Me artileri të rënd kundër rriqrave!
Është punë e kryer. Qeveria u ka shpallë luftë rriqrave! Duke qenë se ato më të rrezikshmet janë koncentruar, pra janë rigrupuar në Komunën e Malishevës. Krejt kjo po merr edhe konotacione politike. Kanë filluar të shqetësohen edhe gjallesat e tjera në Malishevë, e jo vetëm rriqrat. Sidomos janë shqetësuar “zagarët”. Edhe ata i kanë përmendur! Përndryshe, qytetarët janë rehat, veç po këqyrin seri! Po i këqyrin punët e veta! S’po bëjnë zë!
Sa për sqarim, për ata që tashmë e kanë harruar kontekstin: “zagarët” krejt aksidentalisht zunë vend në këtë kolumne. Krejt pa fajin e tyre. Ndoshta ata nuk do të faktorizoheshin kurrë medialisht, e aq më tepër politikisht, po të mos ishin përmendur në bisedat tashmë të harruara nga afera e përgjimeve. Kryeministri nuk donte të shkonte atje jo për shkak të frikës nga rriqrat, por për shkak të “zagarëve”. Kështu shprehej ai në bisedë me shefin e shefave!
Kështu, “zagarët”, të përmendur në kontekst negativ, u ndien të rrezikuar sikur rriqrat. Kështu bënë një koalicion të heshtur. Edhe pse rriqrat e kanë më tepër nga paranoja se në të vërtetë, ato nuk i ka ngucë askush viteve të fundit. Kanë bërë çka kanë deshtë vet. Kanë vra në Malishevë më shumë se krimi i organizuar. Por, sefasë si duket i ka ardhur fundi. Sidomos tash kur hapat e qeverisë filluan të jenë konkret, sidomos në luftë kundër “zagarëve”! Me ta qeveria nuk donte të merrej më herët, më drejtpërdrejtë, sepse këto ishin më tepër probleme të brendshme partiake.
E kemi dëgjuar të gjithë, shefi thoshte – shko ti; shefi i shefave – jo shko ti. Jo, ti e din që unë nuk pritoj me shkue! E kështu…! Asokohe rriqrat nuk e shqetësonin askënd, përpos qytetarëve. Por, qytetarët për atë punë janë! Më në fund edhe ata filluan me lëvizë. Filluan të lëvizin – rrezikshëm. Prej planit afatgjatë disa dekada për shfarosjen e rriqrave, krejt kjo mori formën e një plani parazgjedhor. Pra, emergjent. Populli u gëzua: Qeveria paska plan. Qeveria kaloi në aksion. U formua komiteti ndërministror, pak a shumë i ngjashëm me atë antikorrupsion. Rriqrat dhe korrupsioni – njëjtë!
Për korrupsionin e keni kuptuar se është shfarosur tashmë. Qeveria nuk po e përmend më. E patën marrë seriozisht. Prej Presidence e teposhtë – deri në seksione të partisë. Në çdo nivel nga një komitet. Kështu, komitetet e partisë punonin në heshtje. Kurrkush nuk dëgjoi zërin e tyre, përpos raporteve nga mbledhjet maratonike. Kaq e pat korrupsioni.
Përbërja e shtabit anti-rriqra duket karakteristike. E rrezikshme! S’ka nevojë me shku hiq! Rriqrat janë alivanosur sapo e kanë dëgjuar në lajme! Ka aty prej doktorëve dhe ambientalistëve deri te ekspertë të sistemeve raketore. Nga Ministria e Brendshme. Edhe nga FSK! E pat kjo punë!
Ndoshta ju po e merrni si punë hajgare, por nuk është aspak. Krejt janë shqetësuar. Edhe rriqrat, edhe “zagarët”, edhe qytetarët e pafajshëm të cilët njëkohësisht janë edhe shumë të hutuar. Tash rriqrat e Malishevës janë bërë edhe të njohur ndërkombëtarisht. Po çuditen edhe ata. Kurrkund tjetër pos në Malishevë! Natyrisht, krejt kjo s’ka të bëjë fare me luftën politike që po zhvillohet në kuadër të partisë më të madhe “kah le Dielli e kah praron Hana”! As me procesin gjyqësor maratonik që po zhvillohet në kryeqytet ku një personalitet nga Malisheva po zvarritet gjykatave gati një gjysmë dekade pavarësisht se s’po arrijnë as me e dënu e as me lëshu. Janë mësu me të! Ja kanë marrë dorën.
Me siguri në fund kanë me i thanë: “Pranoje burrë, a po e sheh që e qove poshtë popullin tënd, vendlindjen”! Ai natyrisht ka me qajtë – prapë! Se ai, si po duket, ka zemër dhe ka me pranu. Çka ka ba e çka s’ka ba!
