LAJMI I FUNDIT:

Kush frikësohet nga hetimet?

Si duket, komedive politike për etiketimin e “vrasësve…”, nga disa të ulurit në kolltukët e politikës, po u vije fundi. Tashmë, po shihet se ka filluar të ndahet “kripa nga sheqeri”. Dikush qytetarin, deri më sot e ka gënjyer, edhe atë shumë keq.

Nismat për hetimet e “nëntokës”, janë një lajm i mirë për vendin. Kosova, ka nevojë për më shumë transparencë dhe për vendosjen e rendit dhe ligjit, pa asnjë përjashtim. Po ashtu, kemi nevojë që një herë e mirë të lirohemi nga fantazmat dhe frika që tash e 12 vite.

Ajo që pak kush ka mund ta pres, edhe ndodhi. U propozua një nismë për hetimin e SHIK-ut të shumëpërfolur, dhe befasisht, u përkrah nga ana e PDK-së, që njihet si e afërt më ketë organizatë. Dhe, për më shumë, u pa një gatishmëri për të zbuluar gjithë të vërtetën rreth këtij shërbimi edhe nga vet ata që flitet se kanë qenë pjesë e SHIK-ut (madje ka të atillë që e kanë pranuar publikisht ketë).


Nuk dua të paragjykoj këtu rezultatin e as të them se kjo është e vërteta rreth SHIK-ut, sepse kjo i takon atyre që janë të thirrur për ketë. Përfroljet janë nga më të ndryshmet. Disa i quajnë pjesëtarët e këtij shërbimi si kriminel, vrasës, hajna, kontrabandues,…, e çka jo tjetër. E disa të tjerë thonë se këta kanë kryer vepra historike në shërbim të kombit dhe atdheut.

Një është e vërtet, se SHIK-u, ka vepruar në të mirë të vendit në kohën e luftës. Ndërsa, në spikamë është vënë puna e këtij shërbimi pas luftës. Edhe një e vërtetë tjetër është se udhëheqja e këtij shërbimi, janë parë edhe në takimet në ambasadat “e rëndësishme” në Prishtinë. Këto mund të jenë fakte të rëndësishme që këtij shërbimi të mos i takoj epiteti i shërbimit të kriminalizuar.

Nuk dua të ndalëm edhe në deklaratat pro dhe kundër SHIK-ut, të dhëna nga ata që janë anti-SHIK, dhe ata që janë vet SHIK, kjo është punë e organeve dhe nuk duhet, të paktën jo në ketë kohë, t’i komentojmë. Andaj, të vërtetën, si tërësi, t’ia lëmë organeve që ta nxjerrin.

Por, kësaj radhe na ndodhi edhe një befasi tjetër. E kjo ishte e pakëndshme. Kërkesa për hetim të te gjitha krimeve të kryera pas luftës, nuk u përkrah. Çuditërisht. Arsyetimi se nuk ishte mirë e përgatitur dhe kishte paqartësi, më shumë krijon përshtypjen tek qytetari si një “mbulesë”, apo një frikë për tu përballur më të vërtetën që aq shumë po na dhëmb.

Hetimet duhet të bëhen, domosdo. E se kur? Kjo është ajo që duhet të diskutohet, por në asnjë mënyrë, nuk guxojmë të ndalojmë nismat për hetime. Është e çuditshme, se si ngarendën përfaqësuesit e partive opozitare, që të deklarohen kundër kësaj nisme, pasi kjo nismë u lansua nga ana e deputetit Bekim Haxhiu dhe u zyrtarizuar si kërkesë nga ana e Shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci.

Zaten, kam menduar se përball këtyre nismave, përfaqësuesit e LDK-së do të jenë fuqishëm në krah të këtyre nismave. Të gjithë kemi menduar se LDK së bashku me Krasniqin e VV-së, do jenë të parët që do i thënë po një nisme të tillë. Pastaj, befasuese ka qenë edhe kundërshtia e AAK-së. Të gjitha kemi pritur që në krah të zbulimit të së vërtetës të jenë trumbetuesit e këtyre temave për shumë vite më radhë, e që tani tek disa edhe mund të kenë krijuar bindjen se jenë vetëm demagog (kjo nuk do të thotë edhe tek unë), Beqiri me shok nga LDK-ja, nismëtarët për hetim të SHIK-ut nga AAK-ja si dhe Krasniqi (nëse ka edhe ndonjë shok të subjektit të tij) nga VV-ja.

Në fund të tunelit, akoma ka dritë. Ne qytetarët, presim të hetohen të gjitha rastet, aferat dhe veprimet që janë për tu hetuar. Nëse dikush tenton t’i bënë leqe fillimit të hetimit, të tjerët duhet të jenë mbështetës.

Duhet larguar frikën nga qytetarët. Ju, ligjvënës, jeni më së përgjegjës për ketë. Inicioni një hetim e gjyqësia le të vazhdoj dhe të shkoj gjerë në fund. Të dimë se kush çka ka bërë? Mos vallë, ka të tjerë që kanë bërë krime, e pastaj ato punë i janë veshur SHIK-ut?

Derisa, përkrahësit dhe pjesëtarët e SHIK-u ishin plotësisht të gatshëm për hetim, kjo na bënë të kuptojmë se ata po e ndjejnë vetën tërësisht të pastër. Ndoshta, edhe informatat që janë dhënë kohëve të fundit se SHIK-u, ka pasur bashkëpunim më ndërkombëtarët (miqtë tonë), janë arsye shtesë që të krijohet bindja se këta janë në rregull. Ata e konsiderojnë vetën të pastër edhe nëse dikush është paraqitur diku në emër të SHIK-ut, pa qenë të autorizuar. Të vërtetën le ta thotë drejtësia.

Ndërsa, të mundohesh të gjesh arsyetime për mos nisje të hetimeve për raste tjera…, nuk po lënë përshtypje të mirë në opinion.

Në Kosovë, ka pasur shumë raste të vrasjeve enigmatike, pas luftës. Ka pasur edhe vepra tjera që më të drejtë, apo jo, janë quajtur vepra kriminale. Të gjithë ata që kanë bërë, le të shkojnë ku e kanë vendin… E qytetari të jetojë i qetë.

Çasti kur z.Ramadani kërkoj të fillojnë hetimet ndaj SHIK-ut, ishte një sihariq. Mbështetja e kësaj nisme nga z. Adem Grabovci, ishte një mbështetje burrërore dhe një kthim i shpresës të qytetari për nxjerrjen e së vërtetës në shesh. Në opinion u mendua se burrëria, idetë, mençuria e mbrojtja e interesit në Parlament, nuk do mungojnë. Por, kundërshtimi i pak më vonshëm për hetime të krimeve, më arsyetimet (të qëndrueshme apo jo?), që u dhanë, ishte një venitje e asaj shprese që ishte krijuar.

Mos të frikësohemi nga e vërteta! Cilado që është ajo. Vetëm duke e zbuluar të vërtetën, i bëjmë mirë vendit, të ardhmes, por edhe vetvetes.