LAJMI I FUNDIT:

Kuvendi i Kosovës – një ekspeditë turistësh!

Rrjedha e punimeve të sesioneve plenare të legjislaturës së IV-të të Kuvendit të Republikës së Kosovës, gjithnjë e më tepër po tregon se ky institucion po degradon në vasalitet ndaj ekzekutivit: një institucion pa integritetet institucional, pa fuqi vendimmarrëse që dita-ditës po i humb atributet e një institucion përfaqësues.

Një legjislaturë e dalë nga zgjedhje shumë të kontestuara, si nga faktori vendor ashtu edhe ai ndërkombëtar, nuk ishte vështirë për të parashikuar se një frymë e tillë më pas do të reflektohej edhe në punën ë përditshme të Kuvendit të Kosovës.

Qysh në ditët e para të konstituimit të tij si rrallë në ndonjë vend tjetër, Kuvendi shkelë procedurat gjatë zgjedhjes së Presidentit të vendit, shkelje të cilën më pas e konfirmoi edhe Gjykata Kushtetuese. Rrjedha e mëpastajshme e zhvillimeve dhe veprimeve të deputetëve të kësaj legjislature, dalëngadalë po tregonte se integriteti dhe fuqia e institucionit më të lartë përfaqësues në vend, të garantuar në normat e aktit më të lartë kushtetues të vendit, po vihet seriozisht në rrezik.


Deputetët e kësaj legjislature shpeshherë deri më tani kanë dëshmuar se votojnë projektligje, amendamente apo akte tjera, jashtë vullnetit të tyre, herë duke u diktuar nga lidershipi i partisë së tyre, herë nga adresa tjera politike të vendosura në Kosovë. E, çka është edhe më e dhimbshme, ka pasur raste kur disa nga deputetët nuk e dinë fare se për çfarë kanë votuar.

Si asnjë legjislaturë e gjertanishme, kjo e fundit po tregohet si një ekspeditë e një grupi turistësh që në mesin e tyre ka analfabetë e deri tek ata me tituj akademikë, që shkojnë për ta vizituar një vend, ndërkaq agjendat dhe atraksionet që duhet vizituar drejtohen me detyrim nga ciceroni apo udhëzuesi i përcaktuar që më parë.

Me deputetët të cilët votojnë amendamentet me porosi, që votojnë për kolegët e tyre, që kopjojnë ligje dhe e shndërrojnë veten në lektorues të tyre; që votojnë që Kosova mos të shtrijë autoritetin në veri të vendit; që vetëm pas pesë minutash pas votimeve pendohen se çka kanë votuar dhe kërkojnë që vota e tyre të tërhiqet; që deklarohen madje edhe publikisht se nuk kanë ditur se çka kanë votuar… tërë këto skena tragjiko-komike s’mund të kuptohen ndryshe vetëm se Kuvendin e Kosovës kjo klasë politike e ka shndërruar në një institucion pa dinjitet, pa integritet dhe pa pushtet (duke e rrezikuar edhe pozicionin e tij në sistemin politik institucional, sado të brishtë tanimë, të etabluar në Kosovë, madje edhe me ndihmën e miqve ndërkombëtarë).

Për ta vërtetuar se ky Kuvend po bëhet gjithnjë e më pak përfaqësues , tregon fakti se vetëm brenda periudhës një javore të muajit prill, Kuvendi arrinë të miratojë katër projektligje, të cilat ishin kontestuar fuqishëm nga shoqëria civile dhe qytetarët e Kosovës (Projektligjin për Banka, Institucionet mikro-financiare dhe institucionet financiare jo bankare, Projekt-kodin Penal, Projektligjin për fshatin Hoçë e Madhe dhe Projektligjin për Qendrën Historike të Prizrenit). Kjo ka dëshmuar se deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë mungesë integriteti, duke injoruar kërkesat e qytetarëve dhe shoqërisë civile, dhe duke treguar një servilizëm të skajshëm ndaj kujtdo qoftë tjetër. Ndërsa, më së paku ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës, ndaj atyre falë të cilëve ata gëzojnë privilegjet që iu ofron posti i deputetit.

Kjo detyrimisht ma kujton lutjen e famshme të Jezuit i cili përpara se te kryqëzohej ishte lutur me fjalët: “Fali o Zot se nuk e din çfarë po bëjnë”. Por, a është kjo frazë që i shkon kësaj legjislature? Unë mendoj se jo. Lutja ime do të ishte: “Mos i fal o Zot, se e dinë mirë se çfarë po bëjnë”.

