LAJMI I FUNDIT:

Kush do të fitojë në zgjedhjet e sivjetme lokale, opsioni Thaçi apo ai Haradinaj?

– (Analizë sociologjike) –

1. Zgjedhjet e sivjetme lokale, përgjithësisht do të jenë një test i veçantë si për partitë politike ashtu edhe për kastën politike që mendon të sigurojë ”bukën e gojës”, me profesionin e politikes në zgjedhjet nacionale që janë parapa për vitin 2011. Ne fakt, si parakusht elementar i këtij synimi këto dy këto kategori stratifkuese shoqërore do tw duhej të fusnin në agjendat e tyre gjithqysh projektin apo kartën e joshjes sociale, në rast se dëshirojnë të mbijetojnë në skenën politike kosovare.

Gjatë këtyre tre muaj pushime shumica e partive të mëdha politike, me siguri kanë filluar të “incizojnë” situatat e mundshme kredibile në mënyrë që zgjedhjet lokale të nëntorit t’i presin sa më të përgatitura dhe të fitojnë sa më shumë që të jetë e mundur vota të reja. Por, një numër sish pa mëdyshje se që do ta kenë imperativ jo rritjen por ruajtjen apo konservimin e atij verdikti që në vitin 2007 (në rrethana dhe situatë tërësisht tjetërfare) ua patën marrë votat atyre me premtime se statusi social i tyre do të ndryshojë po që se ato vijnë në pushtet. Kurse disa parti tjera imperativ rekrutimin e verdiktit të ri të zhgënjyer, si edhe atij që pat abstenuar që kur të llogaritet ishte mbi 50%. Natyrisht, para këtyre synimeve qysh tash kanë filluar të matet kohezioni social, politik e sidomos ai ekonomik, ne mënyrë që të ndërtohet një strategji e përfitimit të tyre. Sepse, mosdalja e një numri kaq të madh votuesish kosovarë i pat shokuar edhe vetë partitë politike që rrihnin gjoks se ishin alfa dhe omega e gjithë proceseve politike në Kosovë gjatë dy dekadave të fundit.


Edhe mosdalja në votim shpreh një vullnet politik?

Do thënë se elektorati kosovar vullnetin e vetë e ka shprehur dhe mundet sërish ta shpreh edhe me mos dalje në votime të sivjetme lokale që dmth. se është një shtresë e rritur që meriton vëmendjen e politikanëve, analistëve, sociologëve etj. për t’u diagnostifikuar. Për shkaqet e mundshme të rritjes së këtij korpusi evident në zgjedhjet e sivjetme, vetëm mund të spekulojmë sepse nevojitën analiza të tëra e shumë dimensionale, por për zgjedhjet e 2007-it mund të themi lirisht se ato mund t’u adresohen shkaqeve dhe natyrave; politike, sociale, ekonomike, etj. që ata i patën shtyrë të abstenojnë në ato votime, por gjithsesi edhe dy shkaqeve tjera që i shtynë këta njerëz të veprojnë kështu:

Shkaku i parë i fajësisë i takon vetë sistemit zgjedhor që qe imponuar (sipas shoqërisë civile dhe shumcës së partive politike) nga OSBE-ja, ku ajo thënë më thjeshtë partive të mëdha politike u pat dhënë hapësirën e pamerituar të imponimit para elektoratit kosovar, me faktin se në njërën anë para elektoratit është prezantuar kandidati, kurse në esencë është votuar për partinë politike, gjë që i ka hendikepuar (të mos them i ka manipuluar në mënyrë shumë të sofistikuar) ata qysh para procesit të votimit!

Të përmendim vetëm një rast, psh. ishin qesharake duelet televizive të kandidatëve për kryetar të Asamblesë Komunale të Prishtinës, kur intimisht nuk votohej për ta por për partitë të cilave ata u përkisnin. Ose psh. në një anketë parazgjedhore, të cilën e organizuam atëbotë, anketuesit nga zonat e ndryshme të qytetit flisnin për mosnjohje totale për kandidatin e njërës nga partitë tona më të mëdha, për postin e kryetarit të Prishtinës! Emrin e tij, të shumtën e rasteve as qe e dinin, këtë e kuptonin vetëm kur anketuesit tone ua përkujtonin atë.

