LAJMI I FUNDIT:

(Krye)Ministri i Brendshëm!

Ky shkrim nuk është satirë. Së paku jo origjinale. Është kopje e ngjarjeve. Satirën po e shkruan Qeveria, ne vetëm po e përshkruajmë.

U pa puna! Kot ankohen të tjerët. ”Viktima” më e madhe e krejt këtyre ngjarjeve të fundit doli të jetë ministri i Brendshëm. Kur po donte të fliste, ia ndalën mikrofonin, përkundër krejt heroizmave të tij.
Me urdhër të tij u rrah opozita, disa herë! U burgosën rreth 100 veta, e në mes tyre edhe disa deputetë. Me urdhër të tij deputetëve të Parlamentit të Kosovës iu ndalua të hyjnë në objekte të qeverisë. Nga kjo po e kuptoni se Qeveria pra nuk është e Parlamentit. Qeveria është e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Ministrisë për Zhvillim Ekonomik. Atë ditë aty kishin një aktivitet të rëndësishëm. Po shisnin atë që nuk ua ka lanë baba. Më mirë të thuash se po e falnin.

Por, atë ditë u panë vetëm “punët e brendshme”, ndërkohë që “zhvillimi ekonomik” nuk po duket këndej pari. S’ka zhvillim ekonomik. Ka veç pasurim të shpejtë, të pushtetit.


Atë ditë pushtetarët po falnin pasurinë e popullit. Populli po kundërshtonte. Këta e rrahën popullin. Në emër të popullit!

Por, këtu ka një defekt. Sipas Kushtetutës dhe ligjit, populli duhet të vendosë. Po ku di populli. Populli nuk ka dije as merita sa ministri i Brendshëm. Populli, me shumicë ka ikë, derisa ai ka luftuar. Populli ka dezertuar. E ka tradhtuar luftën! E ka tradhtuar ministrin ! Ai po qëndronte i vetëm. Ai ka qenë i ekspozuar ndaj minahedhësve dhe “gulinovave”. Por, populli s’e di as çka është “gulinovi”, as minahedhësi. Populli e la shtëpi e katandi dhe iku nëpër botë. E ky jo. Ky shkonte, diku thellë në mal. E ka ndihmuar… luftën !

E popullin nuk e gjuanin me “gulinov”, sepse “lufta” e popullit me policinë ishte shumë më e afërt, ishte gjoks më gjoks. Apo, shpinë më gjoks?! Apo, këmba në shpinë?! Apo, me shpinë për toke?! Me këmbë në tokë, apo… në hava! Qysh e zinte puna popullin e ngratë. Kush kishte kohë me u kujdes për popullin. Luftë ishte. Ai ishte në mal dhe ata ishin thellë në mal! E “gulinovi” kërciste nëpër bjeshkë. Po, ku di populli çka është “gulinovi”.

Duhet me e sjellë një “gulinov” te dera e Parlamentit. Me e marrë prej muzeut kombëtarë. Aty edhe ashtu nuk po shkon kurrkush me e pa. Se populli nuk po do luftë. Nuk donte as atëherë, por i mbeti në derë. E ministrit po ia këndojnë te veshi: “O kah le dielli, e kah le hana…”! Po e dini… këngën!

Por, kujdes çka flisni. Kur flet Ministri duhet të heshtin të gjithë. Edhe kryetari i Parlamentit. As ai nuk është mjaft patriot. Merre me mend, tek me 1998 ka dalë në mal. Gati tri vjet pas ministrit.
I vonshëm je, “Kupo”! Ku ti, ku Ministri, e ku patriotizmi!

Ministri ndihej mirë kur fliste, me policët në “holl” të Kuvendit! Me policë dhe agjentë (jo)sekretë të cilët në rroba civile e rrahin opozitën sa herë ju jepet rasti. Ai me të drejtë po priste që edhe kryetari i Parlamentit, edhe deputetët të shijonin këtë idile të tij “blu”. Ata duhet të thonë: “Tonët janë, policët. Edhe me na rrahë, s’ka lidhje”! E di, Ministri!

Po flitet se ministri po urdhëron drejtpërdrejtë policinë! S’ka zinxhirë komandues! Disa po prognozojnë se shumë lehtë mund të ndodhë që ai të marrë edhe detyrën e drejtorit të policisë. Edhe komandantit të “ROSU”! Kështu që kur të del në kafen e zakonshme me dosta, në Mitrovicën e lirë, veç i thërret në telefon e u thotë: “Shkoni e rrehne Albinin”. Pse me i thënë ndokush: “Ministër, kësaj radhe Albini ka ndejtë urtë, s’ka ba asgjë”. Ndejti, nuk ndejti, ai e di kë duhet me e rrahë, për me marrë mësim të tjerët.

