Kryeministër, kujdes me bisedimet me Serbinë!
Marrëveshja me Serbinë, mbase po përfundon me 2 prill dhe ajo si zgjedhje na qenka tërësisht në përputhshmëri me Pakon e Ahtisarit dhe Kushtetutën e Kosovës. Kështu së paku po na thotë Hashim Thaçi. Por unë, fare nuk e kam të qartë se pse u desh të na bëhet aq presion i madh diplomatik ndërkombëtar, aq deklarime publike se ato do të jenë të vështira për të dyja palët dhe aq takime të gjata maratonike, për diçka që veç e kemi pasur të rregulluar si zgjidhje për serbët në dokumentet tona juridike shtetformuese?
Ende pa përfunduar këto bisedime, dhe ende zyrtarisht pa u finalizuar dokumentet e kësaj marrëveshjeje, ajo çka tanimë sigurisht dihet është se në Kosovë, përveç asociacioneve të komunave të dominuar nga shqiptaret shumicë, diçka, sikur thuhet, do të kemi edhe asociacionin etnik të komunave me popullsi të dominuar serbe. Kjo e dyta, gjithsesi, do të dalloj nga ajo e para, sepse do të ketë edhe një fond të veçantë të financimit të vetë. Po ashtu, serbët etnik në Kosovë, dikur të ndarë në ata “përfundi lumit Ibër” – që e kanë njohur Kosovën si shtet të tyre – dhe në ata “mbi lumin Ibër”- që kurrsesi nuk e kanë pranuar pavarësinë e shtetit tonë – tash e tutje brendapërbrenda shtetit tonë unik, do të jenë së bashku në diçka si mëvetësi autonome, së cilës ne më pas mund t’ia vëmë emrin si të duam.
Por, ajo kështu si zgjidhje që pritet të jetë, gjithsesi shtetin tonë do ta ndajë në dy etnitete të ndryshme të pastra etnike. Bile-bile, për këtë të dytën edhe me një fond të veçantë të financimit. Andaj, edhe pse kryeministri i ynë, Hashim Thaçi, sipas refrenit të tij tanimë përmendësh të mësuar deklarativ, rregullisht dhe kudo e përsërit si papagall atë konstatim bajat se “nuk do të ketë ndarje të Kosovës, nuk do të ketë Republika Srpska, nuk do të ketë autonomi Serbe për veriun”… tashmë është e sigurt se në brendinë tonë unike shtetformuese, gjithsesi do të kemi diçka të veçantë dhe si të ndarë puro serbe, alla “Asociacioni i Komunave Serbe”.
Po ashtu, na thuhet se ky “Asociacion i Komunave Serbe” si bashkësi etnike një nacionale, formalisht nuk do të ketë funksion të pavarur legjislativ, e që në shikim të parë mund të jetë ashtu, por kush do të na garantojë neve se kjo bashkësi e pastër etnike serbe, ashtu horizontalisht e lidhur ngushtë me 10 komuna të veta shumicë, dhe vertikalisht, me shtetin amë Serbinë, si dhe me eksterritorialitetin veç ekzistues të hapësirave të kishave dhe kulteve tjera të veta fetare edhe nëpër komuna me shumicë shqiptare, në të ardhmen nuk do të jetë faktor destabilizues, ose pengesë e organizuar rezistuese politike, ndaj shumë çështjeve të interesit nacional të shumicës shqiptare?!
Për ta gjetur një përgjigje meritore në këto dhe shumë pyetje tjera shqetësuese, mendoj se me këtë rast vendimtar do të ishte e udhës që urtësisht dhe me maturi ta kërkojmë një mendim si këshillë edhe nga mësuesja e jonë e jetës – historia. Historia, e cila fatkeqësisht, me sa duket, edhe këtë herë do të na përsëritet!
Kush është historikisht, në të vërtetë, Serbia?
Të gjithë ata që sado pak e njohin mentalitetin e popullit serb dhe historinë e saj shetformuese, e dinë mirë se kush është në këtë shtet kreatore e vërtetë e strategjive afatgjate politike dhe “sfinga” e padukshme mbrojtëse në prapavijë të interesave nacionale serbe. Edhe pse realisht metodat e tyre të veprimit dhe mënyrat e kontrollit autoritar të politikave vepruese mbahen në konspiracion, si institucione publike ato dihen kush janë: Akademia e Arteve dhe e Shkencave e Serbisë dhe Kisha Ortodokse Serbe (mendja dhe shpirti i kombit serb).
