Nga: Gëzim Tushi
Tashmë tipologjia e jetës ka ndryshuar thelbësisht nga format sociale dhe mënyra e jetës në të kaluarën. Kjo është arsyeja se është zgjeruar bindja sociale dhe njerëzit tanë janë ndërgjegjësuar për të kuptuar realitetet e vërteta të jetës, përtej hamendjeve, iluzioneve dhe utopive e modeleve të pamundura. Në këto tri dekada, në mënyrë graduale, por të vendosur dhe pa kthim, shoqëria dhe njerëzit tanë përgjithësisht kanë kuptuar të vërtetën, se jetojmë në epokë moderne dhe kemi hyrë normalisht në një etapë e re zhvillimesh sasiore e ndryshimesh cilësore që kërkojnë guxim, kurajë, optimizëm dhe qëndrueshmëri për t’i përballuar. Por, jo të gjitha shtresat dhe individët kanë koncept koherent për të kuptuar ndryshimet, imperativat, nevojat e ngutshme për të siguruar module individuale e instrumente të reja sociale, që janë të domosdoshme për të përballuar me dinjitet mbingarkesat, vështirësitë, sfidat e natyrshme dhe pengesat artificiale të kësaj jete.
Që nuk janë të lehta dhe mbi të gjitha që janë të natyrshme, të pashmangshme, tipike për shoqërinë e sotme shqiptare. Të cilës nuk është e mundur dhe nuk mundet që njerëzit tanë t’i bëjnë ballë me mekanizmat e “ndryshkur”, apo akoma më keq me iluzione paralizuese që akoma shoqërisë sonë i vijnë nga e kaluara. Vështirësitë e jetës, të natyrshme apo artificiale, të përballueshme me optimizëm apo të përjetuara me disfatizëm e pesimizëm social, në esencë kanë një filozofi, shkak e konceptualitet të përbashkët, që duhet të na ndërgjegjësojë të gjithëve, optimistë dhe pesimistë qofshim, me të vërtetën tipike, koherente e të pandryshuar të kohës që jetojmë. Sepse kjo etapë e zhvillimit të shoqërisë shqiptare, bashkë me problemet e shumta, komplekse e të ndërlikuara të saj, nuk mund të menaxhohet si duhet nëse mendojmë se zgjidhja është “të kthejmë kokën pas”, t’i “kërkojmë ndihmë” paradigmave të fosilizuara e të dala jashtë përdorimit, duke gjetur si modus viventi konservatorizmin social si idealizimi i së kaluarës. Përkundrazi, për të ecur me kohën dhe ritmet e saj, për të përballuar me dinjitet vështirësitë e kapërcyeshme dhe ato të vështira për t’u përballuar të epokës postmoderne, duhet aftësi individuale e sociale e përshpejtuar, për t’u bindur e çliruar prej reflekseve që kemi marrë prej të kaluarës, prej paragjykimeve, atavizmave, arkaizmave dhe të orientohemi sipas piketave dhe vlerave të reja të kohës.
