Korrupsioni politik si përjashtim mashtrues!
Si mund të luftohet realisht korrupsioni në Kosovë, që edhe perceptimi i publikut të ndryshojë, për mirë? Sipas ‘TIA’, angazhimet politike duhet të përkthehen në reforma serioze. Heqja e imuniteteve për zyrtarët e lartë, deputetët, ministrat, prokurorët dhe gjyqtarët do t’i bënte të gjithë këta të barabartë përpara ligjit.
Presidentja e vendit, Atifete Jahjaga, pas kthimit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës u shpreh e vendosur për të formuar Këshillin antikorrupsion dhe për këtë tha se ka marrë mbështetjen e fuqishme të miqve tanë amerikanë. Presidentja Jahjaga ditë më parë u shpreh e ashpër sa i përket nivelit të lartë të korrupsionit në Kosovë, duke thënë se tagri i korrupsionit është faturë e shtrenjtë, të cilën po e paguajnë qytetarët, dhe është pengesë e integrimit të vendit në Evropë.
Dita Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit, Kosovën e gjen të papërgatitur për ta luftuar këtë dukuri negative, kanë thënë ditë më parë përfaqësues të shoqërisë civile në një tryezë të organizuar nga Zyra për Qeverisje të Mirë e Kryeministrisë, në bashkëpunim me Agjencinë Kundër Korrupsionit. Ndërsa zyrtarë të lartë të ekzekutivit dhe drejtues të sistemit të drejtësisë, thanë se për të luftuar korrupsionin në Kosovë nevojitet një guxim dhe bashkëpunim i të gjitha institucioneve të vendit. Ndërsa zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, deklaroi se 9 dhjetori, Dita Ndërkombëtare kundër korrupsionit, ishte një rast i mirë për t’i fuqizuar edhe më shumë mekanizmat në luftën kundër korrupsionit.
Në raportin e fundit të organizatës ndërkombëtare “Transparency International”, Kosova është renditur e 112-ta, në mesin e 183 shteteve të botës sa i takon korrupsionit. Me një vlerësim prej 2.9 pikësh, Kosova renditet më poshtë në listën e kësaj organizate, në krahasim me vendet e rajonit. Edhe vitin e kaluar, Kosova ishte renditur më poshtë në krahasim me vendet e rajonit, duke u klasifikuar në vendin e 110-të me nivel të lartë të korrupsionit. Thuhet se niveli më i lartë i korrupsionit të Kosovës është në institucionet publike, si në ekzekutiv dhe gjykata. Në fjalën e tij, kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Fejzulla Hasani, tha se në kuadër të kompetencave të veta, Gjyqësori është duke e bërë punën e vet për t’i gjykuar rastet që kanë të bëjnë me korrupsion. Por përfaqësues të organizatave joqeveritare, por edhe zyrtarë të Agjencisë Kosovare kundër Korrupsionit, vlerësuan se mungesa e ligjeve dhe moszbatimi i atyre ekzistues, janë disa nga faktorët që po ndikojnë në mosluftimin e duhur të korrupsionit në Kosovë. Merita Mustafa, menaxhere e Programit Anti-Korrupsion në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), deklaroi se mungesa e vullnetit politik dhe neglizhenca e vazhdueshme e institucioneve kosovare për ta luftuar këtë fenomen, kanë bërë që shkalla e lartë e korrupsionit të jetë në nivel shumë të lartë.
Një anketë e Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara, tregon se rreth 90 për qind e qytetarëve të Kosovës të të gjitha komuniteteve janë shumë të brengosur me zhvillimet aktuale në veriun e Kosovës. Këto të dhëna u publikuan në Prishtinë në raportin e kësaj organizate i hartuar në bazë të një anketimi të kryer gjatë muajve tetor dhe nëntor të këtij viti. Në raport thuhet se papunësia, varfëria dhe korrupsioni edhe më tej konsiderohen problemet kryesore me të cilat përballen qytetarët e Kosovës. Qytetarët i shohin Korporatën Energjetike të Kosovës, gjykatat dhe doganat, si institucionet kryesore me shkallën më të lartë të korrupsionit. Raporti tregon rënie të besueshmërisë së qytetarëve ndaj sistemit gjyqësor dhe prokurorive, ndërsa besueshmëria ka pësuar rënie edhe kundrejt Qeverisë dhe Parlamentit, ndërsa ka shënuar rritje kundrejt presidentes së Kosovës. Pakënaqësia është shtuar edhe me shërbimet publike në Kosovë. Raporti i Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara bazohet në anketimin e rreth 1.300 qytetarëve të të gjitha komuniteteve. Problemet janë të ngjashme për të gjitha komunitetet, por dallimet qëndrojnë te shkaqet e problemeve me të cilat përballen ata.
