LAJMI I FUNDIT:

Kosova përball krimit të organizuar

Shpesh herë gjatë ditës në takime të ndryshme nga zyrtarë të institucioneve të Republikës së Kosovës që merren me çështjet e sigurisë se vendit tonë, diskutojnë për situatën aktuale në vend dhe për masat që duhet ndërmarrë për luftën ndaj krimit, e me theks të veçanet ndaj krimit të organizuar, pasi që ky fenomen përfshin edhe veprat të tjera të krimit siç janë; Korrupsioni, trafikimi me qeniet njerëzore, shitblerja e armeve, deliktet ekonomike, prostitucioni dhe trafikimi me narkotik. Të gjithë ne si qytetar, jemi të vetëdijshëm se parandalimi i veprave kriminale dhe zbulimi i tyre, mund të behët edhe nga veprimet tona, në koordinim me policin dhe sistemin gjyqësorë, por në fakt këto veprime, ende nuk janë duke funksionuar në mase të dëshiruar dhe në këtë kontest shtrohet pyetja ku kemi ngecur?

Para vitit 2000, nuk ka pasur forma të krimit të organizuar në Kosove ashtu si në Ballkan dhe me gjerë. Natyrshëm lind pyetja se si u bë e mundur që brenda një dekade, ai u zhvillua shumë shpejt, aq sa të konkurrojë edhe grupet kriminale më famëkeqe? Përgjigjet që jepen janë të ndryshme, por në përgjithësi ato u referohen faktorëve në vijim
Me përfundimin e luftës që u zhvillua në territorin e Kosovës, ndodhi edhe shkatërrimi total i arsimit ku të rinjtë shqiptar janë edukuar, pastaj djegia dhe shkatërrimi i shtëpive, objekteve të kultit fetar, infrastruktura rrugore etj, që rezultoi në një situatë kaotike mjaft të favorshme për lindjen dhe lulëzimin me shpejtësi të fenomeneve dhe strukturave të krimit të organizuar. Një arsye tjetër përse krimi i organizuar u zhvillua me shpejtësi në Kosove, është avantazhi i veprimit për të përfituar nga situatat e reja, ndërkohë që strategjitë dhe bashkëpunimi midis institucioneve që duhet të përballen me të ka ecur më ngadalë.

Me gjithë përpjekjet e institucioneve te Republikës se Kosovës dhe mekanizmave bashkësisë ndërkombëtare në Kosove për ruajtjen e sigurisë së vendit, situata e përgjithshme në Kosovë është vlerësuar e rëndë. Deri më tani nuk është shënuar një zhvillim i dukshëm ekonomik, me përjashtim të infrastrukturës rrugore dhe investimeve kapitale në fushën e arsimimit ndërsa papunësia ende parqet problem. Kjo gjendje sociale rëndohet edhe më tepër nga mos përfillja e ligjit dhe rendit kushtetues nga problemet dhe tensionet e krijuara në pjesën veriore të Kosovës, si pasoj, kundërshtimi i serbëve të Kosovës për integrim në jetën institucionale të Republikës së Kosovës, ndërtimi i strukturave shtetërore paralele etj.


Në rrethana të tilla shoqërore, të shoqëruara edhe nga pasojat e luftës, u krijuan kushtet optimale për lindjen dhe zhvillimin e krimit të organizuar në Kosovë. Kështu që në vitet e para të pasluftës kishte filluar ndërtimi gradual i një infrastrukture tejet të fuqishme kriminale në Kosove, zhvillimet e tilla të kriminalitetit si korrupsioni, shitblerja e armeve, trafikimi me qenie njerëzore, prostitucioni dhe trafikimi me narkotik, kanë ndikuar në formimin e bindjes se “marrja me këtë veprimtari është biznesi më produktiv, i cili mundëson pasurimin brenda natës, pa përgjegjësinë ligjore dhe privilegje të shumta nacionale”. E tera kjo u manifestua me involvimin e grupeve kriminale të ardhura nga vendet fqinje të Republikës së Kosovës e pse jo edhe të vendeve të ndryshme të botës, pasi që gjeten vend strehim të përshtatshëm për zhvillimin e veprimtarive të tyre.

