LAJMI I FUNDIT:

Limaj nuk pranon Qeveri teknike, flet edhe për ftesat e Speciales

Limaj nuk pranon Qeveri teknike, flet edhe për ftesat e Speciales

Zëvendëskryeministri në detyrë, njëherësh kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, deklaron se vendi duhet të shkojë në zgjedhje pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj.

Ai përjashton çdo mundësi tjetër përveç zgjedhjeve të jashtëzakonshme, kundërshton edhe krijimin e një qeverie teknike.

Limaj thotë se pas dorëheqjes së kryeministrit vendi është në prag të zgjedhjeve.


“Ne si subjekt politik si Nismë jemi të gatshëm për zgjedhje dhe po përgatitemi për proces zgjedhor, natyrisht duke respektuar procedurat që na obligon Kushtetuta dhe ligji. Ky është realiteti dhe besoj që tashmë është e qartë për secilin”, thotë ai.

Partia që ai e udhëheq thotë se nuk do të bëhet pjesë e asnjë qeverie teknike, derisa potencon se vendit i duhet një qeveri e fortë dhe që është e gatshme të ballafaqohet me tema të rëndësishme.

“Nisma nuk mund të bëhet pjesë e asnjë qeverie të tillë. Ne besojmë që është një moment kur duhet të kthehemi tek qytetarët, qytetarët përmes vullnetit të lirë të vendosin për Qeverinë e ardhshme. Si asnjëherë më parë Kosovës i duhet një Qeveri e fortë, e fuqishme, e gatshme për t’u ballafaquar me tema të rëndësishme që do t’i hapin një perspektivë të qartë vendit tonë”, shprehet ai.

Kreu i Nismës Socialdemokrate thotë se partia që e udhëheq është e gatshme të shkojë në zgjedhje.

“Një parti politike e cila nuk është e gatshme për zgjedhje ajo nuk meriton të jetë në skenën politike”.

Sa i përket ftesave të Gjykatës Speciale, Limaj në një intervistë për KP, ka thënë se ajo është krijuar për ushtarët e UÇK-së dhe askush nuk duhet të befasohet me ftesa të tilla.

Kujtojmë se kryeministri i vendit Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje të premten e javës së kaluar pas ftesës që kishte marrë për t’u intervistuar nga Gjykata Speciale si i dyshuar.