Nëse do jemi koherentë me këtë etapë të zhvillimit dhe kërkesave ultimative të shoqërisë postmodene, atëherë duhet së pari të bindemi se jetojmë në një etapë krejt e re, një fazë zhvillimi social, ku siç thonë sociologët, “gjithçka duhet shpikur nga e para”. Në shumë takime popullore apo në debate me ngjyra konservatore e bravura populiste, shfaqen ditirambe morale që i bëhen kohës së shkuar, vlerave të saj. Ide të tilla që janë herë “jashtë kohës”, shumë herë kundër saj, shfaqen bujshëm edhe në analiza televizive e shkrime nëpër gazeta. Personalisht mendoj se kjo situatë, e cila sjell shpesh nevojën e pamundur të “idolatrizimit” të së kaluarës ka shkaqe individuale, por dhe të intriguara. Me natyrë objektive edhe subjektive, sepse njerëzit duke u ndodhur përballë vështirësive serioze, shpesh me intensitet të lartë e ndikim të gjerë në jetën individuale e sociale, e kanë më të lehtë të kërkojnë paradoksalisht të gjejnë “mbështetje” psikologjike, sociologjike e materiale në propagandimin e ideve arkaike e pa vlerë, shoqëruar me qëndrime metafizike e reagime tipikisht konservatore, në jo pak raste edhe me bindjen “absolute” dhe këmbënguljen kokëforte, se për të kapërcyer turbulencat e postmodernitetit, shqetësimet e kësaj jete tipike për “shoqëritë likuide”, ku mungojnë gjërat e sigurta dhe të vërtetat e “instancës së fundit”, duhet të “kthehemi pas” për të kërkuar mbajtjen gjallë me forcë apo transplatim të sforcuar të disa ideve, zakoneve, vlerave, traditave të kohës së shkuar. Kjo bën që të kenë akoma ndikime virulente (për fat të mirë në rënie e dobësim progresiv) ide e dëshira morale të vjetra, arkaike e dogmatike që janë tërësisht hapur e në kundërsens me kohën që jetojmë. Në të gjitha rastet, qëndrime të tilla tregojnë më së paku ngurtësi ideore, mungesë të ideve koherente dhe kufizim të konceptimit dhe perceptimit të qartë të parimeve jetësore që i duhen shoqërisë shqiptare që i kërkon koha, natyra dinamike e jetës postmoderne.
Nuk mund të ecim në rrugën e duhur me aliazhe të vjetra zakonore, as të mbetemi “rob” të disa “virtyteve” demode e të dëmshme të së kaluarës. Mbase vlera të dikurshme, por që koha e sotme i ka “turbulluar” ekzistencialisht, duke i bërë të mbeten jashtë kohës dhe nevojave të qarkullimit social, që janë gjithsesi të anatemuara, të mohuara nga influencat dhe kërkesat dominante të parimeve të postmodernitetit. Kjo është arsyeja pse jemi përpara alternativës determinante, për të bërë përpjekjet e duhura që njerëzit të mësohen të jetojnë përtej ndikimeve të problemeve artificialisht të forta, që vijnë si “predestinim” nga e kaluara dhe që realisht janë bërë pengesë për jetën e vërtetë të njeriut të kohës sonë.
Është e natyrshme që situata sociale e krijuar nga ndryshimet politike, sociale, ideologjike, kulturore e morale, ka krijuar dhe është shoqëruar një varg paradoksesh e problemesh me natyrë kontradiktore, që kanë sjellë tronditje konceptuale, paqartësi të kristalizimit të sjelljes qytetare, komportimit social të qytetëruar të njerëzve në jetën e sotme shoqërore. Ne nuk duhet të bëjmë si “struci”, të mos pranojmë të vërtetën se për shkak të ndryshimeve që kanë ndodhur, njerëzit po përballen me një “krizë” të vlerave më thelbësore, të nevojshme për orientimin e shëndetshëm në jetë. Sidomos tani kur për shkak të natyrës liberale, tejet individualiste të jetës, po përballemi me një prirje që po bëhet sunduese, që shfaqet dukshëm në tendencën që në këtë tipologji jete, në mënyrë të pashmangshme çdo njeri synon të ketë “kodin” e vet të orientimit social, formulën e ndërtimit të jetës personale, mënyrën vetjake të ndërtimit të marrëdhënieve me shoqërinë dhe institucionet e saj.
Të gjitha këto “vështirësi orientimi” social kanë një bazë ekzistenciale të fortë dhe janë me ndikime të gjithanshme në transformimin e dinamikave të jetës sociale. Këto janë probleme që nga që nuk kuptohen drejtë, nuk interpretohen si duhet me optikën adekuate të kohës, bëhen shkak që në jetën e përditshme të shfaqen dukuri sociale shqetësuese, paradoksale. Një diagnostikim i plotë sociologjik të ndihmon të kuptosh, se pikërisht ky është një nga problemet që vjen artificialisht nga vështirësitë që kanë njerëzit për të kuptuar kohën, imperativat e saj, për të gjetur piketat, rrugët e duhura, mjetet që duhen për të t’i kuptuar saktë dhe shpjeguar drejt fenomenet e reja që vërtetë janë shqetësuese në thelbin e tyre.
