LAJMI I FUNDIT:

Kryeministri Isa Mustafa mori pjesë në inaugurimin e Fabrikës “KIVO”

Kryeministri Isa Mustafa mori pjesë në inaugurimin e Fabrikës “KIVO”

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë sot në ceremoninë e inaugurimit të Fabrikës për prodhimin e ambalazhit fleksibil plastik “KIVO” L.L.C., në magjistralen Kaçanik-Ferizaj.

Gjatë fjalës së tij para të pranishmëve të shumtë në këtë ceremoni, kryeministri Mustafa i ka uruar për këtë investim kaq të rëndësishëm për Kaçanikun dhe më gjerë.

Kryeministri Isa Mustafa tha se kjo është një shenjë e mirë e zhvillimit ekonomik jo vetëm për këtë pjesë, por edhe për Kosovën.
“Është një argument që njerëzit të cilët kanë iniciativë, të cilët janë të vyeshëm, të cilët komunikojnë me njerëzit në Evropë, mund të bëjnë punë shumë të mira, mund të sjellin projekte të mira. Dhe poashtu mund ta thonë të vërtetën për Kosovën, se këtu ka një ambient në të cilin mund të investohet, ka një ambient të mirë të biznesit, të cilën do ta bëjmë edhe më të mirë së bashku me juve që jeni sot këtu, dhe të cilët keni investuar në Kosovë. Ka një ambient i cili do të pasurohet edhe me investime të tjera, të cilat do të jenë investime përcjellëse karshi këtyre që po vijnë dhe kanë ardhur në Kosovë”, tha kryeministri.


Më tutje, kryeministri Isa Mustafa tha se Qeveria do t’i lehtësojë maksimalisht investimet e drejtpërdrejta në Kosovë, do të përshtatë politikën fiskale e cila do t’iu jap mundësi bizneseve që në vitet e fillimit ta kenë shumë më lehtë të punojnë.
“Po ashtu do të krijojmë ambient të mirë të biznesit në pikëpamje edhe legale, por edhe në pikëpamje të bashkëpunimit ekonomik, qoftë në regjione tjera këtu në vend, qoftë edhe me shtete tjera të cilat neve na përcjellin, dhe do të mundohemi maksimalisht që Kosova të ec përpara sepse prioritet themelor e kemi prioritetin e zhvillimit ekonomik, prioritetin e hapjes së një vendi të punës, dhe këto 50 vendet e reja që po hapen dhe për 80 që mund të shtohen më tutje, janë vlera të veçanta për Kosovën”, theksoi kryeministri, duke shtuar se asgjë në Kosovë sot nuk është më e çmuar sesa një vend pune, dhe asnjë kontribut më i madh Kosovës sot nuk mund t’i jepet sesa punësimi i një njeriu të ri.
Me këtë rast, kryeministri ka falënderuar për kontributin që miqtë nga Holanda dhe Qeveria holandeze po japin për Kosovën, duke uruar shumë suksese dhe që kësaj iniciative t’i bashkëngjiten edhe vepra tjera në Kosovë.

Me nga një fjalë rasti, të pranishmit në ceremoni i kanë përshëndetur edhe Visar Ramajli dhe Robert Kwakman drejtues të KIVO-s, kryetari i Kaçanikut, Besim Ilazi dhe ambasadori i Mbretërisë së Holandës, Robert Bosch.

Më pas, kryeministri Isa Mustafa dhe personalitetet e shumta e qytetarët e pranishëm kanë vizituar ambientet moderne të Fabrikës.