Mbi veriun, sovranitetin dhe mbikëqyrjen ndërkombëtare
Intervenimi i Prishtinës zyrtare në veriun e vendit për të kontrolluar pikat doganore atje zgjoi një ndjenjë të shkurtër krenarie tek qytetarët e Kosovës. Propaganda shkrepi iluzioni se më në fund do të jemi zot në tokën tonë. Mirëpo, në radhë të parë, intervenimi në fjalë nuk kishte për qëllim imponimin e plotë të sovranitetit shtetëror në veri, por një fushë të ngushtë, domethënë zbatimin e sistemit doganor të shtetit të Kosovës në dy pika të kufirit verior të Kosovës. Për funksionalizimin e plotë të sistemit administrativ, policor dhe të drejtësisë, as që bëhet fjalë. Sidoqoftë, intervenimi në fjalë rezultoi me një mjegullim e të cilën qeverisë tonë po i pëlqen ta quajë “Marrëveshje” që zor mund të thuhet se po gjen zbatim në praktikë. Për momentin, në ato pika kufitare veriore të shpallura si “zona të sigurta ushtarake” nuk u vendos dogana e Kosovës dhe ato nuk funksionojnë si pika normale kufitare. Kjo gjendje me gjasë ka me zgjatë deri në vazhdimin e negociatave ndërmjet Prishtinës e Beogradit. Komentuesit me të drejtë kanë tërhequr vëmendjen ndaj imponimit të Serbisë si palë në negociatat për çështjen e veriut.
Kredencialet “veriore”
Pavarësisht se “miqve ndërkombëtar” – të cilët nuk janë mësuar të shohin Kosovën të sillet si sovran – nuk ua ka pëlqyer intervenimi policor i urdhëruar nga Qeveria, ai ishte një spektakël që u përcoll me kujdes me fotografi e raportime nga vendi i ngjarjes nga mediat që lanë mbresa jo të dobëta tek publiku. Kryeministri u rishfaq në skenën politike duke rikthyer përkrahjen e publikut si një lider i fortë dhe i pakompromis në përpjekjet e tij për interesin e shtetit. Nuk do mend se kjo e ka shpëtuar kryeministrin atë nga akuzat që i bëhen vazhdimisht dhe për një kohë relativisht të gjatë nga opozita për keqqeverisje, hajni e tradhti, por edhe ai ia doli të largojë vëmendjen ndaj tensioneve brenda partisë së tij që janë shkaktuar nga telashet me menaxhimitn e ekonomisë, hetimet ndaj pjesëtarëve të lartë të partisë së tij, e kështu me radhë.
Kjo nuk është hera e parë që problemi i veriut përdoret si kartë nga politikanë për kredenciale shtetbërëse e patriotike, por pa një vullnet të dëshmuar, vendosmëri e plan bindës për zgjidhjen e tij. Pavarësisht se kjo ka mundur t’ia rikthejë përkrahjen publike të kryeministrit dhe qeverisë së tanishme, del se intervenimi në veri ishte i suksesshëm në kuptim të efektit medial dhe rikthimit të përkrahjes publike, por i pamenduar mirë dhe një hop i rrëmbyeshëm jocilësor e i pasuksesshëm drejt integrimit të pjesës veriore të vendit.
Natyra e vërtetë e problemit në veri
Problemin e veriut nuk duhet nënvlerësuar duke ndërmarrë kësi aksione të pamenduara mirë dhe për të cilat shteti nuk ka takat. Veriu është një problem më i vjetër se sa vetë shteti i Kosovës. Dështimi dymbëdhjetëvjeçar për të përfshirë atë pjesë brenda kufijve të juridiksionit kosovar dhe për të integruar bashkësitë në shoqërinë më të gjerë kosovare, nuk mund të zgjidhet me një akt të vetëm politik që ngërthen një aksion policor, por me strategji më të plotë që do t’iu adresohej edhe çështjeve të tjera të kompleksitetit të problemit të veriut. Të mos harrojmë se vendimi për formën e pavarësisë së Kosovës dhe natyrën e pranisë ndërkombëtare në të ka qenë shumë i ndikuar nga pasojat që Kosova e pavarur do të mund të kishte për pakicat e saj. Shoqëria e gjerë kosovare ka dështuar të integrojë pakicën etnike serbe të kësaj pjese të vendit. Derisa të mos e bëjë këtë, Kosova do të vazhdojë të përballet me pasojat e përdorimit të pakicave të saja si mashë e atyre që nuk ia duan të mirën asaj.