Bindja e individëve për tu pasuruar brenda natës e pse jo edhe të disa “organizatave joqeveritare” (që në ditët e sotme nuk janë licencuar apo kanë kryer misionin e tyre) ishte formuar dal nga dalë, pas shumë rasteve të përsëritura “falë” involvimit të politikanëve dhe zyrtarëve të ndryshëm shtetërorë në afera të ndryshme të korrupsionit dhe grupeve kriminale. Kosova u bë një shtëpi e rehatshme për grupet kriminale, të cilat shfrytëzuan mungesën e ligjeve, dhe të institucioneve të fuqishme për zbatimin e ligjit, pasi që Kosova nuk kishte, institucione të konsoliduara. U dashtë të kalonin katër vite që nga përfundimi i luftës në Kosovë dhe të nxirret Kodi penal i Kosovës dhe Kodi i procedurës penale si dhe në vijim edhe ligje të tjera. Sakaq në pjesën veriore të Republikës së Kosovës, ekzistonin grupe kriminale që më vonë u transferuan në organizata kriminale d.m.th., udhëhiqnin krimin e organizuar në veri të Kosovës. Dhe kjo gjendje e krijuar u bë kancer i shtetit të Kosovës si në aspektin politik ashtu edhe në atë ekonomik.

Grupet kriminale në veri të cilat janë të formuara kryesisht nga disa qytetarë serbë, të Republikës së Kosovës e të ndikuar nga grupe paramilitare që ende ekzistojnë dhe vijnë në veri nga territori i Republikës së Serbisë, synojnë të vazhdojnë edhe me tutje veprimtarin e tyre kriminale, me qellim të përfitimit material e doemos edhe me qellim të marketingut politik në favor të tyre, që në fakt e dëshmojnë me veprimet e tyre duke bërë kontrabandim me naftë, cigare e deri të veprimet e tyre të shpeshta për të sulmuar pikat kufitare të policisë të Republikës së Kosovës, pastaj pikat doganore, gjë që sipas Kodit Penal të Kosovës këto veprime shkaktojnë veprën penale “Sulm kundër rendit juridik të Kosovës” e sanksionuar sipas nenit 108 i KPK-së.

Format e organizimit dhe metodat e veprimit të krimit të organizuar në Kosovë, mund të karakterizohen të dhunshme. Për dallim nga grupet kriminale që veprojnë në shtete tjera ballkanike, të karakterizuara fillimisht me tolerancë ndaj të tjerëve me qëllim të shmangies së konflikteve duke vepruar sipas parimit “ngadalë se ka për të gjithë” grupet kriminale në Kosovë gjithmonë synojnë vendosjen e plotë të kontrollit në rajonin ku veprojnë. Për dallim nga kriminelët e përkatësive të tjera nacionale, të cilët fillimisht i favorizojnë bisedimet për zgjidhjen e problemeve dhe vetëm pas dështimit të tyre i përdorin armët, grupet kriminale së pari i përdorin armët si mjet të detyrimit të kundërshtarit për ulje në bisedime nga pozita e të nënshtruarit dhe inferioritetit (lidhjet familjare), mirëpo në tri vitet e fundit si duket kjo metodë e tyre është modernizuar, duke i shtytur ata që problemet t’i zgjidhin fillimisht me bisedime në “darka” të ndryshme edhe pse ka raste kur dështojnë dhe mbizotëron pastaj dhuna dhe tmerri në ditët vijuese.