Thënë shkurt, për shkak të zhvillimeve të shpejta politike gjatë këtij shekulli, na nevojitet një konceptim i korrupsionit politik që e sjell atë më afër problemeve të demokracisë. Unë sugjeroj të parashtroj një pyetje të thjeshtë: Çfarë do të thotë të korruptosh një proces demokratik? Për t’u përgjigjur do të na duhet të identifikojmë të mirën ose normën kryesore, e cila është subjekt i korrupsionit. Teoricienët e demokracisë me eksperiencë bien gjerësisht dakord mbi normën që çdo individ që mund të preket nga një vendim kolektiv duhet të ketë mundësi të ndikojë vendimin në përpjesëtim me aq sa preket nga zbatimi i tij. Ne mund ta rafinojmë këtë normë për institucione, çështje, nivele të ndryshme agregimi, e kështu me radhë. Gjithsesi, çështja që shtrohet këtu është e thjeshtë: korrupsioni politik sulmon demokracinë duke përjashtuar njerëzit nga vendimet që i prekin. Logjika e vërtetë e korrupsionit ka të bëjë me përjashtimin: të korruptuarit e përdorin kontrollin e tyre mbi burimet për të përfituar në kurriz të atyre që përjashtohen nga vendimmarrja kolektive apo organizimi i veprimeve kolektive. Edhe pse çdo formë e korruptimit të demokracisë sjell përjashtim, jo çdo formë përjashtimi është korrupsion. Një regjim mund të jetë përjashtues, dhe përjashtimet mund të prodhojnë të këqijat më të urryera. Por aty ku një elitë përjashtuese thjesht i përmbahet normave të ndryshme nga ato të publikut më të gjerë, sado e neveritshme të duket, nuk mund të themi se ajo është “e korruptuar”.
Eksperti i ekonomisë ndërkombëtare, Mark E. Warren, nga Universiteti britanik Columbia, ka vlerësuar se Korrupsioni, edhe pse nuk është sëmundja më e keqe politike, ka probabilitetin më të madh për t’u përhapur në demokracitë elektorale. "Nuk është aq i rrezikshëm sa lufta, apo aq emergjent sa terrorizmi, madje disa kanë argumentuar se korrupsioni i pakët që shoqëron demokracitë i bën ato të funksionojnë më mirë – duke ulur koston e shkëmbimeve, duke zvogëluar ineficencën e rregullave jofleksibile, dhe përgjithësisht duke i bërë gjërat të ndodhin”.
Megjithatë, ka një konsensus të gjerë se korrupsioni politik nuk është i mirë për demokracinë, dhe as një acarues i parëndësishëm: ai gërryen kuptimin dhe mekanizmat e vetë demokracisë. Korrupsioni këput lidhjen midis vendimmarrjes kolektive dhe pushtetit të njerëzve për të ndikuar vendimet kolektive përmes fjalës, votimit, dhe veprimeve të tjera që karakterizojnë demokracinë. Kur zyrtarët publikë vendosin çmime për kryerjen e procedurave rutinë qeveritare, atëherë të drejtat dhe mbrojtja që qytetarët duhet të gëzojnë kthehen në favore që duhet të shlyen në një farë mënyre. Për më tepër, korrupsioni shkatërron kulturën e demokracisë. Kur njerëzit humbasin besimin se vendimet publike bazohen në arsye që bëhen të ditura dhe përligjen publikisht, ata shpesh bëhen dyshues ndaj ligjëratave dhe shqyrtimeve publike. Gjithashtu, kur njerëzit nuk kanë besim te qeveria, ata vënë në dyshim aftësitë e tyre për të vepruar në funksion të të mirave dhe qëllimeve publike, dhe parapëlqejnë të veprojnë në fushat e ngushta të interesit vetjak ku mund të kenë kontroll. Në këtë mënyrë korrupsioni zvogëlon horizontin e veprimit kolektiv e kështu tkurr fushën e demokracisë.
Korrupsioni si përjashtim mashtrues na bën të shtrojmë disa pyetje: Si shpërndahen këto ndikime? A ka individë që kanë të drejtë të përfshihen por përjashtohen si pasojë e pakteve sekrete? A vepron përfaqësuesi në bazë të parave apo fakteve dhe argumenteve? A zhvillon përfaqësuesi diskutime të fshehta apo të hapura? Këto pyetje kanë të bëjnë me natyrën e ndikimeve, të cilave përfaqësuesi u përgjigjet: a janë ato përfshirëse apo përjashtuese? Shenjat dalluese të korrupsionit në fushën legjislative janë ato që pengojnë diskutimet publike përfshirëse, pra, fshehtësia në marrjen e vendimeve dhe mashtrimi në fjalime. Mund të ketë fshehtësi për shumë arsye – disa mjaft të drejta, por në çështjet legjislative shpesh fshehtësia është shenjë e ndikimeve të papranueshme dhe e zërave që përjashtohen për arsye që nuk mund të justifikohen në publik. Mashtrimi në fjalime, ajo që njerëzit e quajnë “mungesë sinqeriteti” tek politikanët, është shenjë që tregon se procesi i diskutimit është korruptuar: argumentet që paraqiten nuk janë ata ku vendimi mbështetet në të vërtetë. Dëmet ndaj demokracisë janë të drejtpërdrejta dhe të gjera: një korrupsion i tillë shkëput lidhjet përfaqësuese, prish marrëdhënien midis diskutimit dhe vendimmarrjes, dhe dëmton elementët kreativë të zgjidhjes demokratike të konflikteve. Këta shembuj i referohen vetëm korrupsionit brenda shteteve demokratike. Gjithsesi, shtrirja që ka marrë sot politika po ndryshon vetë format e demokracisë, duke na sfiduar të zhvillojmë një konceptim të ri të korrupsionit që t’i përshtatemi kohës. Duke e parë korrupsionin si përjashtim mashtrues kemi një pikënisje, edhe sepse koncepti është i përgjithshëm dhe i lidhur me normat e përfshirjes demokratike e jo me institucione të veçanta. Ky koncept na bën të mundur të dallojmë korrupsionin përtej shtetit duke parë dëmet që ai u shkakton ekologjive demokratike: një shoqatë e shërbimeve publike mund të dështojë në përmbushjen e detyrave të marra përsipër ndaj anëtarëve apo klientëve të saj, duke pasuruar një pjesë të tyre; një gazetë mund të censurojë lajmet e saj për shkak të presionit të reklamuesve; një korporatë mund të fshehë dëmet ndaj publikut për të pasuruar investitorët e saj. Është jashtë qëllimit të këtij artikulli të përcaktojë të drejtat e përfshirjes dhe mekanizmat e përjashtimit në raste të tilla.
