LAJMI I FUNDIT:

Me të ba llapjan!

Me të ba llapjan!

Drenicak lindesh, nuk bëhesh! Ky është slogani i Drenicës (ndër)urbane, të sistemuar në Prishtinë! Kryesisht rreth qeverisë dhe institucioneve! E, llapjan, mund të bëhesh edhe më vonë! Pas një qëndrimi me kohë të gjatë në Dyz, i merr “letrat”! Pra, bëhesh llapjan! Qeveria të bënë llapjan. Kjo mundësi është hapur si pasojë e luftës së pakompromis me të cilën Qeveria po e kërcënon korrupsionin dhe krimin e (pa)organizuem. E çmendin krimin. As gjumin-gjumë nuk po e bëjnë! Kështu shteti po flet në gjumë! Jerm!

Për ata që nuk e dinë, në Dyz tash ndodhet burgu i sigurisë së lartë. Por, ka dilema! Zëvendëskryeministri, përndryshe pejan, insiston se shikuar territorialisht, ky burg ndodhet në Gërdofc e jo në Dyz. Rreth kësaj pati polemika edhe në media, e madje edhe nëpër oda në mes fshatrave. Zëvendëskryeministri në përpjekje për të qetësuar gjakrat pat deklaruar se qytetarët nuk duhet të hapin konflikt rreth kësaj çështjeje. Nuk është për t’u krenuar se në fshatin e juaj keni një burg të sigurisë së lartë. Fundja nuk është Universitet. Por, për temën tonë kjo nuk luan rol shumë! Edhe Gërdofci mbahet me Llap.

Kjo që pason nuk është barsoletë. Ishte një batutë e vërtetë, e cila këto ditë po qarkullon nëpër kryeqytet! “Kur të vijmë ne në qeverisje, kemi me ta ba shefin llapjan”, i paska thënë një zyrtar i lartë i një partie opozitare, një zyrtari të lartë të PDK-së. “Jo more, nuk mundeni”, qenka përgjigjur ky i PDK-së duke e mbrojtur shefin e vet. “Mundet, mundet! Pasi të qëndrojë për 20 vite në Dyz, i merr letrat! Ja njohin statusin e llapjanit! Edhe në Zvicër i merr ‘letrat’ veç për 12 vjet”!


Pra, me të bë llapjan po përdoret në kuptimin për me të sistemue në Dyz, apo Gërdofc, sido që të jetë! E universitet nuk ka! Llapjanët duhet të kënaqen me burgun e sigurisë së lartë! Të presin e përcjellin mysafirë të lartë! Se, kryeministri nuk e hap dot universitetin në Dyz as në Gërdofc. Nuk ka mjaft elektorat! Pastaj, këta nuk e votuan asnjëherë! Disa mendojnë se edhe vendin piktoresk edhe të tjerat dëshmojnë se qeveria ka punuar si për vete!

Veç me një gjë nuk pajtohet opozita. Është dashur të fillojë nga vetvetja edhe me sistemim, thonë ata! Nejse! Të shohim, çka po bëhet!

E këta, duke e kërcënuar krimin me përgjithësime, po, e frikësojnë popullin! Nejse, nuk është ujku, popull, mos keni frikë! Është veç krimi i organizuem! Tanët janë! Tash as fëmijët nuk i trembim më me ujkun ! As përralla me kësulëkuqen nuk i bënë të fusin kokën nën jorgan dhe të dridhen nga frika! Tash fëmijët edhe në vizatimorë tremben me krimin e organizuar. Të gjithë e luftojmë e ai lulëzon si asnjëherë më parë. Prandaj, duhet një supernjeri! Me rrjeta të merimangës apo me origjinë prej një planeti tjetër! Sistemi nuk funksionon! Krejt janë të korruptuem. Kështu, që në fëmijëri mësohen se krimi sundon! Krimineli më i madh e han darkën me Qeverinë! Edhe flenë bashkë!

