LAJMI I FUNDIT:

(Kundër)Evolucioni dhe efekti domino

A ishte Morsi dominoja e pare nga islamistët e instaluar në pushtet gjatë pranverës arabe, e cila rrëzoi nga pushteti një numër diktatorësh të egër që abuzuan rënd me liritë qytetare dhe të drejtat njerëzore? Çka po ndodhë në Egjipt?

Militantët natyrisht gjithnjë e kanë përgjigjen gati. Njëra anë thotë se gjeneralët kryen një masakër ndaj myslimanëve dhe e rrëzuan një president të ligjshëm, përderisa pala tjetër insiston se ekstremistët fetarë të udhëhequr nga Vëllazëria Myslimane po synonin me rrënu demokracinë e arritur nga pranvera egjiptiane. Ka edhe plot teori konspiracionesh! Por, lufta e vërtetë me gjasë po zhvillohet në rrafshin e idesë së lirisë dhe asaj të përkatësisë!

Pra, a po fillon të bie rreshti i dominove sërish, kësaj radhe duke filluar nga i fundit që fitoi në një pale zgjedhje të lira të cilat u cilësuan si të tilla edhe nga Perëndimi? A po tregohet si i pasuksesshëm koalicioni i heshtur i Perëndimit me Vëllazërinë Myslimane në emër të lirive dhe të drejtave qytetare? A dështoi presidenti i rrëzuar Morsi të krijojë një qeverisje gjithëpërfshirëse dhe të sigurojë shtetin laik egjiptian si bazë të demokracisë bashkëkohore? A do të ishte ky një precedent i rrezikshëm për regjimet mesjetare arabe të cilat janë konservuar në mesjetën e hershme vetëm falë petrodollarëve?


Presidenti i rrëzuar, në fakt, duke u thirrur në përqindjen e votave të fituara, refuzoi një qeverisje gjithëpërfshirëse me arsyetimin se ai dhe Vëllazëria Myslimane kishin fituar mëse gjysmën e votave, të cilat sipas parimeve të demokracisë e legjitimonin një qeveri demokratike. Por, ish presidenti Morsi që refuzoi përfshirjen e të tjerëve dhe për pasojë “arriti” të nxjerrë në rrugë një numër jashtëzakonisht të madh të protestuesve të cilët kërkonin largimin e tij. Pra, një pjesë e madhe nga ata që e kishin sjellë në pushtet, u shkëputë nga lëvizja e cila quhej “Pranvera Arabe”, sepse presidenti Morsi nuk po angazhohej për demokraci, por për një shoqëri islamike.

A ishte ndihma perëndimore vetëm një test për të pare në rrafshin real mundësinë e bashkëjetesës së islamit dhe demokracisë? Pyetje shumë e përgjigje pak!

Ngjarjet e fundit treguan se elektorati në Egjipt është i ndarë në dysh dhe se përqindja e madhe e votave të fituara nga Vëllazëria Myslimane, nën flamurin e demokracisë, nuk do të ishte e tillë edhe nëse kthehej kundër institucioneve dhe lirive demokratike.

A po dështonte oferta politike të cilën pranvera demokratike ua bëri Vëllazërisë Myslimane për të pranuar parimet e demokracisë, apo islamistët po e hedhin si të panevojshëm petkun e demokracisë?

Lideri i al Kaedas, sikur të përgjigjej në këtë dilemë, kishte deklaruar këto ditë se legjitimiteti nuk fitohet me vota dhe në këtë drejtim demokracia nuk është e rëndësishme. Sipas tij, duke u bazuar në mediat të cilat përcollën audio deklaratën e tij, legjitimiteti i një udhëheqësi fitohet nga sheriati e jo nga demokracia dhe votat.

Por, protestat s’kanë të ndalur. E protesta masive nuk pati vetëm në Egjipt, por kudo ku ka myslimanë shoqëria po vlon! Diku për të drejtën e shamisë e diku për pushtet. Aty ku tashmë janë në pushtet, dominoja po anon të rrëzohet në anën tjetër. Qytetaria po proteston për të drejta demokratike. Qytetarët po kërkojnë të drejta dhe standarde të reja dhe nuk po pajtohen se krejt këto janë definuar mëse 1500 vjet më pare.

Edhe në një superfuqi të re ekonomike e cila dikur ishte një imperi, më e fuqishmja e kohës së vet dhe e cila nën flamurin e islamit arriti në dyer të Vjenës, kohëve të fundit vlonte nga protestat!

