LAJMI I FUNDIT:

“Kodi i jetës” – pasqyrë e përpjekjeve për vazhdimësinë e jetës shqiptare

Patëm rastin ta shikojmë edhe ne në Shqipëri, në kinemanë Imperial, filmin “Kodi i Jetës”, të dramaturgut dhe regjisorit të mirënjohur Ekrem Kryeziu. Tema e filmit është mbështetur në ngjarjet e luftës së popullit të Kosovës kundër barbarizmave serbe në vitin1999. Qysh në fillim të filmit, një nga personazhet – që është edhe komandant i një njësiti të luftës çlirimtare – thekson idenë madhore të filmit, në porosinë që i jep nuses së re: ”Ma ki kujdes djalin”. Dhe, vetëtimthi mendja na shkon te “Epoka para gjyqit”, ku shqiptari nga Kosova, nga qelia e burgut i thotë të shoqes: ”Amanet djalin Hajrie”!Mesa duket ky lajtmotiv – vazhdimësia e jetës shqiptare, përballë synimeve asimiluese të pushtuesve të huaj – është pjesë e konstitucionit shpirtëror të dramaturgut dhe regjisorit Kryeziu, lajtmotiv që e ngacmon vazhdimisht dhe e ka nxitur ta trajtojë përsëri këtë temë. Por, këtë herë në rrethana të reja historike, po aq të rënda për ekzistencën e Kosovës, sa edhe në vitet e Perandorisë osmane. Fabula e filmit, e ndërtuar nga skenaristi Kryeziu, është shumë interesante dhe një nga gjetjet artistike shumë të veçanta: e mbështetur mbi traditën shpirtërore të popullit tonë.

Gjatë masakrave barbare të ushtrisë serbe, familja e komandantit vritet së bashku me djalin që la kur iku në mal, dhe groposen në varre masive. Përmes një sërë barbarizmash për shfarosjen e fshatrave shqiptare dhe varrimeve masive, regjisori Kryeziu ka meritën të na shpalos të madhërishmen – Pavdekësinë. Kjo kategori estetike vjen më shumë jo vetëm përmes një konvencioni artistik, refleks i së kaluarës historike, por edhe si shtysë e së vërtetës jetësore e frymëzuar nga ngjarjet aktuale. Në film, elementët realë ndërthuren me ato të legjendës, për të provuar artistikisht se qëndresa e popullit të Kosovës – në këtë luftë 100 vjeçare me barbarët serbë – mbetet legjendare.Lani, babai i komandantit që i kishte shpëtuar vdekjes, ngrihet nga varri, ku e kishin varrosur për së gjalli së bashku me të tjerët, si një Konstandin i legjendës së lashtë. Dhe, në vend që të ligështohet nga pamjet makabre që shikon rrugëve e fshatrave të mbushura me kufoma, gjen forca dhe vazhdon drejt lartësive për të mos rënë në duart e ushtrisë serbe. Ku shkon? Domethënia artistike jepet e qartë pasi takon rrugës një vajzë që pos që ishte dhunuar, edhe familja e saj e kishte pasur të njëjtën tragjedi. Ajo bëhet dëshmitare e krimeve barbare në një makinë, brenda së cilës transportohen së bashku me të vrarët e fshatit të saj edhe pjesëtarët e familjes (dhe veçanërisht vëllai i saj i vogël). Mes vajtimeve lebetitësh, kujtohet se diçka duhet të bëjë dhe vërvitet nga makina për të përfunduar në një fshat pa jetë, ku dëgjohet vetëm e qara e një fëmije pranë nënës së vrarë. Ky është një detaj i rrallë dhe merita e Kryeziut për këtë është madhore. Përmes një trishtimi të thellë, vajza e merr krijesën e njomë në gjoksin e saj dhe nis udhëtimin në të cilin takon Lanin.

Vazhdimësia e jetës së kësaj fëmije, si simbol i vazhdimësisë së etnisë shqiptare, mbetet qëllimi i të dy personazheve, ideali i jetës së tyre, njëkohësisht ai mbetet edhe mesazhi i madh i autorit të filmit.Përmes udhëtimit të dy feniksëve, filmi paraqet jo vetëm barbarizmat e ushtarëve serbë, por edhe qëndrimin aktiv të të dy udhëtarëve për të ekzistuar dhe për të shpëtuar simbolikisht të ardhmen që po e shtegtonin në ato rrethana tragjike. Kuptimi figurativ që kërkon të paraqesë Kryeziu përmes atij udhëtimit dhe kalvari vuajtjesh të dy personazheve kryesore, duke kapërcyer pritat, vështirësitë dhe dhimbjet shpirtërore gjatë ndjekjeve që u bëjnë ushtarët serb, është i dyfishtë.


