LAJMI I FUNDIT:

Krasniqi: Sivjet, buxheti për grante dhe subvencione gati dyfish më i madh

Krasniqi: Sivjet, buxheti për grante dhe subvencione gati dyfish më i madh

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi, ka thënë gjatë një interviste për Telegrafin se buxheti i ministrisë që drejton është dyfish më i madh sesa ai i vitit 2014. Ai ka treguar se në buxhetin 60 milionësh, për grante dhe subvencione janë paraparë 43 milionë euro, derisa do të përkrahen kultura të reja bujqësor, dhe sektor që nuk janë përkrahur deri më tani. Sipas tij, për herë të parë këtë vit do të përkrahen pemishtet ekzistuese dhe therjet e gjedheve…..

Intervistoi: Lulzim Ahmeti

 


Telegrafi: Ditë më parë keni prezantuar programin për bujqësi për vitin 2015, cili do të jetë fokusi i tij?

Krasniqi: Ky është një program zhvillimor dhe përmban dy komponentë qendrore: subvencionet dhe grantet investive për zhvillim rural, të cilat e plotësojnë njëra tjetrën. Me subvencionime ne mbështesim fermerët që të kultivojnë më shumë sipërfaqe të tokës bujqësore dhe të kenë qëndrueshmëri më të madhe. Ndërsa, përmes granteve ndihmojmë në rritjen e prodhimit bujqësor primar, në rritjen e kapaciteteve të përpunimit, në diversifikimin e aktiviteteve bujqësore, në modernizimin e teknologjisë dhe mekanizimit, si dhe në ngritjen e cilësisë së produkteve bujqësore. Të gjitha këto së bashku, kontribuojnë drejtpërdrejt në rritjen e prodhimtarisë vendore, në krijimin e vendeve të reja të punës, si dhe në rritjen e përgjithshme të ekonomisë.Memli Krasniqi - foto ridvan slivova (2)

43 milionë për grante e subvencione

Telegrafi:  Sa është buxheti i këtij viti për Ministrinë e Bujqësisë. A i plotëson kërkesat e sektorit ky buxhet?

Krasniqi: Sivjet buxheti është dyfish më i madh se në vitin 2014 dhe kjo na ka mundësuar që të zgjerojmë mbështetjen në fusha të ndryshme por edhe të rrisim subvencionet për kultura të ndryshme bujqësore. Buxheti i përgjithshëm i ministrisë është 60 milionë euro. Por, ne kemi trashëguar obligime të mëdha financiare nga viti i kaluar, të cilat po i realizojmë më prioritet. Siç e dini, mungesa e institucioneve për gjashtë muaj ka ndikuar negativisht dhe si pasojë, mos rishikimi i buxhetit të vitit të kaluar ka sjellë këto sfida. Vitin e kalura fermerët kanë përfituar 28 milionë euro grante dhe subvencione. Sidoqoftë, ne kemi planifikuar 43 milionë euro buxhet për subvencione dhe grante, që është më i madhi deri më tash. Ne kemi mbështetje të madhe edhe nga partnerë ndërkombëtarë si USAID, Komisioni Evropian, Banka Botërore e të tjera, të cilat po ashtu ndajnë fonde për bujqësinë dhe mbi të gjitha sjellin një ekspertizë për fermerët tanë. Memli Krasniqi - foto ridvan slivova (4)

Telegrafi:  Sa është shuma e mjeteve të planifikuara për subvencione dhe sa për grante investive?

Krasniqi: Janë 20 milionë euro që janë planifikuar për grante investive në masa dhe sektorë të ndryshëm. Programi për Bujqësi dhe Zhvillim Rural i vitit 2015, bashkë me të gjitha dokumentet përcjellëse është publik tashmë në uebfaqen e ministrisë dhe secili qytetar mund të shoh mundësitë që ofrohen këtë vit, e mbi të gjitha të shoh kriteret në bazë të të cilave bëhet përzgjedhja e projekteve të suksesshme. Ndërkaq, janë planifikuar edhe 23 milionë euro për subvencione ose pagesa direkte. Përveç se do të ketë rritje të vlerës financiare të subvencioneve për shumicën e sektorëve ekzistues, duke përfshirë edhe blegtorinë, ne do të fillojmë sivjet edhe subvencionime të reja, si p.sh. pemishtet ekzistuese dhe therjet e raportuara të gjedheve.

Pa fond për fatkeqësitë natyrore

Telegrafi:  Cilët sektorë do të jenë në fokus gjatë këtij viti?