Një mik i imi virtual, i cili jeton në emigracion, e me të cilin kemi edhe shumë dallime parimore, sidomos për agresivitetin e tij ndaj asaj që në fjalorin tonë politik njihet si fundamentalizëm islamik, këto ditë e kishte shkruar në profilin e tij sloganin se “Morsi iku, tash e ka radhën Erdoganii”. Fjalia në të cilën vihen në raport zinxhiror ish presidenti Morsi me kryeministrin turk, vështirë se paraqet pjesën e të njëjtit proces. Sidomos për faktin se Turqia përpos si superfuqi ekonomike, ka treguar se ka kapacitete qytetare për të mbrojtur demokracinë. Derisa në të kaluarën Ushtria turke (vet)konsiderohej si mburojë e demokracisë, protestat në sheshin Taksim treguan se qytetaria turke është duke u fuqizuar bashkë me muskujt e saj ekonomik.

Pavarësisht retorikës së kryeministrit turk, ai më tepër mbetet përfaqësues i bizneseve agresive turke, sesa militantizmit fetar. Kjo duket e besueshme përkundër reformave të cilat ai po i kërkon në shoqërinë turke, e të cilat shpesh i frikësojnë kujdestarët e shqetësuar të shtetit laik. Militantizmi fetar turk më tepër duket të jetë në funksion të një neoimperie, sesa të një kalifati.

Devalvimi i rolit të ushtrisë si mbrojtëse e demokracisë në Egjipt, duke u përpjekur të marrë një rol të ngjashëm me Turqinë, doli të jetë i paqëndrueshëm. Kjo recetë kishte funksionuar disa herë në Turqi dhe në shumë vende të Amerikës Latine. Kjo ka funksionuar edhe në Kinë, kur populli kishte marrë nën kontroll sheshet dhe politika nuk kishte argumente të tjera përpos dhunës!

Qindra e mijëra njerëz të rebeluar nëpër sheshe, fizikisht shumë afër institucioneve qendrore, veçanërisht në kohën e mediave masive dhe sidomos internetit, paraqet një faktor të pakontrollueshëm i cili mund të lakojë, të ndryshojë apo thyejë strukturën institucionale të autoritarizmit. Kjo nuk po lejohet nga autoritarët. Vetëm në vende demokratike protestat arrijnë të sjellin reforma dhe të mos e rrënojnë sistemin.

Sipas disa të dhënave në Egjipt, u vranë mëse 2500 qytetarë nga ushtria e vendit. Nuk është shqetësues fakti se ata janë myslimanë! Në fund të fundit, myslimanë janë edhe ata që shtinë mbi ta. Kjo s’ka të bëjë me përkatësinë fetare, por me politikën. Njëjtë do të ishte edhe po të ishin të krishterë, edhe po të ishin hindu, apo ortodoksë. Apo edhe të pafe. Ata ishin qenie njerëzore. Ishin të paarmatosur! Ishte një masakër!

Fatkeqësisht Morsi dështoi të ndërtonte koalicionin demokratik, por u bë përfaqësues i militantizmit fetar, përjashtues. Këtu dështoi pranvera egjiptiane. Këtu ajo fuqi prej qindra-mijëra protestuesve e cila rrëzoi diktatorin, u përqa rreth dilemës a shoqëri demokratike apo islamike. Në emër të qytetarit apo në emër të Zotit?

Derisa masakra e ushtrisë egjiptiane e tronditi botën e qytetëruar dhe ndau përfundimisht lëvizjen antidiktaturë, në demokratike dhe islamike në Egjipt, në Turqi po fryjnë erëra të tjera. Askush më tepër se Turqia nuk është e thirrur që bashkë me demokracitë perëndimore të ofrojë një alternativë dhe të krijojë një rend në “reaktorin” pan- islamik që po vlon!

Derisa qytetërimi perëndimor arriti kulmin e zhvillimit të vet ekonomik dhe të afirmimit të lirisë vetëm pasi e mundi inkuizicionin dhe e vuri në fron qytetarin, Turqia moderne do të ngritet ose bjerë varësisht prej gatishmërisë dhe aftësinë e saj të ofrojë për vendet me popullatë shumicë, islamike, një model qytetërues i cili bazohet në të drejtat dhe liritë e individit.

Vetëm koha do të japë përgjigje në pyetjet e shumta që dolën nga “Kutia e Pandorës” të cilën e hapën (kundër)evolucionet nëpër të gjitha stinët arabe! Prognozat do të ngjajnë me ato të motit, por ajo që është e sigurt është se liria gjithnjë ka triumfuar mbi autoritarizmin, sikurse zinxhiri i jetës mbi vdekjen! Prandaj, ekziston ende bota e njeriut!