Mendojë, që një ndër shkaqet e daljes së dobët sidomos në Komunën e Prishtinës, duhet kërkuar edhe në këso llojesh imponimesh partiake që u servuan partive tona politike sistemi zgjedhor. Ky sistem në mënyrë indirekte e pamundësoi kalimin e përgjegjësive nga partia politike në individët karizmatik, që kishin energji, vizion dhe përgatitje të duhur profesionale, për ta bërë Prishtinën një qytet bashkëkohor. Tekefundit, modeli i përgjegjësisë individuale gjithnjë adreson më shumë përgjegjësi para opinionit apo verdiktit. Zaten kjo është një përvojë që u dëshmua në shumë vende të rajonit, e sidomos në vendet ku ka lind demokracia. Ta përkujtojmë vetëm një moment, përgjegjësinë e kryebashkiakut të Nju Jorkut, Z. Xhuliano pas shkatërrimit të kullave binjake?! Sikur të ishte atje në funksion “konsensusi i modelit tonë partiak”, Nju Jorku me siguri edhe për nja dhjetë vite nuk do të mund të nëpërkëmbej!

Shkaku i dytë i fajësisë u takon partive tona politike, me ofertat e padefinuara, pashije dhe shpeshherë edhe shumë monotone, që iu servuan elektoratit gjatë tërë fushatës paraelektorale, dëshmon gjithsesi se do të duhej të ndërrohej diçka në cilësinë e ofertave të tyre sivjet. Kjo mendoj që më së shumti do të duhej t’ u shërbejë partive të vogla, apo edhe atyre të reja që do të duhej ta kërkonin besimin e abstenuesve, zhgënjyesve, apo edhe protestuesve heshtak, të cilët kësaj radhe do të përdorin një metodologji tjetërfare kërcënuese ndajë partive që në një mënyrë i zhgënjyen qytetarët nëpër asambletë komunale. Gjithashtu, numri i abstenuesve, dëshpëruesve dhe para se gjithash atyre militantëve partiak që nuk arritën t’i realizojnë synimet e tyre klanore e grupore nëpër komuna, do t’u sjellë kokëçarje edhe Qeverisë aktuale. E themi kështu, ngaqë, siç është duke na u shtrënguar rripi social, shumë shpejt, ky korpus (me një lider të mirë dhe projekt të qartë) do të mund të transformohej në një force të re sociale, e cila e mbështetur për murin social mbijetues, do të mund të rebelohej dhe të protestonte shumë më ashpër se që e ka bë gjerë tani këtë.

A është në mobilizim edhe elektorati?

2. Por në anën tjetër të gjitha analizat e reja sociologjike (jo edhe psikologjike, e sidomos ekonomike?!) tregojnë se edhe elektorati Kosovar sikurse partitë politike e ka filluar “gjahun” e vetë të kisha me thënë studimit të fizibilitetit apo nuhatjes së asaj se çfarë po ofron secili subjekt politik, qoftë ai i koalicioneve apo i opozitës. Ky lloj zgjimi nga gjumi letargjik, apo si ta quaj me gjuhën e sociologut “vetëdijesim” për ta rregulluar pikë së pari statusin e vet social është më se e sigurt se do jetë evident në zgjedhjet që po planifikojmë t’i mbajmë sivjet. E themi kështu edhe për shkak të parametrave social që për çdo ditë po tregojnë se pakënaqësia gjithnjë e më shumë po rritet, e me këtë edhe qëndrimi i tyre po evoluon.

Po ashtu edhe shumica e studimeve empirike lokale e ndërkombëtare po dëshmojnë se prirja e shumicës absolute e këtij verdikti është duke u orientuar gjithnjë e më tepër kah interesat: individuale, familjare se sa ato të një mobilitetit grupor e shtresëzues që për pasojë do të kishte me siguri edhe një organizim më cilësor në drejtim të arritjes së synimeve për një mirëqenie dhe standard jetësor. Këto indicie apo shenja se votuesit Kosovar më në fund kanë filluar të ndryshojnë dhe të anojnë kah kërkesat dhe interesat e reja jo emocionale, por do shtonim më tepër racionale, dëshmon dosido një pjekuri të theksuar politike dhe një emancipim të ri ekonomik për vetën dhe për interesat e tyre shumështresore.

