LAJMI I FUNDIT:

LDK dhe kapërcimi i orëve të liga

Pas të gjitha zhvillimeve që kanë ndodhur brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës, ajo ngjan në një parti politike që e ka në udhëkryq fatin e të qëndruarit në status quo apo të ngritjes së mëtejme, por kurrsesi fatin e eliminimit apo të rënies nga dimensionet e tanishme. Kjo parti politike ka gjasa reale ta ketë rolin qendror në kahen që do ta marrë struktura e ardhshme e pushtetit politik në Kosovë. Koalicioni me LDK-në duket atraktiv për të gjitha partitë tjera politike duke filluar nga PDK-ja, e cila përmes këtij koalicioni ruan më lehtë pushtetin dhe deri te AAK-ja dhe LDD-ja, të cilat orvatën që përmes saj ose të jenë pjesë e pushtetit në të ardhmen (AAK), ose ta ruajnë subjektivitetin e tyre politik, i cili ndjehet seriozisht i rrezikuar (LDD).

LDK e orientuar në kohë dhe hapësirë

Sjellja e LDK-së në raport me ofertën e AAK-së dhe të LDD-së nuk është një sjellje e papërgjegjshme siç e shohin apo janë të prirë ta komentojnë disa analistë dhe opozitarë. Përkundrazi, është një sjellje shumë e matur që tregon se kjo parti së pari, përkundër tërmeteve që ka pasur dhe dridhjeve të vogla që vazhdon t’i ketë, bazamentin e shtëpisë së vet e ka ende stabil. Se dyti, lideri i saj, Z. Fatmir Sejdiu, mbetet autoriteti numër një i cili do të dijë t’u japë kahe zhvillimeve reformuese që priten të ndodhin në të ardhmen. Dhe, së fundi, kjo parti nuk e ka të humbur rrugën në oborr, por është më e orientuar se partitë që i ofrohen dhe i bëjnë shantazhe njëkohësisht. LDK po jep sinjale se din çka do dhe çka i duhet në të ardhmen.


Zgjedhjet e fundit lokale, kanë treguar se edhe pas dy vitesh në qeveri të gjitha partitë politike kanë mbetur në esencë përafërsisht aty ku kanë qenë pa ndonjë tregues të ngritjes apo rënies së mëtejme, me përjashtim te AKR-së dhe të LDD-së, të cilat pas dy vitesh mbijetese kanë treguar se janë dy herë më të dobëta sesa që ishin dhe se shikuar në perspektivë e ardhmja e tyre është diskutabile. Zvogëlimi i dukshëm i votave dhe niveli i angazhimit të tyre në jetën aktuale politike tregon se këto dy parti në të ardhmen mund të kenë nevoje për t’u bashkuar me një subjekt të tretë politik për ta siguruar ekzistencën e tyre të mëtejme.

AAK-ja, ka shënuar një rritje te ndjeshme, por fitorja e saj nëpër disa komuna është lidhur ngushtë nga ndihma e vullnetshme apo e dhunshme që ajo ka marrë nga LDK. Ndihma e dhunshme ka qenë ajo e Suharekës ku ka fituar kandidati e jo partia, kurse ndihma e vullnetshme ka qenë ajo e Gjakovës, ku kandidatin e AAK-së e ka ndihmuar hapur kryesia e LDK-së së Gjakovës. Ndërsa, komuna e Junikut nuk e rritë AAK-në meqë është një pjesë e elektoratit të Deçanit që kjo parti e ka pasur edhe më parë.

Në anën tjetër AAK nuk ka arritur që t’ia kthejë “mirësinë” LDK-së në asnjë komunë ku kjo e dyta ka pretenduar fitoren, gjë që flet për potencën e saj të ulët politike për të pasur ndikim në konfigurimin e ardhshëm të skenës politike. Këtë potencë, edhe pas dy vitesh u dëshmua se e kanë vetëm PDK-ja dhe LDK-ja.

Pse koalicioni me PDK-në – më i miri?

