LAJMI I FUNDIT:

Konflikti mbi identitetin maqedonas dhe e drejta mbi trashëgiminë historike të Maqedonisë (2)

Konflikti mbi emrin dhe trashëgiminë historike

Një segment i konfliktit mbi emrin dhe identitetin, i cili sot është deri diku i harruar, por që padyshim së paku pas luftës së dytë botërore paraqiste brengë për Athinën e cila ishte e dobësuar nga lufta civile, ishte frika nga një zgjerim i mundshëm i atëherë njësisë Jugosllave të Maqedonisë në drejtim të jugut.

Kjo frikë u shtua veçanërisht kur po diskutohej një bashkim i mundshëm federal mes Jugosllavisë dhe Bullgarisë, e që parashihte Maqedoninë si një njësi federale të veçantë. Vetë opinioni ndërkombëtar jo pak u trazua nga fakti që tani si një njësi në kuadër të një shteti të fortë sllav, Maqedonia do të mund të shfaqte pretendime në drejtim krahinës greke të Maqedonisë.


Në një letër që një këshilltar i tij po i dërgonte kryeministrit britanik Vinston Çerçill thuhej: “Një union federal i njësive të Jugosllavisë dhe Bullgarisë, do të transformojë çështjen maqedonase në një ekspansion të kombinuar jugosllavo-bullgar drejt jugut, të përforcuar nga irredentizmi maqedonas dhe bullgar për të bashkuar me Maqedoninë, portin detar të Selanikut, si një interes i përgjithshëm sllav”. Më tutje u deklarua që formimi i njësisë federale të Maqedonisë të krijohet mbi baza të përjashtimit të pretendimeve të aneksimit të territoreve tjera (Memorandumi për Maqedoninë, 15 nëntor 1944).

Përderisa Maqedonia ishte një republikë në kuadër të Ish-Jugosllavisë dhe një element konstituiv i saj, Athina zyrtare i referohej republikës me termin Republika e Shkupit siç bën edhe sot. Maqedonia nuk paraqiste subjekt ndërkombëtar gjë qe e bënte Athinën zyrtare që në vitet në vijim të mos bëjë më tepër bujë në lidhje me çështjen. Pas shpalljes së Maqedonisë së pavarur në shtator 1991 u krijuan rrethana tjera. Athina mobilizoi të gjithë potencialin diplomatik që kishte për të parandaluar njohjen e Maqedonisë nga shtet tjera. Vetëm disa sosh e njohën shtetin e ri me emrin e tij kushtetues.

Ndonëse njohurit aktuale shkencore nga historia, arkeologjia dhe linguistika nuk kanë arritur krejtësisht qartë të japin përgjigjen mbi relacionet e maqedonasve antik me popullsitë përreth dhe më konkretisht pozitën e tyre karshi helenëve të lashtë si në kuptimin etnik ashtu edhe në gjuhën e folur, vetë identiteti i maqedonasve antik sot vazhdon të përdoret si subjekt tensionesh mes Republikës së Maqedonisë dhe Greqisë. Historiani Eugene N. Borza vë në pah se gjuha e folur e maqedonasve antik dhe helenëve dallohej sa në komunikimin ndërmjet këtyre dy gjuhëve ishte i nevojshëm edhe përkthimi.

Megjithatë jemi dëshmitarë që pa sqaruar argumentet shkencore, të dy shtetet vazhdojnë të pretendojnë të drejtën mbi trashëgiminë e Maqedonisë antike duke harruar dhe lënë krejtësisht anash elementet ilire dhe trakase që kontribuuan në brumëzimin e përkatësisë së veçantë Maqedonase antike.

Përkatësia etnike e maqedonasve të sotëm (shpesh hasim termin sllavo-maqedonasit) dhe më saktë identiteti i tyre, është bërë tanimë një objekt debatesh të ashpra mes Shkupit dhe Athinës. Termi sllavo-maqedonas vetvetiu paraqet një kundërthënie mes maqedonasve. Përderisa në Republikën e Maqedonisë ai mund të konsiderohet edhe një emër ofendues, në vetë Greqinë me krenari përdorët nga pjesëtarët e komunitetit sllav në prefekturat e Maqedonisë greke, ngase ashtu i bën të ndjehen si popull i veçantë nga grekët etnik banorë të zonave nga Florina deri në Kavallë, që gjithashtu e quajnë vetën maqedonas, por në kuptimin e përkatësisë krahinore.