Pa dyshim që ky ndryshim qëndrimesh i kosovarëve është i shtyrë dhe i motivuar edhe nga faktet dhe realiteti i ri post satusor: shpallja e pavarësisë që u paramendua se automatkisht do t’i rregullonte edhe statuset e tyre sociale (hapja e vendeve të reja të punës, perspektiva në shkollim më cilësor, edukim dhe benificione tjera shëndetësore, etj): integrimi më i shpejt i Kosovës në tregjet rajonale: privatizimi më i denjë ku do të përfitonin gjithë ata që ishin në punë shteti para luftës, etj. që deri para vitit 2007 disi ishte kamufluar me emrin e pavarësisë së Kosovës. Tash, qytetarët kosovarë janë bërë shumë më të vëmendshëm duke qenë të vetëdijshëm se borxhin ndaj pavarësisë së vendit të tyre e kanë paguar me sakrificën që kanë bërë në disfavor të emancipimit të tyre ekonomik.

Definitivisht koha e folklorit dhe e improvizimeve dhe mashtrimeve të mëdha me oferta dhe fjalë të pambuluara nëpër fushata ku premtohej në emër të demokracisë, sovranitetit, pavarësisë, gjykojë që ka mbaruar. Kjo na bënë që edhe cilësimet apo tipizimi e këtij verdikti të marrë forma dhe dimensione të reja sociale, politike, e sidomos asosh ekonomike. Së këndejmi kujtojë që ky fakt i ri është edhe një indikacion tjetër sinjalizues për t’ ia hequr atij hipotekën e verdiktit tejet konservativ dhe të pa parashikueshëm ashtu siç mendohej dhe gjeneralizohej gjerë tani.

Por, cilët faktorë në të vërtetë i kanë vë në lëvizje qëndrimet dhe perceptimin e elektoratit kosovar për partitë dhe diskurset aktuale politike në Kosovë? Dhe a mundemi fare të identifikojmë ndonjë tipologji të re sociologjike të emancipimit politik për elektoratin që do votojë në zgjedhjet e sivjetme në Kosovë?

Tipologjia sociologjike e verdiktit kosovar?

3. Për mendimin tim, s’pari do të duhej të mësohemi apo edhe të pregaditemi për paradokse të llojit të vetë që askund dhe me asnjë teori sociologjike nuk mund t’i shpjegosh dhe interpretosh disa nga sjelljet “ad hoc” të elektoratit tonë, kur janë në pyetje disponimi apo lidhja e tij me ndonjë subjekt partiak. Ai akoma, mund të mbajë kartelën e cilës do parti politike (që në fillim ka mund të motivohet me shkaqe më të ndryshme: emocionale, politike, tradicionale, familjare, etj.?!), por që në moment të fundit të futjes së fletëvotimit voton (prapë për ndonjë motiv më tepër emocional se sa racional?!) për partinë apo subjektin që e lidhë emocioni, rastësia, besa (!?), inati provincial, mentaliteti i të shkuarit prapa fisit, apo nostalgjia për liderin e vdekur, etj. Pra, një seri motivesh të shkapërderdhura të pa artikuluari sa duhet as ndajë vetë vetës?!

S’dyti, një kategori e konsiderueshme e elektoratit (gjykojmë të LDK-s dhe PDK-ës), ani pse tej mase të pakënaqur me qeverisjen e subjektit apo partisë që i takon, kalkulimin e tij në këto zgjedhje nuk do ta bëjë asisoj që të dënojë me mos votim subjektin e tij, por sërish mund të abstenojë me arsyetim ”se nuk ja jap tjetrit abuzues votën time! Abuzues për abuzues, më i mirë prapë është ai i Partisë sime?!”
Natyrisht, për këtë formë abstenimi nuk duhet fajësuar vetëm qytetarin për pozicionimin e tij tejet konservativ, por edhe subjektet tjera opozitare që nuk kanë punuar sa duhet në sensibilizimin e tij për ndryshimet që ata i kanë bë apo do t’i bëjnë në funksion të kërkesës së tij si qytetar, përveç AAK-‘s deri diku.