Përveç tjerash, kësaj legjislature i vihet kulmi me fjalorin e shfrenuar jo parlamentar të disa deputetëve që në shumë raste me fyerje, akuza e shpifje po e degradojnë debatin në terror verbal. Kjo gjuhë e debatit nuk përkon me parlamentarizmin dhe traditën demokratike; është politikisht jo korrekte dhe e pamoralshme; ajo krijon shumë dilema mbi sigurinë, liritë civile dhe demokracinë. Ky degjenerim i debatit parlamentar në terror verbal është tregues se kultura e debatit demokratik po rrëshqet në kulturë të sekretit, sipas traditave më të këqija të sistemeve totalitare.

Me një qasje dhe përbërje të tillë të strukturës së Kuvendit, normalisht që nuk pritej me asnjë fije shprese as mbikëqyrja e fuqishme ndaj ekzekutivit. Miratimi i Rezolutat, të cilat pa kaluar më shumë se dy muaj, me iniciativat e partive në koalicion, shfuqizohen me kundër-Rezoluta. Mosrespektimi i akteve të Kuvendit nga qeveria e Kosovës – duke e relativizuar rëndësinë e tyre me një interpretim se ato nuk janë të obligueshme dhe janë vetëm të karakterit fakultativ (këshillimor) dhe një tendencë edhe e kryetarit të Kuvendit për t’ia bërë një argat në interpretim tutorit të tij në parti dhe qeveri – nxjerr në pah zbehtësinë e rolit të Kuvendit të Kosovës dhe një tendencë të ekzekutivit për relativizim të rëndësisë së këtij institucioni, me qëllim që të mos i bëhet pengesë në realizimin e qëllimeve të caktuara politike.

Instalimi i kësaj mendësie politike dhe kësaj forme të vepruarit politik është në kundërshtim të plotë me parimet themelore demokratike të shprehura më së miri përmes parimit të ndarjes së pushteteve. Filozofi francez, Sharl de Secondat Montesquieu, themeluesi i mësimit mbi ndarjen e pushtetit, në këtë kontekst shkruan: "Çdo gjë do të ishte e humbur në rast se personi i njëjtë apo bashkimi i njëjtë i të mëdhenjve, aristokratëve apo edhe i popullit, do t`i ushtronte të tria këto pushtete: pushtetin e lëshimit të ligjeve, zbatimin e vendimeve publike dhe gjykimin e krimeve apo të konflikteve".

Për fat të keq, Kosova po kalon tranzicionin më të vështirë nga të gjitha vendet e rajonit. Dhe, një element është më se i qartë: sa më herët që klasa politike kosovare i përvetëson mësimet e filozofit dhe shkrimtarit francez Monteskie – të cilat tanimë janë të konsoliduara në demokracitë perëndimore – aq më e shpejtë do të jetë rruga e Kosovës për t’u bërë pjesë e shoqërive të prosperuara.

Në trend

Më shumë
Gjesti paralajmëron produksionin e Big Brother në Kosovë e Shqipëri: Vetëm sa të dal, ma keni futur pas shpinës

Gjesti paralajmëron produksionin e Big Brother në Kosovë e Shqipëri: Vetëm sa të dal, ma keni futur pas shpinës

Magazina
Analisti malazez për fjalimin e Osmanit në Uashington: 12 minutat më së miri të shfrytëzuara ndonjëherë nga një politikan

Analisti malazez për fjalimin e Osmanit në Uashington: 12 minutat më së miri të shfrytëzuara ndonjëherë nga një politikan

Lajme
Rama i drejtohet SPAK: Mos bëni gabim të kërkoni telefonin tim

Rama i drejtohet SPAK: Mos bëni gabim të kërkoni telefonin tim

Lajme
Koreografia e tifozëve të Man Cityt nuk ishte për Vinicius Jr, zbulohet se kujt i drejtohej

Koreografia e tifozëve të Man Cityt nuk ishte për Vinicius Jr, zbulohet se kujt i drejtohej

Liga e Kampionëve
Haziri: LDK ka pasur zot shtëpie dhe ka lënë rend shtëpie, pa LDK-në nuk shkaktohen procese dhe as nuk mbyllen procese

Haziri: LDK ka pasur zot shtëpie dhe ka lënë rend shtëpie, pa LDK-në nuk shkaktohen procese dhe as nuk mbyllen procese

Lajme
Egli e prekur pas situatës së krijuar në BBVA, Gjesti: Nuk kam bërë lojë me ty

Egli e prekur pas situatës së krijuar në BBVA, Gjesti: Nuk kam bërë lojë me ty

Magazina
Kalo në kategori