LAJMI I FUNDIT:

Lan Qyqalla꞉ “Me poezi ‘udhëtova’ në të gjitha kontinentet”

Lan Qyqalla꞉ “Me poezi ‘udhëtova’ në të gjitha kontinentet”

Profesor Lan Qyqalla, sot është emri më i njohur në letërsinë shqipe dhe ndërkombëtare. Ka botuar 17 vepra me poezi, tregime, novela e monografi në gjuhën shqipe, frankofone, turke, rumune, suedeze, angleze, gjermane (dhe e ka në dorëshkrim të përkthyer në gjuhën polake)

Intervistoi: Vanesë Krasniqi

Veprat me poezi e tregime i janë botuar në Francë, Suedi, Rumani, Turqi, kurse shumë poezi i janë përkthyer e botuar në të gjitha kontinentet. Poezitë e tregimet e Lan Qyqallës janë përkthyer e botuar në mbi 67 revista e portale botërore në Francë, Amerikë, Angli, Gjermani, Kinë, Indi, Korenë Jugore, Japoni, Indonezi, Bangladesh, Liban, Marok, Egjipt, Maqedoni, Bosnje e Hercegovinë, Rumani, Tagjikistan etj.


Lan Qyqalla ka qenë regjisor i dhjetëra dramave e komedive me studentët e Fakultetit të Edukimit në Prishtinë, me aktorët e SHKA “Naim Frashri” në Bardh të Madh, me ish-teatrin e të rinjve të Prishtinës. Dramatizoi disa romane të gjuhës shqipe dhe i vuri në skenë (Zezona e Musa Ramadanit, Dashuria e Talatit me Fitneten të Sami Frashrit). Është anëtar i Akademisë së Shkencave Shqiptaro-Amerikane në Nju-Jork. Mori çmime letrare ndërkombëtare nga LSHSH në Maqedoninë e Veriut, në Itali (Torre Melise), në Greqi etj.

Çfarë do të thotë të zgjidhesh si Autori i vitit për intervistë?

Përzgjedhja si Autori i vitit për intervistë për mua është një nder i jashtëzakonshëm. E konsideroj se portali juaj, jo vetëm që njeh punën time krijuese, por gjithashtu pasqyron mbështetjen që kam marrë nga lexuesit dhe komuniteti shqiptar dhe ai ndërkombëtar. Më inkurajon të vazhdoj të ndaj historitë e mia, duke e ditur se ato rezonojnë me të tjerët.

Prej nga t’ia fillojmë intervistës sonë me ju z.Qyqalla?

Ia fillojmë nga kulminacioni i sukseseve të mia, që janë edhe sebep i kësaj interviste. Pra të fillojmë me sukseset që i kam arritur në këto pesë vitet e fundit, si në arenën letrare mbarëkombëtare, poashtu edhe në atë ndërkombëtare. Bile, më mirë po them më shumë kam arritje në fushën e letërsisë Ndërkombëtare. Kur e them këtë kam parasysh se krijimtaria ime mori hovë të prezantimit që në vitin 2017 e deri në ditët e sotme. Po filloj me prezantimin e poezive, tregimeve, librave në Revistat ndërkombëtare, portale, Antologji, Enciklopedi. Sipas disa shënimeve të ruajtura, por jo në tërësi, krijimtaria ime është prezantuar në 65 revista ndërkombëtare. Kur them është prezantuar e kam fjalën se poezitë, tregimet e librat më janë përkthyer e përshtatur, janë botuar në gjuhën e atij shteti. Por, ka raste që krijimtaria ime është botuar edhe në gjuhën shqipe në një Antologji botërore shumëgjuhëshe. Tre librat me poezi e tregime më janë përkthyer në gjuhën rumune dhe më janë botuar në Bukuresht me vështrime kritike në shtetin e poetit të madh botëror Mihal Eminesku. Pastaj, dy libra me poezi dhe një me tregime më janë përkthyer në gjuhën frankofone dhe janë botuar në SHB L’Harmattan në Paris. Në suedisht, turqisht e gjermanisht më janë botuar edhe në këto tri shtete.