Praktika e deritashme qeverisëse ka treguar se asnjë koalicion qeverisës nuk ka qenë më stabil dhe nuk e ka ndier veten më komod sesa koalicioni mes PDK-së dhe LDK-së. Arsyeja është e thjeshtë. Këto dy parti përfaqësojnë elektoratin më të madh të vendit kur janë së bashku, por edhe janë dy partitë më të fuqishme kur rrinë veç e veç. Si të tilla, krahas ruajtjes së entitetit të tyre politik, ato garantojnë stabilitet qeverisës dhe progres të shoqërisë dhe të shtetit më shumë se të gjitha partitë tjera në një koalicion të mundshëm së bashku.

Përderisa kritikat që vijnë nga një segment opozitar për qeverisjen e tanishme nuk argumentohen me fakte të prekshme, shanset janë reale që kjo qeveri të vazhdojë me komoditet punën e vet deri në zgjedhjet e ardhshme dhe me një angazhim më të shtuar edhe t’ i fitojë prapë ato. Hiç fushatën zgjedhore ku ka pasur akuza të ndërsjella dhe ndonjë shantazhi politik për shkurorëzimin e tyre, të dy këto parti e kanë ruajtur me kujdes bazën dhe principet e bashkëpunimit të mirëfilltë.

Antagonizmat brenda koalicionit në një ambient demokratik nuk i kanë tejkaluar aspak suazat e një debati normal që parimisht do të mund të ndodhte edhe brenda për brenda një subjekti politik e lëre më ndërmjet dy partive të ndryshme. Liderët e këtyre dy partive politike, që nga themelimi i koalicionit e deri më tani kanë dhënë shenja të një respekti të plotë dhe mirëkuptimi të ndërsjellët pothuaj në të gjitha momentet që ka kaluar vendi e ku është kërkuar uniteti, sikurse që edhe “orët e liga” të bashkëpunimit mes niveleve të ndryshme të këtij koalicioni kanë arritur t’i tejkalojnë me mirëkuptim dhe tolerancë demokratike.

Pajtimi i lehtë i tyre ka dëshmuar së antagonizmat brenda këtyre dy subjekteve nuk kanë pasur të bëjnë me konceptin qeverisës, por kanë qenë të prirura nga motivi i interesave të caktuara të momentit, të cilat Hashim Thaçi dhe Fatmir Sejdiu kanë arritur t’i injorojnë apo tejkalojnë për mrekulli. Pa hyrë në motivet e sakta që kanë shtyrë këta dy liderë të jenë konstruktivë në ruajtjen e frymës së bashkëpunimit, një sjellje e tillë ka bërë që të dytë t’i ruajnë pozitat e veta dhe njëherit kontinuitetin e pushtetit të përbashkët duke siguruar bazat edhe për një koalicion të ardhshëm.

Përkthyer në gjuhën e fakteve kjo do të thotë se ata kanë arritur në masë të lakmueshme për ta ruajtur me sukses edhe stabilitetin e vendit. Nëse këta dy liderë e shpijnë qeverisjen e tyre deri në përfundim të mandatit të rregullt, e gjasat janë më se reale që një gjë e tillë të ndodhë, katër vite të përbashkëta në drejtimin e shtetit do të ishin prova më e mirë për vazhdimin e të njëjtit koalicion edhe për një mandat të ri.

Edhe vardisës edhe shantazhues

Sjelljet e cilit lider të opozitës do ta shtyenin Z. Fatmir Sejdiun të mendonte për një shkëputje nga partneriteti me Hashim Thacin në këmbim të ndonjë partneriteti të ri? Sjelljet e Ramush Haradinajt? Të Nexhat Dacit? LDK-ja ka provuar bashkëpunimin direkt me Ramush Haradinajn si kryeministër vetëm tre muaj. Këta tre muaj lideri i AAK-së ka vepruar me një respekt të jashtëzakonshëm ndaj ish presidentit Ibrahim Rugova, duke ditur fuqinë e tij politike dhe duke i qëndruar mirënjohës për dhuratën e postit të kryeministrit. Përndryshe, përvoja e mëtejmë e qeverisjes së LDK-së me AAK-në ka qenë komprometuese dhe e ka dëmtuar imazhin politik të LDK-së, gjë që i ka kushtuar asaj me ulje të kredibilitetit në zgjedhjet e radhës.