Pra fajin duhet shpërndarë edhe te qytetari por edhe te Partia e cila asgjë të re nuk ofroi si alternativë. Partitë e reja, sidomos AKR-ja ,si parti e re do të mund ta avullojë këtë pozicionim shumë konservativ të elektoratit Kosovar në zgjedhjet e sivjetme lokale për disa arsye: është e pa provuar me menaxhim të situatave dhe në sytë e publikut me lidershipin e sajë në një farë mënyre është një llojë shprese për t’i kalkuluar synimet e saja për një emancipim tjetërfare ekonomik që tjerëve u mungon tani për tani.

Mirëpo, paradokset evidente në mentalitetin dhe kulturën e sjelljes dhe natyrës së faktorëve që e bëjnë të jenë të veçantë elektoratin Kosovar, për mendimin tim nuk janë vetëm pasojë e sjelljeve dhe qasjes imponuese nga vetë partitë politike Kosovare, por edhe shkak i mosnjohjes dhe shkallës së sjelljeve të pa pritshme dhe kërkesave akoma të pa profilizuara ideologjike të vetë elektoratit Kosovar. S’këndejmi një tipologji e mundshme e elektoratit Kosovar, do të mund të përmblidhej dhe t’i adresohej edhe konfigurimit të mëhershëm që në vija të trasha do të mund të shquhej me këto kritere sociologjike :

1. Tipi militant apo konservativ i elektoratit, që me përkushtimin më të madh ende është duke u fascinuar pas karizmës së liderit partiak. Tek ky tip kësaj radhe kemi arritur të identifikojmë një rënie serioze të rejtingut subjektit, ndërsa rënie të karizmës së liderit. Kuptohet ,kjo “rënie” ende nuk është aq alarmuese sa që mund të konstatojmë shlirë “lirinë” dhe “mëvetësinë” e plotë të votuesit Kosovar, e me këtë edhe shkallën e pjekurisë së plotë demokratike të tij për të votuar më shumë për interesat: personale dhe ato familjare, e më pak për ato: grupore e shtresore dhe kombëtare. Hetohet, akoma si të thuhet një lloj përzierje e emocioneve me interesat e mësipërme dhe ndjenjën apo identitetin kombëtar (shtetëror)!? Një studim i yni ka treguar se një pjesë e madhe e të anketuarve kosovar akoma në deklarimet dhe qëndrimet e tyre në krye të ranglistës apostrofojnë interesin shtetëror mbi gjitha interesat tjera. Gjë që dëshmon, se verdikti kosovar edhe pas shpalljes së pavarësisë nga Serbia, akoma e ka shumë vështirë të “shkurorëzohet” nga mentaliteti i pasusit të bajraktarit të fisit, katundit dhe rajonit?! Ky “shkurorëzim: parashikohet vetëm atëherë kur të vërshojë skena politike kosovare me iniciativa të reja shumështresore dhe shumë dimensionale nga ana e subjekteve politike që do të determinohën nga rrafshet: ekonomike, sociale, juridike, e më pak politike.

2. Tipi dilematik i elektoratit, shquhet me elokuencën e të qenurit elastik në vendime ndajë figurës së liderit dhe karizmës së tij. Ky tip ka probleme serioze me vetë vetën, ngaqë në njërën anë atij i është bërë monoton parafrazimi i motos mbi “lirinë”, “pavarësinë” dhe “shtetin sovran” të shumëpritur nga lideri partiak dhe fuqizimi mediatik. Ky tip në këto zgjedhje presim të rritet edhe për shkak të zhgënjimit të elektoratit: në qeverisje dhe arritjen e objektivave për gjendjen e mjerueshme ekonomike. Shanset më të mira për t’u “shëruar” nga ky kompleks i inferioritetit kolektiv i elektoratit Kosovar do t’i kenë partitë që do të ofrojnë Programe afatshkurtra ekonomike, vende të reja punës (që është pak absurde të futën në agjendat politike të kryetarëve dhe kuvendarëve lokal?!), shërbime cilësore administrative, zbritje të taksave komunale, si edhe racionalitet në shfrytëzimin e hapësirave të mbetura pa:rrymë, pa ujë, pa kanalizim, etj.
Ky tip, ani pse ka probleme me përcaktimin e vetë ideologjik, rrallë here do të mund të “kalonte” në taborin kundërshtar që me këtë rast identifikohet me opozitën.

