LAJMI I FUNDIT:

Me Azinë veç diplomaci importi

Me Azinë veç diplomaci importi

Republika e Kosovës nuk ka bindur shumicën e shteteve aziatike për njohjen e shtetësisë të shpallur më 17 shkurt 2008. Edhe ato njohje që kanë ardhur nga disa prej shteteve të Azisë nuk janë përcjellë edhe me lidhjen e marrëdhënieve bilaterale. Ka ngecje edhe me ato me të cilat janë lidhur marrëdhënie të tilla siç është rasti i Japonisë.

Aktualisht, vetëm importi nga shtetet aziatike “po ecën mirë”. Derisa prodhimet aziatike kanë pushtuar tregun kosovar, atje nga Kosova mund të gjendet kryesisht nikeli e plumbi që përdoren si lëndë e parë. Tregtia ka shënuar rritje, për shkak të zhvillimit të hovshëm të Kinës që shet mallra me çmime shumë të lira, shkruan  “Koha Ditore”.

Kosova nuk ka arritur të tërheqë investime nga Kina, e cila ka bërë investime të mëdha në Serbi dhe vende të tjera të rajonit. Investimet nuk kanë ardhur as nga shtetet arabe dhe vendeve më të zhvilluara të lindjes së largët siç është Japonia, Koreja e Jugut apo Tajvani.

Edhe vendet arabe janë ndër investitorët më të mëdhenj në Serbi. Atje synojnë t’i investojnë 3.5 miliardë euro për projektin më të madh arkitektonik në Beograd që, veç tjerash, hap mbi 20 mije vende pune. Derisa vendet e tjera të rajonit lidhin marrëveshje të mëdha të financimit, Kosova është në telashe me sigurim të njohjeve.