Krasniqi: Kemi disa sektorë të rëndësishëm e që kanë potencial të mirë në Kosovë, si pemëtarinë, perimtarinë, vreshtarinë dhe verëtarinë, si dhe sektorët e qumështit dhe të mishit. Fokusi ynë do të jetë tek të gjithë sektorët, sepse nevojat e tregut tonë ende nuk përmbushen mjaftueshëm nga prodhimi vendor bujqësor. Rrjedhimisht, skemat mbështetëse janë të orientuara në të gjithë sektorët.Memli Krasniqi - foto ridvan slivova (6)

Telegrafi:  Fermerët janë ankuar shpesh për mos kompensim të dëmeve nga fatkeqësitë natyrore, pasi ka rritje të buxhetit për Ministrinë e Bujqësisë, a do të ketë fond për kompensime?

Krasniqi: Deri më tash, ka qenë e vështirë që të ndahet një fond i veçantë për kompensimin e dëmeve natyrore dhe për fat të keq, as këtë vit nuk ka planifikim konkret për një gjë të tillë. Në të kaluarën, kompensimi i pjesshëm është bërë nga fondet e ministrisë apo nga rezerva e Qeverisë, kur ka pasur tepricë të mjeteve në kategori të caktuara buxhetore. Kjo mund të vazhdoj edhe tash, nëse do të shfaqet nevoja.

Ne po mendojmë këtë drejtim për krijimine një skeme të sigurimit të kulturave bujqësore, për çka së shpejti do të nisim diskutimet me kompanitë e sigurimeve në Kosovë, për të marrë edhe mendimet e tyre në lidhje me këtë çështje dhe për të parë gatishmërinë e tyre për një gjë të tillë.

Telegrafi:  Kur prodhimi bujqësor i Kosovës do t’i plotësojë nevojat e konsumit të brendshëm?

Krasniqi: Me buxhetin tashmë të rritur po synojmë që të arrijmë edhe rritjen e prodhimit primar, pra zgjerimin e plantacioneve me pemë, shtimin e serrave, zgjerimin e sipërfaqeve me perime në fushë të hapur, si dhe rritjen e sipërfaqeve me vreshta. Kjo do të ndikojë që edhe kapacitetet e përpunimit të rriten në vazhdimësi. Gjithsesi, kjo duhet të përcillet edhe me ngritjen e cilësisë së produkteve, gjë që do t’i bëjë ato më konkurruese në tregun tonë.

Kosova ka potencial të madh në bujqësi, jam i bindur se bujqësia do të jetë motori i zhvillimit ekonomik të vendit dhe i gjenerimit të punësimit. Për ta shfrytëzuar këtë potencial, ne e kemi vendosur bujqësinë në prioritetet qendrore të programit qeverisë për këtë mandat. Për këtë, edhe skemat mbështetëse të ministrisë do të rriten dhe do të zgjerohen nga viti në vit.Memli Krasniqi - foto ridvan slivova (8)

Telegrafi:  Cili ka qenë ndikimi i krijimit të fondit garantues për agrokredi?

Krasniqi: Fondi garantues mbetet një shembull i mirë për t’u avancuar edhe në të ardhmen. Por, është fakt i pamohueshëm që niveli i kamatave të kredive bujqësore është jashtëzakonisht i lartë dhe për mendimin tim, i paarsyeshëm. Ne shpresojmë se bankat komerciale do të ndryshojnë qasjen e tyre karshi fermerëve.

Por, po ashtu, ne po shqyrtojmë mundësinë që të hartojmë një program të subvencionimit të kamatave të kredive bujqësore, për çka tashmë kemi filluar të mbledhim të dhënat konkrete, para se të avancojmë diskutimet edhe me palët e tjera të interesit dhe para se të zbatojmë ndonjë projekt pilot në këtë drejtim. Besoj se shumë shpejt, do të dalim me propozime konkrete, sepse kjo çështje është përfshirë edhe në programin tonë qeverisës.

Telegrafi:  Thuhet se brenda vitit Kosova humb 1000  hektarë tokë bujqësore. Çfarë do të bëni që ky trend të ndalet?

Krasniqi: Për fat të keq Kosova nuk ka një instancë të specializuar që merret me këto çështje. Por, zbatimi i drejtë i legjislacionit është çelësi kryesor. Ne jemi të vetëdijshëm për sfidën që paraqet kjo çështje. Për këtë, ne po diskutojmë edhe me komunat që të jenë edhe më të përgjegjshme në zbatimin e kompetencave të tyre që ndërlidhen me shfrytëzimin e tokave bujqësore. /Telegrafi/