Duhet të jemi të vërtetë, të pranojmë se shoqëria dhe njerëzit tanë po përballen me një varg ndryshimesh që janë të shpejta, dinamike. Në shumë raste tek jo pak njerëz ato kanë sjellë marramendje metafizike, paqartësi konceptuale, vështirësi empirike të orientimit me kërkesat e kohës. Kjo vështirësi është edhe për shkak të natyrës së kalimit, veçorisë sociale unike të kapërcimit vertikal nga shoqëria e korracuar me vlera tradicionale e konservatore drejt kërkesave dhe parametrave të shoqërisë postmoderne, pa mundur të kishim kohën e duhur të zhvillimeve të natyrshme e koherente të fazës paraprake të modernitetit social. Tri dekada më parë jeta jonë sociale ka qenë bazuar dhe orientuar nga doktrinat e vjetra tradicionale metafizike e morale. Ndërkaq, jeta e sotme është ndërlikuar në të gjitha aspektet. Në këto kushte, ajo nuk mund të orientohet apo të bazohet në doktrinat e vjetra, traditat konservatore, modelet arkaike sociale. Ne kemi nevojë që të ndërtojmë jetën mbi bazën e piketave të reja, në mënyrë që të mund t’i përshtatemi botës me vlera universale, por njëkohësisht edhe parametrave moderne të “realitetit kombëtar” të ndryshuar. Kjo do të thotë që në jetën e sotme janë me rëndësi piketa të reja si orientimi social pragmatist dhe njeriu i përshtatur me kohën e “vlerave relative”.
Logjika e jetës sot nuk është e përshtatshme për ëndërrime utopike. Përkundrazi, ajo ka nevojë për piketa orientuese, që nuk e drejtojnë njeriun për të gjetur zgjidhje të problemeve të veta drejt të së kaluarës, por drejt një procesi modern të “rinovimit” të “pyetjeve dhe përgjigjeve” të jetës që jetojmë dhe jo që imagjinojmë. Ndryshe, njeriu është i detyruar, madje edhe i “dënuar” të jetojë jashtë kohe, në mënyrë të gabuar dhe të dështuar.
Njerëzit tanë e kanë kuptuar se ky shekull do të jetë integralisht fushë e triumfit total të modelit postmodern. Është “shekull i ri” dhe jeta sociale në Shqipëri nuk mund të jetë thjesht vazhdim mekanik e linear i modelit social me të cilin jetuam, u familjarizuam gjatë shekullit të kaluar. Nëse sot ndihemi keq si shoqëri apo kemi probleme me riorientimin modern të jetës, ngaqë ndodhemi përballë një situate të vështirë orientimi, mungese besimi për atë që jetojmë dhe përjetojmë e cila nuk mund të kuptohet, shpjegohet dhe interpretohet me ide e modele sociale, që ose kanë “vdekur”, ose janë duke “rënë në pikiatë” përballë kërkesave të modelit dominant të jetës moderne. Kjo do të thotë që jeta sot i imponon shoqërisë dhe njerëzve tanë një qëndrim të ri kundër idolatrizimit të ideve, koncepteve, ritualeve dhe praktikave të trashëguara. Jo thjesht për t’i nihiluar ato për t’i larguar nga “qarkullimi social” për modë dhe ekzibicion social, por për t’i përmirësuar, transformuar, ndryshuar, por edhe braktisur si gjëra pa vlerë për dinamikën e të jetuarit në epokën moderne. E cila nuk është më aq e ngurtë sa modeli i shoqërisë tradicionale, nuk është më aq i “saktë”, “simetrik”, social e doktrinar por relativist, liberal, individualist, i ndryshueshëm. Koha e sotme kërkon tjetër optikë të shikimit të problemeve. Modeli i jetës tradicionale, mjetet e analizës, vëzhgimit, vlerësimit dhe kritikës sociale kanë “krisur”. Madje, janë bërë të papërshtatshëm dhe gradualisht po dalin jashtë përdorimit. Por ky ndryshim nuk është i lehtë. Përkundrazi, ai është një nga shkaqet madhore të krizës sociale, morale e shpirtërore që po kalojmë gjatë procesit të kapërcimit nga shoqëria tradicionale në shoqërinë postmoderne, e cila është krejt tjetër në të gjithë kuptimet, pikëpamjet dhe realitetet.