Grupet kriminale në Kosove, fillimisht janë formuar duke u bazuar kryesisht në lidhje të ndryshme familjare, fisnore, rajonale dhe etnike. Pjesëtaret e grupeve të ndryshme kriminale në Kosovë, zakonisht u nënshtrohen urdhrave të pranuara sipas respektit që kane për “dostat” e tyre, kurse në veri të Kosovës është me ndryshe, aty respektohet hierarkia e grupit kriminal që në fakt mbi të gjithë, vendos bosi i Krimit të Organizuar, i cili udhëheq nga selia e tij, jashtë territorit të Republikës së Kosovës. Kjo do të thotë se grupet kriminale që veprojnë në Kosovë, disa nga këto grupe janë të organizuara në mënyrë vertikale.

Rastet e pësimit gjatë kryerjes së aksioneve, zakonisht ishin hakmarrje brutale. Sot, rrjetet e trafiqeve dhe të kontrabandës janë tepër të organizuara dhe të përhapura në të gjithë rajonin e Ballkanit e me gjerë. Në strukturën e veprimtarisë së tyre, ato janë të përfshira për sigurimin e pajisjeve me teknologjitë më të avancuara të kohës, të armëve të gjitha llojeve, me pajisje logjistike për tu pasur vërtet zili, duke synuar, që t’i vënë ato në dispozicion të strukturave të krimit, qe në punën e tyre të jenë me efikase, duke u nisur nga detyrimi, shantazhimi, korruptimi i biznesmenëve, zyrtare te administratës, të drejtësisë dhe zyrtarëve në ministri te ndryshme, për të vepruar apo mosvepruar në interes te grupeve kriminale.

Pengmarrjet, asgjësimet me eksploziva me telekomandë, përdorimin e automjeteve të blinduara, përdorime mjeteve të shikimit natën, të tritoleve, eksplozivave plastikë (C4), mjeteve të përgjimit dhe të transmetimit brenda strukturave speciale shtetërore etj, janë fenomene, që e bëjnë opinionin të mendohet se çfarë pasojash mund të ketë në të ardhmen, nëse institucionet do të shfaqen indiferente ndaj një situate të tillë. Në kohën e sotme krimi i organizuar vlerësohet si një rrezik real për sigurinë e çdo shteti, por në mënyrë të veçantë, për sigurinë e shteteve me demokraci të pa konsoliduar dhe institucione të brishta, që s’kanë as forcën dhe as përvojën e duhur për t’u përballuar efektivisht me të. Në këtë këndvështrim, për Kosovën ky fenomen vlerësohet si rrezik kryesor për sigurinë e secilit qytetar që jeton këtu.
Ndonëse krimi i organizuar nuk përfshihet shprehimisht ndër tre tipat kryesore të kërcënimeve të kohës së sotme në fushën e sigurisë, ai shihet si një burim që i ushqen drejtpërsëdrejti këto kërcënime, qoftë atë të konflikteve rajonale, terrorizmin, apo përhapjen e armëve të dëmtimit në masë.
Fenomeni i krimit të organizuar në legjislacionin penal

Ende nuk ka një përkufizim përfundimtar për Krimin e Organizuar. Vende të ndryshme japin përkufizime të ndryshme, por ajo çka është e përbashkët në shpjegimin e termit “Krim i Organizuar”, është se ky është krim në të cilin përfshihen domosdoshmërisht më shumë se një aktor, të cilët kanë nevojë të qëndrojnë të bashkuar dhe të koordinojnë midis tyre. Në ligjet penale në SHBA, Krimi i Organizuar përkufizohet si “një aktivitet kriminal i dënueshëm, i vazhdueshëm e vetëveprues, me një strukturë të organizuar, të ushqyer nga frika dhe korrupsioni dhe të motivuar për fitim”. Ndërsa në Konventën e OKB të vitit 2004 përkufizohet si “një grup i strukturuar prej tre ose me shume personash, që veprojnë në bashkëpunim, me qëllim që të sigurojnë, drejtpërdrejt ose tërthorazi, një përfitim financiar ose një përfitim tjetër material…”.

