LAJMI I FUNDIT:

Liderët nën fustane grash

Këtë fundjavë, Bashkimi Demokratik për Integrim, i Ali Ahmetit, do të mbajë Kongresin e vet të radhës. Këtij Kongresi i paraprinë një sërë ndodhish të cilat pa dyshim që do të mbeten nën hijen e shqetësimit të vetëm që do të ngritet si bosht në këtë kongres. Rrahja në mes vete e funksionarëve të BDI-së! Korrupsioni i lartë që i ka mbërthyer funksionarët e kësaj Partie! Dështimi total nëpër dikasteret dhe institucionet që po i udhëheqin! Pjesëmarrja aktive e deputetëve dhe e funksionarëve qeveritarë të kësaj partie në ngritjen e të gjitha mekanizmave që nëpërkëmbin dinjitetin e shqiptarëve të këtushëm! Pjesëmarrja aktive në miratimin e ligjeve dhe në ngritjen e institucioneve të reja enkas për degradimin e kulturës, gjuhës, arsimit, shëndetësisë, sportit shqiptar.

Nën hijen e temës boshte të këtij kongresi të BDI-së do të ngelin edhe aksionet policore nëpër vendbanimet shqiptare si dhe keqtrajtimi i skajshëm i shqiptarëve nga strukturave policore etnike maqedonase. Nën hije do të ngelin edhe shkeljet e dinjitetit dhe të personalitetit të funksionarëve shqiptarë që ua bëjnë kolegët e tyre maqedonas e që çdo ditë i mbajnë në pozitë vasalitetit. Nën hije të preokupimit kryesor të udhëheqësisë së kësaj partie do të mbetet edhe degradimi i funksionarëve të BDI-së të cilët edhe mund të ndëshkohen në këtë Kongres vetëm e vetëm pse ia prishën paksa disponimin kryeministrit Nikolla Gruevski përmes “deklaratave shoviniste”.

Tashmë është e qartë se një nga funksionarët më të lartë të BDI-së, Rafiz Haliti, i njohur me nofkën “Komandant Mësuesi” do të ndëshkohet me largim nga kryesia që iu bë e qartë qysh kur deklaroi se “shqiptarët do të inkuadrohen në NATO e BE qoftë edhe pa maqedonasit”! Për hir të qetësisë shpirtërore të Gruevskit dhe bashkëpartiakëve të tij u ndëshkua z. Haliti! Për një “rebelim” të kësaj natyre jo njëherë i është tërhequr vërejtja edhe zonjës Teuta Arifi, e cila, vetëm falë natyrës së saj femërore (për imazh demokratik të partisë) mund të ngelë edhe më tej në kryesinë e partisë, siç do të ngele edhe zonja Ermira Mehmeti, ndonëse u përfshi në “listën e zezë” të VMRO-së.


Funksionarët e Ali Ahmetit në legjendën e Rozafës

Sipas liderit të kësaj partie, z. Ali Ahmetit, për momentin do të duhej të anashkalohen të gjitha problemet shqiptare, duhet të vihet moratorium mbi çdo problem kombëtar dhe të gjitha kapacitetet partiake e intelektuale të vihen në shërbim të zgjidhjes së konteksteve maqedonase në raport me grekët. Afati ndërkombëtar i zgjidhjes së këtij problemi është gjashtë muaj! Ali Ahmeti do të bëjë çmos që nga ky kongres partiak të dalë një përfundim që do të jetë në të mirë të politikanëve nacionalistë maqedonas me të cilët bashkërisht do të vije deri te zgjidhja e problemit.

Euro-ambasadori, Ervan Fuere, këto ditë nënvizoi se Maqedonia nuk ka kohë të presë, se koha e tanishme nuk është në të mirë të Maqedonisë, se problemi duhet të zgjidhet sa më urgjentisht. Ndërsa, Vasko Naumovski, zëvendëskryeministër për euro integrime, me një nacionalizëm patetik iu përgjigj në sy Fueresë duke i thënë se nuk ka njeri që mund t’i detyrojë maqedonasit të heqin dorë nga emri i shtetit dhe i identitetit. E përse atëherë angazhohet kaq me shpirt Ali Ahmeti, nëse jo për të vetmen arsye që t’i lëpihet sa më gjatë Gruevskit!

Gruevski nuk e do ndihmesën shqiptare, nuk e do kontributin shqiptar, nuk i do propozimet shqiptare! Pas çdo angazhimi në këtë drejtim Gruevski përgjigjet me nga një aksion policor nëpër vendbanimet shqiptare, me nga një ligj antishqiptar, me nga një vendim e qëndrim që e shtreson bindjen se BDI në këtë pushtet ka vetëm rolin e vasalit. Është e habitshme se si Ali Ahmeti flijon pa dhembje funksionarë të vetë, vetëm e vetëm që t’ia krijojë mundësinë Gruevskit sa herë të ketë dëshirë të përdëftohet si “car” i mëhallës, madje edhe si pasardhës i drejtpërdrejtë i Aleksandri të Madh. Është vetëm legjendë puna e Rozafës! Ose, nëse dëshiron dikush që ta përësërisë këtë legjendë, atëherë, le të bie koka e Gruevskit në urën lidhëse mes Maqedonisë dhe Evropës dhe jo kokat e funksionarëve të Ali Ahmetit!