Së pari, ai thekson se për të rezistuar duhet të kundërpërgjigjesh me po ato mjete që përdor kundërshtari. Në përpjekjet mbinjerëzore të të dy personazheve kryesorë mishërohet edhe kontributi ityre në luftën për çlirimin e Kosovës.

Së dyti, ai nënvizon me gjuhën artistike objektivin strategjik të barbarëve, lufta e përhershme e të cilëve, e fshehtë ose e hapur, kundër të ardhmes së Kosovës, ka qenë dhe do të jetë edhe në të ardhmen konstante – ndërprerja e vazhdimësisë së etnisë shqiptare. Por, në film jeta shqiptare triumfon, dhe e ardhmja paraqitet me tone optimiste, si dëshmi e një populli të pamposhtur dhe përjetësisë së tijTë dy personazhet në mënyrë të natyrshme marrin pjesë në luftë, jo të organizuar, por spontanisht, si jehonë e traditës së lashtë, për të thënë se fitorja dhe ekzistenca kërkojnë qëndresë dhe bashkim të forcave. Ata shpalosin shpirtin e sakrificës dhe solidaritetin e tyre njerëzor. Plaku, Lani, e quan vajzën që mbante fëmijën në dorë – “Engjëll”. Ky simbol i korrespondon Kosovës martire e cila është engjëll e jetës e së ardhmes.

Kryeziu nuk ka për qëllim të japë tërë luftën e UÇK-së, jehona e së cilës për shikuesin ndjehet në çdo sekuencë filmike. Ajo është e pranishme, sepse është ajo që u jep forcë dhe shpresë të dy personazheve kryesorë që kanë ndërmarrë udhëtimin legjendar. Thënia e personazhit kryesor, Lan Druvarit – në interpretim të hollë të aktorit të mirënjohur Xhevat Çorraj – drejtuar vajzës se “ne nuk mund të bëjmë pa njëri-tjetrin”, është mesazhi madhor që u drejton Kryeziu tërë shqiptarëve. Pra, nuk mund të bëjnë brezat pa njeri-tjetrin; nuk mund të bëjë e sotmja dhe e ardhmja pa të djeshmen; nuk mund të bëjë e tëra pa pjesëzën; nuk mund të bëjë e përditshmja pa eksperiencën, pa sakrificën, pa bashkimin e forcave të gjithëve… Sepse, vetëm kjo siguron vazhdimësinë e etnisë sonë.Zgjidhja për mbylljen e filmit nga Kryeziu është dhënë në mënyrë sa reale aq edhe figurative: një gjetje befasuese dhe shumë artistike. Në një pritë ndaj një njësiti serb mbeten të rrethuar të dy udhëtarët, plaku dhe gruaja, që luftojnë dhe i asgjësojnë barbarët që po i ndiqnin. Çeta çlirimtare e drejtuar nga djali, që e ndiqte aksionin, u shkon në ndihmë. Djali (komandanti) gëzohet se gjeti babanë gjallë dhe babai gëzohet se takoi djalin gjallë. Pas emocioneve të para, i ati i thotë të birit: “Mere djalin”. Komandanti merr nga krahët e vajzës djalin që i përfytyrohet si Lisi i tij…

Meritë e regjisorit Kryeziu është se imazheve të marra nga jeta u jep një karakter figurativ, duke e lëvizur semantikën dhe domethënien letrare nga rrafshi i një trajtimi dramatik e psikologjik në një kuadër historik me kuptime metaforike. Përmes regjisurës së tij ai krijon tension, duke përafruar realitetin e atyre viteve.

Për sa i takon kodeve filmike, Kryeziu i shmanget klisheve, retorizmave. Ai, përmes imazheve tronditëse paraqet përjetime reale dhe emocionale. Në regjinë e filmit ka një gjuhë artistike me ide të shkrira në tërësinë e subjektit, ka imazhe që më flasin më shumë se fjalët, prandaj në to ka pak tekst. Këtu vlen të theksohen skenat e dhunimit, vrasjes pas shpine, dëbimeve biblike – sa me pushkatime sa me traktorë apo me trena. Pamjet lëvizin në një gamë të gjerë figurative që tejkalojnë fuqinë e fjalës.Kryeziu, me kompozimet e mjeshtërore të kuadrit dhe ngjyrimeve brenda përbrenda tyre nuk ka për qellim vetëm fiksimin e realitetit, por a, kështu e motivon dhe e zgjeron gamën e mjeteve shprehëse përmes të cilave luan me të bukuren përball dhunës, me qellim të thotë – përmes gjuhës filmike – se e bukura s’vritet dot.

