LAJMI I FUNDIT:

Kthehet në Shqipëri Thesari i Trashëgimisë

Kthehet në Shqipëri Thesari i Trashëgimisë

Rreth 260 objekte, pjesë e thesarit të trashëgimisë kulturore shqiptare, që u ekspozuan në Romë, Torino e Prishtinë, janë kthyer në Shqipëri. Pas një viti 'emigrimi', ato kanë mbërritur në Tiranë dhe janë shpërndarë nëpër muzetë nga ishin marrë.

Spiro Nika, specialist i Institutit të Monumenteve të Kulturës, pjesë e grupit të shoqërimit të tyre, tregon për Gazetën Shqiptare se objektet me vlera unikale, janë dorëzuar nëpër muzetë që iu takonin, siç ishin marrë.

Epitafi i Gllavenicës, Thesari i Korbit, ikona të Onufrit dhe objekte arkeologjike të shumta qenë pjesë e këtij thesari. Ndërkaq, punonjës të muzeve ku aktualisht janë objektet konfirmojnë ardhjen e tyre në gjendje të mirë, dhe flasin për dëmtime fare të lehta të ndonjë syresh, dëm që mund të jetë pësuar gjatë transportit.

Në nëntor të viti 2012, Ministria e Kulturës e Shqipërisë dërgoi një ekspozitë të quajtur "Rrënjët e Shqipërisë" ("I tesori del patrimonio culturale albanese") për ekspozim në Muzeun Arkeologjik në Romë (Vittoriano), prej 21 nëntorit 2012 deri më 6 janar 2013. Më tej, ekspozita qëndroi në Torino (Palazzo Madama), prej 23 janarit deri në 7 prill 2013. Më pas, thesari u nis drejt Prishtinës për të qëndruar deri në mes të tetorit.


E gjithë kjo shkaktoi debat në Tiranë, pasi shteti nxori jashtë vendit objektet e veta më të vyera (Epitafi i Gllavenicës, viti 1373, që në vitin 1974 u kërkua nga Franca për një vlerë prej 2.4 milionë dollarësh), e mbi të gjitha, drejt Kosovës ai u dërgua pa pasur as siguracion, sikundër procedohet në raste të tilla, dhe siç në fakt me të njëjtën ekspozitë për ‘udhëtimin’ e saj italian. Nika nuk do të flasë për çështjen e siguracionit të munguar.

"Unë jam marrë me mbledhjen e objekteve nga muzetë. Siç i morëm, i dorëzuam, të gjitha në gjendjen që kishin. Është bërë një punë e madhe dhe objektet janë dorëzuar duke u kontrolluar nga specialistë për origjinalitetin dhe gjendjen e tyre”, thotë ai. Ndërkaq, sqaron se transportimi i tyre është shoqëruar me eskorta policie gjatë gjithë rrugës, si në Shqipëri edhe në Kosovë.

"Transportimi i tyre nga Tirana për në Prishtinë, është bërë me makina ushtrie. Edhe gjatë shpërndarjes nëpër muzetë e Shqipërisë, jemi shoqëruar nga 17 patrulla policie. Ato ishin marrë nga Muzeu i Butrintit, Muzeu Arkeologjik i Durrësit, ai i Shkodrës, Muzeu Mesjetar i Korçës dhe Muzeu i Onufrit në Berat. Kishim rreth 20 ikona, Epitafin e Gllavenicës, objekte arkeologjike dhe për shembull ornamente prej floriri që shoqërojë sakëmet mortore", ka sqaruar Nika. /Telegrafi/