LAJMI I FUNDIT:

Kosova dhe EULEX-i, cili është shteti?

Më 17 shkurt 2008 Kosova shpalli pavarësinë në koordinim të plotë me ndërkombëtarët. Kosova, si shtet i ri dhe papërvojë në arenën ndërkombëtare, thirri një mision ndërkombëtar (EULEX-in) për t’u marrë me çështjen e gjyqësisë, sigurisë dhe doganat. Natyrisht, ndihma e miqve ndërkombëtarë çdoherë është e nevojshme dhe e mirëseardhur, por me ardhjen e EULEX-it u komplikuan disa gjëra, në dëm të shtetit të Kosovës. EULEX-i sot e asaj dite nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran. Shumë keq.

Me marrjen e përgjegjësisë për gjyqësorin nga EULEX-i, pavarësia e Kosovës ekziston vetëm de facto kurse de jure jo. E që një shtet të jetë i lirë, demokratik dhe konstitucional duhet të jetë i përbërë nga tre pushtetet kryesore: legjislativi, ekzekutivi dhe gjyqësori. Secili nga këto pushtete duhet të jetë i ndarë dhe i pavarur, por në koordinim me njëri-tjetrin që shteti të jetë sa më funksional e më demokratik.

Po ndalem te puna e EULEX-it, për të cilën edhe u thirr nga institucionet vendore. Me t’u vendosur në Kosovë ky mision shpalli objektiv kryesor vendosjen e rendit dhe ligjit, të bazuar në sisteme konstitucionaliste, liberale e demokratike. Por a u tregua i suksesshëm? Përgjigjja është fare e thjeshtë: Jo. Ja pesë argumente mbi të cilat e mbështes këtë vlerësim:


1. Gjendja në pjesën veriore të Kosovës është ajo që ishte para se të vendosej EULEX-i.
2. Pikat doganore 1 dhe 31 funksionojnë siç është më së keqi.
3. Gjykatat ende nuk veprojnë fare në veri.
4. Shkalla e korrupsionit në nivel Kosove vazhdon të jetë e lartë.
5. EULEX-i jo që nuk u mor asnjëherë seriozisht me luftimin e korrupsionit (përveç bastisjes spektakulare të MTPT-së që ende s’po i shohin rezultatet konkrete), por edhe më keq se kaq, u zhyt edhe vetë në të, siç ishte rasti i policëve rumunë.

Këto janë vetëm disa nga dështimet e EULEX-it. Të tjerat s’po i numëroj se, përndryshe, në vend të këtij shkrimi, më duhet të botoj libër me qindra faqe. (Për fat të keq). Dhe mos mendoni se këto nuk i di EULEX-i.

Dhe tash çfarë ndodh? Për ta mbuluar dështimin dhe sa për t’ia zgjatur vetës jetën, EULEX-i ditët e fundit në heshtje, objektiv tjetër si duket ia ka parashtruar vetës zbardhjen e “krimeve” që na paskan pas kryer ish-ushtarët e UÇK-së. Natyrisht, EULEX-i, si mision që merret me pushtetin gjyqësor, ka drejtë t’i hetojë edhe ish-ushtarët e UÇK-së. Edhe ish-komandantët që sot janë drejtues të institucioneve shtetërore apo deputetë të Kuvendit të Kosovës. Pse jo? Askush nuk është e nuk duhet të jetë mbi ligjin. Të gjithë jemi për funksionimin e shtetit ligjor. Por mënyra të cilën EULEX-i e ka zgjedhur për ta hetuar veprimtarinë e ish-ushtarëve të UÇK-së që në start tregon se është e gabuar dhe nuk çon askund, përveçse në dështimin e radhës.

Ish-ushtarët e një ushtrie çlirimtare askund në botë, madje as në vendet më primitive, nuk është e ndershme të arrestohen në mënyrë spektakulare si të ishin kriminelë, pa pasur fakte dhe prova, por duke u bazuar vetëm në dyshime. Aq më pak një komandant rajonal i policisë, e lere më një deputet, siç është Fatmir Limaj, i cili është një rast në vete.

