LAJMI I FUNDIT:

Kosova një ‘ishull i izoluar’

Derisa edhe shqiptari i fundit i Tiranës po përgatit valixhen për të thyer barrierën e murit të Shengenit duke i`a mësyrë tokës së “premtuar” evropiane, shqiptari i Kosovës mbetet i vetëm në pjesën e ishullit të izoluar Ballkanik. Qytetari i Kosovës gjendet para dilemës se duhet apo nuk duhet të zhgënjehet nga ky proces, i cili një ditë do të bëjë Evropën pa kufij.

Se përse Kosova po shndërrohet për momentin një ishull i izoluar në mes të Evropës, kjo ka të bëjë me kriteret që i rekomandon BE, por arsyet mund të shihen edhe nga karakteri politik. Në esencë, kjo liri kërkon realizimin e kushteve dhe kritereve të parapara nga institucionet e Bashkimit Evropian. Kosova nuk duhet të presë një masë stimuluese politike që do të pasonte liberalizimin e regjimit të vizave për shtetasit e saj, por t’i përvjel mëngët për të kryer detyrat e domosdoshme. Mosnjohja nga pesë shtetet e BE-së, njashtu nuk do të jetë pengesë dhe nuk ka të bëjë me këtë proces teknik.

Rruga drejtë integrimit nuk do të jetë e lehtë


Çështja e liberalizimit të vizave, fillimi i negociatave dhe faza përfundimtare e anëtarësimit, drejtpërdrejt do të varen nga përmbushja e principeve, prioriteteve dhe kushteve, të cilat Kosova duhet t’i përmbush për të arritur partneritet me BE-në.
Në këtë drejtim me rëndësi është angazhimi rreth forcimit dhe menaxhimit të kufijve, lufta kundër krimit të organizuar, trafiqeve ilegale, pasaportat biometrike, regjistrimi civil dhe nënshkrimit i disa dokumenteve themelore të parapara nga BE. Kosova duhet të vazhdojë ratifikimin e marrëveshjeve të riatdhesimit me të gjitha shtetet anëtare të BE-së. Me nënshkrimin e marrëveshjeve bilaterale të riatdhesimit shtetet zotohen të arrijnë marrëveshje që pa formalitete të shtuara të bëjnë kthimin e të gjithë qytetarëve të huaj në shtetin e tyre, të cilëve u ka skaduar viza ose janë duke qëndruar ilegalisht një periudhë të gjatë në këto vende të BE-së.

Marrëveshjet e riatdhesimit patjetër duhet të zbatohen në pajtim me Konventën e Gjenevës (1951), Protokollin mbi statusin e refugjatëve, marrëveshjet e brendshme që kanë të bëjnë me ekstradimin, Konventa e Dablinit(1990) dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut (1950). Këto do t’i përmbajë edhe udhërrëfyesi për vizat i cili në një afat të shkurtër do t’i dorëzohet autoriteteve kosovare. Udhërrëfyesi është i ndërtuar në katër blloqe detyrimesh: Siguria e Dokumenteve; Migrimi, menaxhimi i kufirit dhe ripranimi; Rendi publik dhe siguria; Marrëdhëniet me jashtë dhe të drejtat themelore.
Në këtë drejtim Kosova ka shënuar progres, por duhet akoma punë, deri në përmbushjen e të gjitha kërkesave.

Strategjitë që ka miratuar Kosova

Ligji mbi menaxhimin dhe Kontrollin e Integruar të Kufijve Shtetëror është miratuar si pjesë e Paketës së Ahtisarit qysh në maj të vitit 2008. Ndërkaq, Strategjia dhe Plani i Veprimit për Menaxhimin e Integruar të Kufijve është miratuar në prill të vitit 2009. Në këtë drejtim është punuar edhe për miratimin e Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave si dhe Ligjit mbi Azilin i cili parasheh edhe ndërtimin e strehimoreve të reja për azilkërkuesit. Gjithashtu gjatë muajit qershor të 2009 qeveria ka miratuar edhe Strategjinë Nacionale dhe Planin e Veprimit Kundër Drogës dhe Strategjinë Nacionale dhe Planin e Veprimit Kundër Krimit të Organizuar. Janë miratuar edhe dokumente tjera, mirëpo, në këtë proces Kosova duhet të sigurojë mekanizmat për zbatimin dhe implementimin e këtyre ligjeve.