Rezistenca serbe atje duhet të na vetëdijësojë, jo për ndonjë problem etnik apo nacionalist serb, por për shkallën e kontrollit të ekonomisë dhe mjeteve të detyrimit nga bandat e krimit që operojnë atje me leje a përkrahje nga Beogradi dhe bekim nga Kisha serbe. Çështja e veriut nuk është nacionale, por e mungesës së shtetit dhe sundimit të bandave kriminale serbe në të cilat janë të përfshirë edhe kriminelë shqiptarë. Në thelb, problemi nuk është nacionalist, nëse këqyret konteksti më i gjerë i strukturave të pushtetit në atë pjesë të vendit, por është problem i motiveve politike dhe luftërave për pushtet ndërmjet elitave politike e ekonomike në atë pjesë, por edhe në Serbi. Të mësuar nga shkolla e Millosheviqit, kriminelët atje u fryjnë ndjenjave nacionaliste sa herë që dikush provon të imponojë sundimin e ligjit dhe kërcënon interesat e tyre.
Andaj, problemit duhet qasur jo nga një perspektivë patriotike apo nacionaliste drejtuar kundër “nacionalistëve serbë”, e ndoshta as nga një qasje që ndërmerr masa të ndërsjella ndaj Serbisë duke e bërë kështu një problem politik midis dy shteteve, por nga një perspektivë që këmbëngul në shtrirjen e sundimit të ligjit në atë pjesë të vendit dhe lufton bandat e krimin i cili është shumetnik. Kjo e dyta do të mund të funksionalizohet menjëherë duke kap e ndëshkuar vrasësit e zyrtarit të policisë speciale gjatë këtij aksioni.
Sovranitet pa garanci
Ndoshta puna e parë që duhet të mendohet para se t’i hyhet çfarëdo përpjekjeje të dhunshme për imponimin e autoriteteve të Prishtinës në veri të vendit është se kush do ta garantojë sovranitetin atje? Kush do t’i sigurojë doganierët për të kryer punën e tyre, në kësi raste? Sa për autorizimet dhe mundësitë e njësisë speciale të Policisë së Kosovës, u pa… Në anën tjetër, sado që retorika politike dhe folklori jonë bashkëkohor e quan Forcën e Sigurisë së Kosovës (sikurse Trupat e Mbrojtjes së Kosovës më parë) “ushtri të ardhshme”, ajo mbetet një forcë civile për intervenime emergjente.
Këtu hyjnë lojtarë të tjerë në skenë. Por, ata nuk janë të Kosovës, sado që janë për Kosovën: EULEX-i dhe KFOR-i. Nga xhirimet prej terrenit është parë se si zyrtarët e EULEX-i iknin me vrap nga rebelët. KFOR-i në anën tjetër si një forcë për Kosovën e udhëhequr nga NATO, ka një mision që respekton Rezolutën 1244 dhe qëndrim neutral ndaj statusit të Kosovës (me fjalë të tjera nuk e njeh shtetin e Kosovës), është i interesuar që të mos ketë vrasje dhe përleshje në rrugë, jo më shumë. Ai nuk është aty për të garantuar sovranitetin e asnjë shteti.
Në mungesë të instrumenteve shtetërore që mundësojnë shtrirjen e sovranitetit, në të vërtetë, atje status quo-ja po vazhdon dhe territori është i kërcënuar nga rebelë të cilët në çdo kohë janë të gatshëm për të bllokuar rrugë, djegur objekte shtetërore dhe vrarë zyrtarë policorë. Natyrisht këta rebelë janë të udhëhequr nga bandat kriminale dhe Serbia që orë e çast shkel integritetin territorial dhe sovranitetin e Kosovës. Kjo nuk domethënë që në pjesët e tjera të Kosovës nuk ka krim dhe atë ndoshta në majat e administratës publike edhe klasës politike, porse – së paku – në këtë pjesë krimi i konkurron organeve shtetërore (pra de jure krimi nuk pranohet), ndërsa krimi në veri të vendit është vetë “ligji” dhe vetë “shteti”.
Mirëpo, kjo gjendje nuk mund të vazhdojë edhe gjatë dhe, nëse Prishtina nuk ka sukses në zbatimin Kushtetutës atje, në bisedimet e nisura me Serbinë do të flitet edhe për veriun, ndërsa Kosova do të detyrohet që serbëve t’ua pranojë një autonomi shumë më të gjerë seç parasheh Plani i Ahtisarit.
Deri në pasjen e një plani më të mirë, mbetet që shtrirjen dhe ruajtjen e sovranitetit në veri të vendit ta garantojë retorika që zë vend në maje të gjuhëve të politikanëve, si dhe këngët e zjarrta folklorit tonë bashkëkohor të llojit “with or frends sajd baj sajd, tudej kosova iz sovran”.