Dëshmi krijuese për këtë është kontrasti tronditës midis vendit të lulëzuar, peizazheve të bukura, që sjellin një qetësi shpirtërore dhe barbarizmave serbe. Planet janë të alternuara, të bukura, dhe fitojnë vlera artistike (veçanërisht ujëvara e shkumëzuar flet artistikisht për vazhdimësinë e jetës).

Një meritë të madhe kanë aktorët të cilët përcjellin gjithçka, që lidhet me personazhet, me idetë, mendimet, ndjenjat, konfliktet, gjendjet shpirtërore… Ata janë pranë të vërtetës jetësore, sa ekspresiv nga pikëpamja e imazhit, aq edhe humanë në mënyrën e komunikimit dhe transmetimit të mesazhit të filmit. Ata kanë arritur të mishërojnë karaktere origjinale, si Xhevat Çorraj, Çun Lajçi, Bubulina Lajçi apo Albulena Kryeziu, Fatime Sefaj, Shpejtim Kastrati apo Ilir Tafa dhe Mentor Zymberaj. Secili nga ata, në mënyrë të vetë, kanë karakteristika të veçanta që e bartin peshën e filmit duke e shtjelluar porosinë ideore dhe filmike të Kryeziut: kush më shumë, e kush më pak, por të gjithë së bashku punën e tyre e bëjnë në mënyrë të besueshme.Një element përbërës me shumë funksion në film është muzika. Kompozitori Rauf Dhomi ka dhënë emocionalisht bukur gjendjet shpirtërore dhe situatat e ndërlikuara dhe të papritura në film. Përmes tingujve muzikorë ai ka stigmatizuar barbarinë dhe në mënyrë shumë prekëse ka paraqitur përjetimet emocionale të aktorëve, veçanërisht të atyre femrave që mbajnë pothuaj peshën kryesore të filmit. Muzika është një komponent i rëndësishëm i filmit dhe mbështet tërësinë e mesazhit të tij.

Skenaristi dhe regjisori Kryeziu, së bashku me tërë ekipin e aktorëve dhe atë teknik, na kanë dhënë një film të realizuar artistikisht që do të shërbejë jo vetëm për vlera estetike, por edhe për të dëshmuar për atë periudhë historike tragjike të popullit shqiptar të Kosovë.

Në trend

Më shumë
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Hegseth: Ukraina nuk mund të kthehet në kufijtë e vitit 2014

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Hegseth: Ukraina nuk mund të kthehet në kufijtë e vitit 2014

Evropa
Viktima është një 42 vjeçar, u vra brenda një lokali – policia jep detaje për vrasjen në Skenderaj

Viktima është një 42 vjeçar, u vra brenda një lokali – policia jep detaje për vrasjen në Skenderaj

Kronika e Zezë
Gjesti paralajmëron produksionin e Big Brother në Kosovë e Shqipëri: Vetëm sa të dal, ma keni futur pas shpinës

Gjesti paralajmëron produksionin e Big Brother në Kosovë e Shqipëri: Vetëm sa të dal, ma keni futur pas shpinës

Magazina
Vrasja në Skenderaj – identifikohen dy të dyshuarit, të njëjtit ndodhen në arrati

Vrasja në Skenderaj – identifikohen dy të dyshuarit, të njëjtit ndodhen në arrati

Kronika e Zezë
Problemet teknike, nis rinumërimi i të gjitha kutive të votimit

Problemet teknike, nis rinumërimi i të gjitha kutive të votimit

Lajme
Sulmi kibernetik ndaj ueb-faqes së KQZ-së, analiza e ekspertit të sigurisë kibernetike: Kishte për qëllim infektimin e vizitorëve dhe vjedhjen e informatave

Sulmi kibernetik ndaj ueb-faqes së KQZ-së, analiza e ekspertit të sigurisë kibernetike: Kishte për qëllim infektimin e vizitorëve dhe vjedhjen e informatave

Lajme
Kalo në kategori