LAJMI I FUNDIT:

Legjenda për ujqit

Ky rrëfim ka të bëjë me një ngjarje e cila më shumë ka të ngjarë të mos ketë ndodhur kurrë. Por, legjenda është ende e gjallë ndër ne dhe ende ulërinë në ndërdijën tonë! Na bënë të vëmendshëm! Na fton me e ruajt fisin! Me e ruajt nga njeriu! Nga individi! Ai që ecë shumë përpara e han ujku! Ai që mbetet prapa… prapë ujku! Sido që ta marrësh, ujku nuk mbetet i uritur në këtë lojën shekullore të disiplinimit të individit për hir të idealeve të fisit!

Dikur pleqtë tanë flisnin për një kohë të shkuar, krejt në fillim të botës, për një kohë kur kanë folur edhe shtazët, dhe kur njerëzit jetonin mesatarisht njëmijë vjet. Atëherë njeriu fliste dhe bënte dialog edhe me llojet e tjera. Me gjallesat e tjera. Se atëherë llojet nuk e hanin njëri-tjetrin.

Kur zjarri ishte i madh, ata që ishin më pranë, projektoheshin si gjigantë nëpër muret e shpellave. E mbrëmjeve pranë zjarrit tregonin përralla dhe legjenda. Në disa pjesë të atdheut tonë të stërmadh, ende flitet se qysh atëherë kanë ekzistuar profecitë se ka me ardhë një kohë kur ata që nuk punojnë kanë me jetu më mirë, e ata që janë tradhtarë kanë me qenë objekt adhurimi.


Ka me ardhë një qeveri që ka me sundu 1000 vjet. Ka me i marrë votat qysh të donë vet. Ka me revolucionarizu edhe matematikën e politikës. Legjenda!

Por, rrëfimi ynë i sotëm nuk flet për qeverinë, as për opozitën, e as për zogjtë, por për ujqit dhe qenët. Në këtë rrëfim ujqit ishin të gjithë të një ngjyre, ndërkaq qentë ishin lloj-lloj ngjyrash, deri në nuanca. Dallimi ishte në ngjyrë! Nëse mendoni se është metaforë, që shprehë ujqit e politikës apo të biznesit te ne, mbase edhe mund të keni të drejtë në parim, por kësaj radhe jo!

Nëse mendoni se është fjala për qentë e rrugëve nëpër Prishtinë të cilët ecin krye më vete dhe rrezikojnë fëmijët apo të pafuqishmit, prapë jo. S’ka të bëjë me politikën lokale! As për qenin e kryeprokurorit ndërkombëtarë, z. Salustro, nuk bëhet fjalë në këtë shkrim, edhe pse parku i qytetit nuk është fusha e tij e betejës me krimin e (pa)organizuar! As nuk do t’i shesim mend se si në vendin e tij së paku do të kërkonte falje për shqetësimin dhe frikën që ia shkaktoi një fëmije.

Ligji nuk duhet të frikësojë qytetarët, por duhet t’i sigurojë ata. Mjafton të frikësoj kriminelët, nëse mundet!

Por, të kthehemi te tregimi. Kështu tha i moçmi, e kështu po thonë edhe teoritë shkencore për ideokracinë, e cila duke përzgjedhur një ngjyrë të vetme identifikimi (apo ndonjë kombinim ngjyrash), duke eliminuar dallimet, duke rritur disiplinën në komunitet, errëson vetëdijen e individit, e robëron atë. Por, po flisnim për një rrëfim nga filli i botës.

“Qenkan aq shumë”, po raportonte ujku i ri, i tmerruar!

“A janë krejt të një ngjyre apo janë të larmë?”, e pyeti ujku plak, i cili ndërkohë i kalkuloi të gjitha kombinimet e mundshme të mbrojtjes. Rrallë bënte vaki që qentë të sulmojnë ujqit në strofullin e tyre, por ja që po ndodhka!