Këto zhvillime kontradiktore mund të kenë shumë arsye historike dhe ontologjike, sociale e familjare, të cilat nuk janë të lidhura vetëm me rezistencën e natyrës së njeriut tradicional, por edhe të funksionimit paternalist të organizimeve kryesore të jetës sociale, të cilat kanë pasur dhe akoma në disa aspekte vazhdojnë të kenë si “model orientues” paradigmat e vjetra tradicionale dhe paternaliste të funksionimit, që është një nga pengesat kryesore të ndërtimit të modelit, strukturimit dhe funksionimit në shoqërinë e sotme shqiptare.
Me gjithë ndryshimet që kanë ndodhur kur u “çel epoka” e aliazhuar në hapësirë dhe kohë e modernitetit të shkurtër, ndryshimet janë duke ndodhur me shumë pengesa e vështirësi, sepse ne trashëguam një strukturë shoqërore tradicionale, e cila akoma në thelbin e vet është thellësisht autoritare. Por këtë tendencë e organizimit autoritarist, me gjithë ndryshimet që kanë ndodhur, e ndeshim edhe në format e tjera të organizimeve të jetës sociale në familje, shkollë, punë, organizimet fetare, politike etj.. Shoqëria jonë është e detyruar të ndjekë lëvizjen në sensin e duhur, edhe pse ajo ka vënë në krizë ekzistenciale strukturat sociale ekzistuese dhe sidomos modelin tradicional e paternalist.
Koha është kundër çdo tendence të idolatrizimit “pa kushte” të zakoneve dhe traditave të së kaluarës. Sidomos ndaj një lloj “paternalizmit mendjemadh” të mbivlerësimit të parimeve të jetës tradicionale. Kjo do të thotë se si shoqëri duhet të ndërgjegjësohemi se “standardet” e jetës moderne, duhet të bëhen aspirate të mëdha. Shoqëria shqiptare sot është “tjetër lloj”, është shoqëri me organizim, filozofi sociale dhe moral tjetër lloj. Mund të duket ca e tepruar ideja e sociologëve, se në këtë shekull “asgjë nuk do të jetë siç ka qenë më parë”. Prandaj, radikaliteti i problemeve me të cilat po përballemi sot, akoma më shumë në të ardhmen, duhet të na bindin se ato nuk mund të shpjegohen me “korpuset doktrinare” të së kaluarës, ngurtësinë e tezave dogmatike të epokës tradicionale. Në fakt, kur erdhi në botë epoka moderne, filozofët dhe sociologët dhanë “alarmin”, se ishte nevojë imediate të zgjeroheshin “kufijtë e arsyes” njerëzore për ta kuptuar kohën. Ky imperativ është imediat dhe urgjent. Ndoshta deri në kufijtë që janë “përtej arsyetimeve” tradicionale, si kusht për të kuptuar fshehtësitë dhe enigmat e kohës moderne. Kjo kohë me sa duket do jetë “kohë e shkakësive të papritura”. Ndaj duhet të përgatitemi që të përballemi me dinjitet me të.
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Gjermania dhe Finlanda në alarm pasi një kabllo nënujore që lidhte dy vendet ka pasur “një ndërprerje”
Pesë fjalët e Zelenskyt për t'i shkaktuar frikë Putinit - përpara sulmeve me raketa amerikane thellë në Rusi
Arratisje spektakolare e policit në Gjirokastër, kur mori vesh se do të arrestohej
"Jemi të lumtur dhe tani presim kundërshtarin e play-offit" - Muriqi flet pas fitores
Rohde: Gjermania kufizon aktivitetet politike për zgjedhjet e Kosovës në territorin e saj
Kammer: Me këtë rritje Kosovës i duhen 20 vjet për të arritur te gjysma e standardit evropian