Kodi penal i Kosovës, fenomenin e krimit te organizuar, e parasheh vetëm si vepër penale e sanksionuar sipas nenit 274 i KPK-s, sipas këtij neni, shprehja “krim i organizuar” do të thotë krim i rëndë i kryer nga ndonjë grup i strukturuar për të përfituar drejtpërsëdrejti ose tërthorazi dobi pasurore apo financiare, pra nuk e specifikon si kapitull të krimit të organizuar, mirëpo këtë fenomen e jep të nënkuptoj me përfshirjen e kryerjes të veprave penale si në vijim: Trafikim me njerëz neni 139 i KPK-s, pastaj kapitulli i XXII-që nënkupton veprat penale kundër ekonomisë, (neni 232- 249 i KPK-se), blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e narkotikëve e sanksionuar nga neni 229-231 i KPK-s, si dhe vepra të tjera që parashihen me Kodin penal të Kosovës (pa dashur që me përmendjen e tyre të mërzis lexuesin).
Ne fakt Kosova duhet të nxjerr ligj të veçantë kundër Krimit të Organizuar, ashtu siç ekziston ky ligj edhe në shtetet e tjera.

Në jetën e përditshme ky term shpesh krijon një perceptim të deformuar, me shpjegimin se ky fenomen emërtohet krim i organizuar ngaqë në të përfshihet vetë shteti, gjë që nuk është e saktë, sidoqoftë shpesh, krimi i organizuar arrin të korruptojë segmente të veçanta të shtetit e të administratës publike apo zyrtarë që me veprimet e tyre të paligjshme në interes të përfitimit vetjak nuk mund të dallohen dot nga pjesëtarët e tjerë të grupeve të krimit të organizuar. Megjithëkëtë është jologjike të mendohet që shteti të dirigjojë krimin e organizuar, kur ky krim është vetë armiku më i egër i shtetit. Strategjia e krimit të organizuar në raport me shtetin është që ta mbajë atë, në një gjendje krize të vazhdueshme, të krijojë lobingje brenda institucioneve dhe midis zyrtarëve të veçantë të tij, ta përçmojë në sytë e opinionit publik, t’i paralizojë forcën dhe vullnetin politik për t’u ndeshur me të. Është fakt i njohur se në momentet kur shteti e ashpërson luftën, krimi i organizuar kundërpërgjigjet ashpër me të gjitha arsenalet e tij financiare e kriminale për ta çuar atë deri në falimentim.

Karakteristika kryesore e krimit të organizuar është kërkimi i fitimit financiar, pa ngurruar për të përdorur në këtë interes çfarëdo veprimi të paligjshëm. Motivi për fitim, është arsyeja bazë që dikton vendimet dhe veprimet e numrit më të madh të grupeve të sotme kriminale. Karakteristika të tjera janë organizimi, disiplina dhe besnikëria në radhët e anëtareve të grupit, shtyrja drejt korrupsionit të zyrtareve dhe qeveritarëve, respektimi i hierarkisë, diversiteti i veprimtarive kriminale. Mbijetesa organizative është gjithashtu një tjetër tipar domethënës i organizatave të krimit të organizuar. Lidhjet midis anëtarëve, që shpesh janë të afërm apo të të njëjtit gjak, janë krijuar të tilla, që me gjithë goditjet që mund të pësojë një individ, organizata të arrijë përsëri të vazhdojë veprimtarinë.