Po Batmeni? Ku ishte Batmeni? Më pyeti papritmas çuni im derisa po i rrëfeja edhe unë legjendën e moçme, dhe papritmas filloi të qeshte! Po i dukej aq reale. Veç Batmeni po mungonte.

Në kokën e tij të vogël, përralla e lashtë po shkrihej me përrallën moderne digjitale, ndërkohë që në ekranin e sheshtë një intelektual i çmuar i kombit po lëshonte rrufe kundër ujqërve të hirtë të politikës, të luftës, e të pasluftës. Po fliste për luftërat që kanë perënduar dhe për ne që duhej të shiheshim në pasqyrë. Mbase kështu do kuptonim se as ne nuk jemi engjëj!

Të egër, po thoshte, të egër kemi qenë edhe ne! Ata ishin të egër nga fuqia, e ne ishim të egër nga pafuqia! Ne nuk i duronim dallimet brenda llojit.

Të larëm qenkan, të larmë! Krejt lugina është bërë lara-lara! Janë aq shumë, dhe aq të egërsuar, po përsëriste pareshtur ujku i ri, derisa plaku veç sa po buzëqeshte, për aq sa ujqërit mund të buzëqeshin!

Do t’i mundim! Ne jemi krejt të një ngjyre! Kemi ngjyrën e natës! Kjo ishte klithma luftarake e ujkut plak që tingëllonte aq profetike. Legjenda thotë se ujqit i mundën qentë, sepse këta të parët nuk kishin dallime as dilema!

Ky tregim u rrëfehej fëmijëve pranë oxhakut, për me rritë homogjenitetin brenda familjes dhe fisit. Dihej rendi i gjërave, dihej ngjyra e bardhë e plisit, dihej qilimi kuqezi mbi të cilin fluturonin shqiponjat. Çdo shtëpi ishte shtet më vete. Një oxhak, një pushkë, një plak në krye të odës që e tërhiqte me mushkëritë e lodhura çibukun e qelibarit. Dhe, këtë strukturë duhej ruajt. Kush prekte aty, prekte në themele. Prandaj, gjyshërit tregonin legjenda, për me e ruajt rendin! Atëherë kanë folë “gjaja” e gjallë dhe njerëzit kanë jetuar 1000 vjet!

Kështu, ideologjitë që kërkojnë homogjenitet të jashtëzakonshëm janë të një ngjyre. E kuqja, e zeza, e gjelbra. Njerëzit i ndajnë në miq dhe armiq. Të brendshëm dhe të jashtëm. Për ata bota nuk përbëhet nga qytetarët që kanë të drejta dhe detyrime. Kush nuk është me ta është tradhtarë!

Ky tregim për ujqit dhe qentë është pra veç edhe një metaforë për grupet homogjene dhe heterogjjene. Për grupet e mobilizuara që kanë shuar të gjitha dallimet mes tyre dhe e kanë pushtuar botën. Kështu vepruan pushtuesit e mëdhenj. Nëse jo një ngjyrë, atëherë ishte një flamur! Një komunitet. Një ide! Ky ishte ideali! Kulmi i fuqisë! Kushdo që dallohej ishte i keqi! Ai duhej luftuar!

Kur kjo ndodhte, grupi ndahej në ne dhe ata. Edhe brenda grupeve kërkohej homogjenitet, uniformë, e jo dallime, jo llojllojshmëri. Së paku jo deri në demokraci!

E në demokraci çelën lulet shumëngjyrëshe. Për herë të parë ishte mirë të ishe ndryshe. Kjo e begatonte komunitetin. Kur dikush ishte ndryshe, kjo përfaqësonte një angazhim për identitet të ri. Në demokraci, presupozohet që identitetet të zhvillohen sipas natyrës së vet. Sipas interesave të veta. Shpaloset bukuria e llojeve dhe kuptimi i ekzistencës së tyre. Ata që duken ndryshe, ende shikohen në pasqyrë dhe nuk e pëlqejnë veten!

Por, kjo nuk ka ndodhë kurrë ndër ne! Nuk ishte një legjendë që tregohej pranë zjarrit. Është veç një ideal i ri!