Është e mundshme që vet konflikti mbi trashëgimin historike të Maqedonisë antike ndoshta as që do të kishte filluar po të mos ishte shkaktuar ngatërresa ne lidhje me emrin. Vetëm më vonë për të arsyetuar qëndrimet e tyre në lidhje me përdorimin e emrit maqedonas dhe Maqedoni, debati kaloi përtej këtij limiti në kërkim të mbështetjes historike ku palët përpiqen të prezantojnë historinë sipas versioneve të tyre.

Në fakt, konflikti mbi trashëgiminë historike jo rrallë herë shtyu Republikën e Maqedonisë të ndryshoj vetë elementet shtetërore. Flamuri i sotëm i shtetit gjeti formën e tillë vetëm pasi qeveria në Shkup ishte e detyruar të ndryshonte flamurin e mëparshëm në të cilin qartë dallohej dielli i Vergines si simbol i Maqedonisë antike. Qysh në fillim të viteve të 90-ta, Maqedonia po rrezikonte një izolim të mundshëm ndërkombëtar dhe atë në një kohë shumë të ndjeshme kur Serbia lehtë ndizte luftëra me fqinjët. Në OKB, Maqedonia u pranua me emrin e përkohshëm Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë, dhe më pas edhe në organizma tjerë ndërkombëtarë.

Që nga dalja në skenë e Maqedonisë si një subjekt ndërkombëtar, Shkupi dhe Athina nën ndërmjetësimin ndërkombëtar kanë zhvilluar një varg negociatash. Janë diskutuar si zgjidhje të mundshme një mori propozimesh: Maqedonia e re, Maqedonia e epërme, Sllavo-Maqedonia, Maqedonia (Shkupi) etj. Ndonëse këta emra së pari ashpër janë kundërshtuar nga vet Shkupi zyrtar, as vetë qeveria në Athinë nuk i ka konsideruar si të përshtatshëm për shkak të refuzimit inicial që emri i ri të përmbajë termin “Maqedoni” në cilindo variant. Gjithashtu me argumentin se qëllimisht shmanget termi “Maqedoni”, janë refuzuar edhe dy propozime greke: Republika e Vardarit dhe Republika e Shkupit.

Së fundi nën ndërmjetësimin e diplomatit Mathew Nimitz, propozimi i cili dominon si ide, përpiqet që çështjen mbi emrin e shtetit ta zgjidh me emrin “Republika e Maqedonisë Veriore” pa qartësuar qëndrimin mbi identitetin e maqedonasve.

Sidoqoftë, derisa propozimet vazhdojmë ti zënë vendin njëri tjetrit, rezultati i pari i konfliktit mes Shkupit dhe Athinës, ka dhënë një rezultat të qartë – Maqedonia vazhdon të pësojë duke ngelur mbrapa në hapin e saj drejt integrimeve. Ajo nuk u anëtarësua në Paktin e Atlantikut Verior ashtu siç ishte e paraparë së bashku me shtetet tjera të programit të Kartës së Atlantikut, Shqipërinë dhe Kroacinë.

Qëndrimi i Sofjes zyrtare karshi identitetit maqedonas

Kur pas shpërbërjes së ish Federatës Jugosllave, Maqedonia shpalli vetën shtet i pavarur, Bullgaria ishte shteti i parë që e pranoi. Megjithatë, njohja e shtetësisë nuk ka ndryshuar qëndrimin e Sofjes zyrtare karshi identitetit maqedonas, i cili për të është pjesë e pandarë e identitetit bullgar kurse vetë Maqedonia një pjesë e padrejtësisht e ndarë nga trungu i saj.

S’do mend se deklarimi i ish-kryeministrit të Maqedonisë, Ljupce Georgievski “Ne kemi identitet bullgar” detabuizoi debatet brenda shoqërisë maqedonase. Sofja zyrtare u kujdes që vetë ceremonia ku atij iu dha nënshtetësia bullgare në vitin 2006, të jetë e shoqëruar më përcjellje mediatike, ishte vetë zëvendës presidenti bullgar që në mënyrë solemne do t’ia dorëzoj dokumentin e nënshtetësisë bullgare. Në përgjithësi duke filluar nga viti 2001 deri në shtator 2008, vlerësohet që rreth 32 mijë shtetas maqedonas janë bërë edhe shtetas bullgar gjithashtu. Është më se evidente që ky numër tani mund të rritet në mënyrë edhe më rapide me faktin që Bulgaria është anëtare e BE-së, por padyshim procedurat e lehta që maqedonasit të pajisen me nënshtetësi bullgare flasin vetvetiu se Sofja zyrtare ata i konsideron bashkëkombës.

