LAJMI I FUNDIT:

Koalicionistë, mos i nënçmoni bisedimet teknike!

E tera çka dëgjohet, flitet dhe shkruhet këto ditë është një koalicion i radhës. Rreth tij zhurmohet sikur të tillë të mos ketë pasur kurrë. Madje dëgjohet të thuhet që jemi në pritje të një koalicioni të rivalëve më të mëdhenj politik. Sa shumë u habita! A thua ajo mendje që e tha këtë dhe ajo dorë që e shkroi këtë, nuk paska jetuar në Kosovë më herët, apo nuk qenkan të njoftuar me zhvillimet kronologjike politike në vend.

Të gjithë jemi dëshmitarë të një koalicioni i cili para disa vitesh na mahniti të gjithëve. Një koalicion mes rivalëve të përbetuar, në mes të atyre që të përbashkët kishin vetëm përkatësinë kombëtare. Konceptet politike u dallonin sikurse nata me ditën. Ndërsa sot për koalicionin e radhës dëgjoj të thuhet, se është i çuditshëm dhe i pazakontë, sikur për ketë çështje të mos kemi një precedent. Një koalicion mes subjekteve që unë nuk ua vërej dallimet, qofshin konceptet apo orientimet. Që të dy këto subjekte dolën nga një vijë, e njohur si krahu i luftës. U ndanë, apo më mirë thënë u krijuan dy parti, thjeshtë për mospërputhje interesash, ndërsa bashkimi i tyre sot duket i çuditshëm. Shpresoj arsyeja e bashkimit të mos ju frikësoj, pasi pa dyshim që është qeverisja e mirë!

Por e lëmë këtë çështje në duar të koalicionistëve. I kthehemi një teme të harruar nga të gjithë, bisedimet teknike, a po i bëjmë, a jo? Apo ndoshta i kemi zgjidhë të gjitha këto çështje dhe vetëm për pushtet na duhet të mendojmë. Apo mbase bisedimet do ia lëmë opozitës, sepse kanë më shumë sens diplomacie. Sinjalet tregojnë për tema të nxehta, edhe realiteti të njëjtë gjë që e dëshmon. E kush është i gatshëm për këto tema me negociu. Këta që për herë të parë po hynë në Kuvend. Që për temat që do bisedohen, kanë dëgjuar vetëm përmes televizionit.


Do dëshiroja shumë që këto bisedime të kthehen në vëmendjen e koalicionistëve. Që pikërisht në këtë koalicion, i cili do të ketë fatin të bartë barrën e bisedimeve, të përfshihen personalitete dhe njerëz me kredibilitet. Personalitete të dëshmuara në proceset shtetndërtuese. Njerëz me autoritet në shoqërinë kosovare dhe jo njerëz me autoritetin e votës, sepse kjo votë, të gjithë e dimë si erdhi. Ose të paktën të shohim një koalicion që nga ato pak personalitete shkence që ka, t’i shohim në skenë, sepse ne qytetarët më të sigurt do të ndihemi.

Kur në kabinetin qeveritarë do të shohim personalitete që në konferenca dhe bisedime ndërkombëtare janë dëshmuar edhe më herët, qysh nga Rambujea, Vjena e konferenca të tjera. Personalitete që dinë të përfaqësojnë, mbrojnë dhe argumentojnë interesat e qytetarëve. E me të tillë në institucione edhe pse pak, ne qytetarët do ndihemi më mirë sepse të tillë po kërkon dhe koha. E nëse në bisedime nuk ecim me kohën, do kemi një Isë Boletin të dytë që me kobure në shokë shkoi për të dialogu me personalitetet e botës, pa laps e pa letër. Për të iu shmangur kësaj do të ishte shumë e kohës që Qeveria e radhës të ketë në përbërje konstitucionalistë dhe personalitete që bënë kushtetutën e Kosovës, sepse askush më mirë se këta nuk dinë të negociojnë në mbrojtje të institucioneve dhe vlerave kushtetuese të vendit tonë.