Prandaj është normale që sapo LDK ta hetojë erën e fuqizimit të vet ta ndiej nevojën e rishikimit të politikës së dorëzimit të pushtetit tek ata që nuk e kanë verdiktin e popullit. Rasti më ekstrem i një dorëzimi të tillë ka qenë ai i qeverisjes me AAK-në. Nëse zoti Haradinaj në kohën sa presidenti Rugova ishte gjallë, postin e kryeministrit e ka parë si një dhuratë, në rrethanat e tanishme ai shfaqet konfident në synimin e tij për ta marrë rolin e kryeministrit, edhe pse legjitimiteti i tij politik për një pretendim aq të guximshëm është në pikëpyetje serioze.

Tani Haradinaj në vend të respektit për kreun e LDK-së, kërkon që ky i fundit t’i kushtojë respektin atij. Pranimi eventual i një oferte të tillë, për liderin e LDK-së, do të thoshte zhvendosje nga pozita numër një që ai ka sot brenda partisë së tij në pozitën numër dy që do ta kishte në të ardhmen në suaza të koalicionit me AAK-në, përkundër faktit të njohur së LDK edhe pas zgjedhjeve të fundit lokale, vazhdon të jetë partia e dytë më e fuqishme në vend pas PDK-së.

Ende është i freskët reagimi i Obamës kur i përkujtoi Hillary Klintonit se nuk ishte ajo që mund t’i përcaktonte atij vendin e nënpresidentit në një kohë kur ishte Obama ai që po udhëhiqte në fushatën zgjedhore e jo zonja Klinton. Një defaktorizim i tillë i liderit të LDK-së, në një kohë kur ai me sukses ka eliminuar kundërshtarët e brendshëm dhe kur duket se është para një konsolidimi të ri të udhëheqjes partiake që do t’i garantojë atij vendin e liderit edhe për një kohë, do të thoshte një vetëvrasje e fuqisë së vërtetë të tij politike dhe dorëzim i pa nevojshëm i autoritetit që ai praktikisht e ka sot.

Duke pasur parasysh ambiciet e personaliteteve tjera në hierarkinë e LDK-së që pranojnë të luajnë çdo pozicion nga figurat kryesore të shahut vetëm për ta zgjatur jetën e tyre në konfigurimet e ardhshme të partisë, kjo do ta rrezikonte një degradim të mëtejmë të liderit të sotshëm të LDK-së, ku ai do të barazohej me secilin nga anëtarët e Kryesisë së partisë së tij e ku rolin e tij do të mund ta merrte secili që do t’i jepej rasti. Pse do të duhej zoti Sejdiu t’ i nënshtrohej një përçmimi të tillë në një kohë që nga kampi i PDK-së, ai vazhdon të trajtohet me respekt dhe dinjitet të plotë pa i rrezikuar atij personalisht dhe as partisë së tij as edhe njëherë rolin e drejtimit të përbashkët të segmenteve të caktuara të pushtetit.

Në rrethana të tilla, nuk ka kurrfarë arsye që LDK-ja ta shqyrtojë daljen nga koalicioni me PDK-në. Një gjë e tillë do të mund të aktualizohej vetëm kur LDK do të ishte e sigurt se ajo do ta kishte një alternativë më favorizuese të bashkëpunimit, ku në vend të ofertave shantazhuese ajo do ta kishte rolin primar në formimin e qeverisë. Kjo njëherë për njëherë nuk duket se ka gjasa të ndodhë.

Synohet elektorati – injorohet lidershipi

Çfarë i ofron LDD-ja LDK-së? Përgjigja do të ishte thjeshtë asgjë. Në të vërtetë, LDD-ja pasi ka provuar një koalicion me AKR-në dhe ka kuptuar probabilitetin e eliminimit nga skena politike, ka vendosur t’i kthehet shtëpisë së vjetër ku më nuk ka atmosferë të besimit dhe të bashkëpunimit. Fakti që LDD krahas shtrirjes së dorës për koalicion simulon fuqinë politike që nuk e ka, e bën Fatmir Sejdiun edhe më të vendosur që kurrë më të mos ecën “bashkazi” me LDD-në.

