LAJMI I FUNDIT:

Leje ndërtimi për një tendë

Leje ndërtimi për një tendë

“Po të pres te tenda”, po i thoshte një vajzë bionde dikujt në telefon. Nga zëri i butë dhe sytë që i shkëlqenin mund të kuptohej se po priste të dashurin. Tendat për nga vetë natyra e tyre e përkohshme nuk janë përdorur si pikë referimi përpara. Deri sivjet.

Pra, në Prishtinë, të rinjtë e dashuruar, kur duan të takohen më shpejt dhe pa huti, në njërin nga sheshet e kryeqytetit, e lënë takimin “te tenda”. Se ju e dini që dashuria edhe hutimi shkojnë bashkë.

Ti i thua te “Skënderbeu”, e ai të pret te “Zahiri”. Ti i thua te përmendorja e “Rugovës”, e ajo të pret te “Nëna Terezë”. Por, tendën nuk e huq asnjëri/a. Tenda tashmë është bërë monument i “hutisë“ institucionale.


Tenda, ka kohë që qëndron aty si peng i fjalës së dhënë të ish-kryeministrit dhe si lapidar, i cili dëshmon mosfunksionimin e shtetit dhe gjykatave. Në fakt, Gjykata e ka thënë fjalën e vet, në të gjitha nivelet, përfshirë edhe atë kushtetuese. U përfshi edhe “Baba”, sepse kishte paqartësi rreth kompetencave. Kështu, kur gjykata kushtetuese, pra “baba” jep vendimin, atëherë shteti vepron. Nuk!

Përfundimisht, kjo çështje duhet të marrë udhë: ose të hiqet tenda, ose të aplikohet për leje ndërtimi dhe krejt kjo të bëhet me ndërtim të fortë, për të ndërtuar një monument të indiferencës institucionale, dhe të shtetit hajgare!

Do të thoni, eh ç’na qenka ngritur me nerva ky miku ynë, sepse sot i paska lënë vetëm dy alternativa: ose-ose! Sikur nuk ka me mijëra alternativa?! Po, ti ec e gjeji! Ka ngecur vëlla!

Edhe pak ditë dhe bëhet një vit që kjo tendë është ngritur në tokën e askujt. Apo thënë më mirë, të gjithkujt. Në qendër të kryeqytetit. Te sheshi! Më saktë te njëri nga sheshet me emrin e të madhit… por lëre fare! Do na dalë problem edhe me Blushin pastaj.

Ani pra, ky objekt, as ka leje ndërtimi, as leje veprimi, as… gjë!

Megjithatë, për të kuptuar më mirë lexuesi ynë, i cili vjen rrallë në kryeqytetin e shtetit foshnjë, bëhet fjalë për një organizim proteste, ose si thonë ata vetë, të një greve të punëtorëve.

Mbi 900 ish-punëtorë të një fabrike nga qyteti i Ferizajt, po performojnë përpara institucioneve qendrore të këtij vendi dhe po kërkojnë të ekzekutohet një vendim gjykate i formës së prerë. Më të “prerë” as që mund të ketë. Nga kushtetuesja. Edhe “baba” vetë i ka ra vulë!

Por, si duket me ndërrimet në qeveri edhe “babës” i ka ra pak fuqia. S’po ia ekzekutojnë “letrat”.

E punëtorët, këshilli grevist pra, përpara ndërtesës së Qeverisë së Kosovës dhe para asaj të Parlamentit, ata e kanë ngritur një tendë të bardhë në formë gjysmë tubi, që ndoshta simbolizon një tub të prerë nga “Fabrika e Tubave”, rreth së cilës zhvillohet kontesti. Kjo tendë është bërë simbol i… mosfunksionimit të Kosovës. Në hyrje të tendës është vënë një “ferman” i “babës” nga Kushtetuesja, i cili nuk po ekzekutohet nga administrata qendrore. Sepse, krejt kjo që ne e quajmë Qeveri, në fakt do të duhej të ishte veç një ekzekutuese e vullnetit të përfaqësuesve të popullit. Por, te ne populli ekzekuton vullnetin e qeverisë. Krejt ne jemi veçse një demokraci nën mbikëqyrje. Sidomos populli.

Nejse, nëse kjo mospërfillje institucionale vazhdon, kjo tendë, si thonë gojëkëqijtë, duhet të bëhet me material më të fortë. Jo se nuk kishte ide edhe më herët. Deri në protestat e parafundit të opozitës në shesh, kishte ide që ajo të bëhej me qelq, por pas gurëve të parë u pa se qelqi nuk është për sheshet tona.

Tenda tani është bërë edhe toponim joformal, kështu që, ndërtimi i tendës, me material të fortë, nuk do t’i bjerë në sy askujt. “Te tenda”, është toponim, sikur më thanë “tek ara e gjatë”, ose te “varret e muhaxhirëve”.

Qeverisë jo se jo! Nuk do i bjerë në sy dallimi. Qeveria nuk po e sheh, tendën, tash një vjet. E komuna? Po të ishte me material të fortë, Xhelali e kishte rrëzuar deri tash, si ndërtim pa leje. Por, nuk është. Pastaj, komuna sikur nuk do të përzihet.

Por, a do të mund të rrijë komuna, krejt anash?! Nëse Qeveria vazhdon të hesht, hapi tjetër do të jetë aplikimi për leje ndërtimi, pranë Komunës së Prishtinës. Për legalizim, te Liburni. Kjo përfundimisht do t’i detyrojë palët të ndërmarrin diçka. Nëse Komuna e refuzon lejen, atëherë aplikuesit do të ankohen më lart. Fillimisht në Qeveri, e më vonë edhe në gjykatë. Prapë në kushtetuese.

Në fakt, nuk e di si është procedura për këto raste të ndërtimeve politike, por çuditërisht kjo nuk po më bën të turpërohem. Nuk e di askush. Kështu, me kallaballëk edhe mosdije, edhe e keqja përballohet më lehtë.

Pushteti ekzekutiv, ai gjyqësor, e as ai legjislativ nuk dinë më çfarë të (mos)bëjnë me të. Madje kur pozita dhe opozita dolën në shesh, për t’u rrahur, ata nuk e prishën terezinë fare. Në sulmet e kundërsulmet e opozitës dhe Policisë ata shikonin me indiferencë dhe… ruheshin mos e hanë ndonjë gurë kokës. Pra, zonë e hirtë, do të thoni ju. Jo! Ata e kanë një vendim gjykate. E për politikën nuk vë dorën në zjarr.

Pra, gjykata gaboi?! Apo ekzekutivi po gabon, që nuk po e përfill një vendim gjykate?! Dini ju alternativa të tjera?

Sipas ligjit, vendimet e “babës” janë të ekzekutueshme. Në to nuk ka të drejtë ankese. Për ata që kanë harruar, për shkak të heshtjes së gjatë, shoqëria civile, opozita dhe gazetarët, “babë” e quajnë me përkëdhelje kryetarin dikur të gjithëfuqishëm të Gjykatës Kushtetuese.

Ka edhe një alternativë, por nuk është për punëtorët. Së paku jo derisa të marrin paratë. Në fakt, ditëve të fundit, me një vendim gjykate, është e lejuar ta rrahësh shtetin… nëse ke 3000 euro në konto. Por ju mos e provoni! Ju nuk jeni pushtet… së paku (jo)formal!