Pavarësisht se këto dëme që i shkaktohen demokracisë tashmë janë pranuar gjerësisht, ne nuk kemi një konceptim të korrupsionit politik që t’i përfshijë ata. Konceptimi që kemi për korrupsionin politik – shpërdorimi i detyrës publike për përfitime private – është i ngushtë për demokracitë aktuale. Qytetarët duhet të kenë mundësi të besojnë se vendimi i përfaqësuesve të tyre nuk është rezultat i zërave të shumtë që kanë blerë mundësinë për të ndikuar me kontributet që kanë dhënë gjatë fushatës. Me këtë korrupsioni mbetet problem madhor në Kosovë dhe në pjesën më të madhe të Ballkanit. Ai pengon zhvillimin e secilës shoqëri, duke krijuar një mjedis që i mungon transparenca dhe llogaridhënia. Zvogëlon dhe shmang të hyrat direkte qeveritare, duke privuar kështu qytetarët nga shërbimet publike më themelore dhe më të nevojshme. Për ta luftuar këtë, një gamë e gjerë veprimesh është ndërmarrë nga aktorë të ndryshëm, si dhe vazhdon të ndërmerret qeveritë që ndryshojnë ligjet e tyre për të pasur një qëndrim më strikt ndaj veprimeve korruptuese dhe për të rritur transparencën brenda strukturave të tyre, shoqëria civile që informon dhe edukon publikun mbi situatën në lidhje me korrupsionin dhe atë që mund të bëhet për ta përmirësuar, mediat që alarmojnë qytetarët për keqpërdorimet e zyrtarëve publikë dhe që kërkojnë të mbahen përgjegjës për të. Një përpjekje tjetër e tillë, ndoshta pak më rishtas, është ai i agjencive anti-korrupsion, apo departamenti ekuivalent brenda qeverive.
Si mund të luftohet realisht korrupsioni në Kosovë, që edhe perceptimi i publikut të ndryshojë, për mirë? Sipas ‘TIA’, angazhimet politike duhet të përkthehen në reforma serioze. Heqja e imuniteteve për zyrtarët e lartë, deputetët, ministrat, prokurorët dhe gjyqtarët do t’i bënte të gjithë këta të barabartë përpara ligjit.
(Autori është gazetar i pavarur)
Lufta Prigozhin - Putin
Më shumëEgli po e përmend vazhdimisht në BBVA, reagon Olsi Bylyku për herë të parë: Jam me gruan në shtëpi
"Merrini izraelitët në Alaskë dhe Grenlandë", zyrtari saudit tallet me Trumpin dhe Netanyahun
Kosova voton për Kuvendin e ri - gjithçka që duhet të dini për procesin zgjedhor
Në Spanjë e quajnë performancë mediokër referimin e Soto Grados - "ai shpiku një penallti"
Ndizet atmosfera në aeroport, mbështetësit e Kurtit hedhin valle me tingujt e tupanit
Liqeni nëntokësor në Leskovik, Tare tregon çfarë bënë çekët për zbulimin e tij
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
Ekskluzivisht në Telegrafi Deals – Nike REAX nga 101€ në 79.95€!
Çfarë do të thotë DeepSeek AI për marrëdhëniet e SHBA me Kinën?
Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Më të lexuarat
Në Spanjë e quajnë performancë mediokër referimin e Soto Grados - "ai shpiku një penallti"
Egli po e përmend vazhdimisht në BBVA, reagon Olsi Bylyku për herë të parë: Jam me gruan në shtëpi
KQZ tregon kur do të dihen rezultatet nga votat e diasporës
"Merrini izraelitët në Alaskë dhe Grenlandë", zyrtari saudit tallet me Trumpin dhe Netanyahun
Liqeni nëntokësor në Leskovik, Tare tregon çfarë bënë çekët për zbulimin e tij
Deco refuzoi rikthimin e ish-lojtarit të Barcelonës në formë huazimi