LAJMI I FUNDIT:

Kosova me standardin më të ulët të jetesës në BE

Kosova me standardin më të ulët të jetesës në BE

Standardi i jetesës në Kosovë është nën mesataren evropiane edhe pse Bruto Prodhimi Vendor (BPV) ka shënuar rritje për dy miliardë euro nga vitit 2008 gjerë në vitin 2013.

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) të premten ka njoftuar se Bruto Produkti Vendor (BPV) për vitin 2013 në Kosovë është pesë miliardë e 326 milionë euro, derisa në vitin 2008 ishte tre miliardë e 882 milionë euro.

Sipas ASK, norma reale e rritjes së BPV në Kosovë ishte 3.4 për qind në vitin 2013.


Kryeshefi ekzekutiv i ASK-së, Isa Krasniqi, ka njoftuar se BPV për kokë banori për vitin 2013 arriti në dymijë e 935 euro, derisa për vitin 2008 ishte dymijë e 258 euro. Sipas tij, krahasuar me vendet e rajonit Kosova prinë me rritje të BPV-së.

Ndërkaq, drejtori i Statistikave Ekonomike dhe Llogarive Kombëtare, Ilir Berisha, theksoi se rritja reale e Bruto Produktit Vendor për vitin 2013 u ndikua nga rritja e shpenzimeve të konsumit final i ekonomive shtëpiake, rritja e eksportit të mallrave dhe shërbimeve dhe rënia e importit të mallrave dhe shërbimeve. /Tribuna/