Përmendët 65 revista e portale ndërkombëtare, po a ju kujtohet cila ishte poezia e parë, apo në cilin shtet u prezantuat së pari, jashtë Kosovës?

Po, më kujtohet ishte viti 2017, muaji mars në Itali ishte shpallur një konkurs poetik ndërkombëtar me një poezi, por që duhet të ishte në italisht. Unë e zgjodha poezinë “Lora në Shën Valentin” për të konkurruar. Me ndihmën e mikut tim poetit, Nikollë Loka ma propozoi që përkthimin në italisht ta bënte një mike. Fal përkthimit e përshtatjes së mrekullueshme, poezia ime mori Çmimin e parë nga shqiptarët në Torre Meliso të Italisë. Dhe nga ky Festival, poezitë e mia për këto gati 5 vite (sepse dy vite ishin të pandemisë dhe nuk botohej asgjë) arritën të përfshihen në Itali, Indi, Kinë, Marok, Francë, Gjermani, Suedi, Belgjikë, Amerikë, Kore Jugore, Arabi etj.

Ju cekët edhe përfshirjen tuaj në disa Antologji dhe Enciklopedi. Kjo për një krijues shqiptar që të përfshihet në këto vepra emblematike kapitale është sukses i madh, jo vetëm për ju, por edhe për letërsinë tonë në përgjithësi. Është satisfaksion ky?

Pasi që poezitë botoheshin, lexoheshin e pëlqeheshin nga lexuesit ku prezantohesha, atëherë më dërgonin kërkesën që të përfshihesha në këto Antologji. Antologjia e parë ishte në “Open korsi” më 2018 me mbi 100 poetë botëror. Përfshirja ime në Antologjinë e madhe të poetëve botëror ndodhi në këtë vit më 2024, përzgjedhur e botuar mbi 265 poetë botëror në Kinë. Po në vitin 2024 u përzgjodha edhe në Antologjinë e Turqisë, si dhe në Enciklopedinë e tregimeve në Arabi, më 2024. Në Francë më 2021 u përzgjodha në Antologjinë e krijuesve shqiptar me tregim përkthyer e botuar në Francë, përgatitur nga Reshat Sahitaj. Po në Francë më 2019 nga Unioni i Kritikëve e shkrimtarëve frankofonë në Paris isha në mesin e 65 poetëve frankofonë, përgatitur nga ICO nga kritiku Dr. Daniel Lewers.

Për këto suksese tuajat z. Lani, na rrëfeni se si po ndiheni ju dhe familja juaj?

Që në fillim, dua t’u them se unë sot, kam dy djemtë, vajzën, mbesën Arilën dhe nusen e djalit. Bashkëshortja më iku që më 2015 në parajsë, po dhe prindërit më ikën. Familja duke më njohur që kisha shkruar që nga shkolla e mesme dhe që kisha botuar në të gjitha revistat e gazetat e asaj kohe në Kosovë e Maqedoni në gjuhën shqipe, normal që u ndjenë mirë dhe të entuziazmuar, madje më kujtohet më 2017 kur isha shpërblyer në Itali, fëmijët më kishin përgatitur një tortë për datëlindje me titullin e poezisë së shpërblyer. Por, prindërit dhe familja befasoheshin me neglizhencën time që nga ajo kohë e botimit në Revista në vitin 1977 unë nuk kisha botuar një përmbledhje me poezi apo me tregime deri në vitin 1995.

Stili juaj i krijimit në poezi në vitet 1977 a dallon nga stili i sotëm në krijimtarinë poetike, z. Qyqalla?

