LAJMI I FUNDIT:

Kodi i Ibrahim Rugovës

U vendos. Pozita dhe partia më e madhe opozitare, të mbështetur edhe nga faktori ndërkombëtar, më në fund e kuptuan se Republikës së Kosovës i duhet një President i zgjedhur drejtpërdrejtë nga elektori i vendit. Kjo ide u dha para më shumë se dhjetë viteve nga Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, i cili në atë kohë këmbëngulte që Presidenti i vendit si garantues i unitetit të popullit të zgjidhet drejtpërdrejt nga qytetari i Kosovës, duke mos dashur që pozita e të parit të vendit të jetë pjesë e pazarllëqeve të ngushta politiko-partiake për formimin e institucioneve. Pra, ky propozim i Presidentit Rugova, që në atë kohë ishte propozim i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka hyrë në proces të formalizimit, pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje politike dhe pasi që kjo marrëveshje u votua nga deputetet për t’u bërë Rezolutë në Kuvendin e Republikës se Kosovës dhe udhërrëfyes i reformës kushtetuese dhe legjislacionit tjetër për të krijuar bazën e shëndoshë juridike për organizimin e zgjedhjeve presidenciale, parlamentare dhe lokale në vendin tonë.

Sido që të jetë, nuk është hera e parë qe idetë dhe propozimet e Presidentit Rugova kuptohen, si të qëndrueshme dhe të pashmangshme, tek pas dhjetë viteve të parashtrimit të tyre dhe kjo tregon se Ai më të vërtetë ishte lider më vizion të jashtëzakonshëm.

Për shumë kë, idetë e Tij të parashtruara në fillim të viteve të nëntëdhjeta të shekullit të kaluar, si protektorati ndërkombëtar si fazë kalimtare, pastaj përcaktimi i Tij politik dhe nacional për një Kosovë të pavarur, të integruar në NATO e Bashkimin Evropian dhe në miqësi të përhershme më Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe ideja e ndërtimit të autostradës Tiranë-Prishtinë, janë konsideruar ide utopike. Koha ka treguar dhe po tregon se idetë dhe propozimet e Tij, kanë qenë dhe janë rrugëzgjidhja e problemeve, qofshin ato të karakterit të përcaktimeve nacionale apo edhe të çështjeve të organizimit të brendshëm të sistemit institucional dhe politik të vendit. Duke qenë kështu, në vendin tonë është krijuar një Kod filozofik, pra Kodi i Rugovës apo Kodi i Ibrahim Rugovës. Është emergjente që të përmblidhet ky Kod, nga librat e Tij, nga shtypi ditor i asaj kohe, pastaj të mbledhin materialet filmike të konferencave të shtypit që i mbante Presidenti Rugova, në atë mënyrë që liderët e tashëm dhe të ardhshëm të vendit tonë, të pajisen më këtë Kod unikat që është dhe do të mbetet Kurani dhe Bibla e politikës moderne dhe shtet ndërtuese të Republikës së Kosovës dhe pse jo të politikës shqiptare në këtë pjesë të Evropës.


Kodi i Ibrahim Rugovës, do të mbetet testamenti i filozofisë së Tij politike dhe nacionale, filozofi që është alfa dhe omega e diplomacisë se re të vendit tonë. Mbi idetë, Rugovën e karakterizon shpirti human i veprimit. Akterët e tashëm të politikës në vendin tonë, nëse dëshirojnë të jenë liderë në kuptimin e plotë të fjalës, duhet ta kenë model Ibrahim Rugovën. Rugovën që politikën e konceptonte si armën kundër luftës dhe të keqes, humanizmin si frymën e saj, dialogun si artin e të mirës, vendosmërinë si element të arritjes së qëllimit, besimin si forcën e së vërtetës, qytetarin si sovran të vendit, atdheun të shenjtë, lirinë e demokracinë si domosdoshmëri, nderimin e historisë dhe të lavdisë, faljen si forcë karakterizuese, përkushtimin gjerë në shkrirje për forcimin, mbrojtjen dhe lartësimin e Republikës dhe kombit tonë.

Rugova mbeti Rugovë. Idetë dhe propozimet e Tij janë të pashtershme. Ato janë realizuar, po realizon dhe do të realizohen tutje. Mbesim në pritje se cili do të jetë veprimi konkret politik dhe vendimmarrës i radhës që do të realizoj ndonjë ide të Presidentit Rugova. Ato do të jenë të shumta. Se sa janë afër të realizohen nuk e di, por e di që duhet kaluar shumë vite për t’i kuptuar dhe realizuar ato.