Do të thoni se e kam ngatërruar sloganin! Ishte “armiku i armikut tim…”! Ishte. Por, ne s’kemi armiq. Ne jemi “delet”, e ata vetëm duan… pretekst. Edhe e turbullojmë ujin vazhdimisht. Qoftë kur jemi më poshtë rrjedhës, qoftë kur jemi më lart. Kjo i bie se neve dikush vazhdimisht na e turbullon ujin te lumi. Pastaj delja e parë futet në ujë dhe ne të gjithë pas saj. Pastaj vjen ndonjëra prej metropoleve lokale dhe na shpëton. Na çliron. Stambolli kundër Beogradit. Apo e kundërta.
Shpresoj se pas këtij konstatimi, kujdestarët nëpër mediat tona nuk do të më fusin në radhën e luftënxitësve në Ballkan. Çfarë lufte vëlla?! Përse me luftue? Fati ynë po dihet: o me Serbi, o me Turqi! Në vete nuk po na lënë! Me Shqipëri… po ku ka Shqipëri or vëlla?! Hoxha virtual po thotë se nuk ka. Pastaj Bashkësia Islame me tërë ato gjynahe e përjashton hoxhën nga radhët e veta dhe mbetet e mira në tregim. Konfuzion total!
Qysh po e kuptoj unë këtë fushatën e fundit në media, po del se me serbët ne kemi qenë rehat këto njëqind vjet. Edhe me turqit nja 500 vjet të tjera. Sidomos, këto 100 vjetët e fundit nën serbët ishin hata fare, por do ti e erdhën turqit e na çliruan! Kështu pat ndodhur edhe më herët. U patëm kënaqur me turqit, 500 vjet jetë për shtat palë qejfe, por… erdhën serbët dhe na çliruan. Përse na çlirojnë me radhë kështu? Pa na pyetur fare. Pastaj rehatohen si në shtëpi të tyre. Por, shtëpia është e atij që të çliron, apo jo? Pastaj, ku pyeten një grusht kryengritësish, kur populli hesht? Populli shikon punën e vet or vëlla! Duhen ushqyer kalamajtë!
Për ne në Kosovë, të gjithë fqinjët përreth pajtohen se është me rëndësi se nuk kemi jetuar në Shqipëri. Pastaj se mos bëhet farë jete në Shqipëri? Shqipëria tre muaj verë ka. Kemi jetuar nën Serbi, e më herët nën Turqi, por… në Shqipëri jo. Kur Shqipëria vuante diktaturën, ne kishim gjithë të mirat. Përpos lirisë! Se mos e kishin në Shqipëri? Pastaj ne edhe makina kishim. Lavatriçe po. Shqipëria s’ka lavatriçe, as frigorifer, po thoshte atëherë propaganda jugosllave. Thoshte të vërtetën.
E shihni se nuk shpaguhet të jetoni më vete?! Ky ishte mesazhi. E çka ju duhet liria kur nuk keni lavatriçe? Po e shihni se krejt lufta është zhvilluar për një… “brand”? Tash po del se lavatriçet turke qenkan më të mira se ato serbe. Ato pastrojnë gjithçka, përfshirë edhe historinë. Edhe paratë. Edhe identitetin… dosjet. Gjithçka!
Pastaj, mos ka llogari të jesh shqiptar? S’ka. Me siguri keni dëgjuar se qysh po mbajnë “ders” disa hoxhallarë edhe disa intelektualë nëpër rrjetet virtuale, shqiptarë nuk ka pasur kurrë këndej, derisa nuk i solli perandoria, si kundërpeshë ndaj serbëve. Kosovarë po, por ata nuk paskan qenë shqiptarë! Na paskan sjellë këtu dhe na e kanë mësuar gjuhën! Pra, nuk jemi autoktonë. Kështu pak a shumë thoshte edhe ultra-nacionalisti serb Sheshel, i cili po heq të zitë e ullirit me Hagën dhe me “metastazën e tij” të quajtur “Serbia evropiane”. Ai do të donte Rusinë. Këta perandorinë.
Ndjenja e bukur të jesh shqiptarë zgjat shkurt, sa orgazma! Kur kombëtarja bën gol dhe shpaloset ai flamuri gjigant. Pastaj duhet jetuar 365 ditë me këtë barrë!
Por, të kthehemi te Shesheli! Ai thoshte se duhen përzënë të gjithë shqiptarët përtej Bjeshkëve të Nëmura, prej nga i kanë sjellë! Pra, nuk ka shqiptarë autoktonë në Ballkan. Ata të cilët sot janë në Anadoll, nuk janë shpërngulur me dhunë nga Kosova si mendohej më parë, në bazë të një “gjoja” marrëveshjeje sekrete serbo-turke, por thjesht ata ishin aty denbabaden. Turqia është Shqipëri! Ky është slogani.
