LAJMI I FUNDIT:

Maliqi: Të dhënat gjeohapësinore dhe “bujqësia precize” në Kosovë

Maliqi: Të dhënat gjeohapësinore dhe “bujqësia precize” në Kosovë

Dr.sc Edon Maliqi, Profesor i Hartografisë dhe Gjeoinformatikës, në një shkrim të tijë, shpjegon një koncept të ri bashkëkohorë të zhvillimit të bujqësisë në Kosovë.

Sipas një përkufizimi “bujqësia precize” ka të bëjë me praktikat e menaxhimit të fermave ku fermerët janë të aftë të vëzhgojnë, të regjistrojnë e të menaxhojnë fermat e tyre, duke përdorur të dhëna gjeohapësinore të besueshme. Si koncept “bujqësia precize” zanafillën e ka në vitet 80-ta të shekullit njëzet, kur në Shtetet e Bashkuara profesionistë të ndryshëm aplikuan marrjen e mostrave të tokës në formë rrjete dhe kështu krijuan hartat për të rekomanduar plehrat e ndryshme varësisht nga specifika e tokës.

“Bujqësia precize” minimizon vendimet subjektive të fermerëve dhe nxitë që vendimet të bazohen në të dhëna për të trajtuar/zhvilluar kulturat e ndryshme bujqësore. Në këtë koncept teknologjia moderne përdoret për menaxhimin e bujqësisë në çdo fazë të punës. E gjithë kjo pastaj ndikon edhe në ruajtjen e ambientit.


Meqenëse fushat e ndryshme bujqësore kanë karakteristika heterogjene, teknologjitë e avancuara mundësojnë identifikimin e dallimeve të tokës në ato zona dhe pastaj menaxhimin e atij dallimi. Si rezultat i avancimit të mundësive për përfitimin e të dhënave të ndryshme gjeohapësinore, internetit dhe teknologjisë, aplikohet “bujqësia precize” (ENG: Precision Farming). Për rrjedhojë, fermerët kanë mundësi të përdorin plehra dhe pesticide të ndryshme në mënyrë shumë më efikase, që rezulton me rendiment (produkt) më të lartë.
Një pyetje që mund të shtrohet këtu është “Çfarë është kjo teknologji?”.

Në fakt kjo teknologji ka të bëjë me automjete bujqësore që pajisen me kompjuterë të veçantë dhe sisteme të navigimit, që në situata të caktuara i shmangen mbivendosjes kur mbillet fara ose hidhen plehrat apo pesticidet. Pastaj aplikacione që kanë harta të ndryshme digjitale sipas karakteristikave të tokës. Gjithashtu dronët mundësojnë monitorimin e kulturave bujqësore nga distanca, ndërsa sensorët e ndryshëm japin paralajmërime të hershme për temperaturën, lagështinë, erën, etj.

Kur flasim për këtë koncept në Kosovë, një pyetje tjetër që secilit i shkon në mendje është: “A është i komplikuar dhe a ka kosto të lartë ky koncept?”
Përgjigja është Po edhe Jo.

Po, sepse teknologjitë janë të reja që d.m.th kërkojnë aftësi të veçanta. Për shembull, analizimi i imazheve të ndryshme të përfituar me dron. Po ashtu aktualisht, pajisjet dhe programet e ndryshme kanë kosto të lartë.

Ndërsa jo, sepse tendencat janë që të kalohet në pajisje të lira si “smartphone” me kusht që të kenë qasje në internet dhe programe të thjeshta për përdorim. Falë teknologjisë së bujqësisë precize në Amerikë, fermerët kursejnë mesatarisht 11 deri në 39 mijë dollarë në vit.

Sipas hulumtimeve të bëra, futja e një sistemi të bazuar në “bujqësia precize” me bazë telefonin celular në Indi kishte efekte pozitive dhe të konsiderueshme në rendimentet bujqësore si dhe në përdorimin efikas të kultivimit të pambukut. Si rezultat i përdorimit të këtij shërbimi, neto të ardhurat e fermerëve ishin rritur rreth 100 $ / vit / fermerë dhe rendimentet ishin rritur rreth 8.6 për qind për pambukun.

Në shtete të ndryshme në botë, fermerëve po u jepen shërbime këshilluese të bazuara në telefon të mençur. Prandaj në funksion të kësaj, edhe vendi ynë, Republika e Kosovës duhet të mendojë aplikimin në faza të Bujqësisë precize.