LAJMI I FUNDIT:

Marshimi për në Prapashticë

Marshimi për në Prapashticë

Ky është një reflektim metaforik për miqtë dhe armiqtë në politikë. Po ashtu flet edhe për rolin e individit, por edhe të llojeve në zanatin më të vjetër të njeriut, pas prostitucionit dhe tregtisë mall me mall.

Përndryshe, për rolin e individit në histori dhe politikë është debatuar vazhdimisht dhe shkenca botërore ende nuk ka dhënë një përgjigje përfundimtare. Te ne, ndër shqiptarët në Kosovë, Shqipëri dhe trojet tona të tjera (multi)etnike, shumica mendojnë se një individ e sjell në maje të gishtit një komb. Ka që mendojnë madje se fare lehtë, një individ mund edhe ta shesë vendin e vet, nëse ia ofrojnë çmimin e duhur.

Për shembull, sot do të flasim për Kosovën apo më saktë për disa pjesë të saj. Disa po thonë se u shitën e disa të tjerë se u falën. Kryesorja po thonë se i humbëm.


Kështu, Isai dhe Hashimi marshuan për në Evropë, por nuk i lanë. U thanë se në Evropë mund të shkojnë vetëm përmes urës së Ibrit. Kur të hapet rruga edhe aty, atëherë hapet edhe rruga politike për në Evropë. Kjo mund të bëhet veç me dialog, porosit Evropa. Tash, jo se nuk kishte rrugë tjetër. Kishte, por ishin politikisht të pashtruara dhe veturat luksoze të (EU)LEX-it nuk shkelin dot andej. Ato shkojnë andej kah është asfalti më i mirë.

E opozita marshoi për në Prapashticë. Nuk i lanë as ata. Veç dialogu i hap rrugët, urat.

Në procesin e çmontimit të “Parkut të Paqes” mbi urën që e ndanë Mitrovicën në dy pjesë dhe duke u përpjekur që me çdo kusht të ruhet paqja dhe të hiqet vetëm parku, situata u komplikua tmerrësisht. Sido që të jetë, i mirë apo i keq, një “pazar” politik është bërë këto ditë dhe me gjasë edhe një kohë do të vazhdojnë debatet rreth çmimit, shitësve, blerësve dhe këtij transaksioni politik në përgjithësi. Serbët e kanë shpallur fitoren. Kosova zyrtare po ashtu. E, “Vetëvendosja” shpalli shtetrrethim civil.

Por, pas shpërthimit të pakënaqësive, që paralajmëroheshin si një bllokim i plotë i jetës institucionale dhe publike, e madje edhe asaj private në Kosovë, Kryeministri i thirrur nga mediat, që të kërkojë falje për fjalët e rënda drejtuar lëvizjes “Vetëvendosje”, tregoi se është po aq kokëfortë sa liderët e “Vetëvendosjes”.

Kështu, Kryeministri i Kosovës denjoi të kërkojë falje nga gomarët, por jo edhe nga “Vetëvendosja”. Për “Vetëvendosjen” tashmë dihen pak a shumë krejt ose thënë më saktë dihet mjaft, por për gomarët nuk dihet gati asgjë. Gjeneratat e reja kanë harruar plotësisht se çfarë janë gomarët. Kështu që kjo gjeneratë nuk mund të bëjë krahasime dhe të nxjerrë një përfundim të vetin se ka apo nuk ka të drejtë Kryeministri. I kemi mësuar fëmijët të jenë të kujdesshëm, t’i peshojnë argumentet, se në fund të fundit nuk mund të bëhen të gjithë politikanë, e dikush duhet edhe të punojë dhe argumentojë.

Hiq filmat e vizatuar, për karakteristikat e këtyre shtazëve të (keq)përdorura aq shumë, madje edhe përtej asaj që e durojnë, fëmijët dinë shumë pak ose hiq. Si e dimë ato nuk janë aq të popullarizuara për dizajnin e tyre, sa për punën që bëjnë. Punon si gomar, do të thonë për dikë që nuk ndalet së punuari. Sidomos ia vlen të vlerësojmë këto shtazë për kontributin e tyre politik dhe kombëtar. Shumica e komandantëve kanë deklaruar se armët i kanë kaluar përtej kufirit shqiptaro-shqiptar pikërisht me kuaj dhe gomarë. Sidomos me gomarë, sepse bliheshin më lirë, sepse terreni i vështirë, i kontrolluar dhe i minuar nga armiku, çka imponoi që transporti i armëve dhe gjërave të tjera për luftën të bëhej me mjete të tjera patriotike, sa më pak të kushtueshme.