Pastaj, si është formuar Shqipëria? Me leje dhe nxitje të Stambollës! Thjesht, disa deputetë turq të prirë nga Ismail Qemal Beu dhe Hasan Efendi Prishtina e bënë. E bënë kot, sa për të pasur një mbrojtje nga serbët. Edhe poemën “O moj Shqipëri”, Vaso Pashë Shkodrani e ka shkruar me porosi të Portës së Lartë. Evropa po përparonte këndej dhe… mund të na çlironte nga Serbia dhe kështu i merrte meritën nga dora “Portës”. Pak a shumë si ndodhi më 1999, kur na çliroi NATO.
Nejse, po del se ne s’kemi bërë gjë. Ne vetëm kemi qëndruar në mes të serbëve dhe turqve derisa këta po na çlironin nga njëri-tjetri. Sikur në kinema!
Unë për vete në krejt këtë zhurmë të mediave të krijuar nga interneti, një gjë nuk po arrij ta kuptoj: prej nga erdhi ndër ne shqipja? Kujt i duhej shqipja në krejt këtë tollovi? Si na mbeti në derë kjo gjuhë, kur ne fare mirë e kishim turqishten? Apo serbishten? Të thuash se na e mësuan nëpër shkolla, nuk mund të thuash! Shkolla nuk kishte. Na e mësuan nënat. E nënave tona ua mësuan nënat e tyre. Kush nuk kishte nënë, ia mësoi gjyshja, por kjo njëjtë i bie. Shteti na fliste herë latinisht, herë serbisht, herë greqisht, e së fundmi turqisht, por nënat tona kokëforta kishin ngulur këmbë: shqip se shqip! Në djep na këndonin ca këngë, e na tregonin ca përralla që ruana Zot unë më nuk i dëgjoj. Veç si fëmijë i gëlltisja ato. Tash mediat na tregojnë përralla të tjera për identitetin.
Pra, s’ka pasë shqiptarë para shekullit XVIII, thotë hoxha i përjashtuar. Pastaj na sollën këtu, nga Perandoria e cila po rrënohej. Pastaj e zbuluan një gjuhë, tip “Esperanto” dhe na e mësuan neve nëpër shkollat shqipe të cilat Turqia i ngriti këtu me financa të veta përkundër dëshirës sonë. Në Korçë!?
Pastaj, ju kujtohet ai “dhaskali” nga filmi me Ndrekë Lucën që fliste për “Udhën e shkronjave”? Ai pra ishte një spiun i Turqisë. Prandaj e vrau greku. Na ruaj o Zot ka ende që mendojnë se ai u vra për shkak se po përhapte ide shqiptare. Edhe greku po përpiqej të na çlironte, por nuk arriti asnjëherë, përpos në Çamëri. E, shqiptarët, me udhëzime të “Portës” po e çlironin Greqinë… Lëmsh!
Përfundimisht, pajtohem se nuk e kanë lehtë këta historianët që e rishkruajnë historinë… me porosi!
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëGerta Gixhari e lëndon Gjestin? I hedh alkool në sy
Pas trajtimit në spital, Gjesti kthehet në Big Brother
Gjesti lë përkohësisht shtëpinë e Big Brother VIP Albania
‘Trazira’ në Big Brother VIP Albania - pas lëndimit të Gjestit shpërthejnë debatet në shtëpi
Musk: USAID është një organizatë kriminale – është koha që të shuhet
LVV, LDK dhe PDK ndëshkohen me gjoba të majme nga PZAP për shkelje në fushatë
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
Ekskluzivisht në Telegrafi Deals – Nike REAX nga 101€ në 79.95€!
Çfarë do të thotë DeepSeek AI për marrëdhëniet e SHBA me Kinën?
Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Më të lexuarat
Gerta flet pas incidentit: Nuk kam për qëllim të dëmtoj sytë e Gjestit
Gerta Gixhari e lëndon Gjestin? I hedh alkool në sy
‘Trazira’ në Big Brother VIP Albania - pas lëndimit të Gjestit shpërthejnë debatet në shtëpi
Babai i Haalandit thumbon keq Arsenalin pas turpërimit që i shkaktuan Man Cityt
A është ende e sigurt të fluturosh me aeroplan? Ekspertët e aviacionit japin 'verdiktin e tyre' pas incidentit në Uashington
Musk: USAID është një organizatë kriminale – është koha që të shuhet