Shteti i mbikëqyrjes ndërkombëtare
Kjo përpjekje për kontrollin e kufirit verior duhet të vazhdojë drejt shtrirjes së sovranitetit në tërë e territorin e vendit. Nëse kjo rezulton e dështuar, do të provonte (edhe njëherë) se shoqëria e Kosovës është e paaftë për të qenë zot në shtëpinë e saj (apo sovran siç quhet). Nuk duhet harruar se shteti i Kosovës është i kushtëzuar. Edhe pse sovraniteti legal/juridik i është dhënë Kosovës, megjithatë, shkalla e autoritetit dhe forma e mbikëqyrjes së pushtetit ndërkombëtar në vend varet nga ajo se sa Kosova do të jetë e aftë të ndërtojë sovranitetin empirik duke ndërtuar institucione politike legjitime, efektive dhe të qëndrueshme që do të mund të kryejë përgjegjësitë ndaj qytetarëve të vet.
Nëse vlerësojmë sipas përkufizimit të shtetit modern të dhënë nga teoria e shtetit (për shembull Max Weber thoshte se e veçanta e shtetit është pasja e monopolit të ushtrimit legjitim të dhunës dhe detyrimit brenda territorit të caktuar), Kosova nuk është një shtet në kuptim të plotë të fjalës. Sado që shteti i Kosovës është një projekt ndërkombëtar (lexo: perëndimor) dhe një pjesë e problemeve aty nuk zgjidhen dot pa vullnetin e “bashkësisë ndërkombëtare”, e ndër to – mund të argumentohet – edhe problemi i veriut, nëse shtetit të Kosovës i shtohet epiteti “në dështim” apo “i dështuar”, gishti fajësues ndoshta do të drejtohet nga ne, ndoshta nga aktorët ndërkombëtarë, por pasojat e të jetuarit në atë shtet do të rëndojnë vetëm mbi ne.
Natyrisht, pasoja e menjëhershme e klasifikimit të shtetit të Kosovës si i dështuar do të jetë pretekst për shtimin e mbikëqyrjes dhe kontrollit ndërkombëtar në saje të diskursit të “shtetit të dështuar apo në dështim” që përligj aktorë ndërkombëtarë të trajtojnë ato shtete si fëmijë që duhet dëgjuar këshillat e më të mëdhenjve dhe më të mençurve. Në shërbim të kësaj marrëdhënieje paternaliste krijohen administratat ndërkombëtare që marrin përsipër misionin e mbikëqyrjes së shteteve në fjalë. Dhe, shpresoj, se ne kosovarët e dimë se cili është ndikimi i këtyre politikave ndërkombëtare në projektin e ndërtimit të shtetit që ulin rolin e qytetarëve në pranues pasivë të planeve të jashtme për vendin tonë…
(Autori është mësimdhënës në Universitetin e Prishtinës)
Lufta Prigozhin - Putin
Më shumë"Po e shkel Kosovën me këmbë", Gerta, Laerti e G Bani në debat të ashpër me Gjestin pas përjashtimit të Jozit
Djali i presidentit Trump shpërndan postimin e Grenellit, në të cilin thotë Kurti po gënjen se është i afërt me SHBA-në
"Ku ke qenë në luftën e Kosovës, çfarë ke bërë në 99' për vendin budalla", G Bani i drejtohet me fjalë të ashpra Gjestit pas përjashtimit të Jozit
Gjesti tallet me Jozin pas daljes dhe i kushton këngë: Ai nuk është më me ne, na ka sharë e ofenduar - në fund Vëllai i Madh e ka përjashtuar
Leonora Jakupi eskalon ndaj Jozi Markut: O i pa fe, o fëlliqësirë - e nderove babain tënd që ka qenë pjesë e UÇK-së
"Tiroli i Jugut si model për Asociacionin" Mandl: Jo një Republika Sërpska, duhet të jetë një zgjidhje praktike, pa kërcënim
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
Ekskluzivisht në Telegrafi Deals – Nike REAX nga 101€ në 79.95€!
Çfarë do të thotë DeepSeek AI për marrëdhëniet e SHBA me Kinën?
Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Më të lexuarat
Krizë lëndimesh te Real Madridi: Ancelotti fton "Van Dijkun e ri" në skuadër
Donald Trump krijoi Fondin Sovran - cilat vende e kanë dhe pse është e rëndësishme?
Një tjetër shans për Gertën: 'Po' ose 'Jo' - publiku vendos nëse ajo duhet të vazhdojë rrugëtimin e saj në Big Brother VIP Albania
Zelensky ofron furnizim me minerale për SHBA-në në këmbim të mbështetjes ushtarake
Ledion Liço njofton se spektakli i së shtunës anulohet për shkak të zgjedhjeve në Kosovë: BBVA ka treguar se sa të bashkuar janë shqiptarët
Shala, Januzi dhe Bahtijari pranuan fajësinë e u dënuan, Haradinaj: Populli vendos – heronj apo dështakë?