LAJMI I FUNDIT:

Koha për Frymën e Prishtinës Evropiane

Kryeqendra jonë duhet të fillojë procesin e Europianizimit. Me votën tonë të shenjtë, që me mençuri duhet t’ia ngrisim vlerën më 15 nëntor, duhet ta ndalim thellimin e procesit të joformalizimit dhe kriminalizimit të kryeqytetit tonë, që po ndodh tash e dhjetë vite. Tani, pikërisht tani, ka ardhur momenti i fundit që t’i themi NDAL njëmendësisë, njëtrajtshmërisë, një vizionaritetit dhe një qëllimshmërisë prapakthyese, që e ka ngulfatur qëllimin dhe vizionin tonë të vërtetë qytetar – Prishtinën që funksionon

Duke i përcjellë nga afër zhvillimet që kanë të bëjnë me fushatën zgjedhore për kryetar të komunës së Prishtinës, në rreshtat në vijim do të fokusohem në rëndësinë e vendimmarrjes qytetare për këto zgjedhje.

Ashtu siç e kanë të ditur qytetarët e Prishtinës, asnjë establishment qeverisës në nivelin lokal në Prishtinë, që nga paslufta deri më tani nuk i ka kushtuar kujdesin e duhur dhe të merituar aspektit të zhvillimit komunal dhe urban të kryeqytetit të Kosovës. Që nga ajo kohë, kryeqendra jonë është qeverisur mbi bazën e mentalitetit të administratorëve të shekullit të kaluar, të kamufluar me petkun e njëmendësisë partiake.


I udhëhequr në këtë frymë, kryeqyteti i Republikës sonë, tani e dhjetë vite nuk ka arritur që së paku të hartojë, e lërë më të fillojë implementimin e dy planeve bazë për funksionimin e tij, të përcaktuara me Ligjin për Planifikim Hapësinor të Kosovës: Planin Zhvillimor Komunal dhe Planin Zhvillimor Urban. Prishtina në gjithë këtë periudhë është “zhvilluar” pa asnjë vizion të qartë dhe të implementueshëm.

Mbipopullimit të saj, kërkesave të shtuara për hapësira të reja banimi, për hapësira të reja publike, për hapësira biznesi për investime, si dhe për hapësira kulturore dhe rekreative, tani e dhjetë vite, të gjitha qeveritë komunale dhe kryetarët e komunës së Prishtinës, që vijnë nga e njejta frymë, nga i njejti qëllim dhe nga i njejti vizion, si dhe nga e njejta parti, i janë përgjigjur me jogatishmëri për vendosjen e rendit urban, duke e përligjur dhe e inkurajuar kështu degradimin e gjithanshëm të kryeqytetit.

Sipas ekspertit të njohur të Planifikimit Hapësinor Regjional, Klaus Klunzmann, roli i Planifikimit Hapësinor në funksion të zhvillimit ekonomik është qenësor dhe siguron njohuritë për hapësirën tek politikbërësit në të gjitha nivelet e vendimmarrjes, përgatitë bazën dhe shfaqë orientimet për zhvillimin e infrastrukturës, duke mbrojtur mjedisin dhe resurset lokale dhe regjionale.

Ky planifikim është urëlidhëse mes politikave sektoriale private dhe publike, si dhe udhëheqë ndryshimet hapësinore, duke përfshirë qytetarët në proceset e komunikimit. Ndërsa, Profesori i Planifikimit Regjional në Universitetin e Kardifit, Jeremy Alden e potencon fuqishëm monitorimin dhe rishikimin rigoroz të planeve zhvillimore komunale dhe urbane, të bazuar në evidencë të vazhdueshme. Të gjitha këto çështje shtjellohen në funksion të forcimit të kapaciteteve qeverisëse regjionale dhe lokale.