3. Tipi enigmatik (apo tipi inteligjent)i elektoratit, këtë tip e kemi identifikuar kësaj radhe si “enigmatik”, ngaqë janë nga përvoja e zgjedhjeve të mëhershme shumë të paparashikueshëm dhe shumë enigmatik! Motoja e tyre është, interesi familjar, ai klanor, grupor, por jo edhe ai i komunitetit jo etnik. Dmth. parallogarit e partive politike në fazën e fushatës paraelektorale dhe asaj elektorale kujtojë që edhe në zgjedhjet e sivjetme lokale do t’i komplikojë ky tip. Opozita para vetës ka një test të rëndë, ngaqë nuk është e sigurt nëse do të mund të llogariste në këtë tip të elektoratit që vetën e mbanë si shumë egoist dhe cinik, por jo edhe naiv dhe jo pragmatik kur janë në pyetje interesat e tyre të ngushta nepotiste! Në procesin e animimit e të këtij kontingjenti relativisht të madh, kandidatët për kryetarë komunash dhe ekipet e tyre strategjike do të duhej të përdornin pa mëdyshje përvojat dhe modelet e sistemit ”take or leave”, ose thënë me gjuhën e argumenteve: “nëse do parakushte për punë mos voto më për ata që ke votuar gjerë tani”?!

Është e kuptueshme që gjuha për ta animuar këtë korpus interesant votuesish kosovar nuk është e thënë të jetë gjuhë kushtëzimesh metaforike, sepse kushtëzimi pa mbulesë financiare e ekonomike që është provuar nga zgjedhjet e vitit 2007 , nga ana e koalicioni qeverisës që është identifikuar me Qeverinë Thaçi, shumë lehtë mund të bëhet kontraproduktiv! Në anën tjetër edhe alternativa që po e identifikon vetën si qeveri Haradinaj, pak do të mund të bënte në këtë kaos të mos definimit të qartë të asaj se çka në të vërtetë ofron. Në ndërkohë një alternativë të tretë akoma nuk jemi duke parë në horizont. Viti 2011 nuk është edhe gjithaq larg sa të mos fillohet edhe me një vizion të tretë që do të dallojë si nga Qeveria Thaçi ashtu edhe ajo Haradinaj. Kohës nuk i dihet gjerë atëherë mund të ndodhin shumë gjëra të papritura dhe të funksionalizohet pikërisht ky opsion…

Në trend

Më shumë
Aksident me fatalitet në Carralevë, humb jetën një 42-vjeçar nga Suhareka

Aksident me fatalitet në Carralevë, humb jetën një 42-vjeçar nga Suhareka

Kronika e Zezë
Numërohen 99.72 për qind, këto janë votat për partitë politike

Numërohen 99.72 për qind, këto janë votat për partitë politike

Lajme
Profesori nga Beogradi: Nëse krijohet Asociacioni për serbët në Kosovë, të bëhet edhe për shqiptarët në Serbi

Profesori nga Beogradi: Nëse krijohet Asociacioni për serbët në Kosovë, të bëhet edhe për shqiptarët në Serbi

Lajme
“Vila s’është e imja”, dëshmia e Veliajt: Mallkuar qoftë kush punon në këtë vend

“Vila s’është e imja”, dëshmia e Veliajt: Mallkuar qoftë kush punon në këtë vend

Lajme
Xheneta i bën 'diss' Gjestit, shfaqet si protagoniste kryesore në klipin e këngës

Xheneta i bën 'diss' Gjestit, shfaqet si protagoniste kryesore në klipin e këngës "Pishman" të Adrit dhe Ilirianës

Magazina

"LDK do ta arrijë rreth 20 për qind", Abdixhiku: ​Do të qëndrojmë në opozitë

Politikë
Kalo në kategori