Ndoshta fjala maratonik do t’ju befasojë si metaforë për kohëzgjatjen e këtij gjykimi! Qy, maratonik! Edhe fushës së Maratonit ku dha shpirt athinasi i shkretë kanë me ja ndërru emrin me e ba Fusha e Malishevës. Veç aty s’ka fushë, këtu qëndron problemi. Edhe pak fushë që ishte e kanë bë asfalt! Por, krejt kjo mundet me përfundu si edhe një kontest për emrin mes Malishevës dhe Athinës! Për pasojë, Greqia vazhdimisht do të ndodhet në krizë. Pra, në Malishevë s’ka fushë ku lajmëtari i fitores mundet me dhanë shpirt duke sjellë lajmin e gëzuar. U shfarosën rriqrat. U krye gjykimi në Prishtinë! Fituam! S’ka! Krejt është mal, sikur që politika jonë është krejt një teatër kukullash me regjisorë të dorës së katërt nga teatrot alternative të paralagjeve nga vendet mike!
E Malisheva nuk e ka merituar këtë! Në kaçik të vet e pat shpallë republikën. Pat promovuar tabelat e traktorëve dhe pasaportat e republikës.
Personalisht, nuk e kisha të qartë sa e rrezikshme është kjo punë, derisa para do kohe më pickoi një rriqër! Thash mos ta bëj të madhe se po gëzohet kush para kohe! Ika në shtëpinë e parë të shëndetit, dhe u gjeta krejt i hutuar nga pyetja e mjekes! “ Prej nga është rriqra?” më pyeti, ajo! “Për Zotin, nuk e kam pyet”, i thash, pak me humor e pak përnjëmend. Aty e kuptova se qenka shumë me rëndësi se prej nga është rriqra. “Unë jetoj këtu”, i thash!
Kryeministër! Mos e komplikoni! E kam një propozim. Ju keni së paku gjashtë zëvendës (në parti i keni shtatë), nëntëmbëdhjet ministra, 43 zëvendësministra dhe krejt këtë shumëzoje me shtatë këshilltarë politikë, ligjorë, të sigurisë etj. dhe del një armatë e paguar mirë dhe profesionalisht e politikisht e “trentë’. Serbisë me ia mësy përnjëmend i bëni telashe, le më Malishevës. Le më rriqrave! Pastaj, ata i ke të disiplinuar. Krejt i ke të partisë ose të… shpisë. P’e din më! Bëni rresht për një e drejt në Malishevë. Me dorë keni me i zënë rriqrat! Dhe, mos përdorni insekticide! Mos e ndotni ambientin. Veç kur t’i zini, bëjini rresht mbi tavolinë dhe lexojeni para tyre programin e qeverisë. E garantuar, asnjëra nuk e mbijeton! Kanë me ba vetëvrasje!
E “zagarët”… mos i nguc. Armikun përçaje, pastaj e lufton më lehtë veç e veç! Edhe e sundon më gjatë! Divide et impera kryeministër. E dini ju! Por, së pari rriqrat!
Është edhe një alternativë, por më vështirë e ekzekutueshme. Edhe populli atje mundet me qenë më pak i durueshëm! Por, ndoshta ia vlen me provu! Pasi tashmë e keni rehatu Malishevën, me e ba një marrëveshje me degën e partisë në Gjakovë, ose në Podujevë e me i shpërngulë rriqrat atje. Deri në zgjedhjet e ardhshme…!
Mendojeni, kryeministër! Mundet me dhezë!
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëGerta Gixhari e lëndon Gjestin? I hedh alkool në sy
Gjesti lë përkohësisht shtëpinë e Big Brother VIP Albania
Zjarr në një fabrikë në Bibaj të Ferizajt, zjarrfikësit dhe policia intervenojnë me urgjencë
‘Trazira’ në Big Brother VIP Albania - pas lëndimit të Gjestit shpërthejnë debatet në shtëpi
Vetaksident në Pejë, vdes shoferi i automjetit
Musk: USAID është një organizatë kriminale – është koha që të shuhet
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
Ekskluzivisht në Telegrafi Deals – Nike REAX nga 101€ në 79.95€!
Çfarë do të thotë DeepSeek AI për marrëdhëniet e SHBA me Kinën?
Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Më të lexuarat
Publikohen pamjet: A po luante Real Madridi me më shumë se një kundërshtar ndaj Espanyolit?
Barcelona po e mbyll afatin kalimtar dimëror me një top transferim - Deco në negociata
Përplasje mes Morgan dhe Carlson për ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë, reagon ambasadori Meidani: Historia s'do të rishkruhet!
Bëri ndërhyrje horror në Mbappen, lojtari i Espanyolit tregoi se çfarë i tha francezit
Jozi befason me përgjigjen kur pyetet për vendin më të çuditshëm ku ka kryer marrëdhënie
Perez del kundër një top transferimi, cilësohej si zëvendësuesi i Toni Kroos