Limaj ishte shpallur i pafajshëm nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës me vendim të formës së prerë, pikërisht për krime lufte. A e dinë prokurorët e EULEX-it se asnjë akuzë e njëjtë ndaj Limajt apo kujtdo qoftë nuk mund të ngrihet në çastin që kalon nëpër filtrat e Gjykatës së Hagës?

Sa për përkujtimin e prokurorëve të EULEX-it, po e përmend një postulat të drejtësisë universale: “Askush nuk mund të akuzohej dhe të dënohej për një vepër penale kur gjykata e ka dhënë një herë vendimin e formës së prerë”. Apo, ndoshta, edhe kjo rregull për prokurorët e EULEX-it nuk ka vlerë.

Natyrisht se aksioni i fundit i EULEX-it ka prodhuar situata të reja. EULEX-i jo vetëm që po e injoron një pjesë të madhe të qytetarëve, por ka filluar një lojë sfiduese edhe me institucionet e Kosovës. Këto institucione për EULEX-in janë tre apo katër figura shahu, ku secilës i jep mat sa herë që do dhe asnjëra nga këto nuk i tregon se është duke i thyer rregullat e shahut, por secila mundohet të kyçet në atë lojë. Në anën tjetër, qytetarët të enjten protestuan. Në të ardhmen (29 mars) do të protestojnë prapë, sepse ndihen të fyer. Kjo situatë duhet të riparohet, madje shumë shpejt. Si?

Në radhë të parë duke u vetëdijesuar si shoqëri që çdo punë ta kryejmë me përgjegjësi të plotë, duke lënë anash militarizmin partiak dhe nepotizmin. Në të kundërtën, ndaj secilit nga ne duhet të merren sanksione jo vetëm civile, por edhe penale për papërgjegjshmëri ndaj shtetit.

Në radhë të dytë institucionet shtetërore, subjektet politike, shoqëria civile duhet sa më shpejt të dalin me një qëndrim të përbashkët që të kërkojnë që EULEX-i të ndryshojë rol, të luajë vetëm rol ndihmës dhe këshillues. Jemi shtet dhe ka ardhur koha të sillemi tamam si shtet.

Konfrontimi me ndërkombëtarët s’na duhet. Ndihma e gjithëmbarshme e tyre është shumë herë më e madhe për shtetin e Kosovës sesa dështimi i EULEX-it. Ta kalojmë bashkërisht edhe këtë sfidë.

(Autori është jurist i diplomuar dhe kandidat për master në programin Politikë Ndërkombëtare dhe Diplomaci në Kolegjin “Victory”)

Në trend

Më shumë

"Le t'i dridhet toka", G-Bani thur planin për të vënë në kurth Gjestin

Magazina
Bill Gates paralajmëron për një pandemi

Bill Gates paralajmëron për një pandemi "shumë më të rëndë" në vitet e ardhshme

Botë
“Xhaxhai ka dhënë jetën për këtë tokë! As varrin s’ia dimë”, flasin familjarët e Gjestit pas deklaratës së Jozit: Preku plagë të hapura

“Xhaxhai ka dhënë jetën për këtë tokë! As varrin s’ia dimë”, flasin familjarët e Gjestit pas deklaratës së Jozit: Preku plagë të hapura

Magazina
Plani i Trumpit për kontrollin e Gazës, presidenti amerikan ripërsërit propozimin

Plani i Trumpit për kontrollin e Gazës, presidenti amerikan ripërsërit propozimin

Amerika

"Ia dolëm", Parashqevi Simaku lirohet nga spitali i New York-ut - biznesmeni Elton Ilirjani publikon pamje të artistes

Magazina
Modric ‘sulmoi’ Vinicius Jr në sy të të gjithëve: Braziliani i tërbuar u vërsul në dhomat e zhveshjes, Ancelotti sqaron situatën

Modric ‘sulmoi’ Vinicius Jr në sy të të gjithëve: Braziliani i tërbuar u vërsul në dhomat e zhveshjes, Ancelotti sqaron situatën

Ndërkombëtare
Kalo në kategori