Krijimtaria ime në atë kohë ishte më e mbyllur dhe e ngjeshur me figura poetike-stilistike për t’i ikur ndjekësve që i nuhatnin stilin e krijimit, duke ua mveshur siç ata e quanin atë kohe elementeve nacionaliste e irridentiste. Pra, ishte nje stil më hermetik dhe që duhej hulumtuar shumë figurat e përdorura për të ardhë te definimi i idesë së poezisë. Kurse sot, kam një stil më të lehtë, më të afërt me lexuesin, më komunikativ dhe pa e rënduar shumë me ato elemente të atëhershme.

Çka ju motivon më së shumti në krijimtarinë tuaj poetike?

U rrita në një zonë të afërt me Prishtinën, kryeqytetin e Kosovës. Në fëmijëri nuk kishim kushte të mira të jetës. Prindërit i kisha të dytë analfabetë, po e kishin dashurinë e madhe për të na shkolluar. Hapja e bibliotekës në fshatin tonë për mua ishte gëzimi më i madh në jetë, sepse aty u regjistruam dhe aty dhe e kishim sallën e leximit për të lexuar të gjitha revistat e gazetat që botoheshin në Kosovë e në Maqedoni. Vajzat ishin më të pakta në shkollim e emancipim, sepse ndikonte rrethi islamist që nuk predikonte vajzat të shkolloheshin. Gratë ishin të dekurajuara drejtpërdrejt dhe tërthorazi nga shkrimet dhe shkollimi.

Kështu në shkrimet e mia në Zërin e Rinisë botoja tregime, skica e novela për ngritjen intelektuale të femrës. Mund të them se të afërmit e mi, bota e femrës kanë luajtur një rol motivues në sjelljen e shkrimit tim për publikun.

Që në moshë të re, të shkruarit ka qenë një forcë bindëse në jetën time, megjithëse në hartimet e shkollës fillore vlerësohesha me nota të larta. Duke parë këtë dhunti në veten time më shërbeu si një formë terapie, duke më ndihmuar të përpunoj dhe lundroj emocionet e mia. Me kalimin e kohës, kam gjetur frymëzim edhe në përvojat e sfidat e jetës sime, ndërrimjeta e bashkëshortes lanë vragë në krijimtarinë time për ta përjetësuar në prozë e poezi. Kam thelluar dëshirën për të eksploruar gjendjen emocionale përmes krijimtarisë sime. Kështu, shkrimi im drejtohet nga emocionet, pasioni i brendshëm, reflektimi personal, brendësia e imagjinatës së betejave me të cilat jam përballë çdo ditë.

Nga një çun lazdran (*siç e keni thënë ju z.Lan) deri në arritjet Ndërkombëtare?

Jo vetëm çun lazdran, por edhe i maltretuar në veçanti nga baba. Udhëtimi im i shkrimit filloi që në moshën e re, pra tek i kisha 16 vjet. Me një dëshirë të fjetur në shpirt që një ditë do të bëhem një Naim Frashër, ashtu e mendoja veten dhe përvoja emocionale të formuara nga bota ime, nga bota rreth meje dhe historitë që kam lexuar gjatë rinisë sime.

Tregimin e parë e shkrova për një vajzë që ishte e dalluar në mësimet e fillores, por që nuk e lejuan të vazhdojë edhe të mesmen. Ajo në vend të veshjes së uniformës së shkollës së mesme, veshi dimijat dhe vinte rregullisht në bibliotekë të fshatit për të marrë romane që t’i lexoj. Ky ishte tregimi im i parë, dedikuar vajzave që nuk i lejuan të shkolloheshin. Më vonë, kur u rrita në moshë madhore, duke pare padrejtësitë që i bëheshin popullit shqiptarë në Kosovë, fillova të përvetësoja ato padrejtësi, ato konfliktet e brendshme të atyre që më rrethonin dhe botës më të gjerë – qofshin dhimbjet, triumfet apo sjelljet e tyre, të cilat siguruan material për shkrimet e mia. Përpjekjet dhe triumfet e individëve janë qendrore në punën time. Ato pasqyrojnë gjendjen e njerëzimit dhe realitetet komplekse të shoqërisë. Të gjitha këto reflektohen edhe në poezi si përgjithësime të kohës, të vendit dhe të hapësirës.

