LAJMI I FUNDIT:

Liri s’ka në veri

Terrori serb kundër shqiptarëve vazhdon. Akti terrorist i vrasjes së Selver Haradinajt dhe i plagosjes së katër fëmijëve në shtëpinë e tij në veriun e Mitrovicës, nuk është as i pari e as i fundit që bandat kriminale serbe po demonstrojnë kundër qytetarëve shqiptarë në këtë zonë të trazuar.

Sulmi fatal për familjen Haradinaj, nuk ishte i papritur, ngase kërcënimet kundër shqiptarëve në veri janë të përditshme dhe nga më të ndryshmet. Mungesa e dorës së shtetit e të ligjit, bëri qe Selver Haradinaj të bëhet dëshmori i ri i rrugës sonë për liri.

Në 13 vitet e lirisë së Kosovës (dëbimi i makinerisë pushtuese serbe), kaq vjet shqiptarët e veriut të Mitrovicës jetojnë nën ethe, nën sulmet e kërcënimet e vazhdueshme të mbeturinave millosheviqiane të njohura si struktura paralele. Sulm terrorist ishte edhe dëbimi i shqiptarëve nga vendbanimet e veta në veri, edhe vrasja e policit Enver Zymberit, edhe bllokimi i rrugëve e shumë sulme tjera kundër autoriteteve shtetërore të Kosovës, KFOR-it, Policisë, EULEX-it etj.


Mungesa e shtrirjes së ligjit në veri si dhe paaftësia e institucioneve shtetërore për të vepruar në këtë pjesë delikate të shtetit tonë, mund ta shndërrojë veriun e Mitrovicës në një çerdhe të terrorizmit ballkanik. Shqiptarët në veri të Kosovës i janë nënshtruar terrorit të egër nga elementet e paligjshme të instrumentalizuara nga Serbia, me qëllim të ndjekjes edhe të atyre pak familjeve shqiptare qe kanë mbetur në këtë pjesë të vendit tonë.

Familja Haradinaj shquhej për qëndrimet e pathyeshme të saj, për të jetuar në pronën e vet të shenjtë në këtë pjesë të vendit, përkundër tendencave e kërcënimeve të vazhdueshme për t’i larguar nga pronat e tyre në veri. Ky akt tregon notën më të lartë të dështimit të institucioneve qeveritare në mbrojtjen e jetës së lirë qytetare.

Këtu ka dështuar EULEX-i, KFOR-i dhe Policia e Kosovës, të cilat nuk po arrijnë t’i zhbëjnë strukturat qe vijnë e “mrizojnë” nga shteti fqinj Serbia. Edhe pse popullata shqiptare në veri vazhdimisht ka kërkuar ndihmë dhe mbrojtje nga institucionet tona shtetërore, një gjë e tillë nuk është ofruar asnjëherë. Reagimi i Presidentes sonë, Qeverisë, MPB-së dhe institucioneve ndërkombëtare, nuk ka qenë aspak në shkallën e duhur të veprimit. Akterët e sulmeve duhet të kapen e të ndëshkohen, jo vetëm të dënohen me retorika boshe.

Në raste të tilla çdo shtet normal do të mobilizohej dhe do të ngrinte shkallën e sigurisë së lartë kombëtare, do t’i mobilizonte njësitet antiterror, e jo siç ndodh zakonisht tek ne qe sulmet e vrasjet të dënohen nga kafenetë a zyrat e buta të ndërtesave qeveritare.

Mos efikasiteti dhe paaftësia e institucioneve tona për kontrollin e tërësisë territoriale do të përcillet me probleme të mëdha rreth sigurisë qytetare, por edhe për vet autoritetet policore, doganat etj.

Agresioni i xhandarmërisë serbe në kufirin verior, atentati vdekjeprurës dhe bllokimi i rrugëve, janë sinjale se në të armen jo shumë të largët mund të kemi përballje edhe me uniformat e policisë dhe ushtrisë serbe. Kjo kërkon masa urgjente, ndaj duken absurde deklaratat e kreut të MPB-së, Bajram Rexhepi, kur thotë se “akti kriminal i sulmit kundër familjes Haradinaj, mund të tensionojë situatën në veri”. Ku ka tensionim më të madh se kur ta ndalojnë lirinë e lëvizjes (bllokimi i rrugëve)!

Nëse një udhëheqës nuk jeton me ndjenjat e çdo qytetari të vet, ai njeri nuk meriton të mbajë atë post.

Kryetari i Mitrovicës, Avni Kastrati, nxjerr në pah nevojën urgjente që strukturat e sigurisë, Policia e Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i, etj., të izolojnë strukturat kriminale serbe që po terrorizojnë qytetarët shqiptarë në veri. Kjo thirrje duhet të vlejë për qeveritarët tanë të cilët më tepër se administratorë nuk po tregojnë menaxhim të duhur të elementeve kyçe të shtetit.

Gjithashtu, edhe thirrja për gjakftohtësi është pothuajse shabllon. Ku ka gjakftohtësi më të madhe se sa të qëndrosh në shtëpinë tënde, pranë familjes së shenjtë dhe pronës qe e ke siguruar me mund e sakrificë.