Nëse dikush ende mendon se politika oficiale e cila aktualisht zhvillohet në Serbi është e pavarur, atëherë mashtrohet rëndë. Sepse, shikuar edhe historikisht, të gjitha kahet e gjertanishme të strategjive politikëbërëse të këtij shteti, janë mbështetur dhe mbështeten në platformat programore të përcaktuar më parë nga ta. Disa prej këtyre programeve, si dhe kokave kreatore të tyre, tanimë veç ju janë të njohur opinionit tonë akademik dhe publik shqiptar, por mbase jo edhe të gjitha. Si duket ka ende sosh, dhe ato sipas rrethanave dhe kërkesave hapësinore-kohore veç janë në realizim e sipër. Me pretekstin legal patriotik, dhe në emër të ruajtjes me çdo kusht të interesit nacional serb, ky bashkëveprim i instaluar edhe si mentalitet mbarëkombëtar, gjithmonë ka funksionuar në mënyrë të përsosur si relacion i pashkëputshëm veprues: “Akademia-Kisha-Politika”!
Edhe pse, në dukje, realitetit i disponimit politik të masave popullore në Serbi, në mes të forcave nacionaliste dhe ekstra-nacionaliste serbe nga njëra anë, dhe demokratëve pro-evropianë nga ana tjetër, konsiderohet i balancuar “fifti-fifti”, gjithsesi si neutrale ekziston një “tampon shtresë” e pa orientuar politikisht, e cila varësisht prej nevojave strategjike të vlerësuara për veprim, lehtë mund të përdorohet në favor të njërës apo anës tjetër të politikëbërjes në pushtet.
Sido që të jetë, cilado prej këtyre forcave politike që do të vije në pushte, kurrë nuk e shkëputë marrëdhënien me atë “trinitet” të njohur të koordinimit bashkëveprues: “Akademi-Kishë-Politikë”. Mbase, në Serbinë demokratike je i lirë të bësh çdo gjë, gjersa nuk konstatohet se me atë veprim ke shkel interesin më parë të përcaktuar nacional serb.
Derisa, ta zëmë, te ne në Kosovë pushteti ynë aktual, “forcat dhe lëvizjet nacionaliste shqiptare”, i konsideron dhe i anatemon si armiq të përbetuar të demokracisë dhe pengesë kryesore të proceseve integruese euro-atlantike, përkundrazi, politika serbe kur vlerëson se si efekt është nevoja pragmatike t’i kundërvihet ndonjë presioni ndërkombëtar, me urtësi i fton dhe i përdor ekstremistët e vetë nacionalistë.
Asgjë në politikën serbe nuk ndodh rastësisht dhe si eufori e momentit. Çdo gjë është e koordinuar mirë. Që më parë dihet: kur duhet të bëhen protesta masive, dhe sa ato për efekt duhet të jenë të dhunshme; kur duhet të jep dorëheqje një lider; dhe, cili tjetër duhet të vjen në pushtet…
Të gjitha subjektet politike në Serbi, pa marrë parasysh orientimet e tyre ideologjike programore partiake, posa të vijnë në pushtet, si patriotë serbë, me devotshmëri duhet ta zbatojnë atë politikë nacionale e cila më parë është definuar dhe përcaktuar nga “mëndja dhe shpirti i kombit” si interes nacional serb.
Dhe… krejt në fund, një këshillë miqësore për kryeministrin tonë! Hashim, kujdes me këto bisedime me Serbinë, e posaçërisht kur ata me vete e marrin edhe ndonjë përkthyese të bukur…!?
Lufta Prigozhin - Putin
Më shumëDjali i presidentit Trump shpërndan postimin e Grenellit, në të cilin thotë Kurti po gënjen se është i afërt me SHBA-në
Edhe Daut Haradinaj reagon për Gjestin: Ai është një bir shqiptari
Kosovari vrau kushëririn në Zvicër pas konfliktit për një mur në Kosovë - gjykata jep detaje
"Tiroli i Jugut si model për Asociacionin" Mandl: Jo një Republika Sërpska, duhet të jetë zgjidhje praktike, pa kërcënim
"Ku ke qenë në luftën e Kosovës, çfarë ke bërë në 99' për vendin budalla", G Bani i drejtohet me fjalë të ashpra Gjestit pas përjashtimit të Jozit
Katër shembuj të “mbështetjes së pafund” të Trumpit për Izraelin
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
Ekskluzivisht në Telegrafi Deals – Nike REAX nga 101€ në 79.95€!
Çfarë do të thotë DeepSeek AI për marrëdhëniet e SHBA me Kinën?
Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Më të lexuarat
Kosovari vrau kushëririn në Zvicër pas konfliktit për një mur në Kosovë - gjykata jep detaje
Edhe Daut Haradinaj reagon për Gjestin: Ai është një bir shqiptari
Loredana dhe Valbona nuk mund të këndellen nga ikja e Jozit prej BBVA, vazhdojnë të qajnë dhe vajtojnë teksa lexojnë letrën e tij
"Po e shkel Kosovën me këmbë", Gerta, Laerti e G Bani në debat të ashpër me Gjestin pas përjashtimit të Jozit
"Tiroli i Jugut si model për Asociacionin" Mandl: Jo një Republika Sërpska, duhet të jetë zgjidhje praktike, pa kërcënim
Katër shembuj të “mbështetjes së pafund” të Trumpit për Izraelin