Më kujtohet si i ri që isha dhe kisha dëgjuar për trimat shqiptarë në luftë për të drejtat e popullit tone, u inspirova dhe e dërgova për botim në Zëri të Rinisë. Për fat timin, qëllon redaktori Shaip Beqiri i cili e lexoi poezinë, i pëlqeu dhe më tha ”mere me vete se kështu si është shkruar sheshazi, nuk guxojmë ta lëshojmë në botim. Merre dhe pajise me figura që i kupton një rreth i ngushtë pastaj e botojmë”. Unë në tri veprat e mia me poezi kam ndërtuar një personazh të LORËS, e cila është në të gjitha poezitë. Ky stil ju pëlqeu shumë poetëve të tjerë dhe po e përdorin në poezitë e tyre. Pra, nga një fëmijë i lazdruar (sepse kisha lexuar shumë dhe i nënçmoja moshatarët) me botimet nëpër revistat tona dhe ato ddërkombëtare arrita deri këtu me sukseset që pak shkrimtarë i kanë mbërri. Për fat të keq timin, sot TV-të tona janë komercializuar dhe nuk ju intereson arritjet e shkrimtarëve tanë në botë, por ngarendin pas lajmeve që marrin bajagi vëmendje, ngase sipas tyre sot pak kemi lexues. Për mua mjafton që poezitë e mia lexohen nga miliona lexues francez, kinezë, indian, anglofolës, korean, turq, libanezë, arab etj.

Kur shkruani ç‘kënaqësi ndjeni në egon tuaj?

Shkrimi më ofron një hapësirë unike për të përpunuar dhe artikuluar emocionet e mia ndërsa eksploroj kompleksitetin e botës. Më lejon të reflektoj mbi përvojat e ndryshme të jetës dhe shërben si një formë e shërimit emocional. Të shkruarit është një udhëtim thellësisht personal, por përmbushja e tij më e madhe qëndron në përgjithësimin, në njohjen e fjalëve të mia që rezonojnë me të tjerët. Ato ndjenja gjatë procesit të shkrimit të një poezie apo tregimi mund të jetë një përzierje emocionesh. Në ato çaste, poeti apo shkrimtari shpesh ndjen një lidhje të thellë me përvojat personale, kujtimet, ose imagjinatën e tij. Kur ideja e parë fillon të marrë formë, ndjenja e inspirimit shpesh është shoqëruar me eksitim dhe një ndjenjë të fortë krijimtarie.

Shkrimi shpesh shërben si një mënyrë për të shprehur emocione të mbledhura, si dhimbje, mallëngjim, gëzim, apo shpresë. Në raste se shkruaj apo trajtoj tema si të paeksploruara, por të trajtuara vetëm si dhimbje, si ndarje jete, si mungesë, siç është vdekja dhe përjetësia, ndjej një lidhje më të thellë me shpirtin, me mungesën e personit, jetën, apo universin. Në mua bën të reflektojë mbi veten dhe kuptimin e ekzistencës. Sidomos kur përpiqesh të kapësh saktësinë e një ndjenje ose përvoje të thellë, mund të ndjesh një presion për ta bërë drejtësinë artistike.

Cilën formë të shkrimit e preferoni dhe ju flenë në mendje?

E thashë se fillimet i kam me tregime, normal që ato më flenë më shumë në mendje. Edhe pse poezia është mbretëreshë e arteve letrare dhe drama është zhanri më i vështirë dhe më pak i lëruar në krijimtarinë tone, prapëseprapë tregimi më ecën mire dhe me fodullëk.

Kur jemi ke frymëzimi, çka ju inspiron në krijimtarinë tuaj letrare?