Optimizmi i madh për liberalizimin e vizave

Optimizmi i madh për liberalizimin e vizave nuk do të gëzojë sidomos pjesën e qytetarëve, të cilët si të vetmen mundësi të tejkalimit të situatës së pashpresë, të krijuar tashmë si rezultat i politikave jo efikase të Qeverive kosovare, e shohin nëpërmjet braktisjes së vendit të tyre për një jetë më të “mirë perëndimore”. Pra kjo kategori nuk ka të bëjë fare me premtimet e BE-së, por kjo bie, dhe duhet të bjerë, tërësisht mbi shpatullat e Qeverisë së Kosovës. Qeveria jo vetëm që duhet të bëjë më shumë në hapjen e vendeve të punës dhe rritjes së standardit të mirëqenies, por ajo duhet, në të njëjtën kohë, që të sensibilizojë të gjithë qytetarët e saj se integrimi evropian dhe mundësitë që ky integrim i ofron nëpërmjet lëvizjes së lirë, nuk nënkupton largimin nga vendi dhe rivendosjen në vendet e Perëndimit. Përkundrazi integrimi nënkupton forcimin e brendshëm dhe rritjen e mirëqenies, sepse edhe kohët e fundit tregojnë se edhe BE-ja, përkatësisht shtetet anëtare të saj po kalojnë faza kritike, sidomos në lidhje me vendet e punës dhe mirëqenien sociale.

Pra situatën e tillë mund ta shohim si rezultat i ndërthurjes së disa faktorëve: duhet të ketë një perceptim më real të konceptit të integrimit nga vetë popullata; Përkushtim më i madh dhe më efikas i Qeverisë në lidhje me proceset integruese, në mënyrë që të sjellë më shumë përfitime reale dhe të prekshme për popullatën dhe jo vetëm nënshkrim marrëveshjesh dhe fushate politike me dhe në emër të BE-se; si dhe këndvështrimi i fundit duhet të jetë nga vetë ana e BE-së – pra ajo të gjejë edhe mënyra dhe metoda të bashkëpunimit më efikas, dhe atë jo vetëm me struktura qeveritare, por edhe me shoqërinë civile dhe sidomos bizneset me ndikim potencial në zhvillim. Qeveria me mbështetjen tashmë të siguruar të BE-se, duhet t’ua bëjë me dije dhe t’i sensibilizojë qytetarët se integrimi nuk nënkupton migrim, por reformim të brendshëm, rritje standardi, zhvillim dhe progres – dhe duke u bazuar në këtë filozofi integruese të gjejë mekanizma të përshtatshëm për zbatimin e politikave të saja në mënyrë që ato të mos mbeten vetëm në letër.

Vizat getoizojnë Kosovën

Regjimi i tanishëm i vizave të BE-së për Kosovën ndikon direkt negativisht në zhvillimin tregut, biznesit, edukimit dhe për një shoqëri më të hapur civile, faktorë të cilët edhe ndikojnë në përgjithësi në procesin e reformimit dhe stabilizimit të rajonit. Politika e vizave që BE zbaton ndaj Kosovës, kontribuon për getoizimin e këtij shteti dhe i minon përpjekjet e Ballkanit për reforma dhe stabilitet.

(Autori është bashkëpunëtor i Institutit për Studime Politike dhe Evropiane- ISPE)

Në trend

Më shumë

"Le t'i dridhet toka", G-Bani thur planin për të vënë në kurth Gjestin

Magazina
Bill Gates paralajmëron për një pandemi

Bill Gates paralajmëron për një pandemi "shumë më të rëndë" në vitet e ardhshme

Botë
“Xhaxhai ka dhënë jetën për këtë tokë! As varrin s’ia dimë”, flasin familjarët e Gjestit pas deklaratës së Jozit: Preku plagë të hapura

“Xhaxhai ka dhënë jetën për këtë tokë! As varrin s’ia dimë”, flasin familjarët e Gjestit pas deklaratës së Jozit: Preku plagë të hapura

Magazina
Plani i Trumpit për kontrollin e Gazës, presidenti amerikan ripërsërit propozimin

Plani i Trumpit për kontrollin e Gazës, presidenti amerikan ripërsërit propozimin

Amerika

"Ia dolëm", Parashqevi Simaku lirohet nga spitali i New York-ut - biznesmeni Elton Ilirjani publikon pamje të artistes

Magazina
Modric ‘sulmoi’ Vinicius Jr në sy të të gjithëve: Braziliani i tërbuar u vërsul në dhomat e zhveshjes, Ancelotti sqaron situatën

Modric ‘sulmoi’ Vinicius Jr në sy të të gjithëve: Braziliani i tërbuar u vërsul në dhomat e zhveshjes, Ancelotti sqaron situatën

Ndërkombëtare
Kalo në kategori