Dukuri tjetër qe e identifikon individin apo grupin te involvuar ne krim te organizuar është “pastrimi i parasë“ në fakt ato pastrohen nga zyra dhe kompani të këmbimit valutor, agjenci bankare, argjendari, kazino apo klube fati, nga tregtarë makinash, kompani sigurimi dhe kompani tregtare. Një nga mënyrat e investimit të parave të pista janë edhe ndërtimet, të cilat kohët e fundit në Kosove kanë marrë një hov të madh. Krimi financiar dhe pastrimi i parave janë shpesh mjete kryesore të korruptimit, si në institucionet publike, ashtu edhe në veprimtarinë private. Kur fitimi kriminal arrin të fitojë statusin e një fitimi të pastër, jo vetëm mbulohet një krim i kryer, por hapet edhe rruga për një krim të ri. Kur kriminelët shfaqen të qetë si “zotërinj“ dhe me ndihmën e parasë synojnë pozita të ngjiten në krye të hierarkisë shoqërore, dëmtohet rëndë rrjedha normale e zhvillimit të një shoqërie dhe tronditen rëndë baraspeshat sociale. Një rrezik tjetër ende më i madh është se krimet financiare të sofistikuara dhe pastrimi i parave të pista ka tendencë të përdoren gjithnjë e më shumë për financimin e grupeve kriminale e pse jo edhe grupeve te terrorizmit.

Duke qenë se pastrimi i parave përbën një ndër hallkat bazë për riciklimin e Krimit të Organizuar, për organet shtetërore të rendit e të drejtësisë, lufta kundër këtij fenomeni është një ndër pikat kyçe e qeverisë së Republikës së Kosovës dhe të agjencive për zbatimin e ligjit për të fituar betejën me të, betejë e cila fillon me një pyetje të thjeshtë, rroga mesatare në Kosovë është 300 euro, nga ana tjetër e profilit të individit, i gjinden në posedim automjet xhip, banesë mbi 100 metra katror, villa dhe biznese të jashtëligjshme. “Zotëri, ku është fituar e tërë kjo pasuri?”. Se a duhet të luftohen dukurit që e shkatërrojnë shoqërinë e një vendi siç janë, korrupsioni, droga dhe krimi i organizuar si fenomen, këtë e pasqyron me se miri rezultati i ndriçimit të rasteve në tri vitet e fundit në krahasim me vitet e më hershme, por për të qenë akoma me të suksesshëm, nevojitet një krijim i mirëbesimit në mes qeveris dhe qytetarëve, forcimin e identitetit të policisë dhe drejtësisë dhe implementimi i ligjit mbi konfiskimin e pasurisë. Dhe kjo betejë tashme ka filluar..

(Autori është jurist i diplomuar dhe vijues i studimeve pos diplomime, drejtimi Penal Universiteti Prishtinës)

Në trend

Më shumë
Loredana thyen kutinë e emergjencës - avantazhi që përfitoi i kushtoi me një dënim mjaft të madh

Loredana thyen kutinë e emergjencës - avantazhi që përfitoi i kushtoi me një dënim mjaft të madh

Magazina
G Bani dhe Gjesti thyejnë një nga rregullat bazë të BBVA, futen të dy bashkë në tualet - pritet zarf i zi në shtëpi

G Bani dhe Gjesti thyejnë një nga rregullat bazë të BBVA, futen të dy bashkë në tualet - pritet zarf i zi në shtëpi

Magazina
Kurti tha se marrëdhëniet me SHBA nuk kanë qenë kurrë më të mira, i kundërpërgjigjet Grenell

Kurti tha se marrëdhëniet me SHBA nuk kanë qenë kurrë më të mira, i kundërpërgjigjet Grenell

Lajme
Shkencëtarët çekë zbulojnë në Shqipëri liqenin termal nëntokësor më të madh në botë

Shkencëtarët çekë zbulojnë në Shqipëri liqenin termal nëntokësor më të madh në botë

Lajme

"S'është i besueshëm për SHBA-në", Kurti e komenton deklaratën e Grenellit

Politikë
Zbulohet “plani i rrjedhur i paqes i Donald Trump për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë” - këto janë disa nga detajet

Zbulohet “plani i rrjedhur i paqes i Donald Trump për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë” - këto janë disa nga detajet

Botë
Kalo në kategori