!
Ra patatja dhe çimentoja dhe gati hymë në luftë. Ato ishin shkaktare të luftës së parë qytetare lindje-perëndim (Kosovë-Shqipëri) dhe anasjelltas. Ata na i ndalën patatet, e ne çimenton.
Kryesorja, luftë me Serbinë nuk pati! Pararoja e “armikut” që po kërkonte luftë ekonomike, u thye në Merdarë dhe te Dheu I Bardhë! Nuk bënë populli me pengua biznesin, institucionet, qarkullimin e lirë. Sidomos me fqinjin verior! Por, ju e dini që popujt janë të barabartë. E disa janë më të barabartë!
Tash, dolëm pak prej teme, por nashtë se edhe kjo ka të bëjë me kryeministrin dhe djemtë mire apo të këqij.
Kryeministri u tregua gjithsesi modest, kur nuk e shpalli veten apo ministra për më të mirët.
Edhe pse disa nga ata e bënë gjoksin grope duke u mburrur! As opozitën, as shoqërinë civile nuk e kapi kjo deklaratë! As ne kolumnistët … hiq se hiq! As Presidentja! As kryeparlamentari! As ministri I drejtësisë! As i shëndetësisë! As i kulturës!
Djemtë dhe vajzat më të mira të kombit janë uniformat blu. Policët. Kështu deklaroi publikisht kryeministri, vetëm një ditë pasi të njëjtit e kishin rrahur keq turmën e paktë të protestuesve .
I pari i ekzekutivit u shpreh se ishte tmerruar nga ato pamje. Kjo na preku thellë! Tash ju po e kuptoni si ka qenë puna kur një kryeministër deklarohet i tmerruar me pamjet ku policia e tij e rrahë opozitën.
A janë vërtetë policët dhe policet tona trima, më të mirët nga ne, bijtë dhe bijat e këtij populli anti-heroik?
Disa media po shkruajnë se qindra policë po hetohen nga inspektorati I policisë për vepra të ndryshme penale. Dyshohet se i kanë bërë vet.
Edhe më herët kishte deklarata publike të cilat pranonin “zotësinë e policëve”. Për shembull në një ndeshje basketbolli tifozët e pasjellshëm kishin shkruar banderola ku po pyesnin pa troh marre “ka sa po shkon killa”! Ata u patën burgosë sepse patën ofenduar djemtë dhe vajzat më të mira, pa kurrfarë arsye. Në Pejë u pat zhdukur një sasi e madhe e arit, nga dhoma e atjeshme e dëshmive, por s’ka lidhje. U patën zhdukë edhe armë njëherë tjetër dhe nuk u gjetën kurrë… por, po merrem me cikërrima!
Falë mirësisë së policisë, në këtë vend më nuk ka prova për asgjë!
E di se është pretencioze, por po përpiqem të futem në kokën e kryeministrit për të kuptuar se si i erdhi në kokë ideja se policët dhe policet janë bijtë dhe bijat më të mira të këtij vendi. Apo pse është tmerruar ai. Ndoshta ka pasur informata nga burime (jo)inteligjente se po duan me ia grabitë karrigen. Me protesta! E kjo do të ishte mbrapsht. Nëse do që grabitja e pushtetit të jetë legjitime, fillimisht duhen grabitur votat. Karriget pastaj janë të tuat…!
Tash, për dallim prej vajzës fatkeqe dhe mbretit të përrallës, të cilët nuk ishin të vetëdijshëm se po ecin rrugës lakuriq, kryeministri ynë nuk është lakuriq. Ai ecë rrugës i veshur shumë bukur. Me modën e fundit! Por, ai nuk është mbret. Kështu që krejt përralla që po ju tregojë del me defekt. Por, do të protestoni ju, edhe Ahmet Zogu dikur ishte kryeministër dhe pas kthimit nga Beogradi e shpalli veten mbret…!
Nëse bëhet mbret, kryeministri ynë, bazuar në deklaratat e tij ai do ta zhdukë krejt papunësinë. Krejtve ka me na “veshë” polic. Ka me e ba demokraci policore.
Lëreni, për Zotin, nuk ka kuptim. Kryeministri ynë nuk do të shkojë kurrë në Beograd, pra as nuk mund të bëhet mbret. Edhe nëse i thonë, ai nuk shkon! Kurrë!
Nejse, këtë “kurrë” e thash unë, e jo kryeministri. Se po ta kishte thënë ai, do ta dija me siguri se tashmë e ka prerë biletën.
Ne fund edhe dy fjalë për më të mirët e kombit! Kryeministri si duket gjithnjë e më tepër do të mbështetet në ta e më pak në qytetarin e pa uniformuar….!
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëKanadaja vendos tarifa prej 25% në luftën tregtare me SHBA-në
Sonte në Big Brother martohen Jozi dhe Loredana, por nuk ftojnë në dasmë Rozanën dhe Laertin
“Real Madridi erdhi për ta shkatërruar futbollin”, shefi i La Ligas akuzon ashpër Florentino Perez
Dëshmia e parë e portugezit Ruben Saraiva, i cili akuzohet për vrasjen e Ardian Nikulajt
Çahet toka në kodrat e Porto-Romanos, banorët ngrenë dyshime
Jozi befason me përgjigjen kur pyetet për vendin më të çuditshëm ku ka kryer marrëdhënie
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
Ekskluzivisht në Telegrafi Deals – Nike REAX nga 101€ në 79.95€!
Çfarë do të thotë DeepSeek AI për marrëdhëniet e SHBA me Kinën?
Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Më të lexuarat
Publikohen pamjet: A po luante Real Madridi me më shumë se një kundërshtar ndaj Espanyolit?
Barcelona po e mbyll afatin kalimtar dimëror me një top transferim - Deco në negociata
Përplasje mes Morgan dhe Carlson për ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë, reagon ambasadori Meidani: Historia s'do të rishkruhet!
Bëri ndërhyrje horror në Mbappen, lojtari i Espanyolit tregoi se çfarë i tha francezit
Jozi befason me përgjigjen kur pyetet për vendin më të çuditshëm ku ka kryer marrëdhënie
Perez del kundër një top transferimi, cilësohej si zëvendësuesi i Toni Kroos