A mund të sqarojë ndokush nga garnitura udheqëse njëdekadëshe e Prishtinës, cilat nga këto qasje dhe objektiva bashkëkohore kanë filluar të shohin dritën në qytetin tonë, në të cilin jemi lindur e rritur, jemi edukuar dhe kemi zhvilluar personalitetin tonë. Asnjë!

Si mund të arsyetohet kjo gjendje që e ka kapluar Prishtinën tash e një decenie? Dhe, pikërisht njerëzit përgjegjës për thellimin e degjenerimit total të Prishtinës, njerëz këta të paguximshëm për të marrë vendime të mbara për qytetin, kanë guxim të dalin para qytetarëve dhe pa asnjë moral njerëzor, qytetar dhe politik të kërkojnë votën e tyre.

Kryeqyteti i shtetit tonë të ri, kryeqyteti i evropianëve të rinj, siç edhe po identifikohemi në stacionet më prestigjioze televizive në botë, pas 15 nëntorit duhet të fillojë të frymojë në Frymën e Re Evropiane. Kryeqendra jonë duhet të fillojë procesin e Europianizimit. Me votën tonë të shenjtë, që me mençuri duhet t’ia ngrisim vlerën më 15 nëntor, duhet ta ndalim thellimin e procesit të joformalizimit dhe të kriminalizimit të kryeqytetit tonë.

Ekspertja e Planifikimit Hapësinor Evropian, Kaliopa Dimitrovska Andreës duke analizuar rëndësinë e Integrimit Evropian në zhvillimin hapësinor dhe urban të kryeqyteteve si Praga, Varshava dhe Lubjana, potencon se ky zhvillim është arritur edhe përmes promovimit të metodave të reja të planifikimit dhe shkëmbimit të njohurive mbi planifikimin dhe menaxhimin e qytetit, përmes rrjetëzimit të instituteve të hulumtimit, departamenteve bashkiake të planifikimit, autoriteteve bashkiake dhe aktorëve tjerë të rëndësishëm në procesin e planifikimit. Ndërsa, në Prishtinë kjo frymë bashkëkohore e përkushtimit në planifikim deri më tani as që është dukur në horizontin e qeverisjes lokale.

Me përcaktimin tonë të matur, pa ngarkesa politike partiake dhe primitive, pa paragjykime të paarsyeshme, por me argumentin e fuqishëm të domosdoshmërisë së ndryshimit fundamental dhe kualitativ të gjendjes në të cilën është katandisur Prishtina, duhet t’i japim rast qeverisjes së mirë, njerëzve profesionalë, të vullnetit të mirë, njerëzve të guximshëm që i thonë STOP krimit të organizuar, që e ka fundosur Prishtinën në të gjitha aspektet zhvillimore të saj.

Jam i prirë të besoj, që të gjithë ne qytetarët e Prishtinës do të kemi mirësinë dhe vullnetin e mbarë që të reflektojmë me nivelin më të lartë të përgjegjësisë, duke ia hapur përfundimisht perspektivën brezave tanë të ardhshëm.

Tani, pikërisht tani, më 15 nëntor ka ardhur momenti i fundit që t’i themi NDAL njëmendësisë, njëtrajtshmërisë, një vizionaritetit dhe një qëllimshmërisë prapakthyese, që e ka ngulfatur qëllimin dhe vizionin tonë të vërtetë qytetar – Prishtinën që funksionon.

Me bujarinë, fisnikërinë dhe largpamësinë tonë të vendosim që Prishtina të fillojë të udhëhiqet nga fryma e Europianizimit, që e përfaqëson denjësisht Astrit Salihu, duke dhënë kështu mesazhin e qartë të mbarimit të frymës Totalitare të qeverisjes së kryeqytetit tonë dhjetë vite me radhë. Ndryshe, nuk do të na falin brezat e ardhshëm, nuk do të na e falë Prishtina Evropiane.

(Autori është inxhinier i diplomuar i Arkitekturës dhe magjistrant i Planifikimit Hapësinor)