E pra, pikërisht duke e shitur (opozita thotë: “falur”) një aset kombëtar, bashkë me ministrat e tjerë, ministri-viktimë i tregoi dhëmbët e qumështit të shtetit të pavarur dhe të pambikëqyrur tashmë. E pse me e mbikëqyrë. E di Ministri se kë duhet me e rreh, edhe sa, edhe qysh. E patë vet!

Pas kësaj, në Parlament ishin vendosur njësitë speciale, prapë me urdhër të Ministrit! Për me ua tërheqë vërejtjen deputetëve se liria e tyre përfundon aty ku fillon “e drejta” e ministrit. Për këtë arsye, në tribunë të Parlamentit , mbase do të vendoset një “gulinov”! Po e dini për çka! Për nostalgji!

Ka që frikësohen se policët tonë do t’i dërgojnë për trajnim special në Amerikën Latine. Te Çavezi. Se po përmendet shpesh në Parlament, e kështu po e kuptojmë se ku po marrin mësim. “Ngo Çavez, a po e merr ministrin tonë të Brendshëm. Përshtatet me rrethin”.

Por, Ministri ynë i Brendshëm edhe për një gjë mund të konsiderohet viktimë. Ai është vetëm Ministër. Në Serbi, ministri i Brendshëm është edhe Kryeministër. Ishte ministër, por pasi i zuri peng policët e Ministrit tonë dhe i përqeshi publikisht duke ua vënë “lisicat” në duar, ai u bë Kryeministër.
Gojëkëqijtë thonë se në fakt, Kryeministri ynë është edhe ministër i Brendshëm. Ky Ministër është vetëm hija e tij e cila gjithnjë pozicionohet në anën e kundërt të diellit. Dielli, Kryeministri, pastaj vjen ky. Këta funksionojnë në simbiozë!

E kryeministri serb, u lëvdua se e kishte më të madhe “znaçken”. Kjo mjaftonte që publiku i tij me e shërua kompleksin e madhësisë. Në shtrëngimin historik të duarve nën përkujdesjen e Baroneshës Catherine Ashton, dy kryeministrat kishin vënë në jakat e setrave të tyre nga një distinktiv! Nuk kishte flamuj as simbole të tjera shtetërore. Ai me emblemën e Serbisë, e ky i yni me atë të Kosovës.
Madje, ai u deklarua se ishte kosovar po aq sa edhe kryeministri i Kosovës. E ky ia ofroi edhe pasaportën. Por, ai, nuk paska pranuar. Ndoshta për shkak të vizave! Sidoqoftë, më mirë të bisedohet qoftë edhe me batuta, sesa të luftohet. Se mos po na “tradhton” populli përsëri, z. (Krye)Ministër! As popullit nuk i zihet besë, le më përfaqësuesve të tyre, deputetëve!

Kryeministri ynë është dëshmuar për dialog. Jo me popullin e vet. Çka ka me bë dialog me popullin e vet. Ky nuk është kusht për Evropë.

Nejse, një përparësi e pamohueshme e Kryeministrit kosovar është se kur nuk ndodhet në Kosovë, Ministri i Brendshëm është këtu, dhe ia ruan karrigen me krejt bagazhin e tij patriotik. S’ka “gulinov” që e tutë! Kjo po rezulton të jetë detyra e tij. Me i ruajt karriget, e me rreh opozitën. Madje edhe popullin nëse e përkrahë opozitën. Se populli… duhet ta dijë kë me përkrahë.

E sa për “Vetëvendosjen”, tashmë është bë rutinë. Polica do të duhej me bë një ofertë të veçantë, veç për ata. Diçka si “pako familjare”. Me shkua e me i rrahë në shpi, sa herë të mos pajtohen me (Krye)Ministrin. Me ua rrahë fëmijët kur nuk rrinë urtë, se edhe ata dyshohet se kanë me u ngjarë prindërve.

E policia këtë veprimtari “publiko-private” duhet me e ofrua falas. Pastaj, pse me u mundua populli me dalë deri në shesh! Ka ankesa se protestat e tyre po e pengojnë punën e palodhshme të qeverisë përgjatë kafeterive të shumta në shesh! Nuk bën ashtu…!

Por, na me ja hupë, zoti s’ja hupë. Ministri i Brendshëm edhe shefi i tij “na kanë nimue…”!

Njerëz, këtë satirë nuk e kam shkruar unë! Vetëm e kam përshkruar!

Krejt është… kreativitet i kabinetit qeveritar!