LAJMI I FUNDIT:

Maqedonia e ‘vogël’ i mposht Kosovën e Shqipërinë ‘e madhe’ bashkë… (!?)

Maqedonia e ‘vogël’ i mposht Kosovën e Shqipërinë ‘e madhe’ bashkë… (!?)

Maqedonia e vogël me shumicë maqedonase edhe këtë vit vazhdon që të mposhtë pa asnjë vështirësi dy shtetet fqinje me shumicë absolute shqiptare, Kosovën dhe Shqipërinë bashkë, me eksporte prodhimesh e mallrash.

Falë punës së qeverisë së Nikolla Gruevskit dhe sidomos vet kryeministrit, në tërheqjen e investimeve të huaja të drejtpërdrejta gjatë këtyre pesë viteve të fundit dhe rritjen e prodhimeve, sidomos në industrinë rëndë dhe atë automobilistike dhe përcjellëse të të njëjtit sektor, Maqedonia gjatë pesë muajve të parë të vitit 2014 ka pasur një rritje prej 18.5 për qind të eksportit në vlerë mallrash në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Nga Janari deri në Maj të këtij viti, Maqedonia ka eksportuar mallra në vlerë prej 1,450 miliardë euro, përkatësisht ka pasur një eksport afro dy herë më të madh sesa Kosova dhe Shqipëria – që të dyja së bashku.

Kosova dhe Shqipëria bashkë kishin gjatë të njëjtës periudhë vetëm 883,982 milionë eksport. Kosova në këtë shifër kontribuon me 113, 864 milion euro ndërsa Shqipëria me 770, 118 milion euro eksport.


Vetëm nga zonat industriale në lindje të Shkupit, ku është përqendruar lobimi i Gruevskit për tërheqje investimesh të huaja të drejtpërdrejta, eksporti i kalon 550 milion euro në periudhën janar-maj 2014, dhe është dy herë më i madh sesa vëllimi i eksportit gjatë të njëjtës periudhë të vitit 2013.

Në këtë zonë tashmë disa vite Gruevski ka tërhequr për të investuar, prodhuesin belg të autobusëve, Van Hool në zonën Shkup 2, apo edhe prodhuesit e tjerë si Johnson Controls në Shtip, Johnson Matthey në zonën Shkup 1 etj.

Në këto dy zona që nga viti 2009 është duke prodhuar edhe prodhuesi gjerman i pajisjeve elektronike për vetura, Draexlmaier Automotive Eletronics, i cili në verën e vitit 2008 pati tentuar që të instalohet në zonën Prishtinë-Fushë Kosovë, e të prodhoj të njëjtat aty për të punësuar 100+500 punëtorë vendor.

Por pas mosmarrëveshjeve ende të pasqaruara me kryeministrin tashmë në largim Hashim Thaçi, prodhuesi gjerman e braktisi Kosovën pas tre muajsh (korrik – shtator) dhe vetëm pas një viti gjeti marrëveshje me Nikolla Gruevskin për të prodhuar në lindje të Shkupit të njëjtat prodhime.

Në qershor të këtij viti, pronarët e Draexlmaier Automotive Eletronics shpallën edhe njoftimin për hapjen e linjës së dytë të prodhimit këtë vit, e për të rritur numrin e të punësuarve nga 4300 sish në 4900 deri në fund të vitit, me paga mesatare të vendit.

E njëjta ndërmarrje gjermane tashmë ka edhe dy linja prodhimi në Serbi sepse edhe atje, sikur edhe në Maqedoni ka gjetur gjuhë të përbashkët dhe interes për të prodhuar, por jo edhe në Kosovë dhe Shqipëri. /zhurnal.mk/