Pra, mos i nënçmoni gomarët edhe pse ata nuk janë “shtazë politike” e as “lopë të shenjta” e as… nuk kanë karakteristika të tjera njerëzore. Nëse nuk e kanë shikuar RTK-në para disa netësh kur Kryeministri shprehu gatishmëri t’u kërkojë falje, ata ende mund të jenë të zemëruar që u (keq)përdorën në luftën e brendshme politike. Nuk ka këtu patriotizëm.

Pra, të dashur miq, gomarët, sikurse edhe kuajt janë një lloj i shtazës me thundra. Nga të gjitha karakteristikat që mund t’i gjesh në internet për to, së fundmi kemi edhe një të re, gjithsesi pozitive, autor i së cilës është vetë Kryeministri. Për ta përmbledhur kuptimin e asaj që u tha, del se gomarët janë të dëgjueshëm, të urtë dhe respektojnë pa fjalë kufijtë. I lë të kullotin në Gërmi, aty do të rrinë, e nuk nisen vetë për në Prapashticë. Respekt!

Pra, gomarët e zakonshëm, nëse i lë në një livadh me bar, të rrethuar me gardh, do të sillen, e sillen, e sillen, si i dehuri në rrethrrotullim, tërë kohës duke kërkuar vetëm derën apo … zilen. Nuk hyn gomari në kopsht pa i rënë ziles. Nuk hyjnë në oborr pa lejen e të zotit të shtëpisë. E Vetëvendosja po. Kryeministri thotë se do të hynin, në oborrin e tij po të mos ishin ndalur nga policia. Në anën tjetër, vetëvendosja ka shpallur shtetrrethim dhe nëpër zonat e tjera të vendimmarrjes ka nisur njësitet për ndërhyrje të shpejtë të armatosur me domate, vezë, banderola e gjithë arsenalin e mundshëm paqësorë. Veç lufta “eksik” po thonë.

Cilat mund të kenë qenë motivet e vërteta të marshit për në Prapashticë?

Nejse, në zoopolitikën tonë gomari dallon nga kali me disa karakteristika. Edhe njërit edhe tjetrit mund t’i hipësh për motive politike, por duhet dalluar diçka esenciale: kalit nuk mund t’i vësh samar, e gomarit shalë. Krejt për arsye estetike. Do të pajtoheni se nuk shkojnë me njëra-tjetrën. Këso dallime, më saktë paragjykime, kemi edhe në politikë.

Edhe pak për politikën dhe shtazët. E dini atë barsoletën me delet euroatlantike? Në një livadh me bar, jo të kaltër, kullosin apo më saktë llafosin dy dele me ngjyra të ndryshme: njëra e bardhë e tjetra e zezë. “BE” i thotë e bardha. “Po çfarë BE-je mori motër? A nuk e sheh telin me gjemba? Një radhë, dy, tri.

Kështu, nga larg, niset një dele për në Evropë. Pastaj të tjerat rendin pas saj, në një kolonë të pafund. E kanë gënjyer trafikantët delen e parë. Kështu Evropë mos lufto me delet. Ato janë të pafajshme. I mashtruan trafikantët.

Përndryshe gomarët janë banorë natyrorë të stepave dhe gjysmëshkretëtirave, thotë shkenca virtuale, por kanë mbijetuar edhe në pak vende të tjera ku kanë arritur të përshtaten me ambientin politik. Apo e kishin idenë se këtu është gjysmëshkretëtirë dhe se mund të mbijetohej politikisht vetëm duke ulur kokën dhe kullotur livadhin e shtetit. Gjithsesi është e lavdërueshme një kërkim falje për komunitetin e urtë të gomarëve.

A thua kanë të drejtë vote, gomarët?