LAJMI I FUNDIT:

“Kosmodisku”

“Kosmodisku”

1 Prilli është një nga festat tona jozyrtare të cilat i festojmë me qejf, por të cilat shteti nuk i njeh! Te ne, me gjuhën e popullit, 1 Prilli njihet edhe si dita e rrenave! Diçka si ditë (ndër)kombëtare e politikës! Suma sumarum, njëjtë i bie! Te ne festë jozyrtare është edhe Festa e Flamurit! E festojmë, por as atë nuk e njeh shteti! Një flamur e valëvisim për ndërkombëtarët, e një tjetër e kemi veç për shtëpi! Në zyrë i mbajmë flamujt e (super)fuqive! Kështu, e rrejmë veten, njëri-tjetrin, kombin, edhe ndërkombëtarët! Kjo quhet politikë! Por, përkundër thashethemeve se faji është jetim, te ne është legal edhe institucioni i prindit kujdestar! Pra, krejt fajet i ka EULEX-i!

E, lidhur me këtë, nganjëherë ka telashe në mes qeverisë qendrore dhe pushtetit lokal! Telashe ka sidomos te rrethrrotullimi më i vjetër në Prishtinë, kur “dikush” jozyrtarisht e ndërron flamurin shtetëror me atë kombëtar! Qeveria qendrore ofendohet me këtë akt antishtetëror dhe ministri i Brendshëm i merr masat! I merr në bisedë të dyshuarit dhe i lëshon në procedurë të rregullt! Edhe “Vetëvendosje” ia kanë zënë bishtin Qeverisë! E pyesin: E përse në Graçanicë mund të valojë flamuri i një shteti tjetër fqinjë?! Heshtje!

Kështu, në Tiranë thonë: “Jemi një”! Edhe në Beograd thonë: “Jemi një”! E ne themi se jemi një! Një dhe e pandarë! E përsërisim tërë vitin dhe jo vetëm me 1 Prill! Bëjmë politikë!


Si e dini tashmë, ne jemi të hapur nga të gjitha anët. Kufiri është sa për sy e faqe! Po të mos ishte Shqipëria në kufi me ne, po të mos ishim të rrethuar me shqiptarë apo toka të cilat dikur banoheshin nga shqiptarët, ndërkombëtarët do të na lejonin të heqim kufirin fare! Por, pa frikë, se Qeveria nuk e lejon këtë. Edhe bashkësia ndërkombëtare bën politikë! Është 1 Prilli!

Ne jemi popull që i duam festat! Njerëzit dalin me vetura dhe flamuj të llojllojshëm për të festuar për gjithçka! Për shembull festojmë kur fiton Barcelona, Reali, Manchesteri, Interi, Vuçiqi apo Erdogani! Ne e duam tonën, por atë e mbajmë për vete, thellë në zemër! Por, nuk na mjafton vetvetja për të qenë krenarë!

Nejse, ndër ne, politikanët për dallim prej të tjerëve nuk e festojnë 1 Prillin! Ata e kanë festë çdo ditë! Ngjashëm me disa gra që refuzojnë të festojnë 8 Marsin, sepse duan lule përditë!

Përndryshe, këto ditë edhe femra demokratike e mbajti ditën e grave. Pati fontanë idesh dhe dëshirash! Aty ato folën dhe folën… dhe folën… dhe përfundimisht të gjitha u pajtuan se e ardhmja e tyre është në duar të sigurta. Për të promovuar barazinë gjinore, ato thanë se mjafton që kryeministri aktual të rizgjidhet. Kryeministri ishte prezent dhe dëgjonte i ngazëllyer!

Aty shpalosën edhe ëndrrat dhe ambiciet më të mëdha femërore. Suksesi më i madh që mund ta arrijë një femër demokratike, për shembull, është të martohesh me dikë i cili në të ardhmen do të bëhet kryeministër apo president! Se, femrat tona janë modeste, nuk duan të sfidojnë meshkujt! Nuk ëndërrojnë që vet të bëhen kryeministre apo presidente. OK, nuk kundërshtojnë kur i nxjerrin nga zarfi! Pastaj, një femër kryeministre… hmmm!