Nexhat Daci dhe bashkëpunëtorët e tij shihen si njerëz që për interesa individuale tentuan ta shkatërronin LDK-në në një moment të caktuar dhe të tillët nuk ka gjasa të faktorizohen edhe njëherë brenda LDK-së. Të paktën jo përderisa protagonist kryesor vrazhdon të jetë Fatmir Sejdiu, i cili vendosi të vazhdonte tutje pa Dacin dhe sejmenët e tij. Në këto rrethana, LDK-ja duket se më shumë i sheh gjasat e bashkimit të elektoratit dhe shkrirjen e heshtur dhe graduale të LDD-së në LDK sesa që sheh ndonjë faktor real në lidershipin e LDD-së për të zhvilluar negociata serioze për ndonjë projekt të përbashkët. Kjo nënkupton shtimin e radhëve të LDK-së pa ata që njihen si shkatërrues të shtëpisë.

Kur kësaj i shtohet e dhëna se zgjedhjet e fundit lokale kanë treguar deri në një masë edhe zhgënjimin e votuesve me partinë e Behxhet Pacollit, i cili pas dy vitesh në skenën politike nuk ka arritur të krijojë identitet dhe entitet serioz politik, LDK-ja mund të llogarisë në rritjen e saj edhe nga rikthimi i elektoratit të mashtruar të AKR-së. Kjo do ta bënte zotin Pacolli edhe më të varur nga hija e Hashim Thaçit dhe PDK-së, ndoshta deri në masën e njëjtë që LDD-ja duket e varur sot nga LDK-ja.

Kështu, ajo pjesë e AKR-së që ende beson në liderin Pacolli, bashkë me të do t’i bashkëngjitej PDK-së pa ndonjë garanci serioze për të pasur hise në postet ekzekutive, kurse pjesa tjetër, duke parë Pacollin si një përfitues të momentit i cili më tepër ka abuzuar me statusin e tyre social sesa që ka pasur ndonjë alternativë të qartë politike,do ta injoronte atë në tërësi duke iu bashkangjitur LDK-së. Këtë LDK-ja do të mund ta arrinte realisht pas reformimit që duhet ta bëjë.

Krejt këto argumente flasin në favor të një vazhdimi afatgjatë të koalicionit të PDK-së dhe LDK-së pa qenë asnjëherë të rrezikuar nga një alternativë e tretë. Duket se kjo është alternativa e vetme, edhe pse mbase jo krejt e dëshirueshme për asnjërën palë.
AAK-ja ka virtualisht edhe një shans për ta përfituar LDK-në dhe përmes saj mbase për ta imponuar një tjetër konfigurim qeveritar e kjo është që në vend te fjalëve të ofrojë fakte për korrupsionin dhe qeverisjen e keqe, që në vend të kritikave të ofrojë zgjidhje racionale të problemeve të shumta dhe së fundi, që të punojë seriozisht në pastrimin komplet të strukturës së vet udhëheqëse nga njerëzit që ajo kishte në kohën e drejtimit të qeverisë.

Në trend

Më shumë

"Po e shkel Kosovën me këmbë", Gerta, Laerti e G Bani në debat të ashpër me Gjestin pas përjashtimit të Jozit

Magazina
Djali i presidentit Trump shpërndan postimin e Grenellit, në të cilin thotë Kurti po gënjen se është i afërt me SHBA-në

Djali i presidentit Trump shpërndan postimin e Grenellit, në të cilin thotë Kurti po gënjen se është i afërt me SHBA-në

Lajme

"Ku ke qenë në luftën e Kosovës, çfarë ke bërë në 99' për vendin budalla", G Bani i drejtohet me fjalë të ashpra Gjestit pas përjashtimit të Jozit

Magazina
Gjesti tallet me Jozin pas daljes dhe i kushton këngë: Ai nuk është më me ne, na ka sharë e ofenduar - në fund Vëllai i Madh e ka përjashtuar

Gjesti tallet me Jozin pas daljes dhe i kushton këngë: Ai nuk është më me ne, na ka sharë e ofenduar - në fund Vëllai i Madh e ka përjashtuar

Magazina
Leonora Jakupi eskalon ndaj Jozi Markut: O i pa fe, o fëlliqësirë - e nderove babain tënd që ka qenë pjesë e UÇK-së

Leonora Jakupi eskalon ndaj Jozi Markut: O i pa fe, o fëlliqësirë - e nderove babain tënd që ka qenë pjesë e UÇK-së

Magazina

"Tiroli i Jugut si model për Asociacionin" Mandl: Jo një Republika Sërpska, duhet të jetë një zgjidhje praktike, pa kërcënim

Lajme
Kalo në kategori