Vetë Bullgaria është përpjekur të paraqes disa argumente për të arsyetuar qëndrimin e saj. Kështu në serinë e argumenteve bullgare hyjnë: prezenca e sundimit bullgar gjatë mesjetës; identifikimi gjatë fillimit të shekullit të kaluar i popullsisë sllave të Maqedonisë si bullgare nga ana e shumë historianëve të huaj; memoria e përbashkët kolektive; roli i Bullgarisë në organizimin e kryengritjes në Maqedoni kundër sundimit osman; roli i Bullgarisë në formimin e VMRO-së si një lëvizje anti-serbe; fakti që Maqedonia si subjekt politik u krijua si produkt i komunistëve jugosllavë dhe atë vetëm pas luftës së dytë botërore.

Gjetja e zgjidhjes dhe faktori shqiptar

Në tërë tollovinë e krijuar në lidhje me emrin e shtetit dhe cenimin e identitetit kombëtar maqedonas, shto këtu edhe cenimin e gjuhës nga ana e Bullgarisë, mund të vërehet që faktori shqiptar në asnjë mënyrë nuk është ngatërruar aktivisht në këtë debat.

Ndonëse në shikim të parë, mund të duket si mosinteresim i faktorit politik shqiptar në Maqedoni, megjithatë shpjegimi më i afërt do të na shpinte tek konstatimi që qeveria e Shkupit në mënyrë konstante mundohet të minimizojë rolin e tij gati në të gjitha sferat e jetës politike, rrjedhimisht edhe këtu.

Është kjo qasja tradicionale ndaj shqiptarëve që nuk ka ndryshuar. Në rrethana kur Maqedonia duket se nuk ka finalizuar qartë as rregullimin e saj shtetëror dhe balancimin institucional të raporteve ndëretnike, më saktësisht maqedonase-shqiptare, është e diskutueshme nëse një zgjidhje adekuate mund të gjendet. Përjashtuar këtu çështjen e identitetit kombëtar dhe gjuhësor të maqedonasve, nuk duhet harruar që sa i përket emrit të shtetit nuk duhet përjashtuar nga debati asnjë pjesë e qytetarëve. Një pyetje më vend që do të duhej studiuar nga faktori ndërkombëtar, do të duhej të kishte qëllimin e gjetjes së përgjigjes, nëse një marrëveshje maqedonase-greke në lidhje me emrin, që apriori përjashton edhe mendimin e shqiptarëve të Maqedonisë që përbëjnë mbi 25% të popullsisë së Maqedonisë, a do të duhej si e tillë të konsiderohej zgjidhje përfundimtare e problemit?

Në trend

Më shumë
Duda Balje me fitore të dyfishtë, arrin 100 mijë ndjekës në Instagram dhe merr afro 1,800 vota në zgjedhje - siguron edhe një mandat si deputete

Duda Balje me fitore të dyfishtë, arrin 100 mijë ndjekës në Instagram dhe merr afro 1,800 vota në zgjedhje - siguron edhe një mandat si deputete

Magazina
Pas eliminimit nga Liga e Kampionëve, Guardiola parashikon katër skuadrat favorite për ta fituar garën

Pas eliminimit nga Liga e Kampionëve, Guardiola parashikon katër skuadrat favorite për ta fituar garën

Liga e Kampionëve
Inteligjenca amerikane nuk beson se Putini është serioz për bisedimet e paqes – edhe pse Trump thotë se ai dëshiron të ndalojë luftën

Inteligjenca amerikane nuk beson se Putini është serioz për bisedimet e paqes – edhe pse Trump thotë se ai dëshiron të ndalojë luftën

Botë
Trump ultimatum Zelenskyt për marrëveshjen për mineralet e ralla: Ose pastaj mund të mos jesh shumë i lumtur

Trump ultimatum Zelenskyt për marrëveshjen për mineralet e ralla: Ose pastaj mund të mos jesh shumë i lumtur

Botë
Berisha akuzon komisionerët për dallavere në numërim: Janë militantë partiakë e familjarë të kandidatëve

Berisha akuzon komisionerët për dallavere në numërim: Janë militantë partiakë e familjarë të kandidatëve

Lajme
Zarf i zi në shtëpinë e Big Brother VIP Albania - thyerje e rregullave, Vëllai i Madh dënon banorët

Zarf i zi në shtëpinë e Big Brother VIP Albania - thyerje e rregullave, Vëllai i Madh dënon banorët

Magazina
Kalo në kategori