LORA më ka frymëzuar më shumë. Më ka ardhur në moshën e nevojshme e në kohën më të vështirë. Por, më ka ngopur me frymëzim, me dashuri, me imagjinatë dhe i jam falënderues që më dha kurajo për të shkruar, për të krijuar. Te shkrimtari ndikojnë shumë njerëz, rrethanat si e thashë më lartë, mungesa e Lirisë, mungesa e të drejtës elementare. Pas luftës së fundit kuptohet zhvatjet e udhëheqësve shtetëror, shitja e pjesëve të atdheut, nëpërkëmbja e gjuhës shqipe, futja e ndërskamcave intelektuale për Standardizimin e gjuhës shqipe, përhapja me të madhe e doktrinave fetare që po e zhysin kombin tonë në ujëra të armiqve vetëm se marrin miliona euro për asimilimin e gjuhës, kulturës e historisë sonë kombëtare, kanë ndikuar tek unë. Edhe shkrimtarë të shumtë të letërsisë artistike kanë lënë gjurmë të rëndësishme tek unë, romantizmi magjik dhe fuqia e tregimeve të shkrimtarëve botëror. Edgar Allan Poe, Marquezi, Sparksi, Braun, secili prej këtyre individëve, ndër shumë të tjerë, më ka frymëzuar në mënyra unike, duke më ndihmuar të vlerësoj pafundësinë e universit dhe jetës njerëzore, si dhe thellësinë e letërsisë në aftësinë e saj për të reflektuar dhe formësuar përvojën njerëzore mes kaosit që ka njeriu qeniet kanë krijuar në një botë që fillimisht ishte e qetë dhe paqësore.

Porosia e juaj për këtë vit?

Uroj që librat të lexohen më shumë dhe të ketë shkrimtarë më pak, por të kenë vlera më shumë ideo-artistike. Ne kemi shumë shkrimtarë, pak vlera edhe më pak lexues. Mos të harroj se jam Kryeredaktor i Revistës Ndërkombëtare ORFEU dhe Orfeut i dëshiroj rrugëtim të mbarë me poetët botëror e mbarëkombëtar! Urime e mbarësi për këtë vit 2025! /Telegrafi/

Në trend

Më shumë

"Nuk jemi në një pazar këtu": Politikanët gjermanë reagojnë rreth kërkesës së re të Trump për shpenzimet e mbrojtjes

Evropa
Ish-fituesi i Big Brother qe inicoi idenë e Gjestit në BBVA tregon paraskenat e transferimit: Ishte i mërzitur, e gjetëm në hotel të dëshpëruar

Ish-fituesi i Big Brother qe inicoi idenë e Gjestit në BBVA tregon paraskenat e transferimit: Ishte i mërzitur, e gjetëm në hotel të dëshpëruar

Magazina
Kalimi i Gjestit në Shqipëri, reagon Olsa Muhameti: Po mbaj dy Big Brother-a, jo vetëm një

Kalimi i Gjestit në Shqipëri, reagon Olsa Muhameti: Po mbaj dy Big Brother-a, jo vetëm një

Magazina
Eleminimi i Gjestit nga Big Brother VIP Kosova dhe thirrjet për protesta, reagon edhe Alaudin Hamiti

Eleminimi i Gjestit nga Big Brother VIP Kosova dhe thirrjet për protesta, reagon edhe Alaudin Hamiti

Magazina
Kush është Dritan Rexhepi, shqiptari më i kërkuar në botë: Mjeshtër i arratisjeve nga burgu, ‘truri’ i trafikut të kokainës

Kush është Dritan Rexhepi, shqiptari më i kërkuar në botë: Mjeshtër i arratisjeve nga burgu, ‘truri’ i trafikut të kokainës

Lajme
Përmbledhje e momenteve më epike të Gjestit në orët e para të BBVA - shndërrohet menjëherë në kryefjalën e formatit

Përmbledhje e momenteve më epike të Gjestit në orët e para të BBVA - shndërrohet menjëherë në kryefjalën e formatit

Magazina
Kalo në kategori