Këto ditë dy deputetet e BDI-së, Teuta Arifi dhe Ermira Mehmeti, “rrëshqitën” dhe në opinion e shprehën atë që duhet shprehur çdo shqiptar! Të motivuar nga “trimëria” nëpër odat e Ali Ahmetit, e para theksoi se nëse Gruevski nuk ofron alternativë për dalje nga kjo situatë BDI-ja do të ik nga qeveria, ndërsa, e dyta kërkoi nga Gruevski që mos të humbë kohë pas busteve, skulpturave e përmendoreve antike por të ulet e të gjejë zgjidhje sa më parë me qëllim që Maqedonia të integrohet në strukturat euro-atlantike.

Për shqiptarët vetëm censurë dhe autocensurë
A bëhet politikë nga pozicioni i strucit, apo, në rastin konkret, nga të strukurit nën fustane grash! Zonja Arifi dhe zonja Mehmeti nuk janë persona të kotë publik por janë deputete si dhe bartëse të funksioneve të larta partiake, janë pjesëmarrëse në tryezat partiake ku përgatiten strategjitë politike, ku hartohen përgjigjet për çdo situatë politike. Çdo fjalim, çdo ligjëratë, apo çdo diskutim i tyre publik bartë vulën partiake, shpreh qëndrimin intern partiak!

Po e kësaj peshe ishte edhe fjala e Rafiz Halitit i cili u shpreh përafërsisht si këto dy deputetet e BDI-së. “Komandant” Mësuesi u ndëshkua ndërsa deputetet u flijuan, mbetën pa mbrojtje dhe përkrahje partiake. Politikës nëntokësore të hardhucit barrsë me po kaq finokëri iu përgjigj edhe Gruevski. Që ta ruajë mashkullinë e vet kundër “qëndrimit” ilegalist të Ali Ahmetit në front e hodhi deputeten maqedonase, tërësisht anonime, Kosana Nikoliq-Mazneva, e cila reagoi tamam me fjalorin dhe zhargonin psikopatik e me plotë urrejtje antishqiptare të Gruevskit.

Pra, edhe ky lider politik me Ali Ahmetin foli nga nënfustani i një deputeteje. Zonja Mazneva lexoi një pamflet prej nga rridhte një llavë e tmerrshme urrejtje kundër shqiptarëve, një urdhëresë policore që urgjentisht të censurohen madje edhe të vetëcensurohen zonja Arifi dhe zonja Mehmeti, dolën vlerësime se bëhet fjalë për dy “shkronjësa-terroriste” letra e të cilëve është kallashnikov ndërsa ngjyra e lapsit të tyre municion! U prekën edhe në moral duke u quajtur si “nuse të BDI-së”, edhe pse ato dy “nuse” kanë burra të tyre me emër e mbiemër!

Deklaratat e strukturave të larta partiake se “BDI-së po i shkojnë shumë mirë punët në koalicion me VMRO-në dhe se nuk ka individë që mund ta prishë këtë koalicion”, si përgjigje pyetjeve gazetareske se a mos përfaqësojnë qëndrimin aktual të BDI-së këto dy deputete, në fakt shpreh distancimin publik dhe lënien në baltë deri në fyt të Arifit e Mehmetit. Ndërkohë që VMRO-ja tha se kjo parti është demokratike, i lejon secilit të shpreh lirshëm mendimin e vet dhe se nuk ka se çka të distancohet prej zonjës Mazneva!

Ky debat i zhvilluar nga poshtë fustanit u mbyll me ujkun e ngopur dhe me dhentë në numër! Po si do të mbyllet Kongresi i BDI-së! Zërat nga kjo parti thonë se rezultati i Kongresit do të jetë – të gjithë ata që do të largohen nga partia do të zbutem me faktin se të gjithë do të jetojmë në Maqedoninë e Gruevskit me qëndrime ortodokse antishqiptare i cili do të zbutet me integrimin tonë deri në asimilim kombëtar!

Në trend

Më shumë
Djali i presidentit Trump shpërndan postimin e Grenellit, në të cilin thotë Kurti po gënjen se është i afërt me SHBA-në

Djali i presidentit Trump shpërndan postimin e Grenellit, në të cilin thotë Kurti po gënjen se është i afërt me SHBA-në

Lajme
Edhe Daut Haradinaj reagon për Gjestin: Ai është një bir shqiptari

Edhe Daut Haradinaj reagon për Gjestin: Ai është një bir shqiptari

Magazina
Kosovari vrau kushëririn në Zvicër pas konfliktit për një mur në Kosovë - gjykata jep detaje

Kosovari vrau kushëririn në Zvicër pas konfliktit për një mur në Kosovë - gjykata jep detaje

Lajme

"Tiroli i Jugut si model për Asociacionin" Mandl: Jo një Republika Sërpska, duhet të jetë zgjidhje praktike, pa kërcënim

Lajme

"Ku ke qenë në luftën e Kosovës, çfarë ke bërë në 99' për vendin budalla", G Bani i drejtohet me fjalë të ashpra Gjestit pas përjashtimit të Jozit

Magazina
Katër shembuj të “mbështetjes së pafund” të Trumpit për Izraelin

Katër shembuj të “mbështetjes së pafund” të Trumpit për Izraelin

Botë
Kalo në kategori