E, më së shumti krimin e organizuem e lufton Qeveria! Shumë njerëz marrin pagë nga buxheti për me e luftue krimin e organizuem. Në fakt, ka suksese! Se ai dikur ishte i paorganizuem. Kur filloi Qeveria me u marrë me të, ai u organizue! Ka hy në institucione! Mikun mbaje afër, armikun edhe më afër ka thënë i moçmi! E politika edhe krimi i (pa)organizuem flenë në një shtrat! Tash a flenë a bëjnë najsend, s’kisha dashtë me spekulu! Por, ky është model global! Nuk është zbulim i mendjes gjeniale të këndesave tanë politikë!

Pra, receta globale për vendet e vogla është: E merr një krim krejtësisht të paorganizuar dhe një kompani globale marrëdhëniesh publike dhe krejt këtë e përzien me një miks-marketingu politik! Kështu, kur i vendosën në pushtet, këta menjëherë sipas instruksioneve formuan dhjetëra komisione kundër krimit të organizuem! E qitën fare! Nuk i lanë vend askund, përpos në institucione! E, ai që flet diçka kritike për institucionet tona të reja është tradhtar! Kjo është më keq se krimi i organizuem!

Krimi i organizuem të vret, e tradhtia… Eh Esat Pashë, Esat Pashë…!

Nejse, me sabah, ende pa e pi kafen e mëngjesit, më ra në qafë një mik i imi i cili po insistonte se ndër ne sundon vet krimi i organizuem. “E kanë kapë shtetin për topa, e kanë tredhë”, po thoshte ai me një mllef sikur shteti të ishte pronë e tij. Ky gjithnjë e merr si personale! Kur e pa se unë nuk po pajtohesha plotësisht dhe pa kushte me të, ai filloi të acarohej edhe më shumë!

“A nuk e sheh se çfarë po bëjnë”, po më thoshte ai duke më mbajtur me këmbëngulje për mëngën virtuale!

“Nuk pajtohem”, i thash! “Nuk janë të organizuar. Këta janë krimi i vetëm i paorganizuem në krejt globin, i cili ka arrit me e marrë pushtetin. Këtyre ua kanë dhënë pushtetin! Misioni i tyre ka qenë me e marrë krimin e paorganizuem dhe me e organizue! Pastaj, kupolën me i ba llapjan! Recetë tipike! Bashkëpuno me krimin! Pastaj bëje të ‘vras’ veten! Por, shteti ynë është generis! Sui generis”!

Dikur shtetet bëheshin me revolucion! Tash shteti është softuer. E merr të gatshëm! E ne kemi kuadro!

Shteti jonë ka hapë universitete në të katër anët. Se si mu kujtua ajo loja me fjalë, kur njëri i thoshte tjetrit se nuk ka fytyrë! “Jo, e ke gabim”, i thoshte tjetri, “ai i ka dy hektarë fytyrë”! Gjithçka me masë thoshte urtia antike.

Dikur na e mbyllën universitetin, tash ka inflacion! Askush nuk e di cila bëri më dëm! Kur kishim dije e diplomat nuk na njiheshin, apo e kundërta?! Kur kemi plot universitete politike!

Por, të kthehemi te konvertimi! Një barsoletë tjetër thoshte se kryeministri në një odë në fshatin e tij të lindjes po u thoshte: “Lirinë ua solla, asfaltin ua solla, ju punësova, në krejt bizneset keni përparësi, në institucione dhe ndërmarrje publike po ashtu! Çka po kërkoni ma tepër?! Tash gjakovarë nuk ju bëjë dot”! Pra, nuk ishte modest si Skënderbeu, as në barsoletë! Nuk u tha: “Lirinë e gjeta në mesin tuaj”!

Barsoletat shërojnë komplekset tona, ose së paku i qesin në sipërfaqe. Por, kjo puna e konvertimit në llapjan nuk është veç barsoletë! Gjykatat tona janë të pavarura, prej ligjit! Varen nga politika! Varet se kush e merr Qeverinë për katër vjetët e ardhshme.

Sa për mua mos u brengosni. Unë i kam letrat me të lindur! Askush s’më ka faj, pos babës! Eh!