LAJMI I FUNDIT:

Kosova, kjo stendë e bukur e “Frankfurti 2015” (Foto)

Kosova, kjo stendë e bukur e “Frankfurti 2015” (Foto)

Dje është hapur panairi i 67-të i librit, “Frankfurti 2015”. Përkundër disa paradokseve, festa më e madhe e librit në botë, që grumbullon mbi 7.000 botues të mbi 100 vende të botës, pritet të vizitohet nga 300.000 vizitorë, një rekord shkuar rekordesh ky.

Që me hapjen solemne, ku si i ftuar special i organizatorit qe Salman Rushdi, duke theksuar në fjalën e tij lirinë e patjetërsueshme të fjalës, Irani do të tërhiqet nga pjesëmarrja e paralajmëruar, dhe, për të qenë ironia më e madhe, mysafire nderi është shteti me popullsinë myslimane më të madhe në botë: Indonezia.

Edhe Kosova është pjesë e këtij panairi, madje këtë vit e përgatitur shumë më seriozisht sesa herëve të tjera, nën kujdesin e Shoqatës së Botuesve të Kosovës dhe ndihmesën e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës (duke mbuluar vetëm shpenzimet e stendës).

Janë 30 botues, aq sa figurojnë në panotë estetike të stendës së Kosovës në Sallën 5.0 D131, me sipërfaqe 24 m2, tejet impresive me imazhin artistik të Arben Islamit nga Albumi “Majestic Kosova madhështore”.


Në ueb faqen zyrtare të panairit (www.book-fair.com) janë 25 botues, por me siguri të dhënat janë të para tre muajve dhe ndërkohë është shtuar interesimi i botuesve kosovarë për të qenë pjesë e këtij eventi të jashtëzakonshëm të librit.

Renditja alfabetike e pjesëmarrësve: Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, AIKD ’99, Alb-Med, Albas, Anton Pashku, Artini, BSS, Buzuku, Cuneus, Dija, Drita, Dukagjini, Faik Konica, Fondacioni Ibrahim Rugova, Instituti Albanologjik, Instituti i Historisë, Koha, KREK, Libri Shkollor, Lidhja e Shkrimtarëve e Kosovës, Mendimi pozitiv, Neokultura, Njeri L.L.C., Pa, Pema, Rugova Art, Tenda, Titanik, Universiteti i Prishtinës dhe Universum press.

Janë mbi 350 tituj, gjysma e të cilëve të botuar brenda dy panaireve. Spikat sivjet edhe numri i titujve të përkthyer, veçanti e dy botuesve tashmë me emër të Kosovës: Buzukut dhe Kohës, të cilët kanë edhe titujt më të shumtë të botuar dhe të prezantuar.

Botuesi Buzuku sjell edhe Nobelin e vitit të kaluar Patrick Modiano, me 11 tituj nga të cilët 7 janë ekspozuar ndërsa të tjerët pritet të dalin së shpejti nga shtypi. Të qenët koherent me rrjedhat botërore të letërsisë dhe të përkthimit është nder dhe privilegj dhe botuesit e Kosovës këtë po e dëshmojnë dita-ditës, përkundër vështirësive jo të pakta.

Nga titujt e tjerë do veçonim Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës me botimet përfaqësuese shkencore e monografike, sidomos Kosova (shqip dhe anglisht) dhe botime të tjera të akademikëve dhe studiuesve të tjerë.

Po ashtu edhe botimet e Instituti Albanologjik, sidomos të tri seritë e revistës Gjurmime Albanologjike: Filologji, Histori dhe Folklor dhe etnologji, pastaj botimet e veçanta të punonjësve shkencorë të fushës së gjerë të albanologjisë si “Shqiptarët dhe shqipja” e Qemal Muratit etj..

Instituti i Historisë me botimet e veta ndriçon shumë aspekte të historisë së Kosovës, të asaj të djeshme por edhe më të resë.

Do përmendur botimi i materialeve dhe dokumenteve “Nga grupi revolucionar te Fronti i Republikës” me autorë Mehmet Hajrizi dhe Gani Sylaj, një bashkëbotim me Shoqatën e të Burgosurve politikë të Kosovës. Krahas këtij botimi rri bukur edhe libri i Bardhyl Mahmutajt “Mashtrimi i madh”.

Nga botimet e Kohës duhet veçuar librat më të rinj të Veton Surroit, “Emri i autonomisë” dhe “Ambasadori i Melkizedekut”, poezitë e Xhevdet Bajrajt shqip e spanjisht “Copa ime e qiellit – Mi Cachito de Cielo”, “Veç Pavarësi, asgjë më pak – Ibrahim Rugova në shtypin gjermanofon (1989-2006) përzgjedhur e përkthyer nga Enver Robelli, monografitë (albumet) “Monumentet”, 1-2 tëArtan Krasniqit, etj.

“Buzuku” ka ekspozuar me shije, pos Patrick Modianon, një ekskluzivitet ky për t’u lakmuar, 50 tituj, botimet më të reja të autorëve shqiptarë dhe të huaj: Dan Fante, Roland Gjoza, Janis Ricos, Kujtim M. Shala, Edouard Louis, Veli Karahoda, August Strindberg, J.M.G. Le Clézio, Jean-Paul Sartre, Adem Gashi, Albanë Mehmetaj,Elisabet Kaestli, Nexhat Halimi, Xhavit Beqiri, Visar Zhiti etj.

Ndër tituj e tjerë që duhet veçuar janë edhe monografia “Bekim Fehmiu, Odiseu i Kosovës” përgatitur nga Fahri Musliu, “Diferentia specifica” e Ibrahim Rugovës, botim i Fondacionit Ibrahim Rugova, romani i Rexhep Murtez Shalës “Anonim profan wor(l)d’ , “Rrëfimet e maestros” i Agron Y. Gashit, monografia Kosova – Vend për t’u buluar – A Land to Discover e Ismail Gagicës, “Porosia ime për shqiptarët”
e Mark Krasniqit, botime të ndryshme universitare si ato të Universum Press, etj.

Ditët e para, sipas përfaqësuesve të SHBK-së dhe të botuesve të Kosovës, do të ketë kontakte brendapërbrenda botuesve pjesëmarrës për të drejta autoriale dhe plane bashkëpunimi, ndërsa fundjava pritet të vizitohet nga shumë bashkatdhetarë që jetojnë në Perëndim, sidomos në Gjermani, Zvicër, Danimarkë, Belgjikë, Holandë, Francë, Luksemburg, vendet Skandinave etj.

Nga dita e parë mund të konkludohet se stenda e Kosovës do të ketë interesin dhe vizitueshmërinë e duhur, një nder dhe privilegj i krijuar me përgjegjësi nga subjektet botuese të Kosovës por edhe Qeverisë së Kosovës, e cila ndihmoi me 9.500,00 euro (sa ka kushtuar stenda) për përfaqësimin sa më dinjitoz të Kosovës në këtë ngjarje të madhe të librit botëror. /Telegrafi/