Reagimi i Presidentes sonë është pa asnjë pikë reference për kapërcimin e situatës. “Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës kërkon nga institucionet përgjegjëse që të kapin autorët e këtij incidenti dhe t’i vënë ata përpara drejtësisë. Ato pengojnë përpjekjet e vazhdueshme për vendosjen e rendit dhe të qetësisë në gjithë Republikën së Kosovës”.

Akti terrorist nuk është incident, e as prishje e rendit dhe qetësisë, por është vrasje e lirisë, e cila është e mbrojtur me të gjitha konventat ndërkombëtare. Autorët e krimit e kanë çerdhen e vet. Unë nuk e di se ku mendon presidentja jonë qe të ndiqen ata, nëse nuk kapen në çerdhen e tyre!

Edhe reagimi nga Qeveria e Kosovës, pavarësisht tonit më të nxehtë, serish nuk përkon me realitetin. Qeveria duhet të veprojë, jo të deklarojë rastin. “Ky akt i drejtuar ndaj jetës, lirisë dhe pronës së qytetarëve, është një akt kriminal dhe terrorist, ndaj të cilit Qeveria e Kosovës shpreh indinjatë dhe angazhohet që ndriçimi i tij, kapja e akterëve dhe dënimi i tyre të bëhet sa më shpejt”.

Reagimi i kryeministrit Thaçi ngjanë me reagimin e ndonjë zyre diplomatike a ambasade në Republikën e Kosovës. Kreu i Qeverisë është dashur ta thërret kabinetin e tij qeveritar, udhëheqësit e MPB-së e PK-së, për të ngritur gjendjen e jashtëzakonshme, ngase ky akt terrorist është vrasje edhe për institucionet shtetërore të Kosovës, shpërfillje ndaj aktit juridik e kushtetues, dhe atentat ndaj lirisë qytetare e njerëzore. Vetëm fjalët nuk kanë kuptim në këtë rast.

Terrorizimi i vazhdueshëm i shqiptarëve të veriut, mund të çoj deri tek konflikti etnik. Kjo për faktin se shqiptarët nuk mund të bëhen gjithmonë “kurban”. Nëse Qeveria e Kosovës dështon në krijimin e sigurisë qytetare për të gjithë dhe nuk merr masa të duhura për zhbërjen e strukturave paralele serbe në veri, situata lehtësisht mund të merr dimensione të paparashikueshme.

Qytetarët shqiptarë kërkojnë nga institucionet e shtetit të Kosovës të veprojnë me urgjencë për vendosjen e kontrollit policor dhe kushtetues edhe në ato pjesë të veriut ku jetojnë shqiptarët, në mënyrë qe të mbrohet jeta e tyre. Ndryshe, t’i lënë dënimet deklarative e boshe, ngase të qeverisësh shtetin nuk është vetëm luks, por edhe sakrificë dhe përgjegjësi.

Akti terrorist i sulmit mbi familjen Haradinaj është pasqyrë e realitetit të hidhur qe mbretëron tash e 13 vjet në veriun e vendit. Qeveria jonë në vend qe të merr masa efikase për kapjen e atentatorëve vrasës dhe zhbërjen e bandave kriminale të Serbisë, vazhdon plane nënshtruese ndaj shtetit serb, kinse për pajtim historik.

Me këtë politikë udhëheqësit tanë jo vetëm se veriun do t’ia dorëzojnë pa kushte Serbisë , por edhe pjesën tjetër me shumicë shqiptare do ta bëjnë të varur ekonomikisht dhe politikisht nga Beogradi.

Në trend

Më shumë

"Po e shkel Kosovën me këmbë", Gerta, Laerti e G Bani në debat të ashpër me Gjestin pas përjashtimit të Jozit

Magazina
Djali i presidentit Trump shpërndan postimin e Grenellit, në të cilin thotë Kurti po gënjen se është i afërt me SHBA-në

Djali i presidentit Trump shpërndan postimin e Grenellit, në të cilin thotë Kurti po gënjen se është i afërt me SHBA-në

Lajme

"Ku ke qenë në luftën e Kosovës, çfarë ke bërë në 99' për vendin budalla", G Bani i drejtohet me fjalë të ashpra Gjestit pas përjashtimit të Jozit

Magazina
Gjesti tallet me Jozin pas daljes dhe i kushton këngë: Ai nuk është më me ne, na ka sharë e ofenduar - në fund Vëllai i Madh e ka përjashtuar

Gjesti tallet me Jozin pas daljes dhe i kushton këngë: Ai nuk është më me ne, na ka sharë e ofenduar - në fund Vëllai i Madh e ka përjashtuar

Magazina
Leonora Jakupi eskalon ndaj Jozi Markut: O i pa fe, o fëlliqësirë - e nderove babain tënd që ka qenë pjesë e UÇK-së

Leonora Jakupi eskalon ndaj Jozi Markut: O i pa fe, o fëlliqësirë - e nderove babain tënd që ka qenë pjesë e UÇK-së

Magazina

"Tiroli i Jugut si model për Asociacionin" Mandl: Jo një Republika Sërpska, duhet të jetë një zgjidhje praktike, pa kërcënim

Lajme
Kalo në kategori