Shikoni, femra kryeministre mund të jetë një koshere me telashe. Këtë e pamë më së miri në Afrikën e Jugut, kur një president global dhe një kryeministër i një fuqie, silleshin si çunakë para një çupëze të lazdruar. Dhe, bënin “selfije” derisa zhvillohej ceremonia mortore. Ju kujtohet kryeministrja bionde e cila… nejse! Ani, përpara krejt mediave botërore.

E pra, ndihem keq që më duhet të them se “selfijen” nuk e zbuloi kryeministri ynë! Por, kot, gratë demokratike dhe krejt anëtarësia e gjerë besojnë se “selfijen” e zbuloi pikërisht ai, por…!

Mos të keqkuptohemi, këtë vit 1 Prilli nuk ka të bëjë asgjë me fushatën politike. Se në fushatë lejohet me rrejt edhe ditëve të tjera. Një muaj të tërë!

E çka hyn këtu “Kosmodisku” do të pyesni ju, duke kujtuar atë reklamën e famshme e cila përpiqet me na bindë se sa pak ndihmë duhet për me ndejt drejt! E kur rri drejt, nuk ke as dhimbje shpine. Pra, ka njerëz me dhembje shpine dhe ka të atillë që janë me Qeverinë! Kështu ndodhë në realitet.

E, ata të cilëve nuk u dhemb shpina janë shumicë! Sepse, nuk kanë fare shpinë! Po të kisha “shpinë” nuk do të isha këtu ku jam, ankohej një i burgosur dikur i cili i shihte kriminelët e regjur teksa dilnin nga burgu për disa ditë, ndërsa ai po rrinte me muaj brenda për një krim krejtësisht ordiner! Më e keqja ishte se askush nuk po kujtohej për të!

Kështu pat thënë dikur edhe Nastradini i famshëm, i cili bërtiste “oh, barku” derisa po e rrihnin shpinës. Po të kisha “shpinë” nuk më kishin rrahur, po sqarohej ai para kalimtarëve të rastit të cilët po e shihnin situatën. Tash Nastradini nuk po “cicërohet” as në Twitter, e as në rrjetet sociale nga vendi i tij i origjinës. Turqia i mbajti zgjedhjet lokale, pa “cicërima”!

Më nuk ka dhembje shpine! Tash ka dalë Kosmodisku! Kjo nuk është reklamë e paguar, as antireklamë! Në këtë rast është veç një metaforë! Meta… çka? Kështu mbase do të pyetej publikisht ndonjë politikan i yni i cili vështirë se e di çka janë metaforat! Ata u thonë mesele!

Tash populli ndahet në të atillë që kanë dhembje shpine dhe në të atillë që janë me Qeverinë! Jashtë këtyre grupeve është turp të jesh! Edhe nëse je, thirr tani! Vije “Kosmodiskun” vëlla! Bëhu me ne!

Shoqëria e spektaklit permanent po shkrryhet në vetëkënaqësi! U mbytën duke i bërë qejf vetes. E kanë futur kokën në rërë sikur makushi dhe po bëjnë “selfije”! Është bërë flamë! Pë rhajr parafushata! Ku me e ditë çfarë na sjell fushata e vërtetë! Sidoqoftë, sivjet 1 Prilli është barometër!

Ata me humor të zi thonë se kësaj radhe kryeministri përpos se do ua rris rrogat votuesve të vet, ai në shenjë falënderimi do t’i rregullojë edhe varrezat, sepse herën e kaluar një pjesë e madhe e elektoratit erdhi nga andej.

Të dashur miq, 1 Prilli është festë! Thuajeni vetëm të vërtetën në këtë ditë! Pa dert se mediat ndër ne e kanë humbur fuqinë me e pasqyru të vërtetën! Edhe ashtu nuk merret vesh çka keni thënë! Shumë zhurmë në rrjet! E, me 2 prill mund të vazhdojmë me parafushatën zgjedhore!

Merr “Kosmodiskun”! Rri gatitu!