LAJMI I FUNDIT:

Mbajtën peng një familje, tre në pranga

Mbajtën peng një familje, tre në pranga

Pjesëtarët e një familjeje në Lezhe u mbajtën peng pasditen e të martës nga tre persona të armatosur, të cilët më pas u arrestuan nën akuzën e kanosjes.

Burime të policisë thanë se tre personat hynë në banesën e shtetasit me iniciale L.P, në fshatin Shëngjergj, të Komunës Kacinar, dhe, nën kërcënimin e armës se gjuetisë, kanosën pjesëtarët e familjes, i futën të gjithë në automjetin e tyre dhe u nisën në drejtim të Lezhës.

Policia e Lezhës, me anë të një komunikate, njofton se të arrestuarit janë Ndoc Gjoka 29 vjeç, Vladimir Gjoka, 23 vjeç dhe Petrit Brunga, 24 vjeç, raportoi BW.

Pas marrjes së sinjalizimit, policia e Lezhës në bashkëpunim me atë të Komisariatit Mirditë bënë të mundur përcaktimin e vendodhjes së autorëve, si dhe të itinerarit të lëvizjes së tyre, çka bëri të mundur kapjen dhe arrestimin në flagrancë të këtyre shtetasve, në fshatin Kalur të Lezhës. Ende nuk dihen motivet e kësaj ngjarjeje.


Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale, u sekuestrua një automjet tip “Tojota” me ngjyrë gri, me targa LE-65-89-A, në pronësi të shtetasit të arrestuar, Ndoc Gjoka, si edhe arma e gjuetisë e prodhimit rus.

Tre të arrestuarit do të përballen gjithashtu edhe me akuzat e “Heqjes se paligjshme të lirisë”, “Dhunimit të banesës” dhe “Mbajtje